Prona, është burimi i mjaft të këqijave dhe tragjedive në Shqipërinë e pas viteve ’90-të. Duket paradoksale por edhe vetë shteti, nuk ka arritur dot të vërë në shërbim pronat e tij për t’i vënë në funksion të shërbimeve dhe të mirave publike.
Kjo përbën një prej pikave përse shteti detyrohet të marrë ambiente me qira për t’i përdorur për zyra. Miliona euro të taksapaguesve shpenzohen çdo vit për zyra apo godina të cilat mund të mbuloheshin përmes pronave të lëna në degradim nga shteti, apo duke ndërtuar të reja kur shihet e arsyeshme.
“Mund të themi ka keqpërdorim dhe keqmenaxhim sepse vihet re që merren me çmime shumë të shtrenjta ambientet nga struktura shtetërore sidomos nga kompanitë aksionere shtetërore publike dhe kur jep shteti dhe zakonisht dhënien me qira e kanë në më të shumtën e rasteve pushteti vendor bashkitë, kostoja e dhënies është shumë e ulët”, u shpreh Suzana Guxholli-eksperte ekonomie.
“E jep lirë e blen më shtrenjtë, e pafalshme”, u shpreh Agron Haxhimali-Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.
‘Në të vërtetë nuk ka logjikë ekonomike nëse shet lirë e blen shtrenjtë, apo jep me qira lirë dhe merrr shtrenjtë’ u shpreh Reinaldo Pipiria, Drejtor ekzekutiv i NAREA
“Kjo ka edhe një problem tjetër. Së pari nuk kemi asnjë strukturë të asaj që duhet të qëndrojë shtetërore duhet të qëndrojë publike”, u shpreh Aranita Brahaj-eksperte ekonomie.
“Legjislacioni shqiptarë, ligji për organizimin e qeverisjes vet-vendore ua jep këtë të drejtë këtë pushtet këtë autoritet njësive të qeverisjes vendore”, u shpreh Agron Haxhimali-Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.
Vihet re një mungesë totale kordinimi mes institucioneve, apo pushtetit qëndror dhe atij lokal. Nëse një institucion mund të ketë një godinë të lirë, është e rrallë që ajo të bëhet zgjidhje për një tjetër ent shtetëror që ka nevojë.
Por, titullarët zgjedhin rrugën e shkurtër. I drejtohen privatëve duke lidhur kontrata qiraje. Kjo, e ka një shpjegim. Shpesh, kontratat e qirasë janë parë si mundësi përfitimi jo vetëm nga privati, por edhe zyrtarët që bëjnë marrëveshjet.
“Nëse një strukturë publike siç është në sektorin e shëndetësisë ka nevoja të konsiderueshme për sipërfaqe sidomos për poliklinika apo ambiente atëherë është mirë të bëhet një studim, makro dhe të shihet se cila është totali i ambienteve që kësaj strukture i duhet dhe pastaj të diskutohet a ia vlen të lidhesh me struktura publike apo private për të ndërtuar dhe për t’i patur në pronësi të përhershme apo të marrësh me qira”, u shpreh Suzana Guxholli-eksperte ekonomie.
“Ne kemi pasur situate qesharake siç ishte Bashkia Kavajë që nuk kishte ambient materniteti dhe ishte vendosur në një ambient me qira apo gjykata. Përgjithësisht institucionet në një shtet funksional normal ndërtojnë strategji të sektorëve përkatës, parashikojnë nevojat që lidhen kryesisht me numrin e popullsisë dhe shërbimet që ofrojnë dhe përdorimi i ambienteve me qira është përjashtim nuk është rregull”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Zef Preci.
“Ne shohim përshembull që ka dalë shumë tipologji e artikuluar dhënia e një shkollë me koncesion apo marria e një ambienti me qira për të qenë një shkollë një kopsht apo një zyrë shtetërore. Pse duhet të ndodhë kjo? Taksapaguesit shqiptarë paguajnë taksa në përgjithësi por edhe taksa specifikisht për infrastrukturën”, u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportet e njëpasnjëshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për pushtetin vendor, arrin në konkluzionin se ka mungesë të ardhurash në buxhet kur bëhet fjalë për pronën.
Keqmenaxhimi i saj, apo hartimi i problematik i kontratave të qirave. Këtu, përfshihen edhe rastet kur enti publik rezulton qiramarrës.
“Dhënia me qira e godinave të papërdorura ose të ambienteve tepër që kanë institucionet shtetërore, strukturat shtetërore është pothuajse shumë lirë” u shpreh Suzana Guxholli, eksperte ekonomie.
“Ajo çka vihet re dhe që është shumë evidente kohët e fundit qoftë nga ekzekutivi qoftë nga pushteti lokal është karakteristika që prona shtetërore, prona publike, aseti publik, po përdoret me një frymë që nuk ka të bëjë aspak as me eficensën ekonomike as me logjikën e ekonomike dhe mbi të gjitha as me integritetin e një procesi”, deklaroi Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.
“Shohim kontrata qiraje të shifrave të nivelit të tregut në fakt duhen bërë studime dhe tregu është i njëjtë dhe kur e jep dhe kur merr”, u shpreh Suzana Guxholli, eksperte ekonomie.
Auditimi i kryer në Drejtorinë e përgjithshme të Agjencisë shtetërore të Kadastrës në vitin 2022 nxjerr në pah të dhëna alarmante. Vetëm 9% e pronave shtetërore janë të regjistruara. Ky fakt e bën të vështirë, ndonjëherë edhe të pamundur menaxhimin e tyre në interes të qytetarëve duke sjellë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit. Shpesh, kjo është parë si skemë për të favorizuar privatizimin.
Nga auditimi u konstatua se në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor, shteti shqiptar nuk ka të identifikuar, inventarizuar dhe regjistruar pronat e veta dhe nuk disponohet një statistikë mbi numrin real të pasurive, sepse një pronë e pasqyruar në listat e inventarit të institucioneve shtetërore përbëhet nga disa pasuri. Nga ana e institucioneve qendrore dhe atyre vendore rezulton se janë regjistruar vetëm 9% e pronave shtetërore.
“Ka një tendencë që çfarë është pronë shtetërore pronë publike, qoftë tokë qoftë ndonjë aset ti jepet mundësi një liberalizimi një kalimi të shpejtë me pak eficencë ekonomike pra me pak tarifa ekonomike për privatizimin tek private”, u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.
“Duhet bërë një raport një analizë duhet të studiojnë, të dinë qartë çfarë kanë dhe çfarë nuk kanë dhe si duhet ta trajtojnë duhet ti shesin duhet ti japin me qira sepse pronat që kanë bashkitë i kanë një bazë e shëndetshme për zhvillimin ekonomik të bashkive”, u shpreh Agron Haxhimali, Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.
Mbi 300 milionë lekë në vit paguhen për një sërë ambientesh që shërbejnë si zyra ku ushtrojnë aktivitetin institucione të ndryshme në vend sipas Ministrisë së Financave.
“Ne kemi analizuar në zyrën tonë një analizë për pronën publike të cilat janë dhënë përmes ankandeve dhe qira-dhënieve tek privati në 10 vitet e fundit dhe na rezulton që kjo ka ardhur me një numër shumë të lartë dhe përshkallëzim shumë të madh të terreneve të pronave të dhëna me qira”, u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.
“Edhe një numër institucionesh që kanë patur mundësi të investojnë për zyra apo ambiente pune kanë bërë zgjedhje të dyshimta sa i takon truallit apo sa i takon vendndodhjes. Kjo ka ndodhur në dogana ka ndodhur në kompanitë shtetërore energjetike apo kompanitë e tjera”, u shpreh Zef Preci, ekspert ekonomie.
“Bashkia duhet të vendosë t’i bëjë publike në faqen e saj të internetit të gjithë listën e pronave të aseteve sipas kategorive që ajo posedon”, u shpreh Agron Haxhimali-Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.
Shteti ka një listë të gjatë me mbi 100 kontrata qiramarrje. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit zhvillon aktivitetin e tij në një ambient me qira mujore mbi 15 milionë lekë, një shifër mjaft e lartë. Edhe drejtoritë rajonale të këtij institucioni në Tiranë, Kukës, Lezhë dhe Berat gjithashtu janë të vendosura në ambiente private.
AKU: Për Drejtorinë e Përgjithshme ambienti ka një sipërfaqe prej 1243 m2 me vlere 1,267,860 leke neto ne muaj, për Drejtorinë Rajonale AKU Lezhë ambienti ka një sipërfaqe prej 291 m2 me vlere 160,000 leke neto ne muaj, për Drejtorinë Rajonale AKU Kukës ambienti ka një sipërfaqe prej 276 m2 me vlere 180,000 leke neto ne muaj dhe për Drejtorinë Rajonale te AKU Berat ambienti ka një sipërfaqe prej 339.7 m2 me vlere 220,000 leke neto ne muaj.
Gjykata Kushtetuese, ka marrë me qira ambiente tek privati por mbetet e paqartë se çfarë hapësirash, në çfarë zonë, sa sipërfaqe dhe për çfarë i shërbejnë. Sipas të dhënave në spending data rezulton se pagesa mujore është në vlerën 26 mijë lekë. Një tjetër shumë del nga të dhënat e ministrisë së financave ku flitet për pagesë rreth 35 mijë lekë.
Aparati qëndror i INSTAT dhe degët vartëse të tij në Elbasan, Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë vijojnë të ushtrojnë aktivitetin në ambiente me qira. Faturat mujore variojnë nga rreth 52 mijë, deri në 341 mijë lekë.
Nëse e marrim analizë për 12 muaj, qiraja për degën e INSTAT në Vlorë do të kushtonte afro 4 milionë lekë të reja. Për 10 vite shuma shkon 40 milionë lekë ose 400 mijë euro. Kjo do të mjaftonte që shteti të siguronte godinën e vetë dhe të amortizonte rëndesën financiare. Pas 10 vitesh, jo vetëm që problem mbetet aty, por paratë do të vijojnë të shpenzohen lumë.
Është interesante që edhe vetë Komisioni i Prokurimit Publik, institucioni qëndror i tenderave, rezulton se ka marrë ambiente me qira për të cilat paguan plot 798 mijë lekë të reja në muaj. Në vit, shuma shkon plot 9.5 milionë lekë, ose rreth 95 mijë euro.
“Kjo duhet parë si një papërgjegjshmëri jo thjesht e qeverisë qëndrore e cila luan me porte aeroporte, hapësira të mëdha toka bujqësore por edhe e pushtetit vendor të cilët duke shfrytëzuar autoritetin që kanë përdorin pikërisht këto prona në pot ë njëjtën mënyrë, pra për interesa përfitimesh financiare, korruptive politike në një farë mënyrë e për qoka”, u shpreh Zef Preci, ekspert ekonomie.
Ironikisht, në listën e institucioneve që kanë marrë ambiente me qira janë edhe ato në varësi të ministrisë së arsimit. Pavarësisht rëndësisë që kanë këto institucione dhe do të duhej të investohej për t’i pasur ambiente të përhershme, ende universitetet, drejtoritë arsimore, zyrat arsimore e të tjerë disponojnë ambiente me qira.
Universiteti Aleksandër Xhuvani në Elbasan paguan plot 2.5 milionë lekë për qira ambienti. Universiteti “Ismail Qemali”, në Vlorë, paguan afro 11 milionë lekë. Zyra vendore e Arsimit në Kamëz paguan për dy ambiente me qira. Zyrat e tjera në Divjakë, Selenicë dhe Vorë paguajnë gjithashtu. Drejtoria Arsimore Rajonale në Lezhë paguan për dy ambiente.
Kërkimi shkencor në Shqipëri është inekzistent, por universitetet kanë shpenzuar para’ për ambiente me qira që I shërbejnë pikërisht këtij zëri. Janë marrë me qira 3 ambiente me vlera përkatësisht 177 mijë lekë, 86 mijë lekë dhe 231 mijë lekë. Pra, afro 5 mijë euro.
Nuk dihet se për çfarë iu shërbejnë këto ambiente megjithatë kostot rëndojnë sërish në buxhetin e tyre. Juristët kanë rezerva për mënyrën e hartimit të kontratave. Pothuajse të gjitha kontratat janë të njëjta dhe kjo faktohet sa herë që ka mosmarrëveshje dhe palët përfundojnë në gjyq.
“Në përgjithësi cilësia e kontratave te ne është cilësia më e dobët e mundshme. Pjesa më e madhe e noterëve kanë aftësi tepër të kufizuar dhe tepër të zakonshme për hartimin e kontratave. Mbi 90% e kontratave do të zëvendësoheshin vetëm me një rresht, dy palët bien dakord që për këtë kontratë të zbatojnë legjislacionin në fuqi”, u shpreh Jordan Daci, avokat.
“Kemi kontrata që nuk personalizojnë rrethanat specifike të palëve, objekti, etj., me radhë. Kjo kontratë do të ishte ajo që e rregullon siç duhet marrëdhënien…”, u shpreh avokati, Jordan Daci.
E njëjta skemë si ajo e konstatuar në Pogradec nga KLSH për abuzime në kontratat e qirave vijon të përdoret në çdo skaj të vendit.
Ndonëse të dhënat janë të pakta dhe shumë prej institucioneve nuk iu përgjigjën kërkesës për të dhënë informacion sipas ligjit për të drejtën e informimit, transfertat bankare tregojnë vlerat e qirave, përfituesit dhe datat kur janë kryer këto pagesa.
Ndër përfituesit me vlera të larta bie në sy Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim, një kult fetar që duket se vepron edhe në Shqipëri. Në këtë rast rezulton si përfituese e shumës së majme prej 10 milionë lekë në muaj. Mjaft ironike kjo situatë që shteti i paguan një kulti që instalohet në Shqipëri.
Një institucion i cili ka marrë sipërfaqe të madhe për zyra është drejtoria e përgjithshme e tatimeve. Bazuar në transaksionet bankare rezulton se nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2025 ka shpenzuar rreth 46 milionë lekë, ose rreth 450 mijë euro.
Të dhënat e thesarit tregojnë se qiratë e këtij institucioni variojnë nga 2 deri në 6 mijë euro në muaj. Megjithatë nuk janë të specifikuara zonat kadastrale për të cilat bëhet fjalë në mënyrë që të identifikohen dhe krahasohen me çmimet e tregut.
Nëse marrim për referencë kontratën prej 600 mijë lekësh, për 12 muaj, qiraja shkon plot 7.2 milionë lekë. Pas 10 vitesh, shuma do të shkojë mbi 70 milionë lekë ose 700 mijë euro, mjaftueshëm për të blerë apo ndërtuar mjaft zyra. Dihet se ky institucion është i përhershëm dhe nuk ka arsye të rëndojë faturën me qiratë që përveçse shpenzojnë, nuk të lënë një pronë.
Kontratat e qirave që nënshkruajnë institucionet shtetërore me privatët janë me risk të lartë klientelizmi, korrupsioni apo abuzimi në të gjitha format. Mjafton të themi që mjaft prona shtetërore janë lënë në degradim, në vend që të zhvilloheshin dhe viheshin në dispozicion të enteve që kanë nevojë.
“Kur flasim për prona që merren dhe jepen me qira duket sikur gjithçka shkon në favor të privatit, pa rregulla, pa konkurrim, pa garë dhe pa njoftim në një sistem elektronik”, u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.
Të dhënat e marra nga transfertat në thesar për periudhën 2019-2025, tregojnë se janë shpenzuar mbi 3,5 miliardë lekë ose thënë ndryshe, 35 milionë euro. Nëse shteti do t’i investonte në godina që do të ishin pronë e përhershme, do të mund të ndërtoheshin qindra zyra.
Me këto para, mund të ndërtoheshin disa shkolla. Pothuajse të gjitha institucionet kanë marrë ambiente me qira për zyra apo për ushtrim të aktivitetit të tyre duke nënshkruar kontrata me persona të tretë.
“Ajo që vëmë re është që vetë institucionet e pushtetit vendor preferojnë që të bëjnë pagesa ekstra për privatin duke dhënë me qira ose duke dhënë edhe objekte me koncesion duke paguar tarifa të rënda të koncensionarit dhe jo të ndërtojnë asete të vërteta që janë shkolla çerdhe kopshte apo institucione publike”, deklaroi ekspertja e ekonomisë.
Një praktikë e audituar më herët nga KLSH, bënte fjalë për një kontratë qiraje të Ujësjellësit të Pogradecit, kur Bashkia drejtohej nga Eduart Kapri. Në institucionin në varësi, ai kishte emëruar një të afërm i cili nënshkroi një kontratë qiraje me një privat për 13 vite. Ajo që ngriti dyshimet ishte fakti se shuma ishte parapaguar për të gjitha 13 vitet e kontratës.
Në të njëjtën formë është vepruar me 4 kontrata të tjera për të cilat nuk ka studim, nuk ka argumentim se përse nevojiteshin ambientet me qira. Po ashtu, rezulton se vlera e qirasë është të paktën 8 herë më e lartë se çmimet e tregut. Madje, edhe më shtrenjtë se blerja e pronës.
Raporti i KLSH: Nga përllogaritja e vlerës së qirasë së paguar për 4 kontratat rezulton se “UK” SHA Pogradec, ka kryer pagesa në vlerën rreth 70 mijë lekë për 4 ambiente sipërfaqe totale e të cilave është 176.1 m2. Po t’i referohemi çmimit mesatar të blerjes së banesave në tregun e lirë rezulton se vlera totale e çmimit është gati 8 herë me e lartë se sa çmimi mesatar. Krahas vlerës së lartë dhe të paargumentuar të qirasë, ka kryer likuidimin e plotë të saj, vlerë e cila po të investohej për blerje ambientesh do ishte disa herë me e ulët.
“Po ti shohësh këta qiradhënës ndonjëherë na rezultojnë që nuk janë gjë tjetër veçse emra të lidhur me deputetët me kryebashkiakë emra të lidhur edhe me të fortët apo grupet kriminale të zonave pra jemi në një moment shumë të vështirë për pronën publike”, u shpreh Brahaj.
/Emisioni “Inside Story”














