Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Pas vendimit, Meta ka reaguar në Facebook, duke e konsideruar procesin si një “telenovelë politike” dhe sistemin e drejtësisë si të kapur nga mazhoranca.
Meta përmend sërish çështjen CEZ-DIA, duke pretenduar se është regjistruar në dhjetor të vitit 2019 me qëllim shantazhimin e tij si President i Republikës. Ai shprehet i bindur se përballja në gjykatë do të tregojë se kush janë vërtet përgjegjësit dhe se drejtësia aktuale është e ndikuar politikisht.
Në fund të reagimit, Meta akuzon strukturat ndërkombëtare për kapjen e drejtësisë shqiptare: “Mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milionë euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë”
Seanca u zhvillua paraditen e së enjtes, ku të pranishëm ishin prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, ndërsa avokati i Metës, Kujtim Cakrani, kërkoi zëvendësimin e masës me një më të butë, si arrest shtëpie, ndalim i daljes jashtë vendit apo garanci pasurore. Por kërkesa u rrëzua nga Apeli.
Reagimi i Metës:
Falënderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit.
Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falënderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.
As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta.
Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisi gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës, në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.
Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova.
Nuk janë unë që intimidoj dëshmitarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshmitarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS.
Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.
Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë.
Meqenëse disa nga këto qëndrime i keni dëgjuar më përpara, mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milion euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë.