Një krim brenda familjes ka tronditur Shkodrën paraditen e kësaj të premte.
Shtetasi amerikan Brandon Saporito, 57 vjeç ka vrarë me thikë bashkëshortne e tij, shtetasen amerikane Sandra Holley (Saporito), 53 vjeçe. Pasi ka vrarë partneren, autori ka tentuar t’i japë fund edhe vetes duke prerë damarët. Ai ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Ngjarja ka ndodhur banese të marrë me qira, rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, të lagjes “Gjuhadol”. Sipas Policisë së Shkodrës, dyshohet se krimin 57-vjeçari e ka kryer në gjendje të dehur.
“Rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, shtetasja amerikane, S. S. Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse.” – thuhet në njoftimin paraprak të Policisë.
Ende nuk dihet motivi që e ka shtyrë shtetasin amerikan drejt këtij krimi në familje. Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, në vendin e ngjarjes ndodhen një numër i lartë efektivësh.
Policia thotë se grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të rastit.