Më 27 shtator 2002, banorët pranë liqenit artificial të Tiranës u zgjuan mes përmbytjes. Uji vërshoi në shtëpitë e tyre, ndërsa energjia elektrike u ndërpre. Ata kaluan natën në frikë, duke parë ujin të ngrihej pa ndalur. Hapja e një porte shkarkuese të digës rezultoi fatale!
Përmbytja e asaj kohe shkaktoi shumë dëme materiale, kryesisht në banesat njëkatëshe në zonën e Komunës së Parisit.
Fillimisht, diga u ndërtua në 1957 për vaditje bujqësore. Atëherë nuk kishte ndërtesa pranë saj. Sot, mbi 40,000 njerëz jetojnë në zonën e rrezikut. Nëse diga dëmtohet, ata janë në rrezik të drejtpërdrejtë.
Në 2002, kryebashkiaku Edi Rama vizitoi zonën dhe premtoi ndihmë për dëmet, por nuk ndërmori asnjë hap për sigurinë e digës.
Në 2016, kryebashkiaku Erion Veliaj protestoi kundër ndërtimit të një pallati 17-katësh pranë digës, duke e quajtur të rrezikshëm. Sot, ai pallat është ndërtuar dhe i populluar. Veliaj e quajti këtë ndërtim si tejet të rrezikshëm për stabilitetin e digës, protestoi dhe e kundërshtoi këtë ndërtim edhe përmes rrugës gjyqësore.
Në 2024, një tjetër kompleks ndërtimi është miratuar, këtë herë me Rama-n si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme nga Komiteti i Digave dhe vetë Bashkia Tiranë.
Ajo çfarë ndodhi në vitin 2002 ishtë pasojë e mosfunksionimit të të gjithë sistemit të digës, sistem i cili edhe sot pas 23 vitesh ku Rama po garon për mandatin e katërt në krye të qeverisë tashmë, nuk ka vënë në punë sistemet mbrojtëse dhe parandaluese të ndonjë fatkeqësie të mundshme.
Bashkia barazon një dërrasë të vijëzuar me 5 sisteme të mirëmbajtes
Liqeni artificial i Tiranës me një sipërfaqe prej 4.5 hektarë dhe me 6 specie që lundrojnë në të, duket se është një prej atraksioneve turistike më të pëlqyera dhe vizituara në kryeqytet.
Por, pavarësisht bukurisë në dukje, diga e këtij baseni nuk monitorohet me sistemet e mirëmbajtjes nga Bashkia. Kjo digë, ndryshe nga shumë diga të tjera basenesh të cilat përdoren për mbledhjen e ujit të pijshëm si ajo e Bovillës apo të tjera për vaditje, përdoret për atraksion turistik por administrator i saj është Ujësjellës Kanalizime Tiranë, shoqëri aksionare me kapital tërësisht nën zotërim të Bashkisë Tiranë. Kjo sh.a. është përgjegjëse për sigurimin e ujit të pijshëm, si dhe për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe kanalizimeve, por nuk ka ndonjë lidhje konkrete me digën e liqenit artificial të Tiranës e cila përdoret vetëm për atraksion turistik.
E pyetur për sigurinë e digës, Bashkia e Tiranës përmes email jep këtë përgjigje:
“Sipas vendimit nr.33 dt 03.05.2015 nga Bashkia Tiranë është kaluar në administrim të Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a vetëm Diga e Liqenit (Jo baseni Ujor). Ndodhur në këto kushte përsa I përket monitorimit për perimetrin e sigurisë, nivelin e ujit apo edhe të ndotjes dhe pastrimit të basenit ujor (ujit të liqenit) nuk është kompetencë e Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a”
“Sinjalizo” me anë të një kërkese për informacion i’u drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe si pasojë e detyrimeve ligjore bashkia Tiranë u përgjigj se kompetencat për pastrimin e basenit të Liqenit Artificial të Tiranës i janë dhënë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit po nuk sqaron se kush e ka përgjegjësinë për monitorimin e sigurisë së digës.
Gjithashtu me anë të një kërkese për informacion I’u drejtuam Ujësjellës Kanalizime Tiranë për t’a pyetur mbi kompetencat dhe përgjegjësitë që ajo ka mbi digën e liqenit por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Në digën e Liqenit të Tiranës ka vetëm një sistem “primitiv” që quhet “LAT” dhe është një dërrasë e vijëzuar në metër dhe centimetër për të matur nivelin e ujit. Ky “sistem” nuk “njofton” në rast rritjeje të shpejtë të nivelit të ujit.
Standarti është që diga duhet të monitorohet dhe të kontrollohet jo më pak se dy herë në vit. Gjithashtu me legjislacion dhe me standarte teknike janë 5 sisteme të monitorimit të digës që duhet të aplikohen në çdo digë.
Eksperti i digave Arjan Jovani thotë se fillimisht duhet vendosur një sistem alarmi.
“Duhet të instalohet sistemi i alarmit me instrumenta që të vendosen sirena që në rast se vjen sasi e madhe e ujit.” u shpreh ai.
Katër sistemet e tjera janë: vendosja e disa monumenteve shtylla në diga dhe sipas standartit këto të fundit duhet të monitorohen nga një specialist të paktën 2 herë në vit, për të vlerësuar nëse ka ulje apo ngritje të vetë digës. Një sistem tjetër që është shumë i rëndësishëm është ai i kontrollit sizmik, në rast tërmeti ky instrument e regjistron dhe jep alarm për ndryshimet e ndodhura në strukturë.
“Në digën e Tiranës po të shkosh t’a shohësh me vëmendje është një pllakë deri në njëfarë vendi dhe më pas është bosh sepse kur ra tërmeti para 5 vitesh, kjo pjesa që sot është bosh është thyer dhe ka rënë.” tha për Sinjalizo eksperti Jovani.
Sistemi i katërt është ai i kontrollit hidraulik i cili shërben për të parë filtrat sesa grimca mbledh dhe për t’a pastruar përpara se ky sistem filtrimi të prishet.
Dhe sistemi i fundit, shumë i rëndësishëm për t’a monitoruar digën sipas standarteve teknike, është sistemi hidrogjeologjik, pra i ujërave nëntokësore që nuk shihen.
Në digën e Tiranës janë vendosur 3 tuba për të monitoruar ujërat nëntokësore, të cilëve më sy të lirë mund t’u shohësh vetëm kapakun.
“Për fat të keq të pesta këto sisteme nuk ekzistojnë në digën e Tiranës dhe ka vetëm një LAT që shikon nivelet e ujit. Kjo është më primitivja, më manualja. Në 2025, një digë e këtij niveli duhet të ketë të gjitha këto 5 sisteme me instrumenta. Këto sisteme nuk është se kushtojnë nga ana e parasë dhe në rast se prishet dëmi është shumë më i madh.” thotë Jovani.
Në “Strategjinë kombetare të ujitjes dhe kullimit 2019-2031” Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konstatoi se nga 626 diga që ndodhen në Shqipëri, 410 prej tyre paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente sa i takon sigurisë së digave ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë, ku në total, kapaciteti ujor i rezervuarëve është zvogëluar me rreth 45%.
“Alarm” për pemët në trup të digës
Në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë, në kategorinë “Atraksione Turistike” gjendet dhe një përshkrim I detajuar për Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës ku konkretisht thuhet:
“Parku i Madh quhet ndryshe edhe mushkëria e qytetit për shkak të bimëve të shumta, mbi 120 lloje pemësh, shkurresh dhe lulesh.” Dhjetra prej këtyre pemëve gjenden në trup të digës të cilat krijojnë probleme për të ardhmen. Pema lëshon rrënjë të cilat për të krijuar hapësirën e nevojshme zgjerohen derisa të shkrifërojnë baltën nën basenin ujor dhe dëmtojnë digën.
“S’duhet të ketë pemë në trup të digës. Pasojat janë afatgjata, mund t’i shohim dhe pas 10 vjetësh. Minimumi prije pemën në mënyrë që të mos rritet më. Për mua në di gat nuk kemi pse të kemi atraksione me pemë apo me shkurre.” thotë eksperti Arjan Jovani.
Siguria e digës së Liqenit të Tiranës nuk është thjesht një çështje teknike, por një emergjencë publike që kërkon veprim të menjëhershëm. Në një qytet që zgjerohet pa kriter dhe ku ndërtimet vazhdojnë të marrin përparësi mbi sigurinë, rreziku për një tjetër përmbytje apo katastrofë nuk është më një hipotezë, por një çështje kohe.
A do të presin autoritetet që historia të përsëritet, apo më në fund do të marrin masat e nevojshme për të parandaluar një tragjedi të paralajmëruar?
/ Vjolanda Peca / ACQJ