Një ngjarje e bujshme e regjistruar rreth 4-5 vite më parë në fshatin Dorëz të Librazhdit është zbuluar rastësisht nga përgjimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Bëhet fjalë për vjedhjen e 200 mijë eurove në një banesë dhe marrjen peng të një personi nga autorët, me qëllim që familjarët e tij të mos njoftonin Policinë.
Kjo ngjarje është zbuluar gjatë përgjimeve të dosjes ku po hetohet kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, i cili është marrë i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Pre e grabitjes ka rënë familja e zyrtares së KPP-së Lindita Skeja, e cila po ashtu është marrë e pandehur për çështjn e Myzyrit, si anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Gjatë përgjimeve, rezulton se Lindita Skeja bisedon me familjarët e saj për vjedhjen e 200 mijë eurove në banesën e tyre. Po ashtu, ajo shfaqet e shqetësuar edhe për pengmarrjen e vëllait të saj nga grabitësit e maskuar, të cilët u larguan së bashku me paratë dhe me familjarin në mënyrë që të mos njoftonin Policinë.
Duket se kjo ngjarje është mbajtur e fshehtë si nga ana e familjes Skeja, e cila ra pre e grabitjes, po ashtu edhe nga Policia.
Top Channel raporton se SPAK i është drejtuar me një shkresë Policisë lokale të Elbasanit dhe asaj të Librazhdit, ku i kërkon informacion nëse ka patur denoncim nga qytetarët për grabitjen në fjalë apo jo.
Organi i akuzës ka ngritur dyshimin mbi burimin e parave të grabitura, teksa në dëshminë e dhënë për SPAK, zyrtarja e KPP-së ka deklaruar se paratë ishin të dërguara nga të afërmit që jetojnë në Greqi.
Burime për mediat thanë se hetimet për grabitjen e 200 mijë eurove janë ndarë në një procedim penaë më vete, teksa për dosjen e parë, e cila po hetohet nga prokurori Elvin Gokaj, janë marrë të pandehur 11 persona që dyshohen se shkelën barazinë në tendera.
DENONCIMI I BERISHËS
Pavarësisht se kjo ngjarje u zbulua nga SPAK, ajo është denoncuar 4 vite më parë edhe nga kreu i PD-së, Sali Berisha. Në një postim në rrjetet sociale më 30 Maj të vitit 2021, Berisha denonconte vjedhjen e miliona paundësh në familjen Skeja nga një bandë e armatosur me uniformë Policie.
Berisha e konsideronte familjen Skeja si miq të Taulant Ballës, teksa si autorë të grabitjes akuzonte të penduarin aktual të SPAK-ut, Nuredin Dumanin dhe kreun e një prej bandave të Elbasanit, Suel Çelën.
“Breaking News!
Supergrabitje dhe pengmarrje ne Librazhd!
Qytetari dixhital drnoncon:
Bande e armatosur dhe me untiforme policie e drejtuar nga Suel Çela grabit ne nje familje miliona paund.
Ajo merr peng nje anetar te familjes se grabitur.
Narkopolicia mban te fshehur ngjarjen.
Lexoni mesazhin e tij! sb
Pershendetje doktor! Mora nje informacion, te konfirmuar ne 2 burime. Ne Librazhd eshte bere nje supergrabitje e frikshme duke u gdhire e shtuna. Jane grabitur miliona pound tek miqte e Taulant Balles me mbiemer Skeja. Ajo qe e ben te frikshme grabitjen nuk eshte vetem shume jashtezakonisht e madhe e patëve te grabitura, por menyra e grabitjes. Banda grabitese jo vetem ka qene e armatosur, por ka qene e veshur me uniforme policie dhe ka perdorur pajisje policie. Sipas informacioneve shume te besueshme grabitja eshte kryer nga banda e Rinasit ne bashkepunim me mikun tjeter te Taulant Balles, kreun e bandes se Elbasanit, Suel Çela. Ne krye te operacionit per grabitjen e miliona pounds ishte krimineli gjoja ne kerkim Nuredin Dumani. Ajo qe e ben edhe me te rende gjendjen eshte se policia nen urdhrat e Suel Çeles e ka fshehur kete ngjarje, ku per te kryer grabitjen me uniforme policie, banda ka rrembyer nje person te familjes Skeja. Me te tille logjistike dhe mbeshtetje nga shteti, banda eshte cenim per sigurine kombetare, pasi me veshjen dhe pajisjet e policise, ata mund te rrembejne kedo dhe kurdo.” – shkruante Berisha në atë kohë.