Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit ezkistojnë dyshime të mbështetura në prova se kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe bashkëshortja e tij kanë tentuar të ndërhyjnë në hetim dhe të manipulojnë provat, ishin vendimtare për masën e arrestit me burg.
Më 13 mars, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lërë në burg kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas shqyrtimit të provave që e lidhin atë dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, në një skemë të organizuar korrupsioni. Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për krijimin e lidhjeve me kompani dhe OJF që kanë përfituar kontrata të paligjshme dhe fonde të Bashkisë Tiranë, duke realizuar transaksione që kapin më shumë se 1 milion euro. Ky veprim ka pasuar përfitime që dyshohet se janë përdorur për pasurimin e familjarëve të Veliajt, duke përfshirë pasuri dhe shpenzime të mëdha për rroba dhe bizhuteri.
Gjykata ka mbajtur Veliajn në burg për shkak të dyshimit se ai dhe Xoxa mund të ndikojnë në hetim dhe të manipulojnë provat. Gjyqtari Engert Pëllumbi arsyetoi se Veliaj mund të ndikonte tek hetuesit dhe dëshmitarët, përmes mesazheve intimiduese dhe orientimit të dëshmitarëve. Gjithashtu, gjykata e vlerësoi se, për shkak të pozitatës së tij dhe lidhjeve të forta në administratën shtetërore dhe në media, Veliaj mund të përdorte ndikimin e tij për të penguar hetimet. Prania e vartësve të tij gjatë pyetjes së Xoxës dhe tentativat për të shkatërruar provat janë gjithashtu faktorë që çuan në masën e arrestit.
Në dosje Veliaj citohet të kërkojë mendim nga mbështetësit e tij për të publikuar kërcënimin e bërë ndaj tij, megjithatë sipas deputetit Myslim Murrizi, i cituar nga Veliaj si njëri prej dëshmitarëve, ky fakt ka të bëjë me “një ëndërr të Veliajt”.
Konfirmimi i akuzave
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, qëndrimi i SPAK se bashkëshortët Veliajt-Xoxa nëse lihen të lirë, rrezikojnë marrjen ose vërtetësinë e provës, konsiderohet i drejtë. Gjykata shprehet se për vijimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për Veliajn dhe “Detyrim paraqitje” për Xoxën, ka pasur në konsideratë ambientin ku bashkëshortët jetojnë, funksionin publik që ushtron kryebashkiaku, njohjet e shumta, lidhjet e siguruara dhe ndikimi mjaft i fortë që buron nga ushtrimi i këtij funksioni – rëndësi që çmohet se shtohet nisur nga territori që mbulon dhe fondet publike që administron Bashkia Tiranë, si më e madhja në vend.
Vendimi i gjykatës u mor pas shqyrtimit të provave që Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë përfshirë në një skemë të organizuar korrupsioni, duke krijuar lidhje me kompani dhe OJF që kanë përfituar kontrata të parregullta dhe fondet e Bashkisë Tiranë. Sipas Prokurorisë, transaksionet e dyshimta përllogaritën më shumë se 1 milion euro, përfitime që dyshohet se janë përdorur për pasurimin e familjarëve të Veliajt, duke përfshirë pasuri dhe shpenzime të mëdha për rroba, bizhuteri dhe produkte luksoze.
Gjykata e Apelit arsyetoi se Veliaj dhe Xoxa mund të ndikojnë në hetim dhe se ekziston rreziku që ata të fshijnë prova ose të ndikojnë dëshmitarët. Masat e sigurisë, siç theksohet në vendim, janë të nevojshme për të garantuar vijimin e hetimit, veçanërisht duke pasur parasysh pozitën publike të Veliajt, lidhjet e tij të forta dhe ndikimin që ai ka në media dhe administratë.
Prokuroria thekson se Veliaj ka tentuar të pengojë hetimet përmes mesazheve intimiduese ndaj hetuesve të BKH-së, ndërhyrjes në deklarimet e dëshmitarëve dhe ndikimit përmes personave të tretë. Bashkëshortja e tij dyshohet se ka kontaktuar dëshmitarë për t’i orientuar mbi çfarë të deklaronin, ndërsa në një rast, një dëshmitare thotë se i është asgjësuar celulari nga deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Sipas dosjes që rrodhi në media, ai, bashkëshortja dhe vëllai i tij kanë organizuar komunikime me media dhe portale për të ndërtuar një narrativë që e paraqet veten si viktimë të sulmeve politike, ndërsa redaksitë orientohen të sulmojnë punën e prokurorisë.
Kjo përpjekje për të “shpërqendruar vëmendjen publike dhe për të ushtruar presion mbi organet e drejtësisë”, është konsideruar si përpjekje për të ndikuar e manipuluar rrjedhën e procesit penal.
Gjykata e Apelit të Posaçëm e mbështeti vendimin për të mbajtur Veliajn në burg, duke argumentuar se rreziku i ndërhyrjes në hetim është real dhe i vazhdueshëm, për shkak të ndikimit të tij politik, lidhjeve në administratë dhe aksesit që ai ka në media dhe opinion publik.
Përgjimet zbuluan gjithashtu se Veliaj kishte kërkuar këshilla nga rrethi i tij i ngushtë për mënyrën se si të përdorte publikisht pretendimin për një “kërcënim” ndaj tij, duke u përpjekur ta shndërronte në një mjet mbrojtës në media. Por, një prej personave që përmendet si “dëshmitar” i këtij kërcënimi, deputeti Myslim Murrizi, e mohoi publikisht ngjarjen, duke e quajtur një “ëndërr të Veliajt”.
Prokuroria dhe gjykata bien dakord se Veliaj jo vetëm ka përfituar në mënyrë të parregullt nga fondet publike, por edhe ka krijuar një mjedis të rrezikshëm për hetimin përmes presionit mediatik, rrjeteve personale dhe përpjekjeve për të manipuluar provat. Procesi ndaj tij pritet të vazhdojë me një dosje voluminoze e të mbështetur në dëshmi, dokumente dhe përgjime që flasin për një skemë të mirëorganizuar.
Pushteti i Veliajt

Pas qëndrimit në burg të Veliajt, në media rrodhën materiale që tregonin se si Kryetari i Bashkisë Tiranë së bashku me bashkëshorten dhe vëllain e tij, Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj, u angazhuan në mënyrë të drejtpërdrejtë për organizimin e një fushate mediatike mbështetëse për të.
Në dosje përmenden emra gazetarësh dhe drejtuesisht të televizioneve dhe portaleve me të cilët Veliaj “urdhëron” të publikojnë lajme në mbështetje të tij dhe kundër hetimeve të SPAK.
Gjithashtu, sipas dosjes, Veliaj mundohet të përcaktojë editorialin në disa media, të cilave u kërkohet orë e caktuar për publikimin e statuseve të tij në rrjetet sociale, në mënyrë që lajmi të përsëritet dhe në kohën e mëpasshme televizive.
Sipas ekspertit të shkencave të komunikimit, Erlis Çela, ndikimi në media lidhet ngushtë me faktin se në shumë raste ato janë të varura financiarisht nga Qeveria, në mënyrë direkte ose indirekte.
“Mediat në shumë raste janë të varura financiarisht nga Qeveria, pushteti lokal apo biznesmenë të lidhur me pushtetin, në mënyrë direkte apo indirekte. Kur zyrtarët nisin fushata të qëllimshme denigruese kundër institucioneve të drejtësisë, siç kemi parë në mënyrë të përsëritur ndaj SPAK apo BKH, kjo nuk është thjesht një reagim emocional apo individual. Mjafton një hetim i nisur nga SPAK, për të parë menjëherë një valë kronikash, analizash dhe komentesh që tentojnë të zhvlerësojnë institucionin, të baltosin prokurorët apo të përçajnë opinionin publik,” – thotë Çela, ndërkaq përveç fushatës mediatike të organizuar nga Veliaj dhe familjarët e tij, urdhrat nga burgu të kryebashkiakut zbatoheshin nëpërmjet zyrtarëve të lartë të Bashkisë Tiranë dhe të Qeverisë.
Veliaj u përpoq të negocionte me mediat nëpërmet këshilltarit të tij, Renato Kalemi, në mënyrë që të shpërndante informacionet e rrjeteve të tij sociale në edicionet kryesore të lajmeve, megjithatë në rastin e përmendur në dosje, kjo përpjekje nuk u arrit, duke bërë që për Veliajn të flitej në emisionet e mbrëmjes.
“Shteg.org” iu drejtua Kalemit për të marr një koment zyrtar prej tij rreth kësaj çështjeje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli Kalemi ka refuzuar të përgjigjet.
I përmendur nga Veliaj për mbështetje mediatike është dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, i pyetur nga “shteg.org” rreth shfrytëzimit të pozicionit të tij zyrtar për të shpërndarë informacione në media me qëllim dëmtimin e rolit të organeve ligjzbatuese, ai tha se nuk ka shpërndarë asnjëherë materiale në media me këtë qëllim.
“Nuk e di pse e keni krijuar këtë persupozimin, por unë nuk kam shpërndarë asnjeherë, asnjë informacion në dëm të organeve ligjzbatuese” – deklaroi ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Ndërkohë, sipas dosjes, Veliaj kërkon bashkëpunimin me Maznikun dhe një reagim nga ana e tij se si të veprojë në “betejën”, siç ai e cilëson, me trupën gjyqësore.
Pjesë e deklaratave të përdorimit të medias nga ana e Erion Veliajt, ishte dhe inskenimi i një kërcënimi i bërë kundrejt tij.
Sipas dokumenteve që qarkulluan në media, Veliaj kërkon mendimin e personave pranë tij nëse duhet të përfshinte në postimin e rradhës në rrjetet sociale “se 2 milionë eurove janë ofruar për kokën e tij”.
Sipas ekspertit Çela, kemi të bëjmë me përdorimin e medias si zgjatim të fuqisë politike, çka bie ndesh me interesin publik.
“Në vend që media të mbrojë interesin publik dhe të ushtrojë funksionin e saj si pushtet i katërt, ajo shpesh shërben si zëdhënëse e interesave të pushtetit ekzekutiv. Ajo që është më shqetësuese, është normalizimi i kësaj praktike. Për mua çdo tolerim i kësaj praktike nga publiku, nga institucionet e tjera, apo edhe nga vetë komuniteti i gazetarëve do të ketë pasojë në të ardhmen”, – thotë ai, ndërkohë që gjatë përgjimeve të paraqitura në dosje, Veliaj është shprehur se për këtë informacion që dëshironte një këshillë për ta shpërndarë në media ose jo, ishin në dijeni dhe tre dëshmitarë, deputeti Myslim Murrizi, Alban Dokushi, drejtori juridik i Bashkisë Tiranë dhe sipërmarrësi Isuf Berberi.
I pyetur nga “shteg.org” për këtë pretendim të Veliajt që citohet në dosje, deputeti Myslim Murrizi deklaroi se – “kemi të bëjmë me një ëndërr të Veliajt”, ndërkohë që shton se për këtë çështje ka deklaruar edhe në Prokurorinë e Posaçme.
Nërkohë, Dokushi dhe Berberi refuzuan të komentojnë për këtë citim të Veliajt.
/Shteg.org