Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i konsideruar si strumbullar i një konflikti institucional, me qëllim rrëmbimin e të paktën tre mandateve të Gjykatës Kushtetuese, ka mohuar rolin e tij në këtë mekanizëm në formë dhe përmbajtje të ngjashëm me një puç kushtetues.
Ai, prej muajsh, ka ngritur një skemë, nëpërmjet të cilës synon që, përsa kohë është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të ketë mundësinë që të “caktojë” tre gjyqtarë kushtetues, nëpërmjet rrëmbimit të mandateve të Holta Zaçaj, Elsa Toska (e dorëhequr) dhe Sonila Bejtja.
Skema e tij, e ngritur fillimisht me finesë, u “dekonspirua”, pasi në lojën e Sadushit u përfshirë në mënyrë fare të trashë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Tashmë skema ka lënë gjurmo kudo, deri në Bruksel.
Në një intervistë për emisionin “Ngjarje kryesore” të gazetares Sonja Pepa në Televizionin Publik Shqiptar (TVSH), Sadushi tentoi të “pastrojë” veten, pas një kritike të fortë që mori së fundmi nga Komisioni Europian, pikërisht për rolin e tij të dyshimtë në krizën e mandave të gjyqtarëve kushtetues.
Narrativa e Sadushit në atë intervistë u ndërtua në të paktën tre pika kryesore: (1) Nuk ka krizë ndërmjet Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; (2) Komisioni Europian nuk vuri në dyshim rolin e Gjykatës së Lartë në çështjen e mandateve kushtetuese; dhe (3) “Pasiguria ligjore” për mandatet e gjyqtarëve kushtetues është krijuar në raportet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.
Të tre këto argumenta, në mos të rreme, janë gjysëm të vërteta, të cilat Sadushi i përdori për “shpëlarjen e vetes”, përballë një skeme, e cila, për nga efektet që krijon, mund ta rrokullisë edhe atë vetë nga posti në krye të drejtësisë shqiptare.
Kriza e Sadushit
Sokol Sadushi deklaroi se nuk ka një krizë mes Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Ai pranoi se, disa muaj më parë, u krijua një situatës, ku dy institucionet shkëmbyen replika publike. Por, sipas Sadushit, vetë Gjykata Kushtetuese e pranoi të drejtë qëndrimin e tij për mandatin e një gjyqtari kushtetues.
Argumentimi i Sadushit është pjesërisht larg realitetit. Të dhënat publike dëshmojnë se ai krijoi një situatë konflikti të ashpër me Gjykatën Kushtetuese.
Duke u rikthyer pas në kohë, Sadushi, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, në 10 Dhjetor 2024, shpalli vakancën për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se mandati i anëtares dhe njëkohësisht kryetares, Holta Zaçaj, përfundonte në 10 mars 2025.
Zaçaj ishte emëruar nga Gjykata e Lartë për një mandat të pjesshëm dhe Sadushi mori përsipër shpalljen e përfundimit të mandatit të saj. Veprimi i Sadushit nxiti reagimin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, e cila u shpreh publikisht se, sipas Kushtetutës, shpallja e vakancave në Gjykatën Kushtetuese realizohet vetëm nga kjo gjykatë.
Megjithatë, Zaçaj inicioi një mbledhje të Gjykatës Kushtetuese, e cila, në janar të vitit 2025, vendosi përfundimin e mandatit të saj.
Sokol Sadushi deklaroi në intervistën në RTSH se “Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë qëndrimit të Gjykatës së Lartë për mandatin e anëtarit (Zaçaj)”. Ndërkohë, e vërteta është se, pavarësisht se përfundimi ishte i njëjtë, pra mbarimi i mandatit të Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese, jo vetëm nuk i dha të drejtë procedurës anti-kushtetuese të nisur nga Sadushi, por edhe i caktoi këtij të fundit kufirin që nuk duhet ta tejkalojë.
E thënë qartësisht, Sadushi ishte nxitësi i konfliktit të fortë institucional me Gjykatën Kushtetuese.
“Dushi” i Brukselit për Sadushin
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sadushi tjetërsoi tërësisht qëndrimin e Brukselit, i cili i dha një “dush” të fortë atij personalisht, në situatën e krijuar me mandatet e gjyqtarëve kushtetues.
Gjatë intervistës për Televizionin Publik Shqiptar, Sokol Sadushi deklaroi se “Komisioni Europian vuri në dukje pasigurinë ligjore për kohëzgjatjen e mandateve të Gjykatës Kushtetuese. Por kjo nuk kishte të bënte me Gjykatën e Lartë, por me raportet mes Kuvendin dhe Gjykatës Kushtetuese”.
Sadushi duhet të ketë pasur një hall të madh, i cili e ka detyruar që të dalë publikisht e të mashtrojë për një dokument zyrtar dhe publik të Brukselit zyrtar.
Komisioni Europian, në një raport të publikuar në fillim të Korrikut 2025 “Për shtetin e së drejtës në Shqipëri”, theksonte:
“Pasiguria ligjore vazhdon në lidhje me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të interpretimeve të ndryshme të dispozitave përkatëse nga Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Për njërin nga rastet, Presidenti i Republikës, në rolin e tij si autoritet emërues, i drejtoi një kërkesë zyrtare Gjykatës Kushtetuese për të ofruar qartësi mbi mënyrën e pajtimit të dy parimeve kushtetuese që lidhen me llogaritjen e mandateve”.
Pikërisht, për t’u mbrojtur nga ky paragraf i Komisionit Europian, i cili e vendos Sadushin personalisht në rolin e krijuar të “pasigurisë ligjore të mandateve të Gjykatës Kushtetuese” duket se ka qenë qëllimi i vërtetë i intervistës së kreut të Gjykatës Kushtetuese.
Por, gënjeshtra flagrante dhe tjetërsimi i raportit të Brukselit, shoqërohet me një tjetër mashtrim të Sadushit gjatë intervistës për Televizionin Publik.
Sadushi, si “Ponc Pilati”
Kryetari i Gjykatës së Lartë deklaroi se “pasiguria ligjore” për mandatet e Gjykatës Kushtetuese është krijuar në raportet mes Kuvendit dhe asaj gjykate. Sipas tij, “Gjykata Kushtetuese po vonon shqyrtimin e një kërkese të Presidentit të Republikës për interpretimin e anëtarëve të Kushtetueses dhe kjo vonesë ka sjellë edhe bllokim të procedurës së nisur nga Parlamenti plotësimit të vakancës së krijuar pas dorëheqjes së një gjyqtareje të zgjedhur nga ai institucion (Elsa Toska)”.
Për një publik të informuar, por sidomos për partnerët ndërkombëtarë që kanë investuar fuqishëm në Reformën në Drejtësi, kjo deklaratë e Sadushit mund të cilësohet si një gënjeshtër e trashë.
Sadushi ka vendosur të “lajë duart si Ponc Pilati” në këtë histori, duke përfshirë edhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, i cili me vetëdije apo i keqpërdorur, hyri në lojën e kreut të Gjykatës së Lartë. Por, loja që po zhvillojnë dyshja Sadushi-Begaj është shumë e rëndë dhe pasojat mund të jenë akoma më të rënda për të dy.
Kreu i Shtetit, në të njëjtën gjatësi vale me Sadushin, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese në janar 2025 “interpretimin e mandateve të anëtarëve të saj”, një kërkesë tërësisht e panevojshme, pasi kohëzgjatja në detyrë e gjyqtarëve kushtetues është e përcaktuar qartësisht në Kushtetutë.
Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, e detyruar nga ligji, e përfshiu kërkesën e Begajt në vlerësimin paraprak, Sadushi, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, kishte planifikuar vendosjen e “shkopinjve nën rrota” për procedurën e nisur nga Parlamenti, me qëllim plotësimin e vakancës së krijuar nga dorëheqja e gjyqtares kushtetuese, Elsa Toska.
Në 29 Maj 2025, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), i drejtuar nga Sokol Sadushi, miratoi vendimin “Për pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e subjektit Kuvendi i Shqipërisë për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave”.
Me këtë vendim, KED-i i Sadushit bllokoi procedurën për plotësimin nga Parlamenti të vakancës së krijuar nga dorëheqja e Elsa Toskës, dhe jo “vonesa e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së Presidentit Begaj”, siç e prezantoi kreu i Gjykatës së Lartë gjatë intervistës në TVSH.
Ndërkohë, jo vetëm argumenti publik i Sadushit është i gënjeshtërt, por edhe argumenti, mbi bazën e të cilit ai dhe KED-i vendosën pezullimin e procedurës së Parlamentit, është tërësisht i rremë.
Në vendimin e 29 majit 2025, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nën drejtimin e Sokol Sadushit, deklaroi se vendosi pezullimin, pasi numri i kandidatëve “ka rënë poshtë numrit 3”. Dhe, për këtë vendim pezullimi, KED-i përdori si argument ligjor:
“…në zbatim të vendimit nr. 84/2024 të Gjykatës Kushtetuese, që ka sanksionuar se, “përtëritja e rregullt me një të tretën çdo tre vjet mbetet parim i rëndësishëm dhe ka përparësi ndaj kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”.
Ai që përmendet në shkresën e Sadushit i takon vendimit për deklarimin e përfundimit të mandatit të gjyqtares (njëkohësisht kryetares) së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Në vendimin prej 26 faqesh të Gjykatës Kushtetuese, të numërtuar 84/2024, nuk gjendet askund paragrafi që përmend Sokol Sadushi në shkresën e tij për justifikimin e pezullimit të procedurës së nisur nga Parlamenti.
Me të njëjtin guxim që gënjeu për Raportin e Komisionit Europian, ai ka mashtruar edhe Kuvendin, duke i pezulluar procedurën për emërimin e gjyqtarit kushtetues, mbi një argument ligjor tërësisht të rremë.
Pra, pavarësisht faktit se ai rreket që të vendosë përgjegjësinë për “pasigurinë ligjore” të mandateve të Gjykatës Kushtetuese tek një konflikt i paqenë mes asaj gjykate dhe Parlamentit, të gjithë të dhënat dhe rrethanat dëshmojnë se është pikërisht Sokol Sadushi që ka krijuar krizën institucionale me nuancat e puçit kushtetues.
Një intervistë, sado me terma të kuruar, nuk mund të shpëtojë Sokol Sadushin nga nisma e tij antiligjore për rrëmbim të mandateve në Gjykatën Kushtetuese. Për fatin e keq të Shtetit Ligjor në Shqipëri, pjesë e skemës së tij është edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili vuri në lëvizje një mekanizëm, që nuk dihet ku do të ndalet dhe se çfarë do të marrin me vete ingranazhet e tij anti-ligjorë./Dosja.al