Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet në seancë publike ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Seanca nisi në orën 10:00 dhe i pranishëm është edhe kryebashkiaku Veliaj që shfaqet për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt. Veliaj mbrohet nga dy avokatët, Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi.
Presidenca përfaqësohet nga Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, ndërsa Kryeministria nga Herald Jonuzaj, Vangelt Duni. E pranishme është edhe avokatja e shtetit Irma Qosja.
Relatorja lexon pretendimet e Veliajt: Presidenti Begaj mori atributet e gjykatës
Relatorja Sonila Bejtja ka lexuar pretendimet e Erion Veliajt, i cili kundërshton vendimin për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të bashkisë.
Sipas Veliajt, procedura e shkarkimit u bë me urgjencë dhe drejtoi gishtin nga Këshilli i Ministrave, duke thënë se ka shkelur ligjin.
Bejtja teksa relaton pretendimet e Veliajt, thotë se Këshilli i Ministrave nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar kritereve ligjore që përcakton ligji për shkarkimin e kryetarit të bashkisë”
“Nuk ka bërë analizë të parimit të propocianalitetit të garantuar nga neni 17 i Kushtetutës, ndonëse kërkuesi nuk ka bërë asnjë shkelje që të kërkonte shkarkimin e menjëhershëm të tij. Si organ që ka të drejtën e shkarkimit të një kryetari bashkie, nuk duhet të miratojë vendimin e këshillit bashkiak, por duhet të verifikojë themelin e vendimmarrjes”, lexon në relatim Bejtja.
Ndërkohë sa i takon presidentit Bajram Begaj, sipas Veliajt ai “ka marrë atributet e gjykatës”.
Mbrotja e Veliajt: Shkarkimi është politik, jo ligjor
Mbrojtja e Erion Veliajt argumentoi se veprimet e Këshillit Bashkiak nuk bazoheshin në ligj, por ishin të motivuara politikisht. Sipas avokatit, neni 62, pika c, i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës parashikon se qeveria mund të marrë vendim vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve.
Po ashtu, mbrojtja përmendi gjithashtu kërkesën e këshilltarit Endri Shabani drejtuar këshillit Bashkiak për shkarkimin vetëm pak ditë pas arrestimit të Veliajt në muajin shkurt. Po ashtu edhe kërkesën pas tre muajsh mosparaqitjeje në detyrë të veliajt, të bërë nga këshilltarët e PD-së në Bashki. Këto kërkesa, thotë mbrojtja, nuk u morën parasysh, por në ditën kur u votua propozimi i këshilltarëve socialistë, u votuan edhe këto dy kërkesa të mëparshme.
“Në lidhje me pretendimet për shkeljen e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, vetëm 15 pas arrestimit Veliajt, këshilltari i Këshillit Bashkiak, Endri Shabani i paraqiti kërkesë këshillit për nisjen e procedurave për shkarkimin se nga arrestimi ishte krijuar boshllëk në bashki. Shkak që nuk parashkrohet as në Kushtetutë dhe as në ligjin për qeverisjen vendore. Pra Shabani propozoi shkarkimin bazuar në një shkak ekstra juridik. Kjo kërkesë nuk u trajtua. Më 09.05. 2025, këshilltari demokrat Ilir Alimehmeti drejtoi kërkesën për shkarkimin e Veliajt për shkak të mangësisë 3 mujore.
Edhe për këtë kërkesë nuk u mor vendim. Më 18.9.2025, këshilltarët e PS në Tiranë kërkuan propozimin e shkarkimit të Veliajt për shkak të mungesës për më shumë se tre muaj në detyrë dhe siç thuhet në kërkesë në zbatim të orientimeve politike të partisë që përfaqëson. Mbledhja e këshillit është thirrur vetëm në zbatim të kërkesës së grupit të PS, pra në rend dite ka qenë kjo kërkesë por po në këtë relacion është propozuar nga maxhroanca dhe është votuar pro kërkesës së këshilltarëve të PD dhe Shabanit. Pas kësaj janë miratuar tre kërkesat e mësipërme pra si shkak për propozimin e shkarkimit ka qenë edhe shkaku ekstra ligjor nga Shabani.
Në këtë situatë është cenuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë parimi i shtetit të së drejtës se vetë nisma për shkarkimin është nisur nga një bazë ekstra juridike. Ligji parashikon qartë rastet e përfundimit të mandatit por nuk njeh si shkak shkarkimi boshllëkun. Kjo dmth se këshilli nuk ka vepruar mbi baza ligjore por mbi motive nga diskursi politik, duke e shndërruar një procss administrative në një në një veprim politikisht të motivuar”, tha ai.
Veliaj “thumbon” kolegët e PS
Erion Veliaj tha se u ndje shumë i fyer nga bashkëpunëtorët e tij socialistë që kërkuan shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës me pretendimin se nuk ka qenë për më shumë se 3 muaj prezent në detyrë.
Veliaj u shpreh se “goditja më e rëndë më erdhi nga të mitë”, duke iu referuar bashkëpunëtorëve të tij në bashki që sipas tij, nuk e mbrojtën dhe nuk e dëgjuan.
Veliaj nuk i ka kursyer thumbat ndaj ish-kolegëve teksa u shpreh se “lutem çdo natë për ta dhe them Zot fali se nuk dinë ç’kanë bërë me atë vendim”.
“Kur beson që ke dhënë gjithçka për këtë mandate të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra. Dhe citoj ‘mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj’. Nuk kishin se sit ë më fyenin më rëndë sesa kaq. Ka qenë fyerja më e rëndë e jetës time publike dhe këtë e thotë dikush që ka dëgjuar fyerje dhe legjenda urbane pa fund. Por kjo është fyerja më e rëndë sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se çdokush tjetër. Dhe që nuk denjuan as të më ftonin, as të më njoftonin dhe as të më dëgjonin. Zoti i faltë. Lutem çdo natë për ta dhe them Zot fali se nuk dinë ç’kanë bërë me atë vendim. Ata kanë qenë prezentë të rrëmbimit tim nga burgu. Djalin tim unë e kam takuar më shumë në burg sesa në liri”, tha mes të tjerash Veliaj.
“Qeveria më shkeli të drejtat”
Veliaj ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për shkelje të të drejtave dhe denigrim.
“Kjo është një historike. Demokracinë ta ruajmë si pasuri jo ta sakrifikojmë për një gjë të momentit. Kjo cështje do përcaktojë në se pushteti do i përkasë qytetarëve. Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm. Sot jam këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim ndaj kushtetutës dhe kontratën me qytetarët e Tiranës. Do e mbroj këtë betim deri në fund, nuk ka dicka më besnike se kjo,” tha Veliaj.
Veliaj thekson se shkarkimi dhe izolimi i tij ishin politikisht të motivuar.
“Punë nga e cila më shkëputen pabesisht ata që donin me të shihnin më pranga në duar dhe jo me lopatë në duar. Që nuk donin Lali Erin në zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol dashurie për qytetin. Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën.
E vërteta është se mos prezenca ime nuk ka qenë zgjedhja, pra unë nuk zgjodha që të vetërrëmbehem, të vetëizolohem dhe vetëinternohem në qytetin e Durrësit në një burg në kënetë.
Por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi dispropocional nga letra anomime dhe zell persekutues që me privoi jo vetëm nga liria dhe familja, por edhe qyteti im”, tha ndër të tjera Veliaj.
“Prek në sedër” trupën gjykuese: Mbroni demokracinë
Veliaj i kërkoi trupës që të mbrojë demokracinë e cila sipas tij është vënë në sprovë. Teksa e cilëson arrestimin e tij si një rrëmbim e mbyllje me vrasës serial, Veliaj insiston se nuk ka bërë asnjë shkelje të rëndë për ta shkarkuar nga detyra.
“Kjo është e drejta ime për të qenë këtu. Faleminderit që më dhatë këtë të drejtë. Kam pritur 9 muaj për këtë të drejtë. Me kanë izoluar në një qeli me vrasës serialë. Kam përjetuar një periudhë të gjatë me shkelje të të drejtave. Ky është një përçmim ndaj votës. Ky është një përçmimi që populli i jep republikës për ta drejtuar në emër të tij. Jam këtu si kryetar i bashkisë së Tiranës me të drejtën që ma kanë dhënë 165 mijë qytetarë. Nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për të kërkuar mbrojtjen e demokracisë që sot po vihet në sprovë. Jemi betuar që ta mbrojmë demokracinë. Ky nuk është mandati im, por një kontratë besëlidhje dhe do bëj gjithçka që ma lejon ligji për ta mbrojtur këtë kontratë. Askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri. Me respekt, pyes çfarë shkelje të rëndë kam kryer unë?”- tha Veliaj në Gjykatë.
Veliaj-Gjykatës: Ktheni shtetin në binarët e Kushtetutës
Në fund të fjalës së tij, Erion Veliaj kishte edhe një thirrje për anëtarë e Gjykatës Kushtetuese. Teksa i cilësoi si trupi ndërmjetës mes popullit dhe pushtetit, Veliaj kërkoi nga kjo gjykatë që të kthejë pushtetin në “binarët”, e Kushtetutës.
“Nuk jam këtu për mëshirë apo privilegj, kërkoj drejtësi kushtetuese. Drejtësia e ndan shtetin e së drejtës, nga shteti i frikës. Në këtë moment vendimtar ju nuk jeni një gjykatë që po shqyrton një shkarkim të një kryebashkiaku, jeni trupi ndërmjetës mes popullit dhe pushtetit, i krijuar për ta mbajtur pushtetin brenda kufijve që i ka caktuar kushtetuta. Vetëm kjo gjykatë mund ta kthejë pushtetin në binarët e kushtetutës”, tha Veliaj.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
KËTU MUND TA NDIQNI LIVE:
 
	    	















