Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i cili kërkoi masë më të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore.
Ndërsa ndaj biznesmenit Elman Abule, togat e zeza kanë zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në arrest shtëpie. Biznesmeni, i cili është nën hetim në dosjen e Erion Veliajt, urdhërohet që të mos largohet nga banesa e tij, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton.
Gjithashtu gjyqtari Engert Pëllumbi la në fuqi masat ‘detyrim paraqitjeje’ për 3 biznesmenët: Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO.
SPAK konfirmon se Veliaj akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 9 raste, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërkohë, ndaj Ajola Xoxës rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Sipas hetimeve të SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Ajola Xoxës dhe të Elman Abules u gjeneruan 1.1 mln euro. Të gjitha këto biznese dhe OJF, tashmë të futura në regjistrin e veprave penale, përdoreshin sipas SPAK që përmes transaksioneve të ndryshme të futnin në sistemin bankar paratë e fituara. Ky qëllim sipas SPAK do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin e Elman Abules dhe familjarëve të tij.
Gjithashtu, SPAK ka bërë të ditur se pesë biznesmenë janë vënë nën akuzë për korrupsion aktiv, ndërsa nën hetim është vënë edhe deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, e cila dyshohet se ka penguar zbardhjen e së vërtetës.
Hetimet janë udhëhequr nga prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani.
- Maks Haxhia: Turp për SPAK-un! Lanë në burg njeriun më të votuar në Tiranë
Maks Haxhia ka folur pas vendimit të Apelit të GJKKO-së për të lënë në burg kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Avokati i kryebashkiakut preku një sërë çështjesh, ndërsa u shpreh totalisht kundër vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi.
Gjithashtu tha se Joshua Roberts nuk është avokat i Veliajt si dhe evidentoi nivelin e lartë të mbrojtësve ligjorë në vendin tonë. Në fjalën e tij para gazetarëve, avokati Maks Haxhia tha:
“Prokurori nuk solli asnjë provë të re. Absolutisht asnjë provë të re.Patjetër që kam një mendim dhe një opinion. Zgjidhja e çështjeve me masë arresti jo vetëm për Veliajn po për këdo është një absurditet kur nuk paraqet shkallë rrezikshmërie. Nuk mund të aplikohet masa e arrestit me burg për njeriun më të votuar në Tiranë, 3 herë i votuar.
Kemi kundërshtuar sepse veprat më të rrezikshme janë ato që dëmtojnë jetën. Ndërsa këto vepra penale që kanë më shumë karakter administrativ, nuk kanë shkallë rrezikshmërie.
Joshua Roberts? Ai nuk mund të jetë avokat I çështjes sepse nuk e lejon ligji shqiptar. Ju garantoj se niveli I avokatëve shqiptarë është në nivelin e BE-së dhe më lart se prokurorët e gjyqtarët e SPAK.
Intimidimi nuk është term procedurial për SPAK-un. Se e thotë SPAK-u nuk e thotë ligji. Term procedurial është të prishësh provat.
Përgjimi? Nëse është e vërtetë ajo që ka ndodhur me gjyqtarin e Kushtetueses për mua është një situatë skandaloze. Turp për presidentin e Republikës dhe Kuvendin që duhet të reagojnë. Ky institucion nuk ka kontroll. Ligji nuk e parashikon që të përgjojë këdo”.
- DËSHMIA E VELIAJ NË GJYKATË
Për të dytën ditë me radhë, Apeli i GJKKO-së, shtyu dhënien e vendimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ankimoi masën e arrestit me burg.
Prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kërkuan vazhdimin e masës arrest me burg, por gjyqtarët vendosen që seanca për shpalljen e vendimit të zhvillohej ditën e sotme, ku edhe u caktua masa e arrestit me burg për kryebashkiakun e Tiranës.
Gjatë seancës së djeshme kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë “çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen”.
Sipas të dhënave, mësohet se nga seanca në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj ka pretenduar se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut kanë të bëjnë intervistat në media.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore”, – mësohet se është shprehur Erion Veliaj.
Ai ka kërkuar seancë me dyer të hapura duke u shprehur se: “Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë, i votuar nga çerek milioni njerëz. Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjetet sociale”.
Erion Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt me akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, me vlerë transaksionesh më shumë se 1 milion euro.
Në “detyrim paraqitje” janë bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa dhe pesë biznesmenë, mes të cilëve, Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”, Gentian Sula i kompanisë “Agi Kons” dhe Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt”.
Nën hetim është dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila dyshohet për kryerjen e veprimeve aktive që pengojnë zbulimin e të vërtetës në rastin e çështjes penale në ngarkim të Veliajt dhe të proceduarve të tjerë.
Ndaj tyre SPAK ka ngritur disa akuza, ku sipas materialit të gjykatës, mësohet se janë fiksuar disa episode që implikojnë edhe kreun e Bashkisë së Tiranës.
- Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron e llogarive bankare të Ajola Xoxës
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimimin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, e cila kërkoi heqjen e masës së sekuestros për llogaritë e saj bankare.
Apelii GJKKO-së mori vendimin për të lënë në fuqi masën e sekuestros të vendosur nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK, në kuadër të hetimeve ndaj çiftit Veliaj.
Ndërkohë Ajola Xoxa mund të bëjë rekurs kundër këtij vendimi në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.
- Çfarë ndodhi dje në seancë?
Seanca e cila zgjati afro 3 orë, nisi me fjalën e avokatëve të Veliajt që thanë qëndrimin e tyre në lidhje me provat e reja që u paraqitën nga SPAK të martën, disa biseda të përgjuara gjatë kohës që Veliaj ndodhej në paraburgimin e Durrësit.
Avokati Artur Selmani deklaroi në gjykatë, se përgjimet telefonike ku Veliaj fliste me familjarët e tij nuk mund të merren si kërcënim apo intimidim për askënd, dhe nuk mund të përdoren për të rënduar pozitën e kryebashkiakut, i cili kërkon një masë më të butë sigurie, edhe përkundrejt garancisë pasurore. Avokati Artur Selmani i mëshoi faktit se nuk ka asnjë rrezik që në liri, Veliaj të prishë provat, të arratiset apo të intimidojë gjyqtarët.
Në të njëjtën linjë me avokatin ishte edhe vetë kryebashkiaku Veliaj, i cili tha në seancë se në përgjimet nuk ka asgjë sekrete, teksa kërkoi seancë të hapur për mediat.