Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar për mediat lidhur me draftin e Kodit të ri Penal, të prezantuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili ka ngjallur debate të forta në radhët e juristëve dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.
Ndërkogëmbëtar europianë thonë se Kodi i ri Penal është bërë nga një grup ekspertësh të zgjedhur nga Qeveria dhe se ata nuk kanë marrë pjesë.
BE thotë se është vënë në dijeni për shqetësimet serioze të shprehura nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, si dhe nga shoqëria civile, në lidhje me disa prej ndryshimeve të propozuara.
Ata thonë se janë të shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Sipas BE-së, këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së dhe shpreson që të adresohen këto shqetësime.
Reagimi i Delegacionit të BE në Tiranë:
Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.
Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e këtij grupi ekspertësh dhe aktualisht po shqyrton projekt-ndryshimet e propozuara, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh.
Megjithatë, jemi në dijeni për shqetësimet serioze të shprehura nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, si dhe nga shoqëria civile, në lidhje me disa prej ndryshimeve të propozuara. Jemi veçanërisht të shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.
Këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së dhe jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësim, këto shqetësime do të adresohen.
Rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.
Në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së.
Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (p.sh. dekriminalizimi i shpifjes, rishikimi i kuadrit ligjor për trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, abuzimin me fëmijët, armët e zjarrit, pastrimin e parave). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.