Rumania është shembulli më i mirë nga vendet e Lindjes, ku ikjet janë zëvendësuar me kthime të mëdha të emigrantëve.
Të dhënat zyrtare nga burime të brendshme tregojnë se mesatarisht 160,000–200,000 rumunë u kthyen çdo vit nga vende si Italia, Spanja, Gjermania gjatë vitit 2015–2017.
Në vitin 2020, sipas të dhënave të INS (Insituti Kombëtar i Statistikave të Rumanisë) 32,250 kishin rivendosur në mënyrë të përhershme qëndrimin në Rumani, pa llogaritur të ardhurit afatshkurtër, gjithsej rreth 196 000 kthime.
Në vitin 2022, u raportua se rreth 190 000 rumunë të diasporës u rikthyen në vend, një nivel shumë më i lartë se emigracioni, duke shënuar një pikë kthese historike në lëvizjet migratore.
Në vitin 2023, emigracioni neto shënoi rritje pozitive me 82, 000, vetëm nga qytetarët rumunë.
Studimet që trajtojnë rikthimet në Rumani tregojnë se arsyet kryesore janë përmirësimi i kushteve ekonomike.
Paga mesatare bruto në Rumani është rritur ndjeshëm (nga rreth 500 euro në vitin 2014 në mbi 1,300 euro më 2024, teksa kostot e jetesës janë më të ulëta në krahasim me Perëndimin, duke bërë kthimin më tërheqës, sidomos për profesionistët teknikë e të vetëpunësuarit.
Disa që janë kthyer kanë hapur biznese të vogla ose kanë gjetur punë në sektorë me mungesë në vendlindje (shëndetësi, ndërtim, IT, logjistikë).
Anketat me të rikthyerit kanë treguar se arsyet e kthimit lidheshin me kostot e larta të jetesës në shtetet pritëse (veçanërisht Gjermani, Itali, Britani) dhe qira të papërballueshme.
Gjithashtu izolimi social dhe lodhja kulturore pas shumë vitesh jashtë ishte një faktor.
Rumunët që kanë krijuar familje tani po zgjedhin të kthehen për të rritur fëmijët në një mjedis më të ngrohtë kulturor dhe më pak të stresues.
Kujdesi për prindërit e moshuar dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj familjes është gjithashtu motiv shumë i fortë, sidomos në zonat rurale.
Por në rastin Rumanisë, rikthimet u mbështetën nga paketat e koordinuara të qeverisë.
Qeveria rumune ka zbatuar disa programe për të nxitur kthimin e diasporës, si skema për hapjen e bizneseve nga të kthyerit me financime deri në 40,000–50,000 euro.
Mbështetje për bujqësi, artizanat dhe teknologji.
Platforma si “RePatriot” promovojnë historitë e suksesit të të kthyerve me lehtësi fiskale dhe burokratike, si dhe investime në infrastrukturë sidomos në qytete me nivel mesatar.
Qeveria punoi fort në përmirësimin e imazhit të vendit dhe mundësive. Rumania po perceptohet më pozitivisht në aspektin profesional dhe të cilësisë së jetës, sidomos në fushat IT, turizëm, shërbime krijuese.
Komunitetet e diasporës janë më të lidhura me vendin nëpërmjet rrjeteve sociale dhe organizimeve të përbashkëta.
Transformimi i qyteteve si Cluj, Timishoara, Oradea në qendra urbane dinamike dhe moderne ka tërhequr shumë të kthyer.
Rumania aplikoi lehtësime tatimore për profesionistët e teknologjisë dhe inkurajim të startup-eve. Sponsorizoi ngritjen e platformave teknologjike duke krijuar vende pune të mirëpaguara.
Tani Rumania po përjeton një “brain gain” të mirëfilltë, pasi numri i kthimeve u tejkalua ndjeshëm nga emigrantët që ikën.
Politikat joefikase kundër emigrimit
Shqipëria, ndonëse përballet prej dekadash me emigracion masiv, nuk ka pasur një strategji afatgjatë gjithëpërfshirëse për ta menaxhuar këtë fenomen.
Politikat mbi emigracionin kanë qenë fragmentare, të shpërndara mes institucioneve dhe më shumë në formën e retorikës politike sesa të masave konkrete.
Programet e punësimit dhe trajnimit të të rinjve, programet si “Pakti për Universitetin” dhe projekte për arsim profesional, që synuan të rrisin mundësitë në tregun vendas, nuk rezultuan efektive.
Shumë të rinj të trajnuar në arsim profesional sërish zgjedhin emigrimin, sepse pagat në sektorët përkatës mbeten të ulëta.
Programet për kredi të subvencionuara për të rinjtë dhe familjet e reja janë shumë të kufizuara në numër dhe jo tërheqëse. Procedurat burokratike i bëjnë politikat jofunksionale, – tregojnë anketat.
Projekte të mbështetura nga EU4-Innovation, GIZ dhe RisiAlbania, si dhe disa fonde të vogla kombëtare, për startup-e dhe fermerë të rinj janë të kufizuara, me një numër shumë të ulët përfituesish në raport me nevojat.
Aplikimi është kompleks dhe shumë të rinj në vend që të luftojnë me korrupsionin dhe procedurat burokratike zgjedhin të ikin.
NismA “Ready to Return” e vitit 2021 e mbështetur nga IOM që ofronte orientim, informim dhe lidhje me tregun e punës për shqiptarët që donin të ktheheshin nuk rezultoi shumë efektive, pasi pati më pak kthime sesa ishte parashikuar.
Marrëveshjet dypalëshe për njohjen e kontributeve me Gjermaninë, Greqinë, për të lehtësuar kthimin dhe sigurimin e viteve të punës, mund të jenë më efektive për personat mbi 50 vjeç, por nuk ka ndikim te të rinjtë.
Platforma dixhitale për diasporën dhe Qendra Koordinuese për Diasporën që përdoret për komunikim me shqiptarët jashtë dhe promovimin e investimeve nga diaspora nuk ka funksionuar për kthimet.
Nga ana tjetër, marrëveshja me Gjermaninë për punësim sezonal dhe kualifikim teknik ka lehtësuar emigracionin e rregullt, por gjithashtu ka nxitur largimin e të rinjve të kualifikuar, jo kthimin, ndërsa liberalizimi i lëvizjes në BE ka rritur fluksin e largimeve afatgjata.
Në mungesë të një strategjie kombëtare për emigracionin dhe kthimin, vendi vazhdon të humbasë çdo vit mijëra të rinj.
Shqipëria ka sot një nga normat më të larta të emigrimit për frymë në Europë, një tregues që asnjë nga politikat aktuale nuk ka ndikuar në ndaljen apo ngadalësimin e këtij fenomeni, por përkundrazi në vend që të frenohet po rritet më tej./ Monitor.al