Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorit Albert Kuliçaj dhe ka dënuar me 55 vite burgim në total dy autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, ngjarje kjo e ndodhur më 16 Dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë.
Andrew alias Edvin Bode, i cili dyshohet se ka qenë në rolin e ekzekutorit, është dënuar me 30 vite burgim duke u shpallur fajtor për veprat penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, si dhe “mbajtje pa leje te armëve të zjarrit”.
Ndërkohë, Albano Velo, i cili dyshohet se ka qenë në rolin e bashkëpunëtorit për të larguar nga vendi i krimit autorin, si dhe në rolin e vëzhguesit, është dënuar me 25 vite burgim.
Albano Velo u arrestua vetëm disa ditë pas ngjarjes, ndërsa Andrew alias Edvin Bode u arrestua më vonë, ku strehohej në banesën e Julian Kalemit në Memaliaj.
Në lidhje me këtë ngjarje dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe Andrea alias Adriatik Kalemi, por ndaj tij nuk u ngrit asnjëherë akuzë për vrasjen në fjalë.
Edmond Papa dyshohet se u ekzekutua si hakmarrje për vrasjen me bombë me telekomandë të Aleksandër Sadikajt, i njohur si “Sanço i Memaliajt”, ngjarje e ndodhur më 11 qershorit të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, pranë qendrës tregtare TEG
Dy të arrestuarit, po ashtu edhe Andrea alias Adriatik Kalemi janë të afërm të viktimës. Dyshohet për një përplasje mes dy grupeve rivale në trafikun e drogës në Greqi që ka sjellë dhjetra atentate dhe disa viktima.
Si ndodhi vrasja dhe zbardhja e Prokurorisë
Edmond Papa, lindur në Fier dhe banues në Sarandë, u ekzekutua teksa kishte shkuar për të pirë kafe në një lokal që ndodhet përballë banesës së vëllait të tij, Kristo Qirici. Ai është ulur i vetëm në një tavolinë në rreshtin e parë, në verandën e lokalit. Kur ai kishte porositur dhe po pinte kafe, aty është afruar një person me fytyrë të mbuluar dhe me pistoletë në dorë, i dyshuari Andrew alias Edvin Bode.
Ky person ka qëlluar disa herë në drejtim të Papës duke e plagosur rëndë dhe si pasojë e të shtënave biznesmeni mori disa plagë në pjesën e sipërme të trupit. I plagosur, ai ka mundur të largohet dhe të futet në ambientet e brendshme të lokalit, derisa është rrëzuar në tokë. Ndërsa personi që e ka qëlluar me armë është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Papa u dërgua me ambulancë në Spitalin e Traumës, por si pasojë e plagëve të marra gjeti vdekjen.
Albano Velo ishte filmuar nga kamerat e sigurisë dhe pas arrestimit të tij, iu zbërthye telefoni, ku u bë edhe zbardhja e plotë e vrasjes. Në telefon u gjet edhe një video ku vrasësi Andrew alias Edvin Bode, si dhe dy vëllezërit Andrea alias Adriatik Kalemi dhe Artur Kalemit pinin gjakun e njëri-tjetrit, në formë vllazërie, për t’u hakmarrë për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.
“Të pandehurit janë lidhje e ngushtë shoqërore Adriatik Kalemit dhe e shtetasit Aleksandër Sadikaj, që u vra me 1 qershor 2022 në afërsi të TEG. Lidhjet shoqërore mes këtyre personave provohen ndër të tjera edhe nëpërmjet aktit të ekspertimit të aparatit celular të të pandehurit Albano Velo. Në celular është zbuluar një video e datës 27 nëntor 2022, ku shfaqen i pandehuri Andreu Bode, Andrea Adriatik Kalemi dhe Artur Kalemi, të cilët pinë gjakun e njëri-tjetrit në formë vëllazërie”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dosjen e Prokurorisë zbardhen edhe detajet se dy vëllezërit Edmond Papa dhe Kristo Qirici alias Papa, kanë qenë në ndjekje prej rreth 1 muaji para se të ndodhte krimi. Edmond Papa në itinerarin e lëvizjes së tij nga Tirana në drejtim të Sarandës dhe i vëllai i tij tek rruga “Jul Variboba”.

Dyshimet e Prokurorisë janë se vrasja e njërit prej vëllezërve është organizuar në ambientet e lokal “Las Palmas” në Tiranë, që është në pronësi të Andrea alias Adriatik Kalemit, kushëri i Aleksandër Sadikaj.
Sipas dosjes hetimore ditën e ngjarjes në 16 dhjetor 2022, rreth orës 14:00, deri në momentin që ka ndodhur vrasja, Andrew Bode, ka qenë në mbikëqyrje të lëvizjeve të viktimës, deri në konstatimin e tij në bar-kafe “Green Garden”, vend i cili ka rezultuar se nuk ka kamera sigurie.
Kur viktima ka qenë i vetëm në këtë ambient, ai ka hyrë dhe ka kryer krimin. Andrew Bode, ka ardhur në afërsi të vendit të ngjarjes, lokalit “Green Garden”, me automjetin e markës “Smart” ngjyrë e zezë, me targa AA488V. Ai ka ardhur përpara lokalit në këmbë, pasi kishte parkuar fillimisht automjetin. Po ashtu përafërsisht, në të njëjtën kohë, aty pranë është afruar dhe i pandehuri Albano Velo me automjetin “Audi”, me targa W76CXC.
Nga provat rezultoi se, automjeti “Smart” ditën e ngjarjes ka qenë në përdorim të Andrew Bode. Ndërsa, automjeti i markës “AUDI”, me të cilën ka ardhur në vendin e ngjarjes Albano Velo, ka rezultuar se, është në pronësi të A. Likrama, bashkëjetuese e të pandehurit Albano Velo. Mjetit “Audi” i janë ndryshuar dy herë targat me qëllim mos identifikimit të autorëve nga ana e strukturave të policisë.
Atentatet e tjera të përplasjes mes dy grupeve
Në përplasjen mes dy grupeve i ka shpëtuar edhe dy atentateve Andrea (Adriatik) Kalemit më 9 Gusht të vitit 2023 ë ishullin Paksos të Greqisë, si dhe më 15 Dhjetor të vitit 2023, kur tentuan ta vrisnin brenda qelisë së burgut në Greqi.
Po ashtu, edhe vëllai i tij, Zamir Kalemi i shpëtoi një atenati më 12 Janar të vitit 2024, kur u qëllua me breshëri kallashnikovi, nga një mjet në lëvizje, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”.
Pasi nuk arritën dot të vrisnin dy vëllezërit Kalemi, i njëjti grup dyshohet se ekzekutoi babain e tyre më 20 Korrik të vitit 2024, Shyqyri Kalemi, në atë që njihet si masakra e Memaliaj, pasi mbeti i plagosur edhe vëllai i viktimës Artur Kalemi, teksa u vranë edhe dy persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen kamarieri i lokalit, Gledio Muka dhe një klient i lokalit Marsel Çela.
Pak kohë më parë, SPAK shpalli në kërkim anëtarët e grupit kriminal të Edmond Papës, por jo për vrasjet në fjalë, por akuzohen sie të përfshirë gjatë viteve 2019-2021 në veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, si dhe trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria për në Greqi, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Grupi drejtohej nga vëllai i Edmond Papës, shtetasi Kristo Qiriçi (alias Jetmir Hoxhaj, alias Jetmir Qiriçi), teksa në kërkim u shpallën edhe Eldjon Alushaj (alias Kosta Alushaj) dhe Shkëlzen Kraja. Po ashtu, atyre ju sekuestruan edhe 90 pasuri.