Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi më 31 tetor të vitit të kaluar të lërë në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurorit të Elbasanit, Hektor Mushi, duke i gjetur të bazuar përfundimet e arritura për problemet në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Ashtu si KPK, edhe Kolegji konkludoi se Mushi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurisë dhe se ka fshehur pronësinë e një apartamenti; se rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, çka e bën të pamundur vazhdimin e detyrës; ndërkohë që problemet në aspektin profesional u konsideruan në vlerësimin tërësor në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Hektor Mushi punoi fillimisht si oficer i policisë gjyqësore dhe në vitin 1995 u emërua si prokuror në Elbasan. Në vijim ai u transferua në Pogradec dhe në 2007-ën u rikthye në Elbasan ku dhe e ushtroi detyrën deri në momentin e shkarkimit.
Problemet për pasurinë
Për një apartament me sipërfaqe 92.3 m2, me vlerë 2 milionë lekë në Pogradec, Komisioni ka konstatuar se subjekti është përpjekur të paraqesë rrethana jo të vërteta për sa i përket gjendjes së apartamentit në momentin e blerjes, si dhe vlerës së punimeve dhe shpenzimeve për mobilim.
Gjithashtu, Komisioni ka vlerësuar se nuk provohet mundësia e vëllait të subjektit për dhurimin e një shume monetare, duke u arritur në përfundimin se Mushi gjendet me bilanc negativ në shumën 1.6 milionë lekë për blerjen e apartamentit në Pogradec.
Subjekti ka kundërshtuar në ankim konkluzionet e KPK për këtë pasuri duke parashtruar se çmimi i kontratës së shitblerjes midis palëve është real, i logjikshëm dhe i dokumentuar. Ai ka pretenduar se e ka blerë apartamentin në gjendje karabina dhe se disa prej punimeve i ka kryer vetë. Për mospasqyrimin e këtij fakti në kontratë, ka argumentuar se kontratat nga ana e sipërmarrësve të bëra para noterit, ishin kontrata tip, pa parashikime e specifikime, por duke identifikuar vetëm apartamentin dhe çmimin.
Po ashtu, ka kundërshtuar analizën e Komisionit lidhur me shpenzimet për punimet e kryera. Sipas tij, vlera prej 750 mijë lekësh është shpenzuar gjatë periudhës 2005-2007 kur janë kryer punimet dhe jo vetëm në vitin 2004, ashtu si ka konsideruar KPK. Mushi ka pretenduar se shpenzimet e arredimit dhe të punimeve për vitin 2004 kanë qenë në masën e 250 mijë lekëve.
Subjekti ka pretenduar se ka qenë në pamundësi për të siguruar dokumentacionin për shpenzimet e kryera në periudhën 2005-2007, për punimet dhe mobilimin e apartamentit, pasi shoqëritë që i kanë realizuar janë mbyllur, si dhe shumë gjëra janë blerë të përdorura.
Trupi gjykues i Kolegjit konstaton së pari se janë të pabazuara pretendimet e subjektit lidhur me vërtetësinë e çmimit të apartamentit sipas kontratës së shitblerjes. Megjithatë, sillet në vëmendje se Komisioni, edhe pse ka hetuar dhe ka konstatuar se çmimi në kontratën e shitblerjes është më i ulët se çmimet referuese të tregut dhe atyre të pasqyruara në kontratat e shitblerjes në të njëjtin pallat, në përfundim nuk ka konkluduar për deklarim të pavërtetë për vlerën e blerjes, duke vendosur në analizën financiare përfundimtare vlerën prej 2 milionë lekësh, si të pasqyruar në kontratë.
Për pretendimin se apartamenti është blerë në gjendje karabina, Kolegji vëren se, veç faktit se në kontratë nuk përcaktohet diçka e tillë, subjekti nuk e ka deklaruar as në deklaratën veting, ku nuk gjenden të shënuara shpenzimet për kryerjen e punimeve. KPA konstaton se Mushi e ka bërë këtë deklarim vetëm në përgjigje të pyetësorit nr. 1. Po ashtu, evidentohet fakti se subjekti nuk ka paraqitur ndonjë provë për të vërtetuar pretendimin që apartamenti ishte marrë në dorëzim prej tij në gjendje të papërfunduar apo karabina.
Për rrjedhojë, trupi gjykues konstaton se pretendimet e subjektit nuk gjejnë mbështetje as në dokumentet e administruara nga Komisioni dhe as në provat e dorëzuara prej tij.
Lidhur me ananlizën e shpenzimeve të punimeve dhe arredimit, Kolegji vëren se subjekti ka deklaruar se ka filluar të banojë në këtë apartament së bashku me bashkëjetuesen e tij, që prej vitit 2004, ndërsa nga ana tjetër deklaron se në banesë nuk ishin kryer një pjesë e punimeve të brendshme hidraulike, dyert e brendshme dhe punimet elektrike.
Ashtu si dhe ka konstatuar Komisioni, edhe KPA vlerëson se lloji i punimeve të deklaruara nga subjekti janë të domosdoshme për krijimin e kushteve minimale për banim. Për rrjedhojë, nuk është gjetur i besueshëm deklarimi i tij se vlera e punimeve dhe mobilimit është shpenzuar gjatë periudhës 2005-2007.
Si burime për blerjen e apartamentit subjekti ka deklaruar një vlerë të dhuruar nga vëllai nga puna e tij si emigrant në atë kohë në Gjermani, si dhe dhurata nga familjarët e e tij e të bashkëjetueses. Ai ka shpjeguar se këto dhurata në para në vlerën totale prej 1.5 milion lekësh, i janë dhënë me rastin e ceremonisë të martesës me bashkëjetuesen, të zhvilluar në dhjetor të vitit 2003. Ashtu si dhe KPK, trupi gjykues i Kolegjit çmon se vëllai i prokurorit Mushi ka qenë në pamundësi financiare e për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 1.7 milionë lekë për blerjen e apartamentit në Pogradec.
Komisioni i ka gjetur jo bindëse deklarimet e prokurorit Nushi se ai ka vetëm të drejta banimi në një një apartament me sipërfaqe 112 m2 në Elbasan, të blerë nga nëna e tij. KPK ka konkluduar se nëna ka qenë në pamundësi për blerjen e kësaj pasurie. Komisioni ka konstatuar se Mushi ka pasur marrëdhënie të vazhdueshme përdorimi të këtij apartamenti që nga momenti i ndërtimit, ndërkohë që nëna është transferuar pasi bashkëshroti i saj ka ndërruar jetë. Po ashtu, ka rezultuar se emri prokurorit Mushi ka figuruar në listën emërore të banorëve të paraqitur në vitin 2009 nga investitori pranë Ujsjellës Kanalizimeve Elbasan dhe kontrata e furnizimit me ujë është lidhur në emër të tij. Tjetër e dhënë që ka rezultuar nga hetimi është fakti se subjekti ka kontribuuar në shumën 2.5 milionë lekë për blerjen e këtij apartamenti, por nuk figuron të ketë të drejta pronësie.
KPK çmoi se krijoheshin dyshime të arsyeshme se pasqyrimi i emrit të babait në kontratën e porosisë së vitit 2006 e më pas i emrit të nënës në kontratën e shitjes me kusht në dhjetor të 2014-ës, bashkë me deklarimin në deklaratën “veting” i të drejtës së banimit të tij dhe të pronësisë së nënës, janë veprime dhe përpjekje për të fshehur këtë pasuri në emër të prindërve.
Subjekti ka parashtruar në ankim se prindërit e tij kanë pasur burime të ligjshme financiare për të kryer pagesën e këstit të parë për blerjen e apartamentit në shumën 3 milionë lekë, duke nënvizuar se Komisioni duhej të kishte marrë në konsideratë në analizën financiare të ardhurat nga punësimi i babait në një shoqëri për shkurt 1995 – dhjetor 1997.
Po ashtu, ka pretenduar se për pagesën e këstit të parë për blerjen e apartamentit në Elbasan nga prindërit, ka ndihmuar dhe dhënia e huasë në shumën 10 mijë euro për vëllain D. M. nga kushërira – hua për të cilën ka theksuar se është e dokumentuar dhe është e ligjshme.
Subjekti ka parashtruar në ankim se Komisioni, në mënyrë të gabuar dhe të kundërligjshme, i ka kaluar barrën e provës për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të të ardhurave të babait, ndërkohë që ky i fundit nuk ka qenë as në cilësinë e dhuruesit dhe as në atë të huadhënësit.
Ashtu si Komisioni, edhe Kolegji konkludon se nëna e subjektit rezulton me bilanc negativ në shumën 1.4 milionë lekë për blerjen e apartamentit në Elbasan. Po ashtu, është gjetur i drejtë edhe konkluzioni i KPK për fshehje pasurie.
Trupi gjykues vëren se, pavarësisht nga sa parashtron subjekti i rivlerësimit, ai nuk arrin të argumentojë në mënyrë bindëse domosdoshmërinë e marrjes së kredisë në emër të tij për të ndihmuar prindërit, të cilët e kishin një apartament banimi, ndërkohë që ai vetë jetonte në të njëjtin qytet dhe nuk kishte një banesë të tijën.
Tjetër rrethanë që konsiderohet prej Kolegjit se rrëzon pretendimet e Mushit është edhe fakti që vetëm ai dhe familja e tij kanë banuar në këtë apartament që në vitin 2008, siç ka deklaruar dhe vetë. Ndërkohë, prindërit për të cilët supozohej se ishte porositur apartamenti, vazhdonin të jetonin në apartamentin e vjetër, duke mos e gëzuar pronën e re. KPA sjell në vëmendje se nëna e subjektit është transferuar në apartamentin e ri vetëm në vitin 2014, pas vdekjes së bashkëshortit të saj. Kolegji sjell si argument dhe faktin se kontratat e shërbimeve janë regjistruar në vitin 2009 në emër të prokurorit Mushi dhe jo në emër të të atit. Këto rrethana konsiderohen se krijojnë dyshime të arsyeshme se subjekti ka fshehur rrethanat me qëllim përjashtimin nga kontrolli të kësaj pasurie dhe se apartamenti në fjalë është një pasuri e fshehur e tij.
Figura dhe profesionalizimi
Komisioni është informuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK se ndaj shtetasit Th.B, me të cilin subjekti ka pasur kontakte, ka qenë i regjistruar një procedim në vitin 2009 për krim të organizuar. KPK ka konstatuar se subjekti ka marrëdhënie familjare e shoqërore me shtetasin Th. B., gjë që e ka konfirmuar edhe vetë, ndërkohë që në deklaratën e kontrollit të figurës nuk e ka pasqyruar këtë rrethanë. Marrëdhënia e subjektit me këtë person është vlerësuar si kontakt i papërshtatshëm dhe deklarimi i subjektit në këtë kriter është konsideruar i paplotë.
Mushi ka parashtruar në ankim se nuk ka deklaruar kontaktin me Th. B. pasi, në dijeninë e tij, ky shtetas nuk ka qenë ndonjëherë i hetuar dhe gjykuar për ndonjë vepër penale. Ai ka sqaruar se nuk ka pasur kontakte personale me këtë shtetas, por vetëm kontakte rastësore për shkak të lidhjeve familjare e shoqërore e për rrjedhojë nuk ka pasur dijeni për procedimin penal ndaj tij.
Megjithëse nuk është provuar dijenia e subjektit për procedimin penal ndaj shtetasit Th.B., Kolegji çmon se subjekti nuk arrin nivel të besueshëm në kontrollin e figures. “[…]pikërisht pasja e kontaktit të papërshtatshëm, si pasojë e një marrëdhënieje shoqërore afatgjatë me këtë shtetas të përfshirë në krimin e organizuar, prezumon vendosjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra të subjekti i rivlerësimit”, arsyeton trupi gjykues i KPA dhe e gjen të drejtë qëndrimin e Komisionit se subjekti i rivlerësimit, për shkak të kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, çka e bën të pamundur vazhdimin e detyrës.
Po ashtu, në verifikimin e një çështje penale të hetuar nga subjekti, Kolegji çmon ashtu si Komisioni, se Mushi ka favorizuar në mënyrë të hapur personin e dyshuar për kryerjen e veprës penale. Kjo rrethanë është vlerësuar bashkë me komponentët e tjerë të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale që afektojnë cenimin e besimit të publikut te drejtësia.
Në konkluzionin, për kriterin e vlerësimit profesional, KPA duke marrë në konsideratë informacionet e përcjella nga organet ndihmëse në çështjet penale të trajtuara nga subjekti, mangësitë e konstatuara në mënyrë të vazhdueshme për sa u përket njohurive ligjore në praktikat e regjistruara, si dhe shkeljet e përsëritura në aspektin e etikës, në vlerësimin tërësor çmohen se janë të tilla se kanë cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Trupi gjykues i Kolegjit arrin në përfundimin se prokurori Hektor Mushi ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë, rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, si dhe ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë./BIRN