Nga Boldnews.al
Pikëpyetje të rëndësishme u ngritën mbi sistemin teknologjik të sigurisë në burgun e Peqinit, të menaxhuar nga kompania “Albascan”, pasi i dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjaca, vrau me armë zjarri “homologun” e tij, Arben Lleshi brenda qelisë, në 15 dhjetor 2023.
Mjaca, “banor” i burgut të Sigurisë së Lartë të Peqinit, i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë në Malësitë e Shkodrës, në nëntor të vitit 2015, kishte arritur të siguronte një pistoletë, me të cilën qëlloi disa herë për vdekje Lleshin, i dënuar me 32 vjet burgim për vrasjen dhe djegien e kufomës së një bashkëatdhetari në Londër.
Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet pas ngjarjes, drejtësia shqiptare ka dënuar autorin e krimit, Mjacaj, si edhe ka shpallur fajtor për “shpërdorim detyre” disa punonjës të burgut të Peqinit, të konsideruar përgjegjës që nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme në qelitë e të dënuarve.

Megjithatë, deri më tani, nuk është zbuluar mekanizmi se si ka hyrë arma në ambjentet e burgut që konsiderohet i “sigurisë së lartë” dhe se si ka arritur të shmangë kontrollet e pajisjeve detektuese, të mirëmbajtura nga kompania “AlbaScan”.
Por tashmë historia në kufijtë e skandalit të burgut të Peqinit duket se është harruar. “Albascan” ka marrë atë që mund të konsiderohet si “çertifikatë pastërtie”, as më pak e as më shumë, por nga vetë Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Në fund të vitit 2024, sipas dokumentave të konsultuar nga “Boldnews.al”, rezulton se kompania “Albascan” u shpall fituese në tre lotet e një tenderi për pajisje sigurie, të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme.
Në atë tender, me fond limit mbi 700 mijë euro, SPAK-u kërkoi blerjen e skanerave për bagazhet, zarfet, për automjetet, si edhe poste karikimi.
Në përfundim të procedurës, kompania “Albscan” u shpall fituese në të tre lotet. Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se, deri më tani, Prokuroria e Posaçme ka paguar për kontratën me “Albscan” 79.845.024 lekë të reja, e cila duket se është e gjithë shumë e tenderit.

Prokuroria e Posaçme i ka besuar ekspertizës së “Albascan”, megjithëse përvoja e saj në burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit nuk duket se ka shënuar pikë pozitive në imazhin e kompanisë së drejtuar nga vëllezërit Elton dhe Elision Jorgjis.
Më herët, në media është raportuar për zhvillimin e kompanisë “Albascan”, në të cilën konsiderohej si “ngjitja e rrufeshme e një përbindëshi të fondeve publike”.
Në atë raportim theksohej se, e themeluar vetëm pak vite me parë, “Albascan” është shndërruar rrufeshëm në një përbindësh të fondeve publike. Lubi buxhetore.
Konsideroni vetëm një fakt. Në vitin 2017, kompania kishte një xhiro totale prej vetëm 50 mijë eurosh për të gjithë vitin. Por sot ajo merr mesatarisht 1.8 milionë euro në muaj pagesa nga thesari i shtetit për kontratat publike.

Nëse suksesi në biznes do të kishte emër ai do të quhej Apple, por edhe Albascan. Por kur ngjitja vjen nga kontratat publike, atëherë dritëhijet janë të mëdha. Por çfarë qëndron pas kësaj ngjitje kaq të rrufeshme?
Albascan u krijua në shkurt të vitit 2017 nga dy ortakë, Sokol Cane dhe Etmira Dashi. Të dy këta aksionerë zotëronin nga 50 për qind të aksioneve. Gjatë kohës që ishte në pronësinë e tyre kompania mbeti një biznes i vogël me xhiro të papërfillshme. Ngjitja e saj erdhi në vitin 2019.
Në janar të vitit 2019 kompania u ble nga Elton dhe Elision Jorgjis për 150 mijë lekë. Menjëherë sapo u ble nga dy pronarët e rinj, xhiro e kompanisë kërceu në 110 milionë lekë nga 19 milionë që kishte qenë në vitin 2018. Vitet kalonin dhe biznesi i Albascan rritej në progresion gjeometrik. Por po kështu u bë gjithmonë edhe më e qartë se çfarë qëndronte pas kësaj ngjitje.
Një nga çelësat e sukesit të Albascan ka qenë partneriteti i saj me një kompani tjetër kontroverse. Bëhet fjalë për Advanced Business Solutions, e cila zotërohet nga Gerond Meçe. Të dy kompanitë kanë fituar në partneritet së bashku tendering 6 milionë euro për sigurinë në burgje, atë 16 milionë euro për implementimin e laboratorëve smart në shkolla si dhe disa kontrata të tjera.
Pra Albscan vjen paketë më Advanced Business Solutions. Kjo e fundit është denoncuar publikisht nga opozita si kompani e lidhur me njerëz shumë të afërt të kryeministrit. Por nëse Advanced Business Solutions dhe Albascan përfitojnë kontratat publike për kamera dhe skanera që nuk punojnë, atë që shkojnë në burg janë gardianët e gjorë. Ndërsa paratë e qytetarëve fluturojnë në Qipron turke.