Emisioni “Plug”
Në emisionin e kaluar ju zbardhëm skemën se si u abuzua me 35 milionë euro nga fondet e IPARD, që në vend që të shkonin në xhepat e fermerëve, shkuan në kontot e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste dhe organizatave kriminale, si dhe të familjarëve të tyre. Sonte do t’ju tregojmë se nuk bëhet fjalë për 1 apo 2 raste, por nga 431 përfitues në total të fondeve të akorduara nga Bashkimi Europian, gati gjysma e tyre janë konfirmuar tashmë se kanë përfituar abuzivisht. Ndërkohë, gjysma tjetër, edhe pse nuk u janë gjetur shkelje ligjore, do t’ju faktojmë se i kanë përfituar fal lidhjeve të forta nepotike, për të cilat nuk është detyrë e OLAF t’i hetojë, por e SPAK-ut.
Në listën e zyrtarëve që abuzuan me fondet e IPARD dhe fondet e akorduara nga qeveria shqiptare, janë me qindra emra. Lista mund të nisë nga kryeministri, ministrja e bujqësisë, zv/ministrat, deputetë, drejtorët rajonalë të bujqësisë, etj. Por personi kyç që ndërtoi nga e para dhe e zbatoi deri në fund këtë skemë korruptive është ish-drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, të cilën, pas alarmit të dhënë nga Bashkimi Europian për vjedhjen e fondeve, Edi Rama e rriti në përgjegjësi si Ministre të Bujqësisë.
Fondet IPARD, Frida Krifca miratoi qindra mijëra euro dhe për familjarët e bashkëshortit
Ndërsa shumë pak media dhe ekspertë të fushës u morën me thelbin, ajo që bëri bujë në këtë periudhë ishte tallja e Frida Krifcës me qytetarët shqiptarë, se do tu ndërtonte Akademinë e Çobanëve. Ndërsa vëmendjen e tërhoqi kjo rrëshkitje e Krifcës, në fakt ligjërata e saj kishte brenda provat kriminale të ndërtimit nga e para të skemës së Abuzimit nga AZHBR.
Ministrja Frida Krifca sapo zbuloi të vërtetën e madhe se skema e AZHBR-së, që është faktuar edhe nga Bashkimi Europian dhe rezultoi skemë abuzuese me fondet, është ndërtuar nga ajo me bekimin e kryeministrit Edi Rama.
Siç e ka faktuar situata e rrënuar me të cilën përballen sot fermerët dhe blegtorët shqiptarë, skema e ndërtuar fal vizionit të Frida Krifcës dhe Edi Ramës, nuk kishte për qëllim ngritjen e sektorit më jetik të ekonomisë shqiptare, por vjedhjen e fondeve dhe groposjen e çdo fshatari që kishte zgjedhur të investonte në fshat. Kjo me mungesë fondesh, me mungesë tregu, dhe me konkurencën e pandershme dhe tutelën e familjarëve të zyrtarëve të qeverisë Rama, që u shndërruan në zotër të bujqësisë, duke vjedhur fondet e fermerëve shqiptarë. Dhe sot, pjesa më e madhe e fermave që nuk arritën të mbijetonin, janë punësuar si skllevër në serat, bujtinat dhe pikat e grumbullimit që u ndërtuan me paratë që u takonin atyre.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Frida Krifca e nisi skemën me fonde për rrethin e ngushtë familjar e shoqëror, për tu përhapur më pas tek zyrtarët lokalë, sipas listës që u përcaktua në të 12 qarqet.
Kjo që po shikoni në pamje, është Agroturizmi Bylis, i ndodhur në zonën e Hekalit në Mallakastër. Ndërtimi i kësaj bujtine, u shit edhe nga kryeministri Edi Rama si një histori suksesi, ku një çift emigrantësh ishin kthyer për të bërë investimin qindra-mijëra euro. Ky biznes u hap në vitin 2018, në Qendrën Kombëtare të Biznesit në emër të shtetases Entela Cara, e cila rezulton e martuar me Roland Lutajn. Pikërisht mbiemri i bashkëshortit, ngre dyshimet e mëdha që do të konfirmohen në vijim. Roland Lutaj rezulton kushëri i ish-deputetit socialist Piro Lutaj, njëherësh kushëri i Erti Lutajt, bashkëshort i ish-ministres Frida Krifca, dhe lidhjet e mbështetjen ndaj saj i shfaq edhe publikisht si fans i vërtetë, duke ripostuar edhe intervistat e Krifcës.
Ndërsa janë me dhjetra aplikime nga ajo zonë për një investim të tillë, lidhjet familjare të Carës dhe Lutajt rezultuan të mjaftueshme që, nga emigrantë me banim në Itali, me një NIPT të hapur me vetëm 100 lekë, të thithnin fonde të mjaftueshme për të ndërtuar këtë bujtinë. Banorët e zonës, jashtë kamerave, kur i pyet për adresën, të orientojnë për të bujtinën e Piro Lutajt, apo tek kushëriri i Frida Krifcës. Por përtej asaj që thonë banorët, fakt është që lidhjet familjare mes Krifcës dhe përfituesve të këtyre fondeve janë të drejtpërdrejta. Madje mbështetja dhe identifikimi i banorëve të kësaj zone përforcohet edhe nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, që në kulmin e fushatës elektorale e pa si destinacion dollie, sa herë që duhet të shkonte për fushatë në Mallakastër.
Pasuritë e Frida Krifcës, prona e biznese gjatë administrimit të AZHBR/ Bashkëshorti bleu tokë me çmim qesharak
Bizneset e familjarëve të Frida Krifcës, siç edhe pasuria e saj, lulëzuan falë bashkëpunimit me Edi Ramën në postet kyçe të sektorit të Bujqësisë. Frida Krifca la sektorin privat për t’u bashkuar me qeverinë Rama në vitin 2017, kur u emërua në krye të AZHBR. Në vijim, Plug do të tregojë një pasqyrë të plotë të pasurisë së ish-ministres së Bujqësisë. Apartamente, llogari bankare, hua të marra por të padeklaruara dhe para cash, ishin disa nga pasuritë e Frida Krifcës kur u bë drejtuese e AZHBR. Por, pasi mori drejtimin e këtij institucioni dhe deri në emërimin si ministre, Frida Krifca dhe bashkëshorti i saj shtuan jo vetëm pasuritë e paluajtshme në mijëra metra katrorë tokë të blera me çmim qesharak, por hapën edhe biznese që kanë përfituar edhe para publike.
Frida Krifca iu bashkua qeverisë Rama në vitin 2017. Deri në këtë vit, Krifca punonte për Financial Services Volunteer Corps, një partneritet publik-privat jo-fitimprurës. Më herët ajo deklaron se ka punuar në sektorin bankar dhe biznese private në pozicione të ndryshme, kryesisht drejtuese departamentesh, çka të bën të besosh se edhe pagesat e znj. Krifca kanë qenë shumë të mira.
Frida Krifca do të emërohej në krye të AZHBR, dy vjet pasi qeveria shqiptare miratoi ligjin për grantet IPARD nga Bashkimi Europian. Në deklarimin e pasurisë, përpara nisjes së detyrës, Frida Krifca deklaron se ishte pronare e një dyqani me sipërfaqe 36 m², i blerë në vitin 2003 për vlerën e 160 mijë dollarëve. Për këtë pronë, që nga sipërfaqja, koha e blerjes dhe shuma e paguar ngrihen jo pak dyshime, Frida Krifca deklaron se kishte të ardhura nga kursimet e saj dhe familjes.
Gjithashtu, Krifca deklaron se është pronare e një apartamenti në Dhërmi, me sipërfaqe 68.4 m², i blerë në vitin 2012 për vlerën e 71,955 eurove. Për blerjen e kësaj prone, Krifca deklaron se ka pasur kursime dhe ka marrë hua nga miqtë. Në vitin 2016, pra një vit para se të shkelte në AZHBR, Frida Krifca deklaron se ka blerë një apartament me sipërfaqe 149 m² në Tiranë, vlera e të cilit është 223,500 euro. Të ardhura për blerjen e kësaj prone, Krifca deklaron se i ka krijuar nga shitja e një shtëpie të vjetër dhe një pjesë nga një kredi bankare. Gjithashtu ajo deklaron edhe 800 mijë lekë, 17,247 dollarë dhe 408 euro para cash. Krifca deklaron se ka të ardhura edhe nga qeraja e dyqanit në vlerën e 32 mijë lekëve në muaj. Në vitin 2016, ajo ka marrë një kredi në vlerën e 130 mijë eurove me afat shlyerje një periudhë prej 10 vjetësh. Vetëm nga deklarata fillestare e pasurisë ngrihen dyshime të arsyeshme se nuk justifikon të ardhurat për pasuritë e vëna. Në deklarimet pranë ILDKPI, Krifca nuk ka treguar se ku ka marrë hua për blerjen e apartamentit në Dhërmi në vitin 2012. Gjithashtu ajo nuk deklaron as burimin e kursimeve apo shumën e tyre për blerjen e disa pronave ndër vite. Këto dyshime i shton edhe më shumë fakti se bashkëshorti i saj deri në vitin 2017 deklaron se është pronar i një automjeti me vlerë 4 mijë euro dhe ka para cash 450 mijë lekë. Erti Lutaj, bashkëshorti i Frida Krifcës, nuk deklaron të ardhura nga ndonjë punë deri në vitin 2017.
Në vitin 2017, pas nisjes së detyrës, gjithçka nis e ndryshon për Frida Krifcën dhe bashkëshortin e saj. Në vitet 2017 dhe 2018, situata në pamje të parë dukej normale, deri sa nisin të shtohen pronat, llogaritë bankare, dhe kompanitë që dalin nga hiçi e përfitojnë fonde shtetërore.
Në vitin 2018, Krifca deklaron pagën si drejtoreshë e AZHBR në vlerën e 726 mijë lekëve dhe të ardhura nga qeraja e dyqanit befas rriten menjëherë. Ndërsa bashkëshorti i saj, Erti Lutaj, deklaron se kishte një llogari bankare me 233 mijë lekë kursime, të cilën e kishte harruar ta deklaronte në deklaratën fillestare të bashkëshortes së tij, si dhe dy llogari të tjera me vlerë rreth 500 mijë lekë. Për herë të parë ai deklaron edhe pagën si drejtues i marketingut lokal pranë organizatës World Vision Albania për periudhën gusht-dhjetor 2017, në vlerë prej 1,000,000 lekësh të rinj.
Në vitin 2018 Frida Krifca deklaron rreth 15 milion lekë të ardhura nga paga dhe dieta si drejtuese e AZHBR dhe rreth 8 mijë euro të ardhura nga qeraja e dyqanit. Shihet qartë se me rritjen në detyrë të Fridës, dyfishohet edhe qeraja e dyqanit. Në vitin 2018, dy vjet pasi mori një kredi prej 130 mijë eurosh për blerje apartamenti, Frida Krifca i drejtohet përsëri bankës, këtë herë për të rifinancuar kredinë e marrë në 2016. Në përfundim ajo deklaron një kredi të re me vlerë 107 mijë eurosh, me këst mujor prej 765 euro. Bashkëshorti i Frida Krifcës, Erti Lutaj, për vitin 2018 deklaron se ka dhuruar mjetin që kishte në pronësi me vlerë 4 mijë euro, ndërsa deklaron pagën te World Vision në vlerën e 24 milion lekëve.
Pas dy viteve në detyrë nis edhe shtimi i pasurisë së deklaruar, për të dhe për bashkëshortin, që deri pak kohë më parë tërhiqte edhe overdraft për të mbuluar shpenzimet. Në vitin 2019, Frida Krifca deklaron tre llogari bankare në shumën totale të rreth 8 milion lekëve. Të ardhurat e saj janë: 16 milion lekë nga paga, 11 mijë euro nga qeraja e dyqanit, 17 mijë lekë nga bono thesari. Në vitin 2019, ajo deklaron se po shlyen kredinë e marrë në vitin 2018 me vlerë 107 mijë euro. Bashkëshorti i Frida Krifcës, Erti Lutaj, në vitin 2019 deklaron të ardhura në llogari bankare si person fizik në shumën totale të rreth 40 milion lekëve, ndërsa të ardhurat totale si person fizik me NIPT-in e regjistruar në korrik të vitit 2019, Erti Lutaj i deklaron në shumën e 61 milion lekëve. Sipas të dhënave, ai ka regjistruar NIPT si person fizik për aktivitetet marrje-dhënie me qira dhe shërbime marketingu.
Në vitin 2020, Frida Krifca deklaron tre llogari bankare në shumën e rreth 7 milion lekëve. Gjithashtu ajo deklaron të ardhurat nga paga si drejtoreshë e AZHBR në vlerën e 13 milion lekëve, të ardhura nga qeraja e dyqanit në vlerën e 8,800 eurove dhe të ardhura nga honoraret në rreth 2 milion lekëve. Ajo deklaron shlyerjen e kredisë me vlerë 107 mijë euro. Bashkëshorti i saj, Erti Lutaj, deklaron një llogari bankare me vlerë 35 milion lekë, ndërsa në vitin 2020 ai deklaron se ka blerë një tokë arë me sipërfaqe 11 mijë metra katrorë, me sipërfaqe takuese 3,000 m², ndërsa vlera e blerjes së kësaj prone deklarohet me çmim qesharak prej 30 mijë eurosh, apo thënë ndryshe, vetëm 10 euro për m².
Viti 2021, që është dhe viti i fundit, që së paku publikisht gjenden deklarime pasurore, Frida Krifca emërohet Ministre e Bujqësisë. Në këtë vit, ajo rideklaron të gjithë pasurinë e saj. Nga të dhënat zyrtare të ILDKPI, Krifca vijon të deklarojë dyqanin me sipërfaqe 36 m² në vlerën e 160 mijë dollarëve, apartamentin prej 125 m² në vlerën e 224 mijë eurove, apartamentin 78 m² në vlerën e 71 mijë eurove, si dhe mijëra euro të ardhura para cash dhe llogari bankare. Bashkëshorti i saj Erti Lutaj deklaron se ka blerë një garazh për vlerën e 22 milion lekëve në vitin 2021, si dhe pronësinë mbi 3 mijë metra tokë arë, të blerë për 10 euro metër katror në zonën e Farkës.
Në këtë vit, Erti Lutaj deklaron për herë të parë, pesë vjet pasi ishte subjekt i ligjit, pronësinë mbi një biznes të quajtur Big Pencil. Ai deklaron se është pronar i 100% të aksioneve të këtij biznesi, ndërkohë që në deklaratat e mëparshme nuk deklaronte asnjë të dhënë për të. Në vitin 2021 deklaron edhe se ka themeluar një tjetër biznes Lucom Projects shpk mbi të cilin ka 100% të aksioneve. Deri në vitin 2021, Erti Lutaj deklaron pronar në tre biznese, ndërsa një vit më vonë themelon edhe shoqërinë LUSAKU shpk. Ai deklaron se të ardhurat e tij në llogari bankare, gjendje cash dhe të ardhura nga bizneset kapin vlerën e rreth 50 milion lekëve. Me biznesin që ka themeluar pikërisht në vitin 2020, Erti Lutaj ka përfituar fonde edhe nga paratë e buxhetit të shtetit. Nëpërmjet kompanisë Lucom Project, Erti Lutaj ka përfituar dy pagesa nga Bashkia e Tiranës në vlerën totale të 11 milion lekëve, apo rreth 110 mijë eurove. Pagesat nga bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj për kompaninë e Erti Lutajt janë kryer në tetor dhe nëntor të vitit 2023, vit kur Frida Krifca ishte një nga drejtueset kryesore të fushatës së Erion Veliajt për bashkinë e Tiranës.
Ish-deputetë e zyrtarë të PS ndërtuan sera e ‘vila’ me grantet e IPARD që duhet të shkonin te fermerët
Pra, të kesh në dorë menaxhimin e fondeve që BE jep për bujqësinë shqiptare, duket se nuk është fitimprurëse vetëm për fermerët, por edhe për atë që i ka në dorë. Siç e patë, Frida Krifca, nga një zyrtare e thjeshtë në sektorin privat me një rrogë më të lartë se në shtet, zotëronte një pasuri normale. Por pas detyrave të besuara nga Edi Rama, me një pagë më të ulët, arriti të bëhej milionere, e me pasuri marramëndëse. Madje, madje, fill pas emërimit si ministre, çuditërisht edhe pagesa e qerasë së dyqanit u dyfishua. Pra, ose dyqani mori vlerë se i përkiste tashmë një ministreje, ose më e besueshmja, që mundësi perfekte për justifikimin e të ardhurave. Por fati duket se nuk i buzëqeshi vetëm Frida Krifcës, por edhe deputetëve, drejtorëve socialistë së bashku me familjarët e tyre. Në listën e gjatë të abuzuesve, do t’ju sjellim në vijim emrat dhe kompanitë e familjarëve të lidhur me pushtetin që kanë marrë fondet që duhet t’u ishin shpërndarë fermerëve.
Në 22 qershor të vitit 2020, Këshilli i Ministrave do të publikonte lajmin se, falë vizionit dhe mbështetjes së qeverisë, Bullari Natyral Farm do të transformohej në një histori suksesi. Sipas këtij njoftimi zyrtar, ky AgroBiznes është mbështetur me fonde të AZHBR gjatë thirrjes së parë që kanë bërë, fonde të cilat u morën thuajse të gjitha nga familjarë të pushtetarëve dhe biznese të lidhura me ta. Emisioni PLUG analizoi listën e fituesve të thirrjes së parë të publikuar në faqen zyrtare të AZHBR dhe nuk rezulton se ky subjekt të ketë aplikuar apo të jetë shpallur fitues, por gjithësesi kjo procedurë i mbetet organeve të drejtësisë ta hetojnë. Por asgjë nuk është rastësore, teksa në vitin 2020 qeveria u tregua zemërgjerë me këtë biznes të themeluar që prej vitit 2014 nga Gazmir Bullari; pak muaj më vonë, i vëllai i tij Shkëlqim Bullari do të ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputet për Partinë Socialiste. I suksesshëm sipërmarrës dhe biznesmen, Shkëlqim Bullari do të merrte mandatin në vitin 2023. Sipas deklarimeve të tij, rezulton se Shkëlqim Bullari, edhe pse është një super biznesmen familjarisht me vëllezër e fëmijë, çuditërisht rezulton i punësuar si administrator në një tjetër kompani, ZDRAVA FARM, e regjistruar në emër të shtetasit Arben Zdrava. Ajo që mbetet e habitshme është sesi një pronar i madh si Shkëlqim Bullari pranon të punësohet nga Arben Zdrava. Kjo lëvizje ngre dyshime të mëdha, për të cilat Emisioni PLUG do të vazhdojë investigimin. Kjo edhe për faktin se kompania Zdrava Farm ka disa të dhëna të njëjta me kompanitë e familjes Bullari, por mbi të gjitha, pas largimit të Shkëlqim Bullarit si administrator, u emërua shtetasi Edmond Lleshi, i cili na rezulton se në vitin 2021 ka qenë shofer pranë firmës Bullari-08. Por le të mbetemi tek Natyral Bullari Farm, ku lëvizjet e aksioneve ngrejnë gjithashtu dyshime të tjera, me lëvizje të palogjikshme e fiktive.
Në vitin 2016 Gazmir Bullari ja shet aksionet një punonjësi të vetë, shtetasit Vangjel Xhyra. Në dhjetor të vitit 2020, Vangjel Xhyra i dhuron 100% të aksioneve shtetases Angjela Bullari, e cila është vajza e Shkëlqim Bullarit. E tashmë ish-aksioneri do të jetë administrator i kësaj kompanie.
Kryeministria në publikimin e saj njofton se Natyral Bullari Farm ka mbi 250 hektarë tokë, por një fakt i tillë nuk rezulton nga të dhënat e bilancit; po ashtu nuk rezultojnë të jenë pasqyruar as të dhëna për përfitimin e ndonjë fondi nga AZHBR. Ajo çka rezulton nga bilancet është rënia e shkëlqimit të kësaj kompanie e cila, nga mbi 25 punonjës, siç raportohej në reportazhet e porositura për reklamim, tashmë ka përfunduar në 10 të tillë, ose të paktën kaq rezultojnë të deklaruar.
Ndërsa për reklamimin në kohën e marrjes së fondeve nga AZHBR janë kujdesur personalisht Taulant Balla dhe ministri aktual i Bujqësisë, Andis Salla; ky i fundit nga posti i kryebashkiakut ka firmosur edhe tendera për ish-deputetin Bullari.
Ndërsa Taulant Balla kujdesej për biznesmenët e qarkut ku bënte fushatë, dhe për bizneset e kolegut të ri, duket se Frida Krifca është treguar edhe më zemërgjerë me kompanitë e vëllezërve Bullari apo të lidhur me ta. Sipas listës fitues, i fondeve në thirrjen e parë rezulton një tjetër kompani e lidhur me familjen Bullari.
G & E FRUITS është themeluar në shkurt të vitit 2019 nga shtetasit Gazmir Bullari dhe Fran Leka. Se kush është Gazmir Bullari tashmë e dimë, prandaj kërkuam informacion për shtetasin Fran Leka, lindur dhe banues në Shkodër. Asgjë nga të dhënat personale të këtij shtetasi nuk jepnin një arsye logjike pse një zotëri nga Shkodra duhet të zbriste në Cërrik për të themeluar një biznes me familjen Bullari, apo përse familjes Bullari i nevojitej ky shtetas i papunë për të themeluar biznesin. Por duke u thelluar edhe më shumë, zbuluam se shtetasi Fran Leka është i ati i Emiljan Leka. Nga këtu kuptojmë dhe emrin e kompanisë G & E, që janë gërmat e para të emrave Gazmir dhe Emiljan. Emiljan Leka rezulton të jetë Drejtor i Burimeve Njerëzore pranë kompanisë ROZAFA. Nuk dihen arsyet pse në këtë rast ka përdorur emrin e babait, pa asnjë lidhje me zonën apo biznesin, por dhe për këtë emisioni PLUG vazhdon investigimin.
G & E FRUITS, sipas të dhënave të bilancit të vitit 2021, është financuar me hua nga kompania BULLARI-08 dhe me 14.000.000 lekë ose 140.000 euro nga AZHBR. Kjo kompani nuk rezulton të jetë një kompani me fitim të konsiderueshëm, përkundrazi.
Pas analizimit të të gjitha kompanive ende nuk gjendet se në pronësi të kujt janë 250 hektarët e deklaruara nga Taulant Balla të zotëruara nga Bullari Natyral Farm.
Një tjetër përfituese e fondeve nga AZHBR është edhe shtetasja Tizjana Fasko. Ajo ka marrë plot 134.000 euro grant nga fondet e AZHBR. Sipas të dhënave të QKB, Fasko është regjistruar si Person Fizik në nëntor të vitit 2019, ndërsa në shtator të vitit 2023 ka regjistruar një adresë dytësore në Fshatin Pezë e Madhe, Zona Kadastrale 2951.
Nuk ka shumë të dhëna për këtë subjekt, pasi veprimet e kryera në QKB nuk shoqërohen me dokumentacion, por në bilancin e vetëm të depozituar, atë të vitit 2024, rezulton se Tizjana Fasko si Person Fizik ka në pronësi ndërtesë dhe tokë në vlerën 300.000 euro dhe makineri e pajisje në vlerën 130.000 euro.
Por nëse shohim pamjet e publikuara në faqen zyrtare të Agroturizëm MUGULL, vlera e asaj prone qartazi i kalon 300.000 euro, aq sa kushton një apartament në Tiranë.
Tizjana Fasko është bashkëshortja e Krenar Canollarit, i cili ka mbajtur disa funksione në Partinë Socialiste. Ai njihet si kryetar i minibashkisë Kombinat, ish-drejtor i ALUIZNI-t, si dhe i akuzuar disa herë për lidhje me bandat kriminale që operonin në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Edhe nga drejtimi i ALUIZNI-t u shkarkua pas akuzave të vazhdueshme për korrupsion. Por të qenurit një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste duket se i ka dhënë një dorë bashkëshortes së tij për të marrë nga fondet e akorduara për fermerët dhe bizneset shqiptare.
Duke u rikthyer sërish në Qarkun e Fierit, ku duket se lidhja me bujqësinë ka bërë që në këtë zonë fondet të kenë qenë të shumta, të paktën për drejtorët dhe deputetët socialistë.
Co Casa e ish-deputetit Arjon Muça, ish-kryetar i Partisë Socialiste Fier, si dhe kompania Bio Green, rezultojnë dy kompanitë e radhës që kanë përfituar nga këto fonde. Kjo kompani në vitin 2020 kalon në pronësi të Alket Merdanaj, i cili ishte drejtori i Shkollës së Mesme Bujqësore Fier.
Co Casa shpk u themelua në prill të vitit 2013 nga shtetasit Ilirjan Mërtiri dhe Arjon Muça. Në 2018, Ilirjan Mërtiri i ka shitur 50% të aksioneve ortakut Muçaj për vlerën 500 euro. Në janar të vitit 2019 do të ishte Muçaj ai që do të rishiste aksionet shtetasit Ilirjan Mërtiri. Kjo kompani ka përfituar 240.000 euro grant nga AZHBR për financimin e një sere.
Sipas të dhënave të QKB kjo kompani është financuar nga grant i AZHBR dhe ortaku i saj në një vlerë të konsiderueshme rreth 160.000 euro. Nuk dihet burimi i të ardhurave pasi nuk gjenden të dhëna financiare për shtetasin Ilirjan Mërtiri dhe pse prej vitit 2020 administratori i kësaj kompanie është shtetasi Bashkim Muçaj, i ati i Arjon Muçaj. Në një kompani me 160 mijë euro investim, Bashkimi, babai i deputetit, rezulton dhe i vetmi i punësuar pranë kësaj kompanie në vitin 2021. Por nuk mbaron me kaq, një tjetër kompani e themeluar nga shtetasi Arjon Muçaj rezulton të ketë përfituar grant nga AZHBR.
Kompania BIO-GREEN themelohet në maj të vitit 2017 nga shtetaset Luiza Liko dhe Enkelejda Lluka. Në shtator të vitit 2017 aksioner 100% i kësaj kompanie bëhet Arjon Muçaj. Në janar të vitit 2018 administratore e kompanisë nga Arjon Muçaj emërohet shtetasja Jorika Halilaj. Në shtator të vitit 2020 Muçaj shet aksionet shtetasit Alket Merdanaj. Ky i fundit është drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale Fier. Ende dhe sot administratore e kësaj kompanie është shtetasja Halilaj e emëruar nga ortaku Muçaj, ish-deputeti socialist. Kjo kompani ka përfituar 198.000 euro grant nga AZHBR.
Në total, të dy këto kompani të deputetit socialist Arjon Muçaj kanë përfituar 430.000 euro dhe janë pjesë e listës së parë të fitueseve nga fondet IPARD.
Arben Semanjaku, një nga socialistët më të zëshëm në qytetin e Fierit, është një tjetër figurë që nëpërmjet familjarëve të tij ka përfituar fonde të shumta nga AZHBR. Në dhjetor të vitit 2018 shtetasit Andi Koço dhe Menelaos Semanjku themelojnë kompaninë Ferma A&E 2018. Menelaos Semanjku është djali i Arben Semanjakut, i cili ka mbajtur detyrën e Drejtuesit të Njësisë Administrative Zharrë dhe aktualisht rezulton i punësuar në Bashkinë Patos. Shumëkush ka dëgjuar për Zharrën pas protestave të banorëve për dëmtimet e shtëpive nga kompania Bankers, dhe Arben Semanjaku është një nga zyrtarët e kritikuar nga banorët e zonës për sjelljen e tij shtypëse dhe ofenduese, në mbrojtje të kompanisë private.
Kompania në emër të të birit të Semanjakut ka përfituar 2 grante nga AZHBR. Për investimin e parë 220.000 dhe për investimin e dytë 131.000 euro.
Por familja e zyrtarit të Partisë Socialiste nuk ka përfituar fonde vetëm nga grantet e BE. Bashkëshortja e tij, Klarida Semanjaku, ka përfituar plot 11 tendera nga Bashkia Fier për blerje mishi.
Sipas Opendata, Klarida Semanjaku ka përfituar 310.000 euro pagesa nga institucionet shtetërore në Fier.
Danish Green Garden, me ortakë Denada Shtylla, bashkëshorti i saj Muhamet Iseni dhe Lutfi Kashari, është një tjetër kompani që ka përfituar fonde nga AZHBR. Lutfi Kashari rezulton një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë, punonjës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe kryetar i Këshillit Bashkiak. Sigurisht ambicia politike e Luftiut shihet kur ka kandiduar për postin e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Socialiste Rrogozhinë (ka pamje online për këtë).
Ndërkaq Denada Shtylla rezulton kushërira e gjyqtares Yret Shkreli, edhe kjo jo pak e lakuar në media për vendimet e saj, e duket se me kushërirën Shkreli kanë lidhje të forta deri në dhënie lekësh borxh. Investimi i parë për këtë kompani ishte ndërtim sere 2.3 hektar, vlera e investimit 416.000 euro dhe mbuluar nga granti 251.000 euro. Investimi i dytë, ndërtimi i dhomave frigoriferike me vlerë investimi 256.000 euro dhe mbuluar nga grant në vlerën 120.000 euro.
Shtabi elektoral i Niko Peleshit dhe bosët e inceneratorit ‘futën duart’ te fondet IPARD
Kjo është një nga fotot e bujshme, që u zbulua në dosjen hetimore të aferës së inceneratorëve. Në foto shfaqen krenarë Klodian Zoto, që vijon të jetë ende në kërkim për aferën qindra milionë euro të inceneratorëve, Niko Peleshi, ish-kryebashkiaku i Korçës, që për besnikërinë e tij të verbër është shpërblyer nga Edi Rama duke u vendosur në krye të Kuvendit, dhe padyshim, Petrit Tare, drejtori më jetëgjatë që mund të ketë pasur shteti shqiptar në 35 vite tranzicion.
Në emisionin e javës së kaluar, Plug përmendi Petrit Taren si një nga përfituesit e mëdhenj të fondeve IPARD me një vlerë prej 251 mijë eurosh për të ndërtuar magazine për fruta-perime nëpërmjet kompanisë BLOOM FRUITS. Kjo kompani, njëjtë si shumë të tjera, është krijuar posaçërisht për të përfituar fonde nga IPARD. Dëshmi e kësaj është fakti se kompania Bloom Fruits është themeluar më 2 shtator 2019, periudhë kur nisi të zbatohej projekti IPARD II në Shqipëri. Aksionerë të kësaj kompanie janë edhe shtetasit Landi Gushi me 40% të aksioneve, Zamir Shahinaj me 30% të aksioneve dhe Petrit Tare me 30% të aksioneve.
Një tjetër dëshmi që drejtori në detyrë i Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare, dhe ortakët e tij krijuan kompani për të përfituar fonde nga IPARD, është edhe fakti se prej themelimit dhe deri më sot, në 6 vite aktivitet, kompania me 100 mijë lekë kapital nuk ka deklaruar asnjë bilanc për të dëshmuar nëse ka grumbulluar dhe shitur fruta-perime. Ndaj i mbetet SPAK që të hetojë tashmë dhe të zbulojë se si janë përdorur 251 mijë euro të taksapaguesve europianë nga drejtori i Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare, dhe nëse ato para kanë shërbyer për të ndihmuar fermerët korçarë.
Veç fondeve nga IPARD, Petrit Tare, që mban post drejtues në Korçë prej tre dekadash, është i njohur për aferat e tij në krye të ujësjellësit të Korçës. Janë të njohura tashmë aferat e Petrit Tares me bosin e inceneratorëve Klodian Zoto apo tenderat abuziv, për të cilët ka përfunduar në Prokurori jo pak herë, por ia ka hedhur paq, për shkak se bashkëshortja e tij, tashmë e shkarkuar nga Vetingu, ka drejtuar Gjykatën e Korçës për shumë vite. Sot, familja e Petrit Tares ka miliona euro pasuri të paluajtshme, llogari bankare të cilat dyshohet se janë të pajustifikuara, siç ka dëshmuar edhe procesi i vetingut për Entela Priftin. Për pasuritë dhe aferat e Petrit Tares, bashkëshortes ish-gjyqtare Entela Prifti dhe lidhjet e forta me Niko Peleshin, Plug do të investigojë më shumë në një tjetër emision.
Siç zyrtarët dhe deputetët e Partisë Socialiste, edhe për mafien e plehrave në inceneratorët fantazmë, fondet e IPARD ishin një tjetër mundësi abuzimi. Në listën e përfituesve të këtyre fondeve rezulton edhe Elton Bualli, drejtori i Landfillit të Sharrës.
Elton Bualli është një personazh i njohur tashmë për qytetarët shqiptarë, pasi njihet si “mëkëmbësi” i Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit në inceneratorin e Tiranës. Ky individ herë shfaqet si drejtor i inceneratorit të Elbasanit, herë si drejtori i inceneratorit të Tiranës, herë shfaqet në komunikimet e tij me zyrtarët në Zimbabë, herë në komunikimet në Holandë, herë duke dhënë urdhëra në e-maile për biznesin e dhjerave, e çuditërisht ky zotëri shfaqet në komunikimet mes zyrtarëve dhe politikanëve shqiptarë për investime resortesh qindra milionë euro në Tunizi.
Ky individ, ndërkohë, na shfaqet edhe si biznesmen. Në emisionin e kaluar, Plug iu solli vetëm faktin që Elton Bualli ishte një nga përfituesit e fondeve IPARD, duke marrë jo pak, por plot 310 mijë euro për të ndërtuar një serë brenda landfillit të mbetjeve në Sharrë. Sot, Plug do t`ju tregojë më shumë detaje sesi “xholi” i Zotos dhe Mërtirit në aferën qindra milionë euro mori para borxh nga kompania e inceneratorëve për të ndërtuar serën me bashkëfinancimin e IPARD.
Në ekran po shihni një kontratë noteriale borxhi të tetorit të vitit 2021, në të cilën inceneratori i Tiranës i jep gjysëm milioni euro borxh kompanisë së Elton Buallit për të blerë toka pranë landfillit të Sharrës.
Me paratë e inceneratorit fantazmë, ose më saktë me paratë e qytetarëve të Tiranës, ky shtetas ka blerë 10.500 m² tokë në Sharrë, siç mund ta shihni në këto dy çertifikata pronësie. Por bujaria e Zotos dhe Mërtirit nuk mbaron këtu. Më pas, duket jo pa ndikim politik, Elton Bualli merr edhe grantin nga IPARD.
Kompania e Elton Buallit, drejtorit në kompaninë e inceneratorit të Tiranës, shpallet fituese për një projekt me investim 483.164,32 euro. Projekti, sipas të dhënave zyrtare, do të niste më 14.12.2020 dhe do të përfundonte më 14.11.2021. Vlera e përfituar nga fondet IPARD është 314.056,8 euro, rreth 380 milionë lekë duke pasur parasysh kursin e kohës.
Më 18 nëntor të vitit 2019, pak më shumë se 6 muaj nga aplikimi në AZHBR, kompania e inceneratorit të Tiranës ka lidhur një kontratë qiraje me punonjësin e saj ELTON BUALLI për një tokë 8.500 m². Kontrata lidhet për një periudhë 15-vjeçare për një shumë qesharake 11.500 lekë në muaj. 8.500 m² me vlerën e qirasë sa një pension në fshat dhe kjo për 15 vite.
Kontrata e Buallit me kompaninë e inceneratorit të Tiranës është lidhur vetëm 4 ditë pasi Elton Bualli, drejtori i vetë kompanisë, është regjistruar si person fizik. Pasi është përfituar dhe fondi me AZHBR, në gusht të vitit 2021 kjo kontratë është revokuar dhe midis palëve është nënshkruar një kontratë shitje e kësaj pasurie. Më 12.08.2021 revokohet kontrata e qiradhënies qesharake, dhe më 16.08.2021, pra 4 ditë më pas, firmoset kontrata e shitjes me kusht të pronës për një vlerë 19.550.000 lekë. Sërish shumë e vogël me realitetin në zonën kadastrale. Pagesa do të bëhet në dy këste, sipas kontratës: kësti i parë brenda më 31.03.2022 dhe kësti i dytë brenda më 15.08.2022.
Nga dokumentacioni midis IEBV dhe punonjësit Elton Bualli më 16.03.2021 është lidhur një kontratë huaje, e cila është amenduar në datë 08.06.2021 dhe në datë 19.10.2021 për një vlerë totale 500.000 euro. Në datë 19.10.2021 është lidhur kontrata e tretë për vlerën 90.000 euro.
Disponojmë edhe kontratën e lidhur nga Elton Bualli dhe kompania për ndërtimin e serës, tek zona e landfillit. Sipas dokumentave të siguruara nga investigimi rezulton se në përfundim kompania e inceneratorit të Tiranës, IEBV, vendos të qarkullojë para në mënyrë të çuditshme në emër të një punonjësi duke i dhënë 500.000 euro hua, duke i shitur më pas edhe një tokë në vlerë 19.550.000, pra duke shtuar kështu vlerën e huasë. Për këtë aferë, Belind Këlliçi kohë më parë, në një deklaratë për mediat, i ka bërë disa pyetje SPAK-ut dhe kreut të tij Altin Dumani.
Në këtë foto nuk ka dyshime se kush është personi që shfaqet me pantallona të shkurtra dhe bluzë sportive. Ai është as më shumë dhe as më pak, kryeparlamentari Niko Peleshi, tek i cili duket se suksesin e kopjojnë edhe rrjeti i tij i bashkëpunëtorëve.
Djali në foto quhet Armand Tafili, të cilin Plug e përmendi në emisionin e kaluar si një nga përfituesit e fondeve IPARD. Armand Tafili ka përfituar jo pak, por 234 mijë euro nga fondet e IPARD për të ndërtuar këtë agroturizëm në fshatin Starje të Ersekës. Plug ka investiguar më tej se kush është Armand Tafili. Ky shtetas nuk ka pasur asnjë lidhje me bujqësinë, pasi së paku nga të dhënat publike nuk rezulton se është një fermer. Provë është edhe fakti se Armand Tafili u regjistrua me NIPT si person fizik në 7 prill të vitit 2021. Është e qartë se qëllimi i regjistrimit të këtij NIPT-i ka qenë për të përfituar plot 234 mijë euro nga fondet IPARD me qëllim ndërtimin e Agro Turizmit Rohan. Dhe, siç shihet nga foto, ky agroturizëm është vatra e zyrtarëve socialistë të juglindjes për të ngrënë dreka e darka në një biznes të ndërtuar me paratë që duhet t’i merrnin fermerët shqiptarë. Jo vetëm kaq, por Armand Tafili ka përfituar fonde nga IPARD, ndërkohë që ishte funksionar publik në Bashkinë e Kolonjës, të drejtuar nga Erion Isai. Tafili rezulton se ka një nga pozicionet kyçe në këtë bashki, ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Prokurimeve Publike. Deri këtu, është e qartë që Armand Tafili nuk ka përfituar fonde nga IPARD si fermer i aftë, por ka përfituar për shkak se është një nga drejtuesit e shtabit elektoral të Niko Peleshit dhe Erion Isait në bashkinë e Kolonjës. Si drejtues i Drejtorisë së Prokurimeve Publike në bashkinë Ersekë, Armand Tafili është i përfshirë në dosjen hetimore të SPAK për aferat e Erion Isait me Entela Çanon. Për këto afera, Plug do të flasë më gjerësisht në një tjetër emision, ndërsa këtu theksojmë se drejtori i Erion Isait, veç aferave me tenderat, duhet të japë shpjegime edhe si i ka përfituar fondet e IPARD për të ndërtuar një biznes privat, të cilin vijon ta ketë në emër të tij. Plug po investigon më tej për Armand Tafilin, pasi nga të dhënat e deritanishme, ky shtetas rezulton se ka qenë gjithë kohës i punësuar në shtet dhe nuk rezulton të ketë të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar investimin që ka kryer. Ndaj ngrihen dyshime se ky shtetas është prestanome i të tjerë personave në Ersekë.
Armand Tafili është një nga njerëzit kyç të aferës në rrugën Korçë-Ersekë. Sipas dosjes hetimore të SPAK, drejtori i Prokurimeve i Erion Isait, që përfitoi qindra mijëra euro nga fondet IPARD, ishte personi që negocioi projektin e rrugës Korçë-Ersekë me Entela Çanon. SPAK dyshon se dokumentet u falsifikuan, ndërsa rruga, e ndërtuar sipas projektit të Erion Isait, vartësit të tij përfitues nga IPARD, Armand Tafili dhe ish-drejtoreshës së FSHZH, Entela Çano, u shemb duke shkaktuar jo vetëm humbje financiare për shtetin, por edhe duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Projekti i kësaj rruge u zbatua pikërisht nga kompania ANK-Konstruksion, e sipërmarrësit Agim Kola, ndërsa u mbikqyr nga vetë Entela Çano. Agim Kola, si një ndërtues që përfiton rregullisht kontrata të shtrenjta për ndërtim rrugësh nga Belinda Balluku, ka pasur akses edhe në fondet IPARD. Edhe ai, si shumë ndërtues, nëpërmjet kompanisë së ndërtimit dhe prodhimit të inerteve, COMPANY RIVIERA 2008 SHPK, përfitoi rreth 810 mijë euro fonde nga IPARD. Nga të dhënat e AZHBR, Agim Kola dhe ortakët e tij në këtë kompani përfituan fonde për ndërtimin e një magazine me sipërfaqe 2,282 m2, përfshirë 13 dhoma rigoriferike për grumbullimin, seleksionimin, paketimin dhe ruajtjen e frutave dhe perimeve. Nga të dhënat e thesarit, të Open Data Albania, Company Riviera 2008, nga viti 2015 e deri më tani, ka përfituar më shumë se 35 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit. Gjithashtu rezulton se kjo kompani ka përfituar më shumë se 78 tendera publikë nga bashki të ndryshme në vend, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit etj. Pra është e qartë se Agim Kola, pasi ndërtoi rrugë që shemben me taksat e qytetarëve, përfitoi edhe rreth 810 mijë euro nga IPARD duke rivalizuar fermerët e ndershëm. Agim Kola është një emër i njohur, pasi në të shkuarën ai është shpallur në kërkim për abuzim me skemat e TVSH-së. Agim Kola është vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola. Ky i fundit ka qenë themelues i disa prej kompanive që sot administrohen nga i vëllai.
Manjola Haska, motra e deputetit socialist të Tepelenës, Tërmet Peçi, është një tjetër emër që ka përfituar qindra mijëra euro nga IPARD për të ndërtuar Agro Turizëm Rexhinin. Sipas të dhënave publike të AZHBR, Manjola Haska ka firmosur kontratën për përfitimin e fondeve IPARD për ndërtimin e shtëpizave prej druri në fshatin Rexhinë. Kontrata ka një afat 05.04.2023 deri në 06.10.2023 dhe vlera e investimit është 346.000 euro, ndërsa granti që ka përfituar nga IPARD është në vlerën 225.000 euro. Jo vetëm motra e Tërmetit, por edhe burri i saj ka futur duart në fondet e fermerëve, duke përfituar një vlerë prej 15 mijë eurosh për mbjellje pemësh.
Një tjetër kompani, pas së cilës dyshohet se fshihet pikërisht ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, dhe drejtori i tij i tenderave, Lorenc Bami, është “IUMENTIS”. Në tetor të vitit 2019, kompania IUMENTIS aplikon dhe miratohet për një fond prej 758.000 eurosh nga fondet IPARD. Ky fond u miratua për ndihmën e zhvillimit të Thertores Rajonale në Tepelenë, një proces që ka tërhequr vëmendjen për përfitimin e fondeve publike në mënyrë të dyshimtë. Madje dyshimet u ngritën edhe më shumë gjatë inspektimit nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili, teksa pyet Frida Krifcën dhe Tërmet Peçin se kush e përfitoi këtë investim, dy zyrtarët, pasi ngecin në përgjigje, shprehen se pronari nuk është këtu për momentin.
Rikthehemi në kryeqytet, ku personazhi i radhës është i njohur jo vetëm për karrierën politike e publike, por edhe për lidhjet miqësore me kryeministrin Edi Rama: Dashamir Peza. Në vitin 2019, Dashamir Peza dhe Entela Peza themelojnë kompaninë Il Paese. Kjo kompani ka përfituar grant 277.000 euro për rikonstruksionin e godinës ekzistuese në Pezë dhe ndërtimin e një guesthouse. Dihet nga të gjithë se ajo shtëpi është përdorur gjerësisht nga Edi Rama dhe jo vetëm.
Ju sollëm në mënyrë të përmbledhur vetëm dhjetëra raste se si familjarë ministrash, deputetësh, kryetarësh të Partisë Socialiste në emër të tyre kanë marrë fondet që BE-ja i ka për ju, të nderuar fermerë. Por edhe njëherë e theksoj se këto janë vetëm emrat që analizuam në këtë emision, pasi dyshoj se nga 431 përfitues të fondeve të IPARD, ata që kanë përfituar në mënyrë të drejtë numërohen me gishtat e dorës. Për sa kohë SPAK nuk e bën, emisioni Plug do të investigojë deri në emrin e fundit, ku, siç na ka rezultuar, ka edhe deputetë apo kryebashkiakë në detyrë që kanë ndërtuar perandori biznesi falë fondeve që duhet t’u ishin shpërndarë fermerëve. E për veç vjedhjeve, u bënë pengesë që bujqësia shqiptare të merrte edhe 112 milionë eurot e radhës nga BE. Ndërsa ju, të nderuar fermerë, sa herë të shikoni atë fermën luksoze, bujtinën, plantacionet apo serën e familjarëve të këtyre zyrtarëve, mos nguroni t’i bëni një foto e t’ia dërgoni SPAK-ut për t’i zgjuar nga gjumi, sepse ajo është ndërtuar pikërisht me lekët që u vodhën nga xhepat tuaj.