Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj 4 personave, të cilët akuzohen për korrupsion në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Të pandehur janë marrë shtetasit e mëposhtëm.
- Ndoc Guri dhe Arben Kolaj, të akuzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”
- Ndrekë Lera dhe Ilir Sokoli, të akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim
SPAK thotë se shtetasit e mëspërm u jepnin nga 50 mijë lekë qytetarëve në këmbim të votës për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021, pa e scpecifikuar se për cilin subjekt politik blinin vota.
“Nga analiza e provave të grumbulluara në kuadër të këtij hetimi rezulton se gjatë zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill 2021, është konstatuar një skemë e qartë e korrupsionit zgjedhor, e cila përfshinte ofrimin e shpërblimeve monetare në këmbim të votës.
Skema korruptive konsiston në një model të organizuar të blerjes së votës, ku individë të lidhur me një forcë politike kanë ofruar shuma të caktuara parash (rreth 5 000 lekë për votë) për qytetarë të ndryshëm, me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Kjo është realizuar ose përmes dhënies së drejtpërdrejtë të parave për votën e vet, ose përmes angazhimit të personave të tretë për të ndikuar te zgjedhës të tjerë.
Gjatë hetimeve, janë përdorur mjete të posaçme të hetimit, përfshirë përgjime telefonike, të cilat kanë evidentuar se shtetasi Ndrekë Lera ka pasur një rol qendror në këtë aktivitet kriminal, duke u përfshirë drejtpërdrejt në biseda që lidhen me premtimin dhe organizimin e pagesave për vota në favor të një subjekti politik.” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Nuk dihet arsyet e vonesës prej 4 vitesh të kësaj dosje, ndërkohë që po çohet për gjykim një dosje për shit-blerje votash në zgjedhjet e 4 viteve më parë.