Emisioni “Kronos”
Prej vitesh një nga problemet kryesore të Shqipërisë mbetet menaxhimi i mbetjeve, proces që dhe pse ka marrë qindra miliona euro, ndodhet në pikën zero dhe vetëm 3 bashki nga 61 në total arrijnë të grumbullojnë dhe menaxhojnë një pjesë të tyre.
Një situatë utopike!
Shqipëria duket se është në të njëjtin stad me vitet 90’. Qytetarët derdhin plehrat në kosha dhe ndonjëherë në rrugë.
Asgjë nuk ka ndryshuar dhe pse qindra milionë euro janë shpenzuar dhe vazhdojnë të hidhen për këtë qëllim.
Prej vitesh një nga problemet kryesore të Shqipërisë mbetet menaxhimi i mbetjeve, proces që dhe pse ka marrë qindra miliona euro, ndodhet në pikën zero! Vetëm 3 bashki nga 61 në total arrijnë të grumbullojnë dhe menaxhojnë një pjesë të mbetjeve që gjenerojnë, por procesi sërish lë jashtë ndarjen në burim duke krijuar sfida të shumta.
Inceneratorët janë vulosur si një aferë korruptive dhe nga Prokuroria e Posaçme.
Por deri ku është Shqipëria me situatën e menaxhimit të mbetjeve krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian, ku synon të hyjë?
Kapitulli për mbetjet duket se do të jetë më i vështiri në negociatat që Shqipëria ka hapur për t’u anëtarësuar në BE.
Vitet e fundit për anëtarët e qeverisë socialiste ka qenë një temë tabu të flisnin për menaxhimin e mbetjeve. Afera me inceneratorët e cila ka vënë pas hekurave një ish-ministër, një ish-deputet dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë, duke përfshirë dhe akuzat për ish-zv/kryeministrin, ka qenë një nga njollat më të mëdha për qeverisjes Rama.
Fitorja e zgjedhjeve elektorale të vitit 2025 e cila i dha 83 mandate Partisë Socialiste, por dhe degradimi i situatës me djegien e plehrave në disa bashki, duket se detyroi vetë kryeministrin Edi Rama që të prezantonte një strategji të re për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ku ironikisht incenerimi nuk përmendet duke vënë në krye të saj ndarjen në burim dhe trajtimin e tyre përmes procesit të groposjes.
Duket se kjo strategji është orientuar në përputhje me direktivat që ka për menaxhimin e mbetjeve Bashkimi Europian, ku Shqipëria e cila ka hapur negociatat për disa kapituj, do të duhet të përputhë strategjitë në këtë sektor me ato europiane. Sfidat megjithatë janë të mëdha, si në aspektin e faturës që kërkon një investim në këtë drejtim dhe në energjitë dhe kohën që morën projektet e inceneratorëve, të cilat nëse do të kishin rezultuar të suksesshme do të na çonin në gjysmën e rrugës.
“Ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian. E them me keqardhje që ndërkohë kemi vënë re një përmirësim të mëtejshëm të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re asnjë vetëdijësim domethënës nga ana e qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit dhe nuk vëmë re përmirësime domethënëse në trajtimin e mbetjeve”, tha gjatë prezantimit kryeministri Edi Rama.
Pas krizës së menaxhimit të mbetjeve që ka pushtuar pothuajse të gjithë territorin, zgjidhja institucionale që po ofrohet mbështetet në ngritjen e një entiteti publik i cili do të grumbullojë dhe trajtojë të gjitha mbetjet në nivel kombëtar.
“Operatori kombëtar i trajtimit të mbetjeve, një agjenci e re e cila do të në jetë në dispozicion të të gjithë republikës duke përqendruar të gjithë procesin e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve dhe nuk do të administrohet nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me hallkat e tjera të qeverisjes. Bashkitë do të jenë klientë siç janë klientë të operatorëve të tjerë për të tjera shërbime”, sqaroi Rama.
Marrja në menaxhim e gjithë procesit të trajtimit të mbetjeve nga një operator kombëtar ngre pikëpyetje të shumta lidhur me kostot që do i shtohen bashkive si kliente që do të paguajnë një tarifë të caktuar për këtë proces, por dhe marrjen e kompetencave dhe përgjegjësive për menaxhimin e mbetjeve nga qeveria qendrore.
Në një deklaratë në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ambasada e Zvicrës dhe ajo e Suedisë u kujdesën të lëshojnë një mesazh për valën e reformave në fushën e administrimit të mbetjeve dhe ujit, të cilat tashmë kalojnë në dorë të ekzekutivit.
“Një vetëqeverisje vendore autonome është gurthemeli i çdo demokracie të shëndetshme. Bashkitë ofrojnë shërbime publike thelbësore dhe ato janë lidhja më e ngushtë midis qytetarëve dhe shtetit – duke siguruar pjesëmarrjen, angazhimin qytetar dhe llogaridhënien vendore. Ne nënvizojmë rëndësinë e sigurimit që çdo reformë që ndikon në qeverisjen vendore të zhvillohet përmes një dialogu të strukturuar, transparent dhe gjithëpërfshirës – me pjesëmarrjen kuptimplotë të autoriteteve vendore, shoqërisë civile dhe publikut të gjerë”, thanë në deklaratë dy ambasadat.
Në një nismë të re ligjore e cila u miratua disa ditë më parë në Kuvend, qeveria i është rikthyer procesit të ndarjes së mbetjeve në burim, ndërsa për trajtimin e tyre është vendosur që prioritet të jetë riciklimi dhe jo incenerimi duke bërë një kthesë 180 gradë me politikën që ndoqi përgjatë një dekade.
Në projektligjin e ri hierarkia e menaxhimit të mbetjeve është parandalimi, përgatitja e mbetjeve për ripërdorim, riciklimi, rikuperimi dhe e fundit është asgjësimi.
Nisma e re ligjore do të rritë kostot për bizneset e mëdha që janë gjeneruesit më të mëdhenj të mbetjeve duke zbatuar parimin “ndotësi paguan”.
“Kostot e menaxhimit të integruar të mbetjeve, duke përfshirë kostot e infrastrukturës dhe operimit të saj, mbulohen nga krijuesi ose nga zotëruesi i mbetjeve, në përputhje me parimin “Ndotësi paguan”, thuhet në Ligjin Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.
Parimi për përballimin e kostove nga prodhuesi përdoret në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por deri më sot në Shqipëri këto detyrimet por dhe tarifat që vendoseshin ndaj kompanive private nuk ishin qartësuar në mënyrë ligjore. Për mbetjet që krijohen nga komunitetet, ligji i ri ngarkon bashkitë për procesin e pastrimit dhe grumbullimit të tyre, ndërsa më pas ato do të dërgojnë për trajtim në një nga landfillet të cilat do të menaxhohet nga Operatori Kombëtar.
Strategjia e re e menaxhimit të mbetjeve e ndan vendin në 10 zona, ku parashikohet ndërtimi i landfilleve të reja ose zgjerimi i atyre ekzistuese, mbyllja e venddepozitimeve rastësore dhe të pakontrolluara, ndërtimi i stacioneve të transferimit dhe impianteve të kompostimit për të bërë më pas transferimin e mbetjeve për trajtim.
Në Fier, Elbasan, Korçë, Shkodër dhe Vlorë do të bëhet zgjerimi i landfilleve ekzistuese. Në Kukës, Dibër dhe Berat parashikohet të ndërtohen landille të rinj, ndërsa në të 10 zonat do të ndërtohen impiante përpunimi dhe selektimi të mbetjeve me qëllim diferencimin e atyre që janë për ripërdorim apo riciklim dhe atyre që janë për asgjësim.
Ligji i ri parashikon se do të jetë Këshilli i Ministrave që të miratojë metodologjinë e llogaritjes së kostove operative dhe të shërbimit të grumbullimit, pastrimit dhe transportit deri në stacionet e transferimit të mbetjeve nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Metodologjia do të përcaktojë edhe tarifat e menaxhimit të mbetjeve.
Pavarësisht politikave për rikthimin e landfilleve si trajtim për pjesën më të madhe të mbetjeve, qeveria nuk ka hequr dorë nga procesi i asgjësimit të tyre, proces i cili lidhet me atë të incenerimit.
Dhe pse gjatë fjalimeve në konferencën e dedikuar reformës në fushën e menaxhimit të mbetjeve, si kryeministri dhe ministrja Mirela Kumbaro u kujdesën që të mos përmendin termin incenerator, ish-ministrja e Mjedisit tha se me një “pjesë të mbetjeve do të prodhohet energji dhe biogaz sepse vendi nuk do të mbushet me landfille”.
Prodhimi i energjisë dhe bigazi bëhet përmes teknologjisë së incenerimit. Shqipëria ka paguar deri më sot për 3 projekte të tilla, por asnjë prej tyre nuk është funksional.
Shqipëria vitet e fundit nuk ka arritur që të ketë një performancë të mirë në trajtimin e mbetjeve urbane, madje edhe në raport me një dekadë më parë. Nëse në vitin 2013 trajtoheshin në vit 940 mijë ton mbetje, ndërsa në vitin 2023 regjistrohen 844 mijë ton mbetje të trajtuara. Vlerën më të lartë mbetjet urbane të menaxhuara e kanë shënuar në vitin 2015 me 1.4 milion ton mbetje, ndërsa ecuria ka vijuar në të njëjtat nivele deri në vitin 2018, për të rënë më pas në afro 1 milion ton mbetje të trajtuara në vitet 2019 dhe 2020 e për të kapur ekuilibrin e 850 mijë tonëve në vit periudhën e fundit.
Në total sasia e mbetjeve të menaxhuara për banor është 295 kilogram në vit, kundrejt afro 500 kilogram që ishte në vitin 2015 që regjistron sasinë më të lartë dhe 325 kilogram që ishte në vitin 2013, përpara se të investoheshin miliona euro në këtë sektor për ndërtimin e projekteve të inceneratorëve.
Sipas ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj direktiva e Bashkimit Europian parashikon që objektivi për riciklimin të arrihet në vitin 2035. Në raportin e vlerësimit planfikohet që kostot e përgjithshme të investimit për këtë infrastrukturë të shkojnë në rreth 683 milion euro. Ndërkohë edhe kosto vjetore për trajtimin e mbetjeve do të rritet nga 79 euro për ton që është këtë vit në 170 euro për ton në vitin 2035.
Me ligjin e ri, duket se një pjesë e përgjegjësisë për ndotjen e mjedisit dhe mungesën e ndarjes së mbetjeve në burim do të kalojë dhe te shkelësit e ligjit, personat fizikë të cilët do të sanksionohen me gjoba për shkeljet e rregullave.
Për kryeministrin Rama, përgjegjësia për situatën ku ndodhet vendi me grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve është e pushtetit vendor sjelljes së qytetarëve.
“E them me keqardhje që ndërkohë që kemi vënë re me kënaqësi një përmirësim të mëtejshëm të të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re as vetëndërgjegjësim të qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit dhe nuk vëmë re për fat të keq përmirësime domethënese as në trajtimin e mbetjeve”, deklaroi në konferencën për menaxhimin e mbetjeve kryeministri Rama.
Pavarësisht përgjegjësive që kërkohen nga kryeministri për qytetarët dhe bashkitë, kriza në procesin e menaxhimit të mbetjeve lidhet dhe përgjegjësinë e qeverisë qendrore e cila mori në dorë financimin e impianteve djegëse për trajtimin e mbetjeve në bashkitë Elbasan, Fier dhe Tiranë, projekte që dhe pse deri tani kanë marrë 155 milion euro nga buxheti i shtetit, rrezikojnë të çojnë në kolaps mjedisor bashkitë e këtyre qyteteve.
Por çfarë është bërë deri më sot në historinë e trajtimit të mbetjeve?
Në vitin 2009, pas aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, Komisioni Europian bëri një vlerësim për reformat që duhet të merreshin për tu përgatitur për anëtarësim.
Një nga rekomandimet ishte transformimi i mënyrës së trajtimit të mbetjeve, ku qeveria Berisha hartoi një strategji në vitin 2011 duke e përputhur me standardet e BE-së. Në këtë strategji prioritet vendosej riciklimi i mbetjeve dhe djegia vlerësohej si alternativa e fundit, për materiale që nuk kishin shanse të ricikloheshin dhe asgjësoheshin ndryshe. Në strategji, për të rritur investimet në industrinë e riciklimit lejohej dhe importi i mbetjeve nga jashtë, nisëm që pati kundërshti të shumta nga shoqëria civile e që u përkrah nga Partia Socialiste që ishte në opozitë.
Kjo çështje u kthye në një nga pikat kryesore të fushatës zgjedhore që solli në pushtet socialistët.
Një nga vendimet e para që mori qeveria Rama 1, ishte pikërisht anulimi i importit të mbetjeve, vendim që nuk u rishikua dhe pse Shoqata e Ricikluesve kërkoi dëgjesa duke sqaruar se rrezikonte falimentin.
Tre vjet më pas strategjia ndryshon! Socialistët propozojnë rikthimin e ligjit për importin e mbetjeve.
Kryeministri tha se kjo kthesë lidhje me nevojën e harmonizimit të ligjeve shqiptare me standardet e Bashkimit Europian, mbështetjen e industrisë së riciklimit që kishte investuar 250 milion euro dhe kishte 30 mijë të punësuar dhe me faktin që tashmë ishin ndërtuar kapacitetet për të kontrolluar importin e plehrave përmes laboratorëve modernë e se nuk kishte asnjë rrezik për importin e mbetjeve të rrezikshme.
Nisma megjithatë nuk arriti të hynte në fuqi pasi ish-presidenti Bujar Nishani e ktheu për rishqyrtim në Kuvend dhe vetë socialistët u tërhoqën.
Në të njëjtën periudhë, vendoset shpejt dhe pa asnjë analizë se djegia do të ishte prioritet për menaxhimin e mbetjeve.
E gjitha nisi me një emergjencë mjedisore të shpallur në Elbasan, për t’i hapur rrugë një nga aferave më të mëdha korruptive në dekadën e fundit: asaj të inceneratorëve.
Kontrata e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës është një nga çështjet më të mëdha të debateve publike, por dhe afera që deri më sot ka numrin më të madh të zyrtarëve të lartë të prangosur. Ish ministra, deputetë dhe deri te ish-zv/kryeministri, dyshohen se kanë favorizuar trekëndëshin e biznesmenëve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja që të përfitojnë miliona euro nga buxheti i shtetit, për të ndërtuar 3 objekte që do të bëjnë incenerimin e mbetjeve, por asnjëri prej tyre nuk është në gjendje pune.
Inceneratori i Elbasanit ka përfunduar në vitin 2017 dhe është dorëzuar 3 vjet pas operimit, në dimrin e 2020-s, vit që u vendos nën sekuestro nga SPAK. Objekti nuk është në gjendje të mirë teknike dhe në pjesën më të madhe të kohës është në remont.
Aktualisht inceneratori është konfisikuar për llogari të shtetit shqiptar në çështjen gjyqësore që ngriti Prokuroria e Posaçme dhe ka kaluar në përgjegjësi të Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara e cila ka lidhur një kontratë për menaxhimin e tij me shoqërinë Eco-Elb, kompani e themeluar nga 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit.
Pavarësisht qëllimit të ngritjes së tij për të bërë djegien e mbetjeve, shumica e mbeturinave të këtyre bashkive digjen në gjendje të lirë gjatë sezonit të verës, ku Prokuroria dyshon se shkak është zjarrvënia e qëllimshme pasi kapaciteti i landfillit është ezauruar dhe inceneratori nuk punon. Inceneratori i Elbasanit kushtoi 26.4 milionë euro me tvsh, por dhe pse projekti për ndërtimin e tij nisi nga një emergjencë mjedisore, duket se Elbasani ndodhet sërish në prag të një emergjence të njëjtë.
Në gjendje të ngjashme është situata dhe në qarkun e Fierit. Inceneratori nuk ka përfunduar ende dhe pse paratë e kontratës janë paguar të plota nga ana e shtetit 38.4 milion euro me tvsh. Sipas Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, objekti ka nevojë dhe për 4 milion euro të tjera që të përfundojë, ndërsa aktualisht bashkitë në këtë qark i depozitojnë mbetjet në landfill, i cili gjithashtu ka një kapacitet të kufizuar.
Kontrata më e shtrenjtë për ndërtimin e inceneratorëve është ajo e inceneratorit të Tiranës, 430 milion euro pagesa për një koncesion që zgjat 30 vjet. Koncesioni bazohet në modelin ndërtim, operim dhe transferim, ndërsa kompania e Integrated Energy Bv Spv vjel 29 euro për çdo ton mbetje që depoziton Bashkia e Tiranës, ndërsa ndër vite territori i mbetjeve që depozitohen është zgjeruar dhe në bashkitë e Kavajës, Vorës dhe Durrësit.
Aktualisht janë paguar nga buxheti i shtetit 90 milion euro dhe 40 milion euro të tjera janë derdhur nga operatorët privatë për depozitimin e inerteve. Pavarësisht kësaj, inceneratori në Tiranë nuk ekziston dhe kompania Integrtaed Energy që ka kontratën e koncesionit është vënë nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme.
Menaxhimi i landfillit po bëhet nga administratori shtetëror i Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Kapaciteti i landfillit të Sharrës është po ashtu drejt kolpasit. Përmes disa investimeve të vogla është bërë i mundur zgjerimi i landfillit, por kapaciteti i tij për depozitimin e mbetjeve të kryeqytetit nuk parashikohet të përballojë më shumë se 1 vit.
Tirana dhe pse është bashkia që ka gjenerimin më të madh të mbetjeve në rang vendi, duket se është lënë pa busull dhe nga vetë qeveria e cila nuk përmendi asnjë pikë orientimi se çfarë do të bëjë me administrimin e mbetjeve në kryeqytet.
Aktualisht çështja e inceneratorit të Tiranës ndodhet ende në duart e drejtësisë dhe SPAK do të duhet të mbyllë tërësisht hetimin për të marrë më pas një vendim dhe për të kërkuar konfiskimin e kompanisë për llogari të shtetit në gjykatë- e cila nëse i jep të drejtë, do të kalojë përfundimisht kontratën në duart e shtetit shqiptar dhe do t’i hapë rrugë investimit nga e para të inceneratorit.
Strategjia e re dhe investimet nga e para do të sjellin kosto të reja buxhetore dhe qytetarët do të duhet të paguajnë dhe njëherë për gabimet dhe korrupsionin që shkaktuan inceneratorët. Kjo ishte dhe arsyeja se përse ligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve kaloi në heshtje duke anuluar diskutimet në parlament.














