Kryeministri Rama ka qenë konsistent në ofrimin e ideve e sugjerimeve Kosovës dhe ato ide e sugjerime në masë të madhe e në formë konsistente dolën të mos jenë në interes të Kosovës.
Nga Veton Surroi
1.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte javën e kaluar një rekomandim për Kosovën në procesin e normalizimit me Serbinë:
“Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë në kuptimin që duhet të përmbushë në mënyrë uniterale të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë, siç i themi ne, topin në derë Serbisë, duke i thënë Evropës, duke u thënë të gjitha vendeve të Evropës, duke u thënë dhe atyre vendeve që nuk e njohin akoma, që ja kush jemi ne. I përmbushëm, i firmosëm, tani shkoni dhe merrjani firmën Serbisë. Por duhet të shkëputet totalisht nga Serbia dhe nuk duhet të jetojë me idenë e Serbisë”.
Një formë e ngjashme e rekomandimit nga kryeministri Rama është bërë më herët dhe fakti se ka kaluar një kohë prej atëherë nuk e ka bërë idenë më të pjekur. Rekomandimi është i gabuar në së paku tri rrafshe, e i pari dhe thelbësori është se Kosova nuk ka problem marrëdhëniet me asnjë fqinj tjetër, pos me Serbinë, dhe rrjedhimisht nuk mund ta harrojë e ta injorojë Serbinë. Kosova e pavarur është e shkëputur nga Serbia dhe nuk jeton me idenë e Serbisë, por shtetet e pavarura jetojnë në ndërvarësi: kur marrëdhëniet nuk janë të mira, kjo reflektohet në çështje sigurie, zhvillimi, pozitë ndërkombëtare, etj. Procesi i normalizimit është vendosja e prefiksit pozitiv kësaj ndërvarësie, një në të cilën veprimi i Serbisë nuk do të dëmtojë Kosovën në çështje sigurie, zhvillimi, pozicioni ndërkombëtar etj. (Dhe natyrisht, anasjelltas, që Serbia ta përjetojë Kosovën si shtet fqinj mik, e jo rrezik i interesave të veta kombëtare).
2.
Rrafshi i dytë i dobësisë së idesë së kryeministrit Rama është ai i formatit negociator të procesit të normalizimit. Kosova ka kaluar nëpër procese negociatore në Rambouillet (1999) e Vjenë (2007), ku Serbia ka refuzuar marrëveshjet, por Kosova i ka zbatuar në formë unilaterale. Një qasje e këtillë Kosovës ia ka sjellë çlirimin (ndërhyrja e NATO-s) dhe pavarësinë (me paketën Ahtisaari). Përderisa Kosova ka mundur të çlirohet e pavarësohet pa pëlqimin e Serbisë, Kosova nuk mund ta bëjë fqinje të mirë Serbinë nëse ajo nuk do.
Për ta arritur emërtuesin më të ulët të përbashkët të marrëdhënieve fqinjësore ndërshtetërore, Bashkimi Evropian ofroi Marrëveshjen e Brukselit-Ohrit e modeluar sipas Marrëveshjes Bazike (të të dy Gjermanive). Kjo marrëveshje, e konsideruar nga Brukseli si e arritur mes dy vendeve, ka si pikënisje barazinë e palëve, të shteteve sovrane që nuk ia mohojnë subjektivitetin njëra-tjetrës, ndonëse nuk e bëjnë njohjen e ndërsjellë si dy shtete. Kjo marrëveshje nuk mund të zbatohet në formë unilaterale nga logjika e thjeshtë – se Kosova si çdo shtet tjetër nuk ka pse të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore me veten – dhe nga thelbi i ekzistencës së kësaj marrëveshjeje: ajo ekziston në mënyrë që Kosova e Serbia të jenë fqinje të mira, duke kontribuar që të dy vendet me parimet e dakorduara mes vete.
3.
Rrafshi i tretë i dobësisë ka të bëjë me mosnjohjen e rrjedhës së procesit të normalizimit. Kosova ka pranuar publikisht, nëpërmjet kryeministrit Kurti, Marrëveshjen e Brukselit – Ohrit dhe është ofruar ta nënshkruajë. Serbia ka shprehur rezervime publike, nëpërmjet presidentit Vuçiq, ndaj Marrëveshjes që në Bruksel dhe Ohër dhe më pastaj këto rezervime i ka shprehur me shkrim në letrën e kryeministres së atëhershme Bërnabiq. Letra e rezervimeve, e dërguar sipas rregullave të Konventës së Vjenës, ka paraqitur kundërshtimin e Serbisë ndaj themelit të Marrëveshjes, pra barazisë së dy shteteve sovrane. Kjo letër nuk është tërhequr sipas rregullave të Konventës së Vjenës, rrjedhimisht Serbia ende nuk e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit – Ohrit.
Një veprim i këtillë në rrafshin diplomatik është përcjellë me veprime në fushat e tjera, prej bllokimit të identitetit ndërkombëtar të Kosovës deri te sulmi paraushtarak në Banjskë, i organizuar me dijeninë apo pjesëmarrjen e organeve shtetërore të Serbisë.
Në një këso situate, Kosova në fakt është duke iu qëndruar obligimeve të veta në Marrëveshjen e Brukselit – Ohrit, ndërsa Serbia nuk konsideron se ka obligim. Në një këso situate duhej të aktivizohej rekomandimi i kryeministrit Rama që Bashkimi Evropian, meqë Serbia e “ka topin në derë”, ta bindë këtë vend se duhet ta zbatojë Marrëveshjen dhe, për shembull, Kosova të hapë përfaqësinë e saj diplomatike në Beograd e ta ngrejë flamurin e Kosovës.
Është e qartë, nëse për bazë merren veprimet e kaluara të BE-së, se një gjë e këtillë nuk ka për të ndodhur. Sa për përkujtim, BE-ja ka vendosur masa ndëshkimi ndaj Kosovës për shkak të “veprimeve unilaterale” (si p.sh. shkuarjen e kryetarëve të komunave në zyrat e tyre), ndërsa nuk ka bërë as edhe një veprim të vetëm për të sanksionuar shtetin në të cilin udhëheqësi i vetëdeklaruar i aksionit paraushtarak në Banjskë gjendet në liri.
4.
Kryeministri Rama ka qenë konsistent në ofrimin e ideve e sugjerimeve Kosovës, dhe në masë të madhe ato ide dhe sugjerime në formë konsistente dolën të mos jenë në interes të Kosovës. Në një rast u ofrua me një Draft-statut për bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Kjo ofertë krijoi një përshtypje se ekziston një rrugë e shkurtër normalizimi dhe se ka shqiptarë që janë për këtë, por nuk jetojnë në Kosovë. Kjo ofertë po ashtu krijoi një përshtypje, po aq të gabueshme, se nuk ia vlejnë procedurat e ligjet në Kosovë (ato që kanë të bëjnë me vetëqeverisje lokale) që sigurojnë formën e sendërtimit të bashkëpunimit ndërkomunal, porse e tëra bëhet nga vullneti i liderit, i cili prodhon zgjidhje të ndritura.
Në një rast tjetër, kërkoi që pjesa e veriut të Kosovës të vihej në administrim të NATO-s, gjegjësisht të krijoheshin dy natyra pushtetesh në Kosovë, njëra prej të cilave do të suspendonte pushtetin civil të Republikës së Kosovës. Një zgjidhje e këtillë do t’i afrohej bukur shumë objektivit të Serbisë që nga viti 1999 deri më sot, ai i krijimit të një pushteti të veçantë në territoret e banuara me shumicë serbe, që do të kishte zinxhir komandues që çon në Beograd, e jo varësi institucionale me Kosovën.
Në intervistën në të cilën shpalosi javën e kaluar sërish një ide për Kosovën, kryeministri Rama shpjegoi se me gjithë kundërshtitë ndaj veprimeve të tij karshi Kosovës, “unë nuk ua heq asnjë presje atyre që kam thënë dhe as nuk kam asnjë pishman për asgjë që kam bërë, sepse të gjitha i kam bërë nga interesi i Shqipërisë”. Ndonëse është çështje për debat a kanë qenë veprimet e kryeministrit Rama karshi Kosovës interes i Shqipërisë (si mund të jetë në interes të Shqipërisë veprimi kundër interesave të Kosovës?), nuk do të duhej të ishte për debat që kryeministri i shtetit fqinj të konsultohet paraprakisht me autoritetet e Kosovës kur dëshiron të japë ide, sugjerime apo deklarime publike për Kosovën; është rregull bazik i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.
Mbase ky do të ishte një rifillim i mbarë për ripërcaktimin e interesave të Shqipërisë.
*Artikulli i Veton Surroi marrë nga Koha.net. Titulli origjinal:”Pse nuk ka marrëveshje dypalëshe me vetëm një palë”














