Një sondazh i fundit i Institutit Elabe, i publikuar më 9 shtator për BFMTV, tregon se francezët po humbasin durimin me qeverinë dhe presidentin Emmanuel Macron.
Sipas sondazhit, 74% e qytetarëve janë të kënaqur me dorëheqjen e François Bayrou, i cili dha dorëheqjen pasi nuk siguroi votëbesimin në parlament. Ndërkohë, 64% duan që edhe Macron të largohet nga Pallati Elysee.
Mbështetja për largimin e Macron është më e lartë tek votuesit e ekstremit të djathtë (88% tek tubimi i Marine Le Pen) dhe të majtës së re (66%), ndërsa mes votuesve të partive qendrore mbetet më e ulët.
Po ashtu, 59% e francezëve kërkojnë shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. 72% mbështesin futjen e përfaqësimit proporcional në zgjedhjet parlamentare.
Në këtë situatë politike të tensionuar, kërkimi për kryeministrin e ardhshëm ka nisur. Emrat e përmendur për këtë post janë ministrat Sébastien Lecorny, Gérald Darmanin, Catherine Vautrin dhe kryetari socialist Olivier Faure, por asnjëri nuk ka mbështetje dominuese.
71% e të anketuarve duan që qeveria e ardhshme të përbëhet nga teknokratë, pra ekspertë pa ngjyrime partiake.
Në përgjithësi, 69% e francezëve e shohin situatën politike si të pashpresë dhe vetëm 14% planifikojnë të marrin pjesë në protestën e 10 shtatorit, edhe pse 46% e mbështesin mobilizimin.