Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se Durrësi është qyteti i dytë pas Tiranës përsa i përket grupeve kriminale.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Hoxha shpjegoi marrëdhëniet mes bandave të Durrësit, duke e konsideruar personin e njohur si Mond Çekiçi (i vrarë në vitin 2021) si trurin e bandës së Shijakut, duke shtuar se ai kishte në menaxhim portin e Durrësit sa i përket futjes së kokainës.
Hoxha kujtoi disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë atentatin ndaj Plarent Dervishajt në vitin 2018 dhe vrasjen e shoferit Andi Maloku në 2019 në makinën e prokurorit Arjan Ndoja (sot deputet), si pjesë e përplasjeve mes bandave.
“Le t’i referohemi SKY ECC-së, se si operon krimi i organizuar. Kur është hapur SKY, shefja e Interpolit atëherë ka thënë se po arrijmë të shohim një flokëbore nga gjithë maja e ajsbergut.
Së pari, kemi një ngjarje që është bërë një atentat në qershor të vitit 2018 ndaj Plarent Dervishajt. Atë ditë kam thënë që në Durrës sapo ka filluar lufta. Herë pas here dëgjohen beteja, dhe Durrësi është qyteti më i rëndësishëm në Shqipëri, pas Tiranës, sepse është porti. Dhe atentati tjetër është në 2019, ku goditet Rrumi në makinën e prokurorit dhe vdes shoferi që s’ka faj, Andi Maloku, 23 vjeç. Më i pafajshmi në atë histori.
Ngjarjet vijuan, betejat mes grupeve u bënë të qarta. Këto dy grupet që ka evidentuar SPAK-u nga kjo dosje janë nga Shijaku. Durrësi është tjetër gjë, është det. Shijaku është kodër. Herë pas here ata bëjnë kompromise dhe i ndajnë zonat e tyre.“, tha Hoxha.
Sipas gazetarit, Mond Çekiçi (i vrarë më vonë) kishte marrë nën kontroll menaxhimin dhe pastrimin e Portit të Durrësit përmes tenderëve, duke shfaqur një ndikim të fortë të krimit të organizuar në ekonomi dhe infrastrukturë.
“Më pas vritet Edmond Keçi ose Mond Çekiçi, ishte truri i bandës së Durrësit, që kishte zanafillën, ku ata fusin Lulzim Berishën, Plarent Dervishajn. Por Mond Çekiçi ishte truri. Pse? Sepse Çekiçi me letra kishte fituar tenderin dhe kishte menaxhimin dhe pastrimin e Portit të Durrësit. Nga ai moment e mbrapa fillon situata që s’kapet më kokainë në Durrës. U mor nën kontroll porti, qyteti. Kjo panoramë na tregon se këto dy grupe, nuk janë aleatë, por në një moment të caktuar atyre u përputhen interesat.“, shtoi Hoxha.
Gazetari tha se SPAK ngrinte pikëpyetje edhe mbi qëndrimet e disa personazheve të botës së krimit që flasin pozitivisht për kryeministrin “Ajo që më çudit mua në këtë histori është se si nga SPAK-u lindin gjithmonë pyetje se pse çunat e krimit flasin mirë për kryeministrin.” Por sipas Hoxhës, grupet kriminale do flasin gjithmonë mirë për pushtetin.