Në një situatë të përsëritur, Këshilli i Lartë Gjyqësor po mban peng prej gati 3 muajsh caktimin e 42 magjistratëve të rinj të diplomuar pranë Shkollës së Magjistraturës, pavarësisht mungesës së gjyqtarëve në sistem dhe stokut të çështjeve të prapambetura që sa vjen e rritet.
Edhe pse i emëroi magjistratët më 31 korrik, KLGJ nuk ka bërë ende të mundur shpërndarjen e tyre nëpër gjykata, ndërkohë që aktualisht ekzistojnë 99 vende vakante në sistemin gjyqësor.
“Është terr informativ,” i tha BIRN njëri prej magjistratëve të sapodiplomuar në kushtet e anonimatit. Një magjistrat i dytë pohoi gjithashtu, pa dashur që t’i publikohej emri, se ishte i shqetësuar për moscaktimin e tij në detyrë.
Magjistratët pretenduan se Këshilli i Lartë Gjyqësor po vepron në kundërshtim me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, duke mos reflektuar mbi shkeljet e viteve të kaluara për të njëjtin problem.
Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” përcakton si afat një mujor për Këshillat që të emërojnë në detyrë çdo person që është në listën e të diplomuarve dhe që përmbush kriteret për t’u emëruar.
Ndërkohë, neni 39 i të njëjtit ligj detyron KLGJ-në që të shpallë vendet e lira brenda muajit qershor të çdo viti, ndërkohë që magjistratët kanë dy javë kohë për të zgjedhur tri gjykata si preferenca të tyre. Në pikën 2 të këtij neni, parashikohet se, brenda muajit korrik të çdo viti, secili Këshill publikon vendimet e tij për caktimin e të emëruarve në pozicionet e lira për magjistratët.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i tha BIRN se i kishte emëruar magjistratët brenda afatit të parashikuar nga ligji, por caktimi i tyre nëpër gjykata do të duhet të presë procedurat e transferimit paralel dhe të ngritjes në detyre të gjyqtarëve aktualë.
“Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave, Këshilli mund të shpallë vendet e lira për të emëruarit. Aktualisht, Këshilli ka përmbyllur me sukses një sërë procedurash dhe është ende në proces të disa të tjerave, duke mos e konsideruar ende të përfunduar këtë proces,” deklaroi KLGJ.
Sipas Këshillit, menjëherë me krijimin e vendeve vakante, në mbështetje me përcaktimet ligjore, do të shpallen vendet e lira për të emëruarit. Po ashtu, KLGj bëri me dije se magjistratëve të diplomuar u ka njohur të drejtën e pagesës në vitet e mëparshme.
Versioni i KLGJ-së mbështet dhe nga grupimet vullnetare të gjyqtarëve.
Kryetari në detyrë i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, gjyqtari Engert Pëllumbi i tha BIRN se, nga informacionet që ka pasur nga KLGj lidhur me mosaktimin në detyrë të 42 magjistratëve të rinj, ka marë dijeni se procedura e caktimit të tyre është në përfundim dhe se pritet të realizohet brenda kësaj jave.
Sipas Pëllumbit, kjo situatë nuk është mungese vullneti, por vjen si rrjedhojë e burokracisë procedurale nga aktet ligjore dhe nënligjore, duke qenë se caktimi në pozicion i magjistratëve vjen i fundit në radhë, pas ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele të gjyqtarëve që janë tashmë pjesë e sistemit.
“Pra, caktimi bëhet duke pasur në konsideratë vendet e lira që krijohen pas ngritjeve në detyrë dhe transferimeve paralele. Duhet mbajtur parasysh që jemi ende në një situatë anormale, kur duhen plotësuar gjykatat e Apelit dhe gjykata e kryeqytetit e ato të rretheve afër, dhe më pas, vendet që mbeten u ofrohen magjistratëve të rinj,” tha Pëllumbi.
Kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gerd Hoxha i tha BIRN se Unioni ka kohë që e ndjek me vëmendje këtë situatë dhe ka ndarë përditë shqetësimin me magjistratët e rinj dhe me anëtarët e KLGj-së. “Në dijeninë tonë, KLGj do procedojë sa më shpejt të jetë e mundur me emërimin përfundimtar të tyre, brenda këtij muaji, por kjo është e lidhur me lëvizjet paralele, të cilat për shkak të ligjit, kërkojnë kohën e tyre,” tha Hoxha.
Hoxha nënvizoi se del si kërkesë emergjente, ndryshimi i ligjit për statusin e magjistratëve, që sipas tij, parashikon rregulla ngadalësuese për lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë të tyre.
Vakanca dhe stoqe
Procesi i vetingut nxorri jashtë sistemit më shumë se gjysmën e trupës së magjistratëve. Për rrjedhojë, në gjykata u krijuan vakanca të shumta që vijojnë të mbeten të paplotësuara prej vitesh.
Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga KLGj, struktura organizative për të gjitha gjykatat parashikon 417 gjyqtarë. Organika faktike aktuale rezulton të ketë 308 gjyqtarë të emëruar, nga të cilët janë efektivisht në detyrë 265.
Në situatë më dramatike shfaqet Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, që duhet të ketë në përbërje 78 gjyqtarë. Aktualisht në këtë gjykatë janë të emëruar 33 gjyqtarë, nga të cilët janë efektivisht në detyrë 31. Plotësimi i 45 vakancave që gjenden vetëm në këtë gjykatë përmes ngritjes në detyrë, do të mundësonte krijimin e vendeve të lira të mjaftueshme në gjykatat e Shkallës së Parë për caktimin e 42 magjistratëve të rinj.
Bazuar në të dhënat e KLGJ-së, në gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, pa përfshirë gjykatat e karrierës, rezultojnë aktualisht 21 vakanca.
Ndërkohë, të dhënat statistikore tregojnë gjithashtu një rritje të numrit të çështjeve të mbetura stok. Nga 137,101 çështje që kanë qenë në pritje më 1 janar 2024, numri i tyre u rrit në 141,262 çështje më 30 shtator 2025. Situata është më dramatike në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku numri i çështjeve që pritet të shqyrtohen i ka kaluar 45 mijë./ BIRN
LEXO EDHE:
Zvarritja e gjyqeve/ KLGJ shqetësohet për “gjuhën e urrejtjes”, por mali i dosjeve po shtohet