Pa ndonjë surprizë të veçantë apeli i GJKKO vendosi sërisht ta lërë në qeli Erion Veliajn në 9 qershor. Vetë i intersuari nuk u paraqit as personalisht në sallën e gjyqit ku çoi thjeshtë avokatin sikur të ishte i ndërgjegjshëm që gjithçka ishte paravendosur.
Që në përgjimet që u publikuan pas arrestimit të tij ai e pohonte me gojën e vet se shpresat e vetme i kishte tek Gjykata e Lartë, pra se çështja mund të zgjidhej pas zgjedhjeve.
Por duket se gjërat janë përkeqësuar me tepër pas 11 majit. Një bilanc i shkurtër tregon se asnjë nga mbështetësit e Lalit nuk do jetë pjesë e grupit të PS-së në parlamentin e ri. Pavarësisht se ai bën postime si kryetar “de jure”, ai nuk ka më asnjë kontroll mbi drejtimin e bashkisë.
Të martën, kur u zhvillua procesi askush nga militantët që i kanë mbetur, nuk shkoi të protestojë përpara SPAK-ut. Edi Rama e la pas krahëve teatrin e ditëve të para, që gjoja fajësonte prokurorët se po ndërprisnin punët për zhvillimin e Tiranës. Ai përdori si kazus një postim të Etjen Xhafës, për t’i ndaluar ushtarëve të vet socialistë, çdo lloj mbrojtje publike për kryebashkiakun e burgosur. As Fatmir Xhafaj që publikoi në ditët e para një shkrim të gjatë kundër mënyrës së arrestimit, tani nuk pipëtin dot më.
Erion Veliaj, dikur i kudondodhur, duket sikur është braktisur nga të gjithë. “Edhe shpresat për një lirim të tij apo për zbutje të masës, në arrest shtëpie, nga Gjykata e Lartë po zbehen. E para sepse në rastet e tjera të politikanëve të rëndësishëm kjo gjykatë ka vendosur në favor të izolimit, që ka kërkuar SPAK. E dyta, sepse vendimet e gjykatave më të ulta i janë referuar të lartës për të lënë në burg Veliajn. Dhe e treta, sepse drejtësia jonë kur merr sinjale të qarta që politika të ka lëshuar nuk të del më për zot”, tha për Lapsi.al një ish mbështetës i dikurshëm i kryebashkiakut.
Pra, nëse Veliaj nuk sheh dirtë në fund të tunelit, as tek Gjykata e lartë tek e cila i kishte varur shpresat para zgjedhjeve, do të thotë se ai do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit në Durrës së paku deri në fillim të vitit të ardhshëm, për të përmbushur afatin 1 vjeçar.
I pari që e ka kuptuar se gjërat për të po shkojnë keq e më keq është vetë Veliaj. Ai fillimisht rezistoi vetëm disa orë para se të zbythej duke grisur letrën e caktimin të mëkëmbëses së tij në bashki dhe duke pranuar Anuela Ristanin, që i imponoi Rama. Por, situata degradoi pas 11 majit. Nëse enigma përpara këtyre votimeve ishte se a do ta dëmtonte mungesa e Lalit në zgjedhje PS-në, kjo flluskë u shfry shpejt. Në krahasim me katër vite më parë, kur qarkun e drejtonte Veliaj, rilindja jo vetëm mori një deputet më shumë në Tiranë, por ajo u shumfishua edhe me disa mijëra vota.
Pra, kontributi i kryebashkiakut rezultoi krejtësisht i panevojshëm. Prandaj dhe ai u detyrua, me shpirt ndër dhëmbë, të uronte për fitoren atë që nëse nuk e kishte linçuar, në rastin më të mirë e kishte lëshuar: “Shqiptarët dinë të vlerësojnë ndryshimin, punën, zhvillimin dhe e dinë fare mirë që ka vetëm një forcë në këtë vend që mund ta çojë Shqipërinë përpara drejt Europës që kemi ëndërruar: Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe ekipi i tij”, shkroi ai në një postim, që sic e konfirmoi Lapsi.al gjendet ende në faqen e vet në Facebook.
Politikisht i vdekur është më e lehtë që juridikisht të shndërohesh në viktimë. Prandaj sot, përpos pyetjes a do ta nxjerrin nga burgu (qoftë edhe në izolim shtëpiak), po shtrohet dilema nëse Rama do ta shkarkojë ish delfinin e tij, para përfundimit të mandatit? Normalisht, ndonëse rastet nuk janë identike, kryeministri, që ka të drejtën e shkarkimit mund të veprojë si në rastin Beleri dhe të presë një vendim të formës së prerë.
Në të kundërt, neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore i jep atij të drejtën që me propozim të këshillit bashkiak, për mosparaqitje me shumë se tre muaj në punë, të shkarkojë Veliajn duke i hapur rrugën. Rama deri tani nuk ka dhënë asnjë sinjal se si do të veprojë. Ai ka mundësi të bashkojë edhe Tiranën me Tepelënën, Beratin dhe Matin, që do të zhvillojnë zgjedhje lokale të parakohshme, pasi kryebashkiakët e tyre u zgjodhën deputetë. E nëse ndodh kështu, kjo do të qe një “colpo di grazia” për Veliajn. Ky do ishte edhe sinjali i fundit publik se Rama e ka shitur, që nuk do të shënonte edhe vetëm humbjen përfundimtare të bashkisë, por do të hapte edhe ciklin e një burgu të gjatë./ Lapsi.al