Nga Boldnews.al
Ilir Zh. dhe Ludjon (X) janë të detyruar të qëndrojnë për disa kohë “të arrestuar në shtëpitë e tyre. Ndërsa Klarenc C. duhet të bëjë çdo muaj rrugën nga Tirana në Vlorë për t’u paraqitur para oficerëve të Policisë Gjyqësore në qytetin bregdetar.
Ata të tre janë me profesion inxhinier zbatimi. Iliri 50 vjeçar është i punësuar nga kompania “Halisof” e Klaudio Rikos për të ndjekur punimet për ndërtimin e resortit turistik “The Veil”, në Jalë.
Ludjoni 40-vjeçar është kontraktuar si inxhinier zbatues për ndërtimin e fshatit turistik “Folie Village” në Dhërmi, me investitor shoqërinë “Soleil & Sea”, në pronësi të Endrit Mingollari e Ardit Bajraktari, por që ka dyshime se pas tyre fshihet biznesmeni Alban Xhillari.
Ndërsa i treti, Klarensi, një tjetër 40-vjeçar nga Tirana është pajtuar nga “Jala Investment”, një kompani me pronar fundorë Andi Gjikuria e Jonian Antoni, për ndërtimin e një kompleksi turistik në Jalë.
Ata të tre lidhen nga i njëjti fat i keq, që iu shfaq në 3 qershor 2025. Një operacion policor, i porositur nga kryeministri Edi Rama për të luftuar paligjshmërinë në territor, zbuloi se projektet ku po punonin tre inxhinierët zbatues, ishin pa leje.
Nga kantieri, tre inxhinierët përfunduan me pranga në komisariat dhe në 6 qershor, gjykata e Vlorës, në seanca të veçanta, caktoi ndaj tyre masat e sigurisë, dy arreste në shtëpi dhe një “detyrim paraqitje”, masa të cilat në fakt ishin disi më të buta se kërkesa e prokurorit, që kërkoi “arrrest në burg”.
Mbi inxhinierët rëndon dyshimi për kryerjen e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm” për qëllime përfitimi, sipas përcaktimeve të nenin 199/a/4 të Kodit Penal.

Vepra penale që iu atribuohet, në rastin më të mirë, duket e gabuar. Por, një vështrim në thellësi që ka kryer “Boldnews.al”, krijon dyshimin se nuk ka asnjë lapsus nga policia fillimisht, e më tej nga prokuroria e gjykata.
E gjitha duket si një manovër për ta shkarkuar efektet e paligjshmërisë tek inxhinierët zbatues, ndërkohë që përgjegjësit kryesorë shkojnë lart tyre, tek administratorët e shoqërive dhe investitorët/pronarët e kompanive që po ndërtojnë resortet turistike.
Vepra penale “e gabuar”
Në vitin 2014, Parlamenti bëri një ndryshim në nenin 199/a të Kodit Penal, “Ndërtim i Paligjshëm”, i cili tashmë njihet si “paragrafi 4”, duke shtuar këtë përmbajtje: “Po kjo vepër (ndërtimi i paligjshëm), kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”.
Ky ndryshim ligjor përkoi me një tjetër fushatë të kryeministrit Edi Rama për paligjshmërinë në territor, pak muaj pasi ai mori pushtetin, në vitin 2013. Qëllimi i këtij neni ishte rëndimi i penalizimit për personat që ndërtonin pa leje për qëllime përfitimi. Pra, subjekt ishin ata që rëndom quhen “investitorë” apo “pronarë” të ndërtimit.
Në të njëjtën kohë, Parlamenti shtoi edhe një nen tjetër në Kodin Penal, që lidhej po me veprimtarinë anti-ligjore në fushën e territorit. Ishte neni 199/b, me titull “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” dhe thotë shprehimisht: “Cilido që ofron dhe kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrjeje, zbatim punimesh në një ndërtim të paligjshëm, dënohet me burgim deri në 3 vjet”.

Për juristët, edhe ata në bankat studentore, është e qartë ndryshimi mes këtyre dy veprave penale dhe se inxhinierët zbatues janë një kategori e posaçme që përfshihe në nenin 199/b të Kodit Penal.
Por, Policia e Vlorës, e më pas prokuroria që ka bërë kërkesën për masë sigurimi e gjykata që e ka pranuar, kanë aplikuar ndaj tre inxhinierëve nenin 199/a/4, duke i konsideruar si “përfitues”. A duhet pranuar se e kanë lexuar gabim Kodin Penal?
Përgjegjësia e administratorëve
Hetimet e Prokurorisë së Vlorës për këto tre raste, të paktën deri më tani, kanë mbetur tek niveli i inxhinierëve. Por, a kanë përgjegjësi adminstratorët e shoqërive?
Logjika thotë “Po”. Inxhinierët zbatues duhet të punojnë me fonde. Duhen fonde për blerje materialesh e për pagesat e punëtorëve. Inxhinierët zbatues, në shumicë absolute, nuk kanë kompetenca administrative. Roli i tyre është mbikqyrja e kantierit dhe realizimi i punimeve për llogari të investitorit.

Administratori është truri administrativ dhe financiar i shoqërive, aq më tepër atyre të ndërtimit, të cilave u duhet të bashkëpunojnë me kontraktorë të ndryshëm. Administratorët janë syri dhe veshi i investitorëve, janë ata menaxherët e fondeve të pronarëve. Pra, janë ata që lëvizin paratë.
Ata nuk mund të shpenzojnë fondet për një ndërtim të paligjshëm, vetëm nëse janë në dijeni të kësaj paligjshmërie dhe e lejojnë me dashje, duke miratuar lëvizjen e fondeve.
Përfituesit e vërtetë
Përfituesit e vërtetë të ndërtimeve, me leje apo pa leje, janë natyrisht investitorët, pronarët e kompanive. Hetimet e Prokurorisë së Vlorës për tre rastet e dyshuara abuzive në resortet e Dhërmiut dhe Jalës duket se i kanë shmangur tërësisht nga përgjegjësia penale.
A kanë dijeni investitorët për ndërtim të paligjshëm në kantierin e tyre. Logjikisht, “PO”. Investitorët kanë paratë për ndërtimin, kanë detyrimin për të nxjerrë lejet e nevojshme, janë edhe përfituesit e projekteve. Ata lëvrojnë paratë, të cilat më pas rrjedhin tek administratorët, tek inxhinierët zbatues dhe tek çdo hallkë më e ulët e kantierit.
Natyrisht, duhet guxim i madh që investitorët, sidomos ata të fuqishmit, të miratojnë miliona euro fonde nga xhepat e tyre për projekte pa leje. Vetëm, nëse kanë marrë ose shpresojnë se kanë garanci për paprekshmëri ligjore.
Në rastin e tre resorteve më bregun e Jonit, të kapur pa leje ndërtimi, investitorët janë mbajtur tërësisht jashtë hetimit penal të Policisë dhe Prokurorisë së Vlorës, duke forcuar dyshimin se ata kanë pasur “garanci shtetërore” për të vijuar ndërtimet në paligjshmëri.
A ka fshehje të të ardhurave?
Policia, në referimet e saj në Prokurori për tre rastet e resorteve në Dhërmi dhe Jalë, ka cituar se aty po vijonin punimet pa leje, duke detajuar praninë e betonit, hekurave, makinerive, pra gjithçka që vë në lëvizje një kantier ndërtimi.
Kompanitë ndërtuese kontraktojnë shoqëri të tjera për blerjen e betonit, e hekurit apo e mallrave të tjera të nevojshme për godinat e reja. Këto mallra blihen në rrugë bankare, kundrejt faturave tatimore. Kompanitë shitëse janë të detyruara të përdorin fatura fiskale, pasi atyre u duhet që të shkarkojnë TVSH-në, pra të marrin sërish pas një përqindje të vlerës së shitjes nga administrata tatimore.
Drejtoria e Tatimeve nuk i njeh të rregullta faturat, të cilat janë lëshuar për shërbime apo investime pa leje dhe në kundërshtim me ligjin.

Pra, në rastin e tre resorteve, kompanitë e kontraktuara ose kanë pranuar të kryejnë shitje tek investitorët e resorteve, duke vulosur në këtë mënyrë humbjen e tyre, pasi nuk do t’u njihen faturat, ose mund të kenë vepruar me “manovra” të ndryshme, të cilat mund të ngrenë dyshime për një tjetër vepër penale, atë të “Fshehjes së të ardhurave”.
Njëra “manovër” është që kompanitë e kontraktuara nga investitorët e resorteve kanë kryer fatura fiktive, duke deklaruar shitje të betonit, hekurit, etj, në subjekte të tjera të licensuara dhe më pas t’i kenë dorëzuar në kantieret e paligjshme të Jalës dhe Dhërmiut. Nëse ndiqet kjo logjikë, investitorët e Bregut duhet të kenë paguar “cash” kontraktorët e tyre, pasi bankat nuk lejojnë pagesa për projekte pa leje.
Një “manovër” tjetër është që investitorët të kenë kryer tek nënkontraktorët “parapagim” me justifikimin se do të furnizohen me mallra si beton, hekur, etj., pasi të jenë pajisur me lejet përkatëse të ndërtimit.
Në rastet e “parapagimit”, gjithçka mbetet pezull, deri sa investitori të marrë lejen e ndërtimit. Pra, dorëzimi i mallrave si beton, hekur, etj., fillon vetëm pasi të jenë siguruar lejet përkatëse.
Por, në rastin e resorteve të “Soleil & Sea”, “Halisof” dhe “Jala Investment”, punimet po kryheshin, çka do të thotë se kompanitë investitore ishin furnizuar me mallrat e nevojshme të ndërtimit, megjithëse nuk kishin leje aktive.
Një hetim më i zgjeruar në këtë drejtim do të mund të përballte me përgjegjësi ligjore, jo vetëm investitorët dhe kompanitë e tyre, por edhe kontraktorët, të cilët mund të kenë aplikuar lëvizje “manovruese” për të ndihmuar në paligjshmërinë ndërtuese të resorteve dhe fshatrave turistikë.
Ndaj, “lapsusi” i Prokurorisë, i miratuar edhe nga gjykata, për të shpallur inxhinierët zbatues si “ndërtues të paligjshëm për qëllime përfitimi” në vend të pronarëve të tyre, mund të jetë ajo “lëvizja e artë” për të sfumuar shkeljen reale të ligjit e për të “goditur” deri aty ku nuk cënon disa ekuilibra mes pushtetit politik dhe atij ekonomik, fijet e të cilave mbërrojnë në zyrat e larta në Tiranë.
LEXO EDHE:
Kompeks pa leje në Dhërmi/ Policia “shpëton” Klaudio Rikon e “Olea”, arreston inxhinierin