Talenti i futbollit kosovar, Edon Zhegrova ka pasur një hall në ditët e fundit të mbylljes së merkatos së transfertave verore që përfundon në fund të gushtit. Për ta zgjidhur atë ai nuk ka pasur rrugë më të mirë sesa të marrë celularin dhe ti shkruajë Edi Ramës.
Sulmuesi i krahut të djathtë i skuadërës franceze Lille po kërkohet me insistim si nga Olimpique Marseille po ashtu edhe nga Juventus. Skuadra italiane i ka bërë francezëve një ofertë më të mirrë. Ajo është e gatshme të paguajë deri 20 milionë euro për futbollistin kosovar dhe ti paguajë atij një pagë vjetore, rreth 2.5 milionë euro.
Por që kjo ëndër të realizohet ka pasur një vështirësi. Ekipi torinez i ka të mbushura vendet e lojtarëve ekstra komunitarë dhe Edon Zhegrova, me pasaportë kosovare konsiderohet si i tillë. Për të realizuar transferimin agjentët e tij i kanë sugjeruar futbollistit që të pajiset edhe me pasaportë shqiptare. Pikërisht kjo e ka shtyrë atë që ti drejtohet kryeministrit Rama. Jo kreut të FSHF-së dhe zv/presidentit të UEFA-s Duka, i cili ka rregulluar shumë shtetësi shqiptare për futbolliste. As kreut të shtetit Bajram Begaj, që e ka kompetencë, por atij që ka çdo gjë në dorë në vendin tonë.
Deri në Lilën e largët, në veri të Francës, ka mbërritur lajmi se nëse do të zgjidhësh punë në Shqipëri, duhet të kesh vëtëm një adresë dhe numër telefoni.
Dhe ashtu ka ndodhur vërtet. Në mënyrë urgjente, në 22 gusht, Edoni ka pasur në dorë pasaportën. Edhe punonjësit e Ministrisë të Brendëshme që kanë përgatitur dosjen edhe vetë presidenti Begaj, që ka dalë në punë për të zbatuar urdhrin e shefit të vet real kanë vepruar me shpejtësi.
Pikërisht kjo praktikë ka shqetësuar një deputete të opozitës, Ina Zhupën. “Edi Rama autoriteti mbi ligjor që jep edhe shtetësinë, sipas kujt ligji e kanë pajisur nuk e di?! Përdorimi edhe i një te drejte për trafik interesash, për ndere personale, tregon qartësisht që kemi krijuar një vend që funksionon me fermane/mesazhe kryeministrore sesa me ligje me dhe rregulla”. Zhupa pasi e uron Zhegrovën për pashaportën kujton se dhënia e nënshtetësisë shqiptare rregullohet me ligj.
Në fakt, kuptohet lehtë se në këtë histori më shumë se çështje ligji është çështje qoke. Rama që vitet e fundit njihet si tifoz i Juventusit (pasi ka tradhëtuar Interin) nuk e ka marrë këtë vendim me zemrën e ndezur të një tifozi të sëmurë. Njësoj sikurse i vuri Muronjos portretin në fasadën e universitetit të Tiranës, njësoj siç i shkruajti me admirim serbit të ndjerë Mihailoviç, ai reket me të gjitha mjetet të depërtojë në botën selektive të sportistëve dhe artistëve të famshëm. As në këtë rast ai nuk mund ta humbte shancin që të bëhej promotor i mundësisë për të transferuar Edon Zhegrovën në Toriono.
Ska asgje te keqe, i bëri nder një lojtari shqiptar mund të thotë me mirësi një tifoz futbolli. Në ç’tagër mund të pyesë dikush tjetër, i shqetësuar më shumë për personalizimin e shtetit. Gjithësiesi, një gjë është fakt, 26 vjeçari tashmë edhe shqiptar, Edon Zhegrova do ti’a dijë Edi Ramës për nder nëse arrin të bëjë një kontratë të mirë. Sepse nuk ka diskutim që ai ta ketë marrë nënshtetësinë sipas procedurës së rregullt. Atij ia ka dhënë personalisht kryeministri.
Prandaj dhe futbollisti falenderoi vetë shefin e qeverise në rrjetet sociale. Qershia mbi tortë: edhe dekretin e nënshtetësisë të nënshkruar nga ushtar Begaj, Edonit ia nisi me celular miku i tij Edi./Lapsi.al