Senca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës të cilat përqendruan te protestat në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së dhe tek qëndrimet për Kosovën.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, sfidoi opozitën duke kërkuar që të bashkohet në tubimin e nesërm në Sheshin “Skënderbej”, duke theksuar se kryeministri Edi Rama nuk do të marrë pjesë. Ai gjithashtu akuzoi Sali Berishën se ka shërbyer interesave të Serbisë gjatë viteve të kaluara.
“Pse nuk vini? Me kushtin që të mos e politizojë. Bëni dhe ju nesër një protestë meqë nuk doni me veteranët e luftës së UÇK. As me ne, bëni një tuajën. Mos hajdeni në shesh, por bëjeni në Shqup ose në ndonjë shesh tjetër dhe me këtë rast do tu vijë më shumë.”, tha Balla.
Berisha iu përgjigj duke akuzuar Ramën dhe mazhorancën se protestat organizohen me nuanca kundër qeverisë së Kosovës dhe për të goditur kryeministrin Albin Kurti.
“Mitingu që bëhet me nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës. Kishte planifikuar 60 minuta Edi Rama fjalim, njësoj si të dilte Vuçiçi të fliste aty. A mundet një shqiptar, të shkelmojë mbi këtë gjak, po pse e bëni këtë sepse kreu juaj është një argat i Vuçiç, pse e bëni këtë sepse kreu juaj është shërbëtor i Vuçiç. Vrasja për shkaqe etnike e civilëve është gjenocid”, tha Berisha.
Ulsi Manja do hyjë në histori për Kosovën
Ndërkohë deputeti socialist Ulsi Manja, teksa po i bënte thirrje opozitës që të marë pjesë në protestën e organizuar nga veteranët e UÇK-së nesër në Tiranë, tha se Rama është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës.
Manja thotë me një vetëbesim prej të marri se, kur të shkruhet historia për Kosovën, ai do të ketë vendin e tij në histori bashkë me dritëhijet e tij.
“Refuzoj të bëhem pjesë e këtij debati se kush e do Kosovën më shumë dhe kush më pak, Kosova është një pjesë e jona, është amaneti që e kemi thënë të gjithë nuk falet dhe secili e ka dëshmuar me vepra se kush e do më shumë me Kosovën në momentin kur Kosova e ka dash këtë mbështetje prej nesh. Kush e ka dash më shumë Kosovën kur makineria e Milloshevicç tentoi të shfaroste Kosovën, rroku armët dhe pagoi me gjak pavarësinë që ka Kosova sot dhe prandaj quhen ajka e kombit, kush nuk e bëri, hapi dyert për mijëra shqiptarë të Kosovës që u shpërndanë nga makineria e Millosheviç. Mos na fusni në ndjeshmëri veri-jug, se as e majta e as e djathta, se Kosova është pjesë e çdo shqiptari dhe çdo njeriu që ka gjak shqiptari, sa për Ramën, ai s’ka nevojë për avokatinë time, në cilësinë time si ish ministër kam patur rastin ta shoqëroj në disa vizita zyrtare në Europë dhe dua ta them publikisht është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës. Me qëndrime të forta diplomatike, aty ku bëhet politika europiane dhe ndërkombëtare, ka kërkuar me forcë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5 vende të BE që ende refuzojnë ta njohin. Patriotë me fjalë e rezoluta e deklarata bëhen të gjithë por ju lutem në protestën që do zhvillohet nesër në Tiranë ne do shkojë si qytetarë e shqiptarë, si mund të merret qëndrim politik të dalim nesër në protestë apo jo. UÇK është faqja e ndritur e luftës së Kosovë për pavarësi e liri. Kur të shkruhet historia Sali, të jeni i bindur që secili prej nesh e ka vendin aty me dritëhijet tona, me të mirat dhe të këqijat”, tha Manja.
Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë kritikoi të dy palët për “patriotizëm fals” dhe sugjeroi që të gjithë të pranojnë gjenocidin serb në Kosovë dhe të shkojnë bashkë në tubim.
Debati për fondet IPARD
Debatet përfshinë gjithashtu akuza për fondet e IPARD, votën e diasporës dhe politikat ndaj trashëgimisë kulturore.
Me 72 vota kundër, Kuvendi rrëzoi kërkesën e PD për zhvillimin e një mocioni me debat dhe ngritjen e një komisioni parlamentar mbi gjetjet e OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit) për keqpërdorimin e fondeve IPARD nga administrata shqiptare.
Partia Demokratike kërkonte transparencë dhe hetim parlamentar mbi raportin e OLAF, i cili ngre dyshime serioze për abuzime me fondet e Bashkimit Evropian të destinuara për zhvillimin rural.
Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka deklaruar se brenda javës do të depozitohet kërkesa për krijimin e një komisioni hetimor sa i përket bllokimit të fondeve të IPARD.
Duke iu drejtuar Taulant Ballës, Bardhi tha se ky komision do të vërtetojë se si paratë e dhëna nga BE në vend që të shkojnë për fermerët, kanë shkuar për babanë e Suel Çelës dhe të afërmit e Frida Krifcës.
“Dilni dhe shpjegoni pse nuk doni të flisni pse BE na ka bllokuar fondet, miliona euro që shkojnë për fermerër shqiptarë. Jemi i vetmi vend në Evropë dhe rajon që na janë bllokuar fondet, sepse kjo qeveri ka vendosur të vjedhë jo vetëm paratë e taksapaguesve shqiptarë, por edhe atyre evropianë. Nuk donim të bënim politikë me këtë çështje. Ne do të vërtetojmë se si babai i Suel Çelës mori paratë e fermerëve shqiptarë. Nuk i mori fermeri i Elbasanit, i mori babai i Suel Çelës, një njeri i shpallur në kërkim si kreu i një organizate, nga më të fuqishmet, kriminale në Shqipëri. Ju nuk doni që ne të flasim për këtë çështje.
Drejtoresha juaj e AZHBR, që më pas Rama e uli në karigen e ministres së Bujqësisë shpërndante paratë e IPARD për familjarët e vet. I merrte vëllai, motra, burri, kushërinjtë e Frida Krifcës.
Këtu kam një listë të gjatë, por nuk më dalin 10 minuta. Kryetarët tuaj të bashkive, familjarë të deputetëtve të PS kanë marrë fodnet e IPARD, pra fermerë kanë marrë fondet tuaja. Opozita kërkon ngritjen e një Komisioni të Posaçëm…që paratë e IPARD III të mos vidhen”, tha Bardhi.
Deputetët e opozitës kritikuan mazhorancën për glorifikimin e figurave të komunizmit dhe për menaxhimin e projekteve të zhvillimit.
Përplasja Bardhi-Peleshi
Gjatë seancës pati edhe incidente të tjera: kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Peleshi e akuzoi demokratin për ndërprerje të vazhdueshme të seancës dhe fjalës si dhe për fyerjen “je i paaftë”.
Bardhi mbajti fjalën e tij duke kërkuar zbatimin e rregullores, ku deputetët të mbanin fjalën për të shpjeguar pyetjet që kishin bërë ndaj Komisionerit për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, Robert Gajda.
Bardhi:Zonja kryetare fjalën tuaj të parë, me gjithë respektin, po e filloni me shkelje. Jeni për herë të parë kryetare, por me një eksperiencë të gjatë si deputete, ju e dini rregulloren e Kuvendit, ku bëhen pyetjet me listë dhe pika dhe më pas Komisioneri do japë përgjigje për secilën prej tyre. Pyetjet bëhen me shkrim, të përgatitet për përgjigjen, por kjo nuk i heq të drejtën deputetit të mos shpjegojë pse e bën pyetjen. He në këtë mënyrë, kështu e ka tradita, 5 minuta deputeti të mbajë fjalën për pyetjet që kanë depozituar. Kjo është procedura parlamentare prej vitesh.
Peleshi: Kam rregulloren para, nuk kam për ta lejuar që të prishni seancat, nuk më lejon rregullorja t’ua jap këtë hapësirë. S’po ju mohohen përgjigjet e pyetjeve, do lexohen dhe do përgjigjet. Zoti Gajda vijoni, përgjigjuni”.
Bardhi: Je i paaftë, kaq i paaftë je…
Peleshi: Zoti Bardhi, në bazë rregullores, ju heq drejtën e fjalës për të gjithë ditën e sotme. Përjashtoheni nga seanca, po marr masën e katërt ndaj jush.
Bardhi: Nuk përjashtohem, fare nuk përjashtohem…
Peleshi: Zoti Balliu, po ju jap masën tjetër, vërejtje në bazë të rregullores…
Mazhoranca miraton projektligjin për mbetjet
Në fund me 73 vota të mazhorancës, u miratua projektligji për menaxhimin e mbetjeve , një nismë që ka ngjallur debat publik për mungesën e transparencës dhe përfshirjes së komuniteteve lokale.
Gjatë votimit, tensionet nuk munguan. Deputeti Bardhi vijoi të ndërhynte pas çdo leximi të Peleshit, i cili reagoi me një taktikë të pazakontë: pas çdo fjale “Miratohet”, i drejtohej Bardhit me “Dil jashtë!”, duke e kthyer sallën në një skenë përjashtimi dhe jo përfaqësimi.
Ndërkohë mazhoranca votoi kundër propozimit të Partisë Demokratike, lidhur me mocionin me debat për rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë.
Kuvendi vendosi shtyrjen e votimit për ngritjen e Komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe territoriale.