Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë këtë të martë detaje të reja nga masakra e 8 shtatorit në Shkodër, ku u vranë 2 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.
Për herë të parë, zbardhet dinamika e plotë e ngjarjes që ndodhi mëngjesin e 8 shtatorit, ku autori i krimit Ragip Gila, 28 vjeç, i maskuar më së miri, i veshur me antiplumb, i hipur mbi një motor, mori rrugën dhe hyri i vetëm në lokalin ku ndodhej shënjestra e tij dhe qëlloi pa hezitim mbi të dhe personat që e shoqëronin.
I vetmi që mundi të shquajë silutetën e dyshimtë të një personi me skafandër në kokë, që po drejtohej drejt tyre, ishte pikërisht shënjestra e vërtetë e atentatit. Erogen Vaso, i njohur edhe me mbiemrin Brajoviç.
Erogen Vaso ishte ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë si dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër dhe i vetmi që arriti të ndjejë në kohë aromën barutit të armës që po i afrohej dhe të fshihej në një nga tavolinat ngjitur.
Fat që nuk e patën dy miqtë e tij, Armando Pali dhe Liridon Kraja që mbante edhe mbiemrin Lushi. Plumbat që nuk kursyen as kamarieren e lokalit ku ndodhi krimi i shumëfishtë. Meri Kacerri, që ndërkohë po u shërbente klientëve në lokal, e cila mbeti e plagosur lehtë.
Po si u gjend Ragip Gila në vendin e krimit? Dhe a është i besueshëm versioni i tij i dhënë para grupit hetues se ai e ndërrmori këtë krim për arsye personale?
Duke refuzuar kësisoj çdo angazhim të tjetërkujt, edhe në formën e pagesës si organizator i masakrës. Por pa lënë asnjë dyshim se objektivi i tij i vetëm ishte Erogen Vaso Brajoviç. Një personazh i paskeduar më parë nga policia e qytetit i cili merrej kryesisht me bizneset e tij. Që më parë kishte qenë edhe president i klubit të futbollit ‘Tërbuni’ në Pukë. Por anëtar i një nukli familjar i cili kishte mjaftueshëm probleme me ligjin.
Vëllai i Denis Vaso Brajoviç, pjesë e grupit kriminal Bajri i ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe ku strehohej, sot pas hekurave në pritje të gjykimit, në akuzën për vrasjen e Gjin Boriçit, në gusht të vitit 2020 në Vaun e Dejës krim që dyshohet se u krye për llogari të Ervis Martinaj. Zbulime që erdhën pas zbërthimit të aplikacionit “Sky Ecc”, ku Brajoviç natën para dhe pas krimit, bisedonte me bosin tashmë të humbur të kumarit dhe Behar Bajrin.
Por si mbërriti Ragip Gila në lokalin ‘Idromeno’, mëngjesin e datës 8 Shtator? Dhe kush e informoi atë për lëvizjen e shënjestrës së tij? A mundej ai i vetëm të sinkronizohej në mënyrë kaq perfekte me kohën, vendin, objektivin dhe qëllimin e tij?
Njoftim mbërriti në sallën operative të policisë Shkodër në orën 8.51 të mëngjesit, vetëm pak minuta pasi krimi ishte konsumuar. Të parët që shkuan në vendin e ngjarjes ishte një patrullë e policisë. Dëshmitarë okularë rrëfyen se atentatori mbërriti përpara lokalit me një motoçikletë të cilën e la të ndezur përpara hyrjes.
Dhe pasi zbriti nga motomjeti, me një armë në dorë të cilën e nxorri në ecje e sipër, u afrua me hapa të shpejtë drejt tavolinës ku ndodheshin të ulur Erogen Brajoviç, Liridon Kraja dhe Armando Pali.
Gila, pasi qëlloi mbi tavolinën ku ishin ulur tre burrat, doli nga hyrja e pasme e lokalit. Çka tregonte se ai i kishte studiuar mirë të gjitha hyrjet dhe daljet e barit, që ndodhet në katin e parë të një pallati të ri shumëkatësh. E gjithë skena duket se ka zgjatur vetëm pak minuta. Kohë e mjaftueshme kjo për t’i dhënë autorit deri në këtë moment të paidentifikuar mundësinë të largohej i pashqetësuar.
Por ndërsa kreu krimin e shumëfishtë, diçka duket se shkoi keq për qitësin, i cili edhe pse i padallueshëm së jashtmi për shkak të maskimit të tij, duket se kreu një gabim të pafalshëm për një profesionist në të tilla punë.
Pasi la motorin e ndezur përpara lokalit ku kreu krimin dhe doli nga dera e pasme e objektit, ai doli në rrugë duke marrë me forcë një automjet të cilin nuk e kishte përdorur më herët. Një gabim amatoresk që duket se i kushtoi edhe zbulimin e shpejtë.
Pasi me të hipur në këtë automjet nën kërcënimin e armës, vetëm pak metra më tutje ai u përplas me një tjetër makinë, çka i kushtoi shumë në largimin në kohë. Duke i dhënë kështu kohë të çmuar forcave të policisë që ndërkohë i ishin vënë në ndjekje.
I trembur, i pari që ofroi dëshminë e tij mbi atë që i ndodhi në rrugë ishte drejtuesi i automjetit që nën kërcënimin e armës u detyrua të zbriste dhe t’i linte drejtimin e makinës, personit të veshur në të zeza. Ai tregoi se ishte duke shkuar në punë, pasi sapo kishte lënë djalin në kopësht, kur një person me armë në dorë i doli përpara makinës dhe i drejtoi armën.
“Ishte ora 8.50, kur sapo kisha lënë djalin në kopsht, u ngjita në makinë dhe po bëhesha gati të shkoja në punë. Por vetëm pak sekonda pasi isha nisur, në rrugën ‘Martin Camaj’, një person i veshur me të zeza më doli përpara makinës dhe më drejtoi armën”, ka treguar dëshmitari duke shtuar se“në lidhje me personin që më drejtoi armën ajo që mund të them është se ai kishte një trup mesatar”.
“Ai mbante në kokë një skafandër të errët, armë me ngjyrë gri si alumini. Personi mbante të veshur një xhakovento të errët, si edhe syze të errëta. Gjatësia e tij nuk më kujtohet, por mbaj mend që më foli në dialekt duke thënë: ‘del jashtë se s’të baj gja”, – ka rrëfyer para hetuesve, dëshmitari në vendngjarje.
Më tej drejtuesi i makinës shpjegoi se me armën drejtuar nga xhami që e mbante të palëvizur drejt kokës së tij, personi me skafandër në kokë ia përsëriti tri herë këtë frazë.
Duke iu afruar gjithmonë e më shumë te xhami i përparmë. Pikërisht në këtë moment i frikësuar sa më s’ka, drejtuesi i automjetit vendos të dalë nga makina. E gjitha kjo duket si një skenë e shkëputur nga një film aksion.
Edhe pse është ende e pashpjegueshme përse Ragip Gila zgjodhi këtë mënyrë për t’u larguar nga vendngjarja dhe përse duhet të krijonte gjithë këtë kaos që thjesht do t’i komplikonte atë që ishte skenari i ndërtuar në kokën e tij. Për më tepër në një orar të ditës ku qyteti ka një dinamikë të shtuar të trafikut urban.
A mund të jetë ky rasti kur një vrasës humb orientimin dhe lidhjet me ndihmësit e tij?
Ashtu i trembur siç është ai gjen fjalët dhe t’i drejtohet personit me armë në dorë, duke kërkuar të dijë se çfarë i ka bërë që ai po e kërcënon me armën e vendosur përballë tij. Pa e ditur se në fakt ai nuk ka asgjë personale me të. Por thjesht po kërkon një rrugë shpëtimi për t’iu larguar policisë, e cila nga çasti në çast mund të vihej në ndjekje të tij.
“Në atë moment i ndjerë në pozitë të ngushtë, nga brenda makinës, iu drejtova personit që më kishte vendosur përpara armën e zjarrit me fjalët: Çfarë të kam ba mor burrë? Aty menjëherë dola nga makina me duart lart, jam kthyer me shpinë dhe kam ecur në këmbë në krahun e kundërt të lëvizjes. Në këtë çast pasi pashë që personi i maskuar u largua me makinën time, unë mora në telefon gruan time dhe i tregova për ngjarjen.”
Edhe pse të tronditur nga ajo që kishte ndodhur, ata mblodhën veten dhe thonë se njoftuan menjëherë sallën operative. Por nga ajo që kuptuan është se policia ishte tashmë në dijeni të gjithçkaje.
Çka duket se shpjegon edhe alarmin që ndërkohë kishte kapluar autorin e krimit. I cili në panik e sipër duke kryer parakalime të gabuara, jo vetëm dëmtoi automjete të ndryshme që po kalonin në këtë orë të ditës në segmentin rrugor, por edhe vendosi në rrezik jetën e drejtuesve të këtyre mjeteve. Ashtu sikurse është edhe kjo dëshmi e njërit prej këtyre drejtuesve.
Që tha për grupin hetues se mjeti ngjyrë gri që e goditi, po largohej si i çmendur në drejtim të Katedrales së qytetit.
“Unë punoj si shofer në një kompani private në qytetin e Lushnjes. Më datë 8 shtator isha në Shkodër për të bërë furnizim. Sapo kam marrë kthesën për të hyrë në një supermarket, konstatova që një automjet ngjyrë gri po ecte shumë shpejt, dhe po kryente vazhdimisht parakalime të gabuara”, është një tjetër dëshmi e sjellë për emisionin “Në Shënjestër”.
Një tjetër drejtuese automjeti që përjetoi momente ankthi ishte edhe shtetasja e identifikuar me inicialet Z. G. Ajo rrëfeu për grupin hetues se ishte duke lëvizur me makinën e saj, kur u përplas nga një automjet tip BMW me ngjyrë gri.
Pasi mblodhi veten ajo rrëfeu me tej se drejtuesi i makinës që e përplasi, dukej i çuditshëm. Kjo pasi edhe pse ishte një drejtues automjeti, ai mbante në kokë një skafandër si të ishte motorist.
Dhe në ikje e sipër pasi braktisi makinën vetëm pak metra larg të saj, ajo e dalloi atë teksa mbante një armë zjarri me vete. Një pamje jo e zakontë që e shqetësoi pa masë, çka e detyroi të njoftonte ndërkohë edhe policinë.
E cila tashmë kishte edhe një orientim mbi itinerarin se ku po lëvizte autori i masakrës të sapo ndodhur në qytet me dy të vrarë dhe dy të plagosur.
Pa kaluar vetëm disa sekonda ky automjet erdhi dhe më goditi në pjesën e gomës së prapme nga ana e shoferit. Kur dola nga makina pashë që automjeti që më goditi po vazhdonte rrugën me shpejtësi drejt Katedrales së qytetit.
“Rreth orës 08.50 kam qenë duke ecur në rrugën e Katedrales për në drejtim të shkollës Pyjore. Në këtë moment unë kam parë që drejt meje po vinte me shpejtësi një automjet tip BMW, i cili lëvizte midis dy korsive. Në çast ndalova, por sërish nuk e parandalova dot përplasjen. Pasi automjeti erdhi dhe më goditi pranë dyerve si edhe në pjesën e prapakolpit nga ana e shoferit. Më pas pashë që shoferi i automjetit që më goditi mbante në kokë një skafandër si edhe një armë zjarri. Çka më bëri që të lajmëroja menjëherë policinë”, ka rrëfyer dëshmitarja me inicialet Z. G.
Por ndërkohë që merrnin këto dëshmi të vlefshme për hetimin, ekspertët e kriminalistikës në vendngjarje, u ndalën edhe te provat në skenën e krimit.
Pas njoftimit për të shtëna në lokalin “Idromeno” në Shkodër, mëngjesin e 8 shtatorit, nga kqyrja e vendit të ngjarjes, jashtë lokalit ku ndodhi krimi, policia konstatoi një motoçikletë ngjyrë të zezë të vendosur në kambalec, në gjendje të ndezur e markës ‘Dayang’, ku në anësore të saj mbante mbishkrimin ‘Shimano”. Motor që në vend të targës ka një plastikë dhe ku numri i shasisë rezultoi i fshirë dhe i lyer me bojë të zezë
Nga ana e ekspertëve të kriminalistikës u bë edhe tamponimi i celësit të kuadrit, si dhe i dy dorezave të këtij motomjeti. Por ndërkohë që kryheshin këto veprime paraprake hetimore në vendin e ngjarjes, tashmë policia kishte rënë në gjurmët e autorit të ngjarjes që me shumë gjasa nuk ishte larguar shumë larg vendit ku u përplas për herë të fundit, me makinën që kishte grabitur gjatë arratisjes së tij.
Zonë, pranë ish-magazinave të mallrave në ish-stacionin e trenit në lagjen ‘Skandarbeg’ në Shkodër, e cila u rrethua shpejt nga forca të shumta policisë.
Një efektiv policie mundi të identifikojë diçka të pazakontë në shkurret pranë brigjeve të lumit Kir dhe më pas konstatoi se objekti i dyshimtë i kamufluar në bimësinë e zonës, ishte pikërisht Ragip Gila i cili gjatë hedhjes nga shinat e trenit në zallin e lumit Kir, kishte dëmtuar këmbën, duke e bërë të pamundur largimin e tij të mëtejshëm.
“Vendi ku u arrestua Ragip Gila ndodhet në ish-magazinat e mallrave në ish-stacionin e trenit në lagjen ‘Skandarbeg’ në Shkodër. Ku u gjet një automjet tip BMW i braktisur. Menjëherë shërbimet e policisë bënë krehjen e zonës”, thuhet në dosjen hetimore.
Ragip Gilës, në momentin e dorëzimit iu gjetën me vete në çantën e tij një palë atlete ‘Nike’ si edhe një shishe plastike 1.5 litra, me lëndë djegëse brenda si edhe dy armë zjarri, një automatik dhe një pistoletë, me krehëra.
Gila ishte një personazh jo i panjohur i krimit në Shkodër, i cili ishte arrestuar në fundin e vitit 2023 gjatë operacionit të koduar ‘Imazhi Fals’. Operacion ku në banesën e tij u gjet një sasi e madhe armësh dhe pajisjesh luftarake, që dyshohej se do të përdoreshin për krime mafioze në Shkodër dhe më tej si edhe lëndë narkotike e llojit kanabis.
26-vjeçari u lirua shpejt nga qelia dhe vendimi për lirimin e tij mbetet edhe sot i dyshimtë. Pjesa më interesante është se si fillimisht ai u dënua me 5 vite heqje lirie, vendim i cili më pas u ul në 1/3 e tij dhe më tej u konvertua në shërbim prove.
Hetim që nisi aksidentalisht pas denoncimit që vëllai i Ragip Gilës bëri në dhjetor të vitit 2023, për zhdukjen e bashkëshortes së tij, Safetes, denoncim që çoi në banesën e familjes Gila në Shkodër, shërbimet e policisë, të cilat pas kontrolleve të ushtruara edhe në banesën e prindërve të denoncuesit gjetën aty sendet e paligjshme që implikonin Ragip Gilën.
“Më datë 5 Dhjetor 2023, në orët e pasdites është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër për të bërë denoncim në lidhje me zhdukjen e bashkëshortes së tij, shtetasen Safete Gila, shtetasi Ergys Gila. Ai deklaron se Ragip Gila është vëllai i tij, por nuk ka dijeni për gjërat e gjetura në banesë. Ergys Gila thotë se jeton në shtëpi në vete, ndërsa vëllai jeton në shtëpinë ngjitur me të tijën, së bashku me nënën dhe babain. I pyetur se për çfarë i sherbejnë vëllait sendet e gjetura në banesë, ai deklaron se nuk e di këtë gjë dhe se nuk i ka parë ndonjëherë ato gjëra”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ajo që duket se fundosi Ragip Gilën dhe zbuloi përfshirjen e tij në aktivitet të paligjshëm dhe më pas solli edhe dënimin e tij, janë përgjimet ambientale që u bënë këtë kohë në komisaratin e Shkodrës, midis tij dhe të vëllait.
Çka tregon në një fare mënyre edhe vetë personalitetin e tij dhe karakterin kriminal.
Ragip Gila: Ti mos fol gja mor njish, rri i qet, une nuk kam lidhje me vllan. A ndin mor?
Ergys Gila: Po mor po, njashtu i thashë.
Ragip Gila: Kur të dalësh, ruji fëmijët, mos i ço në shkoll nji herë. Nuk të majn ty, ti rri i qetë. Nuk ke punë ti!
Kan hi edhe n’bodrum. Sido me ken njito jan në internet, por asht halli i hashashit. Ka 20 paketa çokollata. Njizet paketa çokullata…!
Ajo që ndodhi më tej dhe tashmë është e njohur është se Ragip Gila më 4 mars të këtij viti u lirua nga qelia. Dhe vetëm disa muaj më pas, ai u rishfaq në një skenë krimi. Atë të datës 8 shtator, duke shkaktuar një masakër në Shkodër, me dy të vrarë dhe dy të plagosur.
Lirim që u krye në bazë të nenit 59 të Kodit Penal ku Ragip Gilës iu pezullua ekzekutimi i dënimit me burgim dhe ai u la në provë për një periudhë prej 5 vitesh, me kusht që të mos kryente asnjë vepër tjetër penale.
Si edhe nuk duhej të shoqërohej të dënuar si dhe të mos zotëronte, mbante apo përdorte armë.
Lidhjet e Ragip Gilës me fisin Lici dhe masakrën e Dobraçit
Ragip Gila, autori i masakrës së 8 shtatorit në Shkodër, u përpoq ta mbyllë rrethin dhe ta kufizojë ngjarjen, te një armiqësi personale me Erogen Vaso Brajoviç. Emisioni “Në Shënjestër” duke iu referuar gjetjeve të grupit hetimor, publikoi të dhëna që e lidhin autorin e krimit me disa familje të fuqishme në Shkodër të përfshira në krime të ndryshme.
Grupi hetues beson se në fakt masakra e fundit në Shkodër ka lidhje me luftën tashmë të shpallur në qytet midis disa familjeve të fuqishme të përfshira në krime të ndryshme, që tashmë po kërkojnë të lajnë gjakun midis tyre.
Njëra nga këto familje, ku u ndalën këto kontrolle, ishte edhe ajo Lici e cila edhe vetë ishte pre e një masakre të konsumuar më 30 Tetor 2024, e njohur si Masakra e Dobraçit. Ku në një pritë të organizuar mbetën të vrarë Hamza Lici, vëllai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici, Arlind Bushati si edhe u aksidentua për vdekje një çift i pafajshëm Flutura dhe Bashkim Basha të cilët në këtë moment fatkeq për ta, po udhëtonin me motoçikletë në vendin ku u derdh batareja e plumbave.
Kontrolle u kryen në familjen Lici, konkretisht në atë të motrës së Mustafa Licit, babait të vëllezërve Ibrahim dhe Hamza Lici, ky i fundit i ekzekutuar në masakrën e Dobraçit ku gjatë kontrollit në banesën e Bukurije Licit, policia gjeti 7 armë zjarri, dronë dhe sende të tjera që përdoren për të kryer krime të rënda.
Kontrolle të cilat u ushtruan pas dyshimeve se Ragip Gila, menjëherë pas daljes nga burgu, shihej shpesh në shoqërinë e Lulzim Kullës. dhëndër në familjen Lici. Edhe ky pre e një atentati me eksploziv të ndodhur në janar të vitit 2018 në qendër të Shkodër. Atentat që duket se hapi edhe kutinë e pandorës në qytet dhe që u pasua me shumë hakmarrje dhe të vrarë. Ku midis personave të pyetur lidhur mbi dijeninë e tyre mbi ngjarje ishin edhe familjarë të vetë Ragip Gilës, ndër ta nëna dhe vëllai i tij. Të cilët edhe këta ishin ndër personat e parë që u morën në pyetje nga grupi hetues.
“Midis personave të pyetur që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjen janë edhe Naziha dhe Ergys Gila, respektivisht nëna dhe vëllai i Ragip Gilës”, thuhet në dosjen hetimore.
Po çfarë u gjet në banesën e motrës së Mustafa Licit dhe kush e përdorte atë banesë? Dhe çfarë deklaroi ajo në telefonatën që pati me grupin hetues, menjëherë sapo ata behën në banesën e saj Si e justifikoi motra e Licve, praninë e shumtë të armëve të zjarrit në banesën e saj?
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetases Bukurie Beqiri (Lici) shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar:
1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatorë elektrikë, një automjet tip ‘Audi’ me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop si dhe 5 aparate fotografike.
Mustafa Lici i cili u tha hetuesve gjatë dëshmisë së tij dhënë në banesë se e motra jetonte prej 5 vitesh jashtë vendit dhe ishte vendosur në një nga shtetet e Bashkimit Europian.
Dhe se ajo shtëpinë e kishte dhënë me qira, dhe për ta bërë të besueshme këtë gjë do u vinte në dispozicion edhe konratën. Ai madje në prani të oficerëve të policisë u lidh me motrën e tij me qëllim që këta të fundit të bindeshin se ajo ndodhet jashtë vendit.
Motra e Mustafa Licit që po ashtu pohoi nga ana e saj se banesën në pronësi në lagjen ‘Guerrile’ e ka dhënë me qira në periudha të ndryshme kohore dhe se për këtë disponon kontrata noteriale.