Zbulohen detaje të reja lidhur me trupin e dekompozuar që u gjet pak ditë më parë në Kolonjë. Burime zyrtare bëjnë me dije se kufoma do të dërgohet në Tiranë për ekspertizë mjeko-ligjore dhe analizë të ADN-së, në përpjekje për të identifikuar viktimën dhe për të përcaktuar kohën e saktë të vdekjes përmes ekspertizës antropologjike.
Sipas policisë, trupi nuk kishte shenja dëmtimi, duke përjashtuar mundësinë e një vrasjeje. Dyshohet paraprakisht për një vdekje natyrale, megjithëse ende nuk ka një përfundim përfundimtar pa përfunduar analizat.
Ajo që shton edhe më shumë mister është fakti se deri tani nuk është paraqitur askush për të denoncuar ndonjë person të zhdukur apo për të kërkuar për ndonjë familjar.
Trupi u zbulua nga një banor i zonës, i cili gjatë korrjes së grurit me autokombanjë vuri re praninë e kufomës dhe njoftoi menjëherë autoritetet.














