Nga Agim Nesho
Ajo që është instaluar sot në Shqipëri nuk ka të bëjë me një regjim demokratik dhe aq më pak me shtetin e së drejtës. Shqipëria sot është në përmbajtje një autokraci elektorale, por ruhet forma demokratike për tu përshtatur me kontratën popullore. Fshehja pas fasadës demokratike është e nevojshme për regjimin për tu mbrojtur nga dëshira e opinionit publik që të jetë pjesë e Perëndimit dhe frikës së kundërveprimit të demokracive perëndimore. Prandaj njeriu-shtet ruan sjelljen klienteliste dhe servile e të nënshtruar ndaj vendeve perëndimore, ndërsa brenda vendit pengon cdo alternativë qeverisëse, arreston opozitën, manipulon zgjedhjet, kontrollon drejtësinë dhe orienton “zhvillimin” në atë drejtim sa ju heq shqiptarëve cdo shpresë dhe mundësi për të jetuar.
Zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 majit ishin një farsë elektorale e frikshme, që i siguroi Ramës mandatin e katërt qeverisës, por edhe një pikë kthese në të ardhmen e saj europiane. Demagogjia se do mbetemi në pushtet për të integruar Shqipërinë në BE ishte vetëm kali i betejës për të justifikuar mbajtjen e pushtetit. Pavarësisht konjukturave gjeopolitike, rrezikut rus dhe dëshirës së BE për të ruajtur influencat e saj në të gjithë hapësirat gjeografike europiane, Shqipëria është shumë larg kritereve për t’ju afruar vlerave europiane dhe jo të bëhet pjesë e saj. Ajo është vendi ku krimi po ndyn politikën, ku pastrohen paratë e pista të karteleve të drogës, ku kanabisi është bërë pjesë e funksionimit të shtetit sa herë ai ka nevojë, ku krimi i organizuar nuk lufton me rivalët por kërkon pushtet politik. Ajo cfarë shitet për opinionin ndërkombëtar dhe cfarë preket dhe njihet nga opinioni i brendshëm është paradoksi më i madh që na shoqëron sot.
Por le të ndalemi në paradokset e qeverisjes së këtij regjimi autokratik lindor.
Së pari, kërkon integrimin europian, por interesat e tij përputhen me autokracinë lindore dhe financimet e sheikëve arabë. Shiko privatizimet e aseteve strategjike të vendit tonë, të cilat në pjesën më të madhe të tyre janë bërë me Turqinë, vendet arabe ose me oligarkët klientelistë të regjimit që ruajnë interesat e tij. Regjimi shprehet se do integrimin europian, por nuk plotëson asnjë nga kriteret e Kopenhagen-it. Mungesa e llogaridhënies, transparencës si dhe korrupsioni janë pengesat e para që e bëjnë të papajtueshëm me veprimtarinë e familjes europiane.
Së dyti, flet për sukses të reformës në drejtësi, për funksionim të shtetit të së drejtës por shteti është i kapur dhe drejtësia është në funksion të njeriut-shtet. Reforma në drejtësi është iluzioni më madh për gjithë naivët që duan ta besojnë. Reforma në drejtësi ishte një mjet për të realizuar qëllimin e një pushteti të pakufizuar. Sot drejtësia është një armë e politizuar në shërbim të autokratit. Ajo përdoret kundër opozitës dhe liderëve të saj, dhe vazhdon makiazhin kur godet “dardhët e kumbullat e kalbura”, që nuk i duhen më autokratit. Drejtësia nuk godet krimin zgjedhor, ndërsa krimin e organizuar e shikon në funksion të interesave të pushtetit ose kur kërkohet ndërhyrje nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Aty punojnë edhe njerëz të ndershëm dhe me integritet, por përpara një shteti të kapur që kontrollon cdo gjë ata mbeten në funksion të tij. Rasti i gjyqtares Irena Gjoka tregon qartë drejtësinë tonë të reformuar. Pasi i përdorin për dhënie dënimesh politike bëjnë sikur i heqin kur nuk ju duhen. Po vendimet e saj a do të kenë vlerë? Në bazë të doktrinës së të drejtës në shumë demokraci perëndimore vendimet e saj vihen në dyshim dhe nuk njihen. Kush do të mbajë përgjegjësi për këto vendime?! Po për dëmin moral?!
Kapja e institucioneve të drejtësisë është një nga veprimtaritë kryesore të regjimeve autokratike elektorale. Ato ju duhen për të legjitimuar vendimet e autokratit. Shikoheni se si veprohet me zëvendësimet e zërave kundër edhe në Gjykatën Kushtuese për të kontrolluar cdo hapësirë.
Së treti, flet për parlamentarizëm, pluralizëm, por vepron si monark absolut. Ideja e demokracisë parlamentare u kompromentua nga regjimi i Rilindjes kur në listat e përfaqësuesve u vendosën njerëz me veprimtari të dyshimtë kriminale. Parlamenti humbi funksionin e përfaqësuesve të deleguar drejt përfaqësuesve të interesave autokratike. Integriteti dhe mbrojtja e interesave të popullit nga deputetet u kthye në korin e automatëve të komanduar nga lideri për të krijuar dhunën e shumicës. Sot, për të zhdukur të shkuarën, janë larguar më shumë se gjysma e deputetëve të legjislaturës së kaluar dhe janë zëvendësuar me fytyra të reja. Deputetët e rinj i cojnë në kurse partie të përgatiten se si duhet të bëjnë ligje dhe përfaqësojnë popullin!! Rastet janë edhe më të rënda kur vendimi i partisë është më i rëndësishëm se votat e popullit dhe autokrati kërkon me insistim që Zeqineja të jetë në parlament për skenarin që ai parashikon për shfaqjen e ardhshme. Parlamenti i ardhshëm po dominohet nga figura jo publike që kanë marrë dyfishin e votave të vetë kryetarit të partisë, që ka mbi 20 vite në pushtet.
Pra parlamentarizmi ka marrë formën që do Monarku, i cili do të qeverisë në mënyrë absolute. Zgjedhjet e fundit parlamentare dhe farsa e tyre e ka cuar Shqipërinë në një udhëkryq të rrezikshëm. Ky regjim ose ndalet tani ose Shqipëria shkon drejt një diktature putineske te konsoliduar.
Kjo nuk është vetëm detyrë e opozitës për ta ndaluar këtë regjim. Për popullin, Europa do të mbetet një ëndërr e bukur që po venitet. Dhe siç ka thënë Dante “nuk ka dhimbje më të madhe se sa të kujtosh kohët e lumtura në mizerje”.














