Gjykata e Beratit ka lënë në burg, Kristo Mema (alias Kontandin Oxhaj), 63-vjeç autorin e vrasjes me thike të 42-vjeçarit Keli Hoxha, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në kalanë e Beratit.
Prokurori i çështjes, Renato Tosku, pasi ka parashtruar rrethanat e ngjarjes, ka kërkuar për Memën masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje”, parashikuar nga neni i Kodit Penal.
Mësohet se në seancë, autori ka shprehur pendesë dhe ka deklaruar se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, pasi autori e kishte ofenduar dhe sharë nga familja. Në sallë ai u ka kërkuar falje edhe familjarëve të viktimës.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 28 tetorit në Kalanë e qytetit të Beratit. Debati mes autorit të vrasjes dhe viktimës filloi pasi ky i fondit i kishte prekur kalin, të cilin autori e përdorte për të shëtitur turistët rreth kalasë, kundrejt një pagese.
Mësohet se autori i ngjarjes,63-vjeçari Kristo Mema (alias Kontandin Oxhaj), pasi ka parë shtetasin Keli Hoxha që preku me dorë kalin i ka thënë që mos ta prekte më pasi kali-sipas tij-nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar.
Pas kësaj, autori dhe viktima kanë debatuar dhe në këto momente, autori ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar me thikë. Më pas, autori ka shkuar në banesë, ka lidhur kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e kalasë, për ti shpëtuar policisë.
Viktima Keli Hoxha,42-vjeç,banues në Tiranë dhe lindur në Tropojë, nuk mundi dot ti mbijetojë plagëve të marra dhe gjeti vdekjen sapo mbërriti në Spitalin Rajonal Berat.
Autori u kap disa orë më vonë, i fshehur në “shpellën e memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit. Autori Kristo Mema (alias Kontandin Oxhaj),63-vjeç,ka kryer një vrasje në vitin 1993 në Berat, por pas ngjarjes ishte larguar në Greqi për rreth 25-vjet,ku kishte ndërruar edhe emrin. Për këtë vrasje ai nuk ka bërë asnjë ditë burg, pasi vrasja ishte parashkruar.














