Nga Ilir Kalemaj
Padyshim ngjarjet e ditëve të fundit kanë qenë të mbarsura me zhvillime të forta ndërkombëtare që nuk lënë indiferent askënd, madje dhe në këtë cep të Ballkanit ku rëndom prodhojmë më shumë histori se ç’konsumojmë.
Debati Trump-Vance-Zelensky në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë u bë viral dhe u ndoq nga më shumë se 150 milionë njerëz direkt dhe miliona të tjerë e panë në gjithë botën më pas, ashtu sikundër dhe deklaratat që pasuan, ku me përjashtim të liderit tonë global, thuajse gjithë pjesa tjetër e botës u përfshi.
Kjo për arsyen kryesore se ajo që zakonisht ndodh pas perdes, pra mosmarrëveshjet, mosdakordësitë etj., të cilat zakonisht mbështillen me një gjuhë të kujdesshme diplomatike kur palët dalin para kamerave, në rastin konkret ndodhi faqe të botës, pasi situata doli befas nga kontrolli.
Në fakt sekuenca e ngjarjeve qe e habitshme. Kjo për shkak se palët që në fillim duket se kishin interesa të kithëta edhe në lidhje me takimin, ndonëse normalisht paraprakisht duhet të ishin marrë vesh për çfarë lejohej të diskutohej para kamerave dhe të procedohej me nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet që qe dhe arsyeja e këtij takimi.
Në fakt ndodhi bash e kundërta. Zelensky e shfrytëzoi si një podium për t’i folur mediave amerikane dhe nëpërmjet tyre publikut amerikan një narrativë të mirëkopsitur me të cilën ai suksesshëm kishte marrë fonde dhe ndihma përgjatë tre vjetëve të fundit nga evropianët dhe amerikanët dhe njëkohësisht për të shigjetuar Vladimir Putinin me të cilin ai këmbëngulte që nuk mund të arrinte marrëveshje.
A ndodhi kjo për shkak të një plani të mirëmenduar, të parakonsultuar apo jo me ndonjë aleat evropian, apo për shkak të reagimit mbiemotiv, kjo nuk mund të thuhet me siguri.
Pak por e sigurtë, është e dukshmja për syrin e mprehtë, si për shembull fakti që Zelensky dukej aspak rehat, fliste shpejt, ndihej sikleti në gjuhën e trupit, ndërkohë që kombinonte falënderimet për poopullin amerikan dhe lutjen për vazhdimin e ndhmave me sulmin ndaj mikpritësit. Ky i fundit i kujtoi që ishte pikërisht presidenti Trump që në 2019 i kishte dhënë raketat Javelin, elementin kryesor të rezistencës anti-ruse, ndërkohë që administrata e paraardhësve demokratë (në të dy mandatet e Trump, pra Obama dhe Biden) më shumë i kishin dhënë përkrahje morale sesa materiale. Natyrisht duke e shoqëruar me ndërprerje të vazhdimit të diskutimit duke thënë që duhet të vinte sërish kur të ishte gati për paqe. Që me fjalë të tjera nënkupton pranim të poshtërimit dhe rikthim më i dobët në tavolinën e diskutimit (sikundër i këshillonte indirekt Mark Rutte- sekretari i përgjithshëm i NATO-s) Zelenskit, kur e këshillonte të gjente një mënyrë për t’u ‘pajtuar’ me presidentin amerikan.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik Starmer ndërmori një ofensivë të rëndësishme diplomatike menjëherë më pas ku mblodhi në Londër disa shtete të BE-së dhe NATOs përfshirë Turqinë dhe Kanadanë, si dhe sekretarin e NATOs Rutte për një bisedë me fokus pikërisht Ukrainën. E rëndësishme të nënvizohen si aspekte këtu shkurtimisht janë: një pritje simbolike e Zelenskit nga mbreti Carls III i cili i ka dërguar njëkohësisht dhe një ftesë presidentit Trump që e ka mirëpritur, duke shtuar shanset për një interlokutor të nivelit më të lartë, një marrëveshje britaniko-ukrainase për një hua 2.8 miliardë dollarë që nga Ukraina do të paguhet nga asetet e ngrira ruse (pra marrëveshje po biznesi sikundër ajo e sugjeruar nga amerikanët për mineralet e rralla), si dhe një plan britaniko-francez për të nxitur rezistencën e Ukrainës ndaj Rusisë që të shkojë në bisedimet për paqe në pozita më të favorshme. Por në fakt që duket se është krisur që ditën e parë sepse ndërsa presidenti francez Macron këmbëngul për një armëpushim 1-mujor, britanikët janë kundër.
Ndërkohë që presidenti Trump do të mbajë fjalën e përvitshme përballë Kongresit dhe pritet me kërshëri ajo që do të thotë edhe për optikën gjeopolitike dhe specifikisht referencat për Ukrainën, BE-në dhe NATO-n, disa deduksione mund t’i bëjmë shkurtimisht duke pasur parasysh disa postulate apo premisa.
Së pari, çdolloj konflikti modern ndër-shtetëror përfundon me paqe të negociuar nga një i tretë. Alternativat si fitore absolute e njërës palë janë vetëm teorike por nuk kanë zbatim praktik ndërsa armëpushimet janë vetëm zgjedhje e përkohshme. Së dyti, shtetet investohen vetëm për interesat e tyre kombëtare dhe jo për bamirësi.
Gjuha e presidentit Trump mund të duket më e ashpër kur flet për biznes si baza e negociatave të suksesshme, por është realiste dhe njeh raportin e forcave përkundër lidhjeve dogmatike dhe ideologjike.
Njëkohësisht çështja është përtej Ukrainës. Para së gjithash sikundër e kuptojnë të gjithë lojtarët e investuar në lojë është ‘elefanti në dhomë’, raporti SHBA-Kinë dhe si kjo do të përcaktojë shekullin e 21-të. Rivaliteti i tyre nga inteligjenca artificiale, aksesi në mineralet e rralla, gara për hapësirën dhe deri te ndarja e zonave të influencës në Azinë Juglindore dhe më gjerë do të jetë përcaktues dhe për pozicionimin e pjesës tjetër të botës.
Natyrisht pasja e një Rusie minimalisht neutrale i përshtatet interesit amerikan në një strategji që imiton atë të afrimit të Niksonit me Kinën e Mao Ce Dunit përgjatë luftës së ftohtë për të kufizuar Bashkimin Sovjetik në ambiciet e tij ekspansioniste.
Së fundmi, se si do të pozicionohet Bashkimi Evropian dhe cili do të jetë fati i tij. A do të kemi një BE më të fortë, më të konsoliduar politikisht, me politika më kohezive të mbrojtjes dhe sigurisë apo thjesht një apendiks të SHBA-së në këtë lëmë? A do të zhvillojë një ushtri të saj të pavarur apo kjo do t’i lihet NATO-s duke e fuqizuar edhe më tej këtë të fundit, por pa e zgjeruar më tej se kjo do të sillte konfrontim të pashmangshëm me Rusinë? Këto dhe të tjera janë pikëpyetjet e mëdha të cilat muajt në vijim do t’i qartësojnë disi, në varësi dhe të dinamikës së ngjarjeve.
Si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat që ka çelur negociatat për në BE, Shqipëria nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtyre zhvillimeve globale. Aq më pak e ka luksin Kosova, ku sferat e influencës janë duke u rindërtuar me shpejtësi dhe interesat e shteteve përshtaten me realitetet e reja gjeostrategjike.