Nga Andi Bushati
Më mitingun e pasfitores në sheshin Skëndërbej Edi Rama lëshoi një urdhëresë, e cila, që prej asaj dite është shndërruar në refrenin e të gjitha studiove televizive, të asaj që përsërisin opozitarët fallco, që kanë gjetur një formë mbijetese në këtë regjim; të asaj që thonë gjoja të pavarurit, të cilëve u ka mbetur ende një lloj cipe; apo idiotët e dobishëm që përtojnë të vënë trurin në punë.
Në atë fjalim kryeministri tha se ky popull ka vendosur “të mos ndryshojë qeverinë pa ndryshuar më parë opozitën” e këtij vendi.
Që nga ky moment “zbërthimi” i kësaj direktive është shfaqur në publik në mënyra të ndryshme. Prandaj ndoshta i’a vlen ti reshtosh këto “argumente” për të dalluar ramistin e fshehur që qëndron pas tyre.
1- Alibia: “Nuk fitoi Rama, humbi Berisha”
Mbështetësit e idesë se patëm zgjedhje normale kapen si i mbyturi pas fijes së barit për të thënë se populli nuk zgjodhi Ramën, por dënoi Berishën. Ata e përmendim me pathos dhe qëmtojnë çdo argument për të vërtetuar këtë tezë. Por ata “harrojnë” se pas 12 vjetësh në pushtet dhe zbulimit të një gjysëm dyzine hajdutësh në qeveri, Rama mori më shumë vota se ndonjëherë në histori (plot 856 mijë) që si pati fituar as në 2009, as në 2013, as në 2017 as në 2021. Pra fitorja e Ramës nuk vjen vetëm si pasojë e shkalafitjes së opozitës, por edhe për faktin e thjeshtë se me metodat e tij, ai arriti numër rekord votash në favor të PS.
2- Alibia e një PD-jë të dobët
Një tjetër argument është ai i një PD-je të dobët, të pa organizuar dhe që humbi votues, gjë e cila prodhoi bymehjen elektorale të kundërshtarit. Po, në pamje të parë, këto janë të vërteta, por e rëndësishme është të kuptohet se kryeministri nuk qe krejt i pagisht në krijimin e këtyre simptomave, madje u angazhua personlisht për inflamimin e tyre. Tashmë është fakt edhe sipas deklaratave të administratës së re amerikane, se shpallja Non Grata e Berishës ishte një akt i lobuar. Po ashtu edhe luftimi i saj me metoda alla McGonigal nuk përbën më dyshim.
Po të mos harojmë se këto goditje të sponsorizuara që vinin nga jashtë ndikuan edhe që sistemi i drejtësisë së re ta mbante pothuajse gjysmën e mandatit pa vulë, pa financa dhe të pa njohur ligjërisht PD, se lideri i saj u izolua për një vit pa mundur të ushtrojë aktivitetin e tij normal, kuptohet më lehtë se pse u tkur PD. Pasi ajo nuk po konkuronte me një parti rivale por me një shtet të tërë.
Pra dhe argumenti që PD qe e dobët nuk mund të shihet jashtë projektit për të shkallmuar një fushë loje të barabartë për të gjithë.
3- Alibia e “të vegjëlve”
Mbrojtësit e zgjedhjeve normale flasin për fajin e Berishës, që bashkë me Ramën, ka kurdisur një sistem zgjedhor që nuk favorizon partitë e vogla. Po, është e vërtetë, që të dy sëbashku votuan në 2008 një sistem të padrejtë që penalizon forcat e reja dhe i transferon votat e tyre tek dy të mëdhenjtë. Por fakti se “i vogli ushqeu të madhin”, nuk mund të arsyetojë gjithçka.
Krahas fajit të një Saliu të pandreqshëm nuk duhet të harrojmë se partitë e vogla nuk u penalizuan vetëm nga kjo. Ato së bashku qenë gjithashtu viktima të një gare të pabarabartë, të përcaktuar nga kamikazllëku i administratës politike, nga patronazhistët që përdornin vjedhjen e të dhënave personale nga banditët lokalë që prodhuan fenomene si Sara Mila e Arkend Balla.
4- Alibia me relativizimin e bandave
Personazhet e mësipërme janë simbole të votës të grumbulluar nga pakti i pushtetit me bandat. Por, po ti shohësh ramistët e maskuar, sa herë që fjala shkon tek Troplinët, Suel Çela, apo Bajrat, ata i shmangen debatit sikur kjo të jetë një tabu. Me siguri që më tepër se frika nga personazhet e mësipërme i tremb ideja e rrëshqitjes në një terren ku s’ka asnjë mundësi që teza e zgjedhjeve normale të dalë e fituar.
5- Alibia e vjedhjes për hobi
Po të njëjtët reken të argumentojnë se parregullësi, shantazh, blerje të votës mund të ketë pasur. Por menjëherë pas kësaj shtojnë se kjo nuk ka ndikuar në rezultat. Por duke thënë këtë asnjëherë nuk shtrojnë dilemën që rrjedh natyrshëm: “çi duhet të vjedhë dikujt që s’ka nevojë ta bëjë”.
6- Alibia e zhdukjes së partisë së Metës
Shumica e atyre që gjejnë tkurrjen e votës opozitare, si pretekst kryesor për të justifikuar këto votime, bëjnë sikur harrojnë një gjë. Në këtë thes mungojnë 100 e ca mijë votat që LSI-a kishte në 2021 që ishin dy fish më shumë në 2017.
Por ky asgjesim nuk u arrit vetëm me blerjet masive që Rama bëri në radhët e hierarkëve të kësaj partie, që tashmë janë dëshmuar edhe me video të neveritshme. Ajo lidhet edhe me ultimatumet që kryeministri i bëri SPAK-ut nga kongresi i PS-së: “durimi ynë për prangosjen e Metës po soset”. Dhe atë që nuk e bënë dot socialistët duke prodhuar edhe ligje absurde kundër “spiunëve”, e bëri SPAK-u duke burgosur liderin e partisë së dytë opozitare.
Pra kur analizojmë reduktimin e votave opozitare nuk kemi se si të harrojmë edhe drejtësinë e re, që ka punuar sinkron me PS-ë.
7- Alibia e dashurisë për një palë hajdutë
Kripto ramistët lodhen duke analizuar se shqiptarët nuk janë aq budallej sa të votojnë më për një parti si e Ilirit apo Monikës, e cila u zhduk nga harta politike e vendit, pasi SPAK po i heton si të korruptuar.
Por, ata harojnë të përdorin të njëjtën peshë dhe të njëjtën masë në gjykimin e të tërë faktorëve në lojë. Pasi ndryshe si shpjegohet që goditjet e çunave të Dumanit për Veliajn, Beqajn, Ahmetajn, Kokën, Tahirin nuk patën asnjë impakt mbi votën pro PS-së? Alibia se elektorati përbuz ‘hajdutët’ e njërës palë dhe dashuron ata të tjetrës është e papranueshme edhe për një logjikë minimale.
8- Alibia e vjedhjes brenda llojit
Flamurtarët e mbrojtjes së një procesi normal detyrohen të pranojnë me gjysëm zëri se ministra ngandonjëherë edhe fare anonimë arritën të mundin, në listën e hapur, figura të PS si ish kryeministra.
Por, ata ndalojnë vetëm tek konstatimi i këtij paradoksi pasi nuk guxojnë të pohojnë se kjo makineri kriminalo-administrative që rrëmbeu votat brenda llojit, pasi është vënë në punë nuk mund të mos jetë përdorur si armë edhe kundër rivalëve opozitarë.
9- Alibia: Fajin e kishte La Civita
Pjestarët e së njëjtës kategori thonë me gojën plot se njerëzit nuk i përtypnin dot më përrallat me lobime që donin ti gënjenin me MAGA-n e La Civitës apo mundësinë e heqjes së Non Gratës. Ndoshta kanë të drejtë.
Por po të njëjtët që përdorin këtë arsyetim për të goditur rezultatin e opozitës në zgjedhje e konsiderojnë normale atë që Rama ka bërë me McGonigalin, dhëndrrin e Trumpit në Sazan apo shisjen e sovranitetit të vendit tek Meloni. Kontradikta e tyre është se lobimi për dikë funksionon ndërsa tjetrit i kthehet në boomerang.
10- Alibia e përhershme: “Fajiin e kishte, e ka dhe do ta ketë Saliu”
Pra shkurt, është e lehtë të dallohet një ramist i kamufluar sepse ai do gjejë një formë më të sofistikuar për të përsëritur refrenin që lideri i tij shpirtëror këndon prej një dekade e gjysëm për të justifikuar ç’do gjë: “fajin e ka Saliu”.