Kosova vijon të mbetet pa qeveri funksionale, ndërsa Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nisur sot një takim me liderët e partive politike në Presidencë në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik që ka paralizuar institucionet.
Takimi vjen pas dështimit të formimit të qeverisë me mandatarin e parë, Albin Kurtin, në seancën e fundit parlamentare. Pavarësisht 56 votave pro, Kurti nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të krijuar kabinetin e ri qeveritar.
Osmani ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje politike mes subjekteve parlamentare, duke paralajmëruar një proces konsultimesh intensive në ditët në vijim për të shmangur një krizë të thellë institucionale.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përjashtuar mundësinë që të jetë mandatar i radhës, ndërsa nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë qëndrim pas takimit me Presidenten.
Në hyrje të Presidencës, Albin Kurti u shpreh shkurt për mediat:
“Do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe e falënderoj zonjën presidente për organizimin e këtij takimi.”
Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas dështimit të mandatarit të parë, Presidentja ka afat 10 ditë për të caktuar mandatarin e radhës për formimin e qeverisë.
Ngërçi politik ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve që prej muajsh, ndërsa sot pritet të kuptohet nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.
 
	    	















