Jo vetëm përdorimi i bandave, por vetë shteti u shndërrua në makineri të blerjes së votës duke përdorur burimet financiare që ka në dispozicion.
Plot 388.5 milionë euro, përdori qeveria nga 1 janari 2025 deri dy ditë para zgjedhjeve, për të ndikuar në votën e qytetarëve.
Nga falja e gjobave, te punësimet me kohë të pjesshme, subvencionet në bujqësi, bonusi i pensionistëve, tenderat për asfalt elektoral dhe qoka si Xhiro italia apo Samiti i Liderëve politik të BE, ishin të gjitha projekte qindramilionë euroshe që u përdorën nga qeveria në shkelje të plotë të ligjit për të blerë zgjedhjet. Të gjitha këto shkelje të rënda, u pasqyruan në raportet e OSBE/ODIHR dhe Parlamentit Europian, duke rrëzuar zgjedhjet e 11 majit.
Një ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR lexoi raportin paraprak të monitorimit, duke i dhënë godijen e fortë farsës elektorale. Mes shumë pikave problematike të konstatuar në raport, që Plug i ka transmetuar dhe më herët, një prej tyre, ishte edhe ajo që theksonte se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe institucionale, duke përfshirë heqjen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve.
RAPORTI I OSBE-ODIHR: “Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe institucionale, duke përfshirë heqjen e një numri të madh gjobash shtetërore të shpallura pak para ditës së zgjedhjeve, dhe zyrtarë të lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh ngjarjesh zyrtare që shpesh përputheshin me mesazhet e fushatës, duke zbehur vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë”
Gjithashtu në raportin e OSBE janë konstatuar se ndaj punonjësve publikë është ushtruar presion i jashtëzakonshëm. Në blerjen e votave, sipas këtij raporti janë angazhuar edhe grupet kriminale, për llogari të kandidatëve të Partisë Socialiste.
Patronazhistët kanë frikësuar mbështetësit e opozitës ndërsa ky veprim sipas OSBE-ODIHR është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.
RAPORTI I OSBE-ODIHR: “Shumë bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime rreth ndikimit të rrjeteve të patronazhit në të gjithë vendin, duke pretenduar se premtimet për punësim publik në të ardhmen, favore administrative dhe leje u përdorën si një mjet për të siguruar vota.
U vunë re akuza për presion mbi punonjësit publikë, raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës dhe keqpërdorim të rrjeteve të patronazhit, gjë që është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.
Akuza dhe raportime të dorës së parë për punonjës bashkiakë të ushtruar presion nga eprorët e tyre për të marrë pjesë në aktivitete fushate nga PS-ja u bënë në Durrës, Fier, Has, Korçë, Peshkopi, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë”
Akuza për presion mbi punonjësit e bashkisë për të marrë pjesë në fushatën e PS-së, ose për ta mbështetur atë, përfshirë financiarisht, u bënë në Devoll, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Pukë, Shkodër dhe Tropojë. Akuza për presion mbi punonjësit e sektorit publik për të përcjellë informacione rreth familjes ose miqve të tyre që jetojnë jashtë vendit u bënë në Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë.”
Jo vetëm të shkruara në raport, por këto gjetje u artikuluan me forcë edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar, që monitoruan zgjedhjet. Gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit paraprak pas votimit, Farah Karimi përfaqësuese e misionit deklaroi se Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama, përdori asetet shtetërore, me falje gjobas dhe përfitime sociale, që sjellin deformimin e votës.
Michael Gahler, Përfaqësuesi i Parlamentit Europian Europian në këtë mision, ripërsëriti edhe njëherë jo vetëm përdorimin e forcës së pushtetit nga Partia Socialiste, presionin ndaj administratës por edhe fenomenin e shit-blerjes së votave.
E pas pyetjes së gazetarëve Gahler, ishte i prerë se Shqipëria me këto zgjedhje dhe në këto kushte nuk mund të jetë pjesë e Bashkimit Europian
Këto qëndrime erdhën edhe zytarisht nga drejtuesit e Bashkimit Europian në Bruksel, duke goditur fortë farsën zgjedhore të 11 majit. Në një deklaratë të përbashkët, Shefja e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, dhe Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësojnë se përdorimi i burimeve administrative i dha Partisë Socialiste avantazh të padrejtë në zgjedhjet e 11 Majit, ndërsa vënë në dukje edhe akuzat e shumta për presion ndaj votuesve.
DEKLARATA E KAJA KALLAS DHE MARTA KOS
“Votimi u zhvillua në një mjedis shumë të polarizuar, në të cilin kandidatët nuk gëzonin kushte të barabarta në garë. Për shkak të përdorimit të gjerë të burimeve administrative dhe ndikimit institucional, mund të jetë që shumica qeverisëse të ketë pasur avantazhin e pushtetit. U bënë akuza të shumta për presion mbi votuesit, veçanërisht ndaj punonjësve publikë. Bashkimi Europian do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit.
“Zyrtaret e Bashkimit Europian përmes deklaratës kanë vënë në pikëpyetje edhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian duke I kujtuar Shqipërisë rëndësinë e plotësimit të reformave. Po ashtu ata theksojnë nevojën e implementimit të një reforme zgjedhore që adreson shqetësimet e OSBE ODIHR dhe problemet e pazgjidhura në sistemin elektoral, si pjesë e kritereve për integrimin europian.”
DEKLARATA E KAJA KALLAS DHE MARTA KOS
“Ne e inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë të ndjekë të gjitha reformat e kërkuara për anëtarësimin e saj të ardhshëm në Bashkimin Europian, duke përfshirë miratimin e një reforme të mëtejshme zgjedhore që adreson të gjitha rekomandimet kryesore të ODIHR-it dhe ato që mbeten të pazgjidhura nga zgjedhjet e mëparshme.”/ Emisioni “PLUG”