Gazsjellësi Trans Adriatik prej 10 vitesh kalon në Shqipëri, por vendi mbetet pa përfitime direkte nga gazi apo taksat. Fermerët janë të pakënaqur me dëmshpërblimet ndërsa në stacionin e TAP në Italinë jugore është konstatuar rrjedhje të gazit të metanit, i cili është i dëmshëm për jetën e popullsisë vendase.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), që transporton gaz natyror nga Azerbajxhani drejt Evropës përmes Shqipërisë dhe disa vendeve të tjera të Ballkanit, vijon të mbetet një projekt i rëndësishëm ndërkombëtar, por pa përfitime të prekshme për Shqipërinë në drejtim të gazit apo të ardhurave si “vendkalim”.
Me një gjatësi totale prej rreth 3,500 kilometrash, TAP nisi ndërtimin në territorin shqiptar në vitin 2016. Megjithatë, ndryshe nga vendet e tjera tranzite, Shqipëria nuk përfiton as gaz për përdorim të brendshëm dhe as të ardhura nga një taksë vjetore kalimi.
Të vetmet përfitime të deritanishme për vendin janë kufizuar në investime infrastrukturore në zonat ku kalon tubacioni, si dhe në sektorët e bujqësisë, edukimit dhe sigurisë në komunitet. Sipas të dhënave zyrtare nga TAP në Shqipëri, përgjatë gjithë jetëgjatësisë së projektit në territorin shqiptar, TAP do të investojë 14 milionë euro për këto qëllime.
Ndërkohë, fermerë dhe pronarë tokash në zonat e prekura kanë ngritur shqetësime të shumta. Sipas intervistave me banorët, dëmshpërblimet për tokat janë vlerësuar shumë poshtë vlerës reale, nga 1 deri në 5 euro për metër katror. Për më tepër, ndikimi i punimeve në pjellorinë e tokës është përshkruar si negativ nga shumë fermerë.
Një pjesë e pronarëve ende nuk është dëmshpërblyer për shkak se ndodhen jashtë vendit dhe nuk kanë përfunduar procesin e dokumentacionit. Vetë kompania TAP ka ndërmarrë hapa për t’i pajisur banorët me certifikata pronësie, për të mundësuar firmosjen e marrëveshjeve që lejuan ndërtimin e gazsjellësit.
Ndërsa TAP përçon gazin drejt Evropës, Shqipëria duket se ka mbetur thjesht një vendkalim, pa mundësinë për të përfituar nga pasuritë natyrore që i kalojnë nën tokë.
TAP, shpresa që u venit shpejt

Në shtatorin e vitit 2016, kur makineritë e rënda të TAP-it nisën të lëviznin tokën në fshatrat e Fierit, Shpresa, një fermere e zonës, priste që ky projekt të sillte përmirësim në jetën e saj dhe të komunitetit. Tubacionet që do të përçonin gazin nga Azerbajxhani drejt Evropës, i kaluan fare pranë arës së saj. “Na thanë që gazi do të sillte zhvillim… por ne as sot nuk e kemi parë as gazin, as ndonjë përfitim të madh,” kujton ajo.
Në të njëjtën ditë, përfaqësues të lartë të projektit dhe qeverisë shpallnin TAP-in si një mundësi historike për Shqipërinë. Menaxheri i TAP për Shqipërinë dhe Greqinë, Karl Robert, deklaronte se gazsjellësi do të përshkonte 555 rrugë, 514 lumenj dhe një hekurudhë në territorin shqiptar. Ish-ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri premtonte se TAP do t’i jepte Shqipërisë qasje në gaz dhe do të nxiste ndërtimin e infrastrukturës për shfrytëzimin e tij.
Por dhjetë vite më vonë, Shqipëria nuk përfiton as gazin e premtuar dhe as ndonjë tarifë kalimi për faktin që është vend tranzit. Në një intervistë në vitin 2022, vetë Gjiknuri e pranoi se vendi ynë nuk përfiton asgjë nga TAP në aspekt ekonomik apo energjetik.
Ky mospërfitim sipas Naskë Afezollit, një prej themeluesve të TAP me origjinë shqiptare dhe ekspert i energjisë në Zvicër, vjen për shkak të mungesës së negocimit të duhur nga pala shqiptare. Ai thekson se ndryshe nga Shqipëria, Greqia, pavarësisht se vend i BE-së, përfiton tarifa kalimi, njësoj si Italia dhe Turqia.
Afezolli propozon rinegocimin e marrëveshjes me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe ngritjen e një grupi koordinues shqiptar që do të kërkonte zbatimin e një formule të drejtë për përfitime ekonomike. “Shqipëria ka qenë shumë gjeneroze me TAP-in dhe nuk ka marrë asnjë lloj kompensimi. Ky është momenti që të ngrihet zëri për një marrëveshje të re që reflekton të drejtat e Shqipërisë si vend pritës,” – thotë ai.
Sot, ndërsa gazi i TAP përshkon nëntokën shqiptare drejt tregjeve evropiane, shumë shqiptarë si Shpresa vazhdojnë të shohin vetëm makineritë që kaluan dikur, ndërsa përfitimet mbetën një premtim i paplotësuar.
Fermerë të penduar

Petraq Golemi, një fermer nga fshati Mujalli në Fier, i mirëpret gazetarët në të vetmin lokal të zonës, me një kafe të qetë, por me brengën e gjatë të një beteje të pafituar. Me zërin që i dridhet pak nga zemërimi dhe zhgënjimi, ai kujton ditën kur punonjësit e gazsjellësit TAP filluan gërmimet në tokën e tij. “Tokën ku më ka kaluar TAP-i unë e quaj të vdekur. Nuk është më në gjendjen e mëparshme,”- thotë ai, duke treguar për një realitet ku, dikur, kultivonte bimë mjekësore dhe produkte sezonale.
Ai nuk është i vetëm. Dhjetë vite më parë, dhjetëra banorë të Mujallit dolën në protesta kundër punimeve të TAP, të indinjuar nga dëmtimi i mbjelljeve bujqësore dhe mungesa e transparencës. Megjithëse shumë prej tyre paraqitën dokumente pronësie, zëri i tyre nuk u dëgjua në kohë. Dëmet e para u kompensuan pjesërisht, por sipas vetë banorëve, problemi më i madh u shfaq më vonë: ulja e ndjeshme e prodhimtarisë së tokës.
Petraq Golemi rrëfen se, përveç dëmtimit të pjellorisë, puna në terren nuk është bërë sipas standardeve.
“Kur ata nisën punimet, nuk punuan thellë. Tubi u vendos njëherë dhe më pas u hoq dhe e vendosën sërish, por më thellë,” – shpjegon ai. Një nga kushtet e kontratës me TAP, sipas tij, ishte rikthimi i tokës në gjendjen e mëparshme, por kjo nuk ndodhi. “Edhe sot aty ka çakull e gurë. Çakulli është gur i madh, që nuk lejon të mbjellësh gjë,” – thotë ai me zhgënjim.
Fermerët thonë se janë vizituar disa herë nga komisione të Bashkisë Fier dhe përfaqësues të TAP, por nuk kanë marrë asnjë shpjegim të qartë për uljen e prodhimit. Nga ana tjetër, profesori Sulejman Sulçe, që ka qenë pjesë e vlerësimit të ndikimit të TAP mbi tokat bujqësore, thotë se gjatë 107 konsultimeve publike me banorët nga Korça në Fier, është sqaruar se në një hapësirë prej katër metrash mbi tubacion nuk mund të mbillen prodhime bujqësore, veçanërisht pemët frutore.
Për të verifikuar pretendimet e fermerëve, gazetarët kërkuan disa herë një koment nga zyra e medias së TAP, por nuk morën përgjigje për më shumë se dhjetë muaj. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit vendosi në shkurt 2022 që projekti të mos i nënshtrohej një procedure të thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Sipas dokumentacionit, agjencitë rajonale në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër dhanë miratimin për ndërtimin, me kushte që përfshinin menaxhimin e inerteve dhe ruajtjen e rrugëve publike.
Megjithatë, për fermerë si Petraqi, të gjitha këto vendime nuk kanë sjellë asnjë zgjidhje reale.
Fshatra të ndryshme, problematika të njëjta

Në fshatin Topojë të Fierit, aty ku ndodhet stacioni dalës i gazsjellësit Trans Adriatik në Shqipëri, nën vëzhgimin e përhershëm të kamerave, fermerët vazhdojnë të ndjejnë pasojat e një projekti që, sipas tyre, nuk u solli përfitime të qëndrueshme. Ashtu si në fshatin Mujalli, edhe këtu jo të gjithë janë të kënaqur me vlerësimin financiar që morën për dëmet në tokë dhe bujqësi.
Tokat u vlerësuan me 4 euro për metër katror, por shumë prej atyre që ndodheshin në emigrim nuk u kthyen për të përfituar nga kompensimet, jo për mungesë dëshire, por për shkak të vlerës së ulët të dëmshpërblimit.
Një prej banorëve, ish-agronom, thekson se edhe pse toka në këtë zonë klasifikohet si e kategorisë së dytë, më pak pjellore, mosdakordësia me çmimin ka qenë e përhapur.
“Unë nuk jam prekur nga TAP, por shumë të tjerë nuk janë të kënaqur. U dëmshpërblyen deri në 4 euro për metër katror, aq sa është në Shqipëri,” – thotë ai.
Ndërkohë që një tjetër banor i moshuar, Aleksandër Rina tregon se ndryshe nga vëllai i tij, që është larguar prej vitesh nga Shqipëria, ai arriti të dëmshpërblehej për prodhimet bujqësore të dëmtuara gjatë punimeve dhe tokën në të cilën u kryen punimet. Ndërkohë, sipas Rinës, vëllai i tij në emigrim nuk e pa të arsyeshme ardhjen në Shqipëri për të marrë dëmshpërblimin nga TAP.
Procedurat dhe kostoja për të udhëtuar në Shqipëri për të marrë 700 mijë lekë të vjetra nuk ia vlejnë.
“Të shkon më shtrenjtë të vish se sa lekët që do marrësh,” – shpjegon ai.
Sipas informacioneve të dhëna nga TAP, fondi i kompensimit do të ruhet për 20 vjet, por pronarët pa dokumentacion të rregullt duhet të ndjekin vetë procedurat për regjistrimin e pronës.

E njëjta ndjesi zhgënjimi dhe humbjeje është e pranishme edhe në fshatin Otllak të Beratit, ku gjurma e gazsjellësit ka prekur tokat e Kadrie Gjecit. Ajo rrëfen se për tokën e saj u dëmshpërblye vetëm me 1 euro për metër katror, ndërkohë që kompensimi kishte vlerë tjetër për këputjen e 33 rrënjve të ullinjve. Por dëmi real, sipas saj, është më i madh: humbja e pjellorisë së tokës. “Ne tokën ku kalon TAP-u nuk e përdorim më, ullinjtë nuk i kemi më,” – thotë ajo me trishtim, duke shtuar se tre dynymët në zonën malore janë bërë të papërdorshëm për bujqësi.
Ashtu si Petraqi në Mujalli, edhe Kadria në Otllak dhe Aleksandri në Topojë flasin për një realitet të përbashkët: mungesën e konsultimit të thelluar, kompensime që nuk reflektojnë dëmin real, dhe mbi të gjitha, tokë që dikur ushqente familjet, e që sot është lënë pas dore – pa prodhim, pa jetë.
Pakënaqësia ndaj TAP nuk vërehet vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, ku në fshatin Melendugno-s shpronësimet e tokave ku ndodhet stacioni i gazsjellësit ia ka lënë vendin largimit të banorëve, ndërkohë që nga investigimi i realizuar me mbështetjen e Journalismfund Europe, në stacionin e gazsjellësit rezulton të rrjedhë një sasi metani. Rrjedhja e metanit, çka është filmuar përmes termokamerave, përbën rrezik për shëndetin public dhe ndikon në ngrohjen globale, megjithatë kompanitë në Itali nuk kanë raportuar më parë një problematikë të tillë duke mos respektuar procedurat e Bashkimit Evropian për sigurinë shëndetëse dhe mjedisore.