Gjyshi i Ilir Tsoukos thoshte se një person lind “si një trung”.
“Pak nga pak, ti merr shtresa dhe merr formë”, kujton Tsouko duke thënë. “Këto shtresa janë përvojat që ke fituar në jetën tënde.”
Po kështu, Tsouko, i cili u zhvendos në Greqi nga Shqipëria kur ishte ende fëmijë në vitin 1996, thotë se identiteti i tij përcaktohet nga përvoja, e cila përfshin edhe kohën e kaluar në Gjermani.
“Unë e përcaktoj veten nga gjuhët që flas, nga gjërat që kam mësuar në vendet ku kam jetuar, nga shoqëritë që më kanë formuar, format që kam marrë”, i tha ai BIRN.
Është kjo ndërthurje e përvojës dhe identitetit që është në zemër të “Albgreko”, një dokumentar i shkurtër me regji nga Tsouko, i cili vërtitet rreth katër fëmijëve dhe nipërve e mbesave të shqiptarëve që emigruan në Greqi në vitet 1990 mes trazirave masive pas rënies së regjimit komunist të Shqipërisë.
Aty ku brezi i parë që u zhvendos u përball me racizmin dhe ksenofobinë, katër personat që tregojnë historitë e tyre në film, si fëmijë ose nipër e mbesa të emigrantëve shqiptarë, ndihen më të qetë me atë që Tsouko e quan një “hapësirë fluide, njerëzore” midis tyre, “një hapësirë ku nuk ke pse të provosh asgjë, thjesht qëndro ashtu siç je”.
“Dhe kjo hapësirë nuk është e lehtë as për shoqërinë greke dhe as për atë shqiptare”, tha ai për BIRN. “Nëse ka diçka që ia vlen të mbrohet sot, është e drejta për të qenë ‘dhe’ jo ‘ose’”.
Identitet i dyfishtë
Sipas të dhënave zyrtare, që nga nëntori 2022, shqiptarët përbënin 45 për qind të popullsisë emigrante në Greqi, kontingjenti më i madh kombëtar.
Ardhjet në vitet 1990 nuk u pritën gjithmonë ngrohtësisht dhe disa shqiptarë ndryshuan emrat dhe besimin vetëm për t’u përshtatur dhe për të gjetur punë, mes sloganeve raciste si “Nuk do të bëhesh kurrë grek, shqiptar, shqiptar”.
Fëmijët dhe nipërit e tyre përballen me probleme të ndryshme, në veçanti me rregullat e rrepta greke për marrjen e shtetësisë, të cilat i kanë lënë disa ende pa një pasaportë greke.
Ideja për një film lindi nga diskutimet midis Dimitris Christopoulos, një profesor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Historisë së Universitetit Panteion, dhe studentëve të tij në lidhje me çështjet e identitetit dhe përkatësisë.
Financimi u sigurua nga Fondacioni Onassis dhe skenari u shkrua bashkërisht nga Biorni Leka, një i diplomuar në fakultet, dhe Georgia Spyropoulou, një avokate dhe studiuese në universitet. Tsouko u mor si regjisor.
“Donim të nxirrnim në pah brezin e dytë të emigrantëve sipas kushteve tona, sepse emigracioni shqiptar i brezit të parë u prezantua kryesisht nga mediat dhe politikanët dominues dhe me terma shumë të shtrembëruar ose si probleme”, tha Leka, 32 vjeç, vetë fëmijë emigrantësh shqiptarë.
Spyropoulou i tha BIRN: “Në dokumentar, shihni katër persona që ju flasin për jetën e tyre të përditshme, ëndrrat e tyre… Kjo është diçka që ndodh. Nuk është diçka që nuk ekziston përreth nesh. Ne nuk folëm për diçka që nuk ekziston, thjesht e ndriçuam atë në një mënyrë për të treguar se ekziston kjo përvojë e identitetit të dyfishtë e të rinjve të brezit së dytë që rriten në Greqi.”
“Zgjodhëm të flasim për gjeneratën B dhe çështjet që i shqetësojnë ata, çështjet e dukshmërisë dhe çështjet institucionale si shtetësia, në një mënyrë tjetër.”
“Jo vetëm shqiptare ose vetëm greke”
Katër protagonistët janë Denisa Lidia Bairaktari, Stefania Kosta, Orestis Skiaou dhe Dimitris Kapouranis.
“Shoqëria ka një tendencë për t’i hetero-përcaktuar individët”, tha Kosta, 28 vjeçe, e cila lindi dhe u rrit në ishullin grek të Kretës, ku prindërit e saj u zhvendosën në vitin 1991.
“Unë nuk jam vetëm shqiptare ose vetëm greke; jam të dyja dhe nuk mund të më thoni se nuk jam të dyja.”
“Jemi në një proces të të parit të vetes. Kjo pjesë e identitetit, nëse diskutimi nuk do të ishte hapur, do të mbetej thjesht në një nivel personal; tani është bërë më e organizuar dhe diskutimi është hapur.”
Kosta tha se prindërit e saj fillimisht e rritën duke folur greqisht, në mënyrë që të kishte sukses në shkollë; ajo filloi të mësonte shqip që në moshën tetë vjeçare dhe në moshën 25 vjeçe mori mësime private.
“Ata e zgjodhën këtë sepse donin që unë të kisha sukses në shkollë, në mënyrë që të mos përjetoja atë që përjetuan ata”, tha Kosta për BIRN.
Brezi i prindërve të saj “u margjinalizua përgjithmonë”, tha ajo, duke duruar udhëtime të vështira përtej kufirit, deportime, pengesa burokratike dhe trauma psikologjike të ndryshimit të emrit dhe besimit vetëm për t’u pranuar.
“Ata hapën rrugën për mua dhe miqtë e mi në Shqipëri, në mënyrë që unë tani të mund të vij dhe të studioj, të merrem me sport, të quhem e fortë… Ata janë më të fortë se ne.”
Prindërit e saj, tha ajo, ende ushqejnë një lloj “frenimi” në lidhje me identitetin e tyre, pavarësisht se sa shumë janë integruar në shoqërinë e Kretës.
“Ky frenim po më shkatërron; e ndiej, por e kuptoj”, tha Kosta.
“Në një farë mënyre, përpiqem ta largoj dhe për shkak se ata nuk janë në gjendje dhe nuk do të jenë kurrë në gjendje – dhe e kuptoj sepse kanë jetuar kohë të vështira – dua ta bëj vetë, pasi nuk kam jetuar kohë të vështira. Për mua, është shumë më e lehtë.”
Kontradiktat e audiencës
Leka, i cili u zhvendos në Greqi me prindërit e tij kur ishte tre vjeç, duke qenë një “fëmijë i kulturës së tretë” krijon mundësinë e krijimit të një “rruge të re”, “dhe kjo rrugë e re krijon një përvojë të re për ty”.
Filmi është pritur me reagime të përziera midis shqiptarëve në Greqi, disa prej të cilëve thanë se ai nuk përfaqësonte përvojën e tyre të jetesës në Greqi, ndërsa të tjerë u shprehën se “të qenit grek” ishte imponuar, ndërsa “shqiptarësia” e tyre ishte shtypur.
“E respektoj plotësisht”, tha Tsouko, regjisori. “Çdo vepër që prek çështje të ndjeshme të identitetit dhe kujtesës është e prirur të provokojë. Por nuk pretendonte të fliste për të gjithë.”
“Fraza të tilla si ‘Nuk do të bëhesh kurrë grek, shqiptar, shqiptar’ nuk e bindin më pjesën më të madhe të shoqërisë”, tha ai. “Gjithashtu duhet vullnet nga të dyja palët, të jesh të gjendje ta falësh tjetrin në mënyrë që të mund të ecim përpara pa e fshirë atë që ka ndodhur në të kaluarën.”
“Të tregosh historinë tënde nuk do të thotë që po kërkon viktima dhe autorë. Do të thotë thjesht që historia të dëgjohet dhe pyetja se si e perceptojnë të gjithë atë është faza e radhës, besoj.”
“Albgreko” është një prodhim i Onassis Culture dhe u shfaq për herë të parë në Festivalin e Dokumentarit të Selanikut në mars. Filmi pritet të shfaqet në festivalet e filmave dokumentarë në Greqi, Shqipëri, Gjermani, Kosovë dhe vende të tjera në muajt në vijim./ BIRN