• Kontakt
Sunday, May 11, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Legalizimi i banesave kthehet në gangrenë për shoqërinë shqiptare

16:18 : 19/02/2025
në AKTUALITET, KRYESORE, POLITIKE, SOCIALE

Kasem Agia u shpërngul në një shtëpi të vjetër në Selitë në vitin 1982, e shembi pas rënies së komunizmit dhe ndërtoi një të re, me shpresën për një jetë më të mirë. Në vitin 2006, ai aplikoi për legalizim, por që atëherë ka pritur, pa përgjigje dhe pa një zgjidhje në horizont.

“Kanë ardhur disa ‘patronazhistë’ që e kanë matur shtëpinë dhe nuk kanë kthyer përgjigje prej asaj kohe,” thotë ai për zyrtarët që kanë vizituar shtëpinë e tij dy vjet më parë. Procesi ende vazhdon, por Agia nuk ka asnjë informacion mbi ecurinë e tij. “Kam dëgjuar që paguajnë ndonjë lekë dhe i bëjnë ato letrat,” shton ai, “por unë lekë, ta di që nesër shembet shtëpia, nuk paguaj.”

Rasti i Kasemit nuk është i izoluar. Të dhënat e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një ankete online nga dhjetëra qytetarë të përfshirë në procesin e legalizimit ngrenë shqetësime për mungesë transparence nga institucionet.

Pengesat me dokumentacionin e nevojshëm në aplikim u konstatuan nga 61.2% e pjesëmarrësve (38), më së shumti për shkak të mungesës së informacionit të duhur për procesin, të tjerë për shkak të refuzimit të dokumenteve nga institucionet dhe vështirësive në marrjen e ndihmës ligjore.

Ndërkohë, ekspertët e pushtetit vendor theksojnë se procesi është politizuar dhe keqpërdorur për arsye elektorale.

Lexo edhe:

Probleme me pajisjen e identifikimit biometrik! Qytetarët nuk mund të votojnë në një QV në Tiranë

Një parkim sa një shtëpi, biznesi “i artë” në Tiranë

“Proces burokratik, i korruptuar dhe me prapavijë të qëllimshme për efekte elektorale,” shprehet Agron Haxhimali, kreu i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë.

“Më së shumti ka prodhuar efekte negative në urbanizim, përdorimin e tokës dhe sjelljen injoruese ndaj ligjit,” argumenton ai.

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje nisi zyrtarisht në vitin 2006 nga qeveria e Partisë Demokratike. Përballë zvarritjeve, kjo çështje u kthye në një nga kauzat kryesore elektorale të Partisë Socialiste, e cila fitoi zgjedhjet e vitit 2013 duke u zotuar ta përmbyllte procesin me kosto të ulëta për qytetarët.

Mirëpo, kur po bëhen 20 vite nga nisja, procesi i legalizimeve vijon të mos jetë mbyllur, duke lënë ende familje që çështjen e pronësisë e kanë të pazgjidhur.

Prej vitit 2023, procesi mund të kryhet vetëm online. Qeveria e ka argumentuar këtë me qëllim shmangien e korrupsionit apo burokracisë me dorëzimin e dokumenteve fizikisht. Por kjo ka kufizuar mundësitë, pasi jo gjithmonë qytetarët arrijnë të kryejnë aplikimin për shkak të problemeve teknike.

Zvarritja e procesit

Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), prej vitit 2006 deri në fund të vitit 2024 janë dhënë gjithsej 264,637 leje legalizimi. Numrin më të lartë e mban kryeqyteti, ku në pesë vitet e fundit janë dhënë 25,889 legalizime.

Ndryshe, në periudhën 2021-2024, u dhanë 347 vendime për moslegalizim në Tiranë dhe 656 në gjithë Shqipërinë.

“Streha, si një e drejtë njerëzore, duhej siguruar nga ana e shtetit, i cili nuk kishte mundur të kontrollonte zhvillimin e paqëndrueshëm të viteve 1990-2005,” shprehet Doriana Musai, arkitekte dhe planifikuese urbane, e cila shpjegon se legalizimi i ndërtimeve dhe zonave informale pati në objekt të tij stokun e banesave të ndërtuara përgjatë 15 viteve të para të tranzicionit politik dhe ekonomik.

“Në momentin e miratimit, stoku i ndërtesave ishte rreth 240 mijë, të cilat u evidentuan, skanuan dhe dokumentuan në pjesën më të madhe të tyre që në dy vitet e para,” shtoi ajo.

Prej vitit 1996, Viktor Çela banon në lagjen Spitallë të qytetit të Durrësit. Në një kohë kur shtëpia e familjes ishte në proces legalizimi, në vitin 2021, ai vendosi ta kalonte nga emri i babait në emrin e tij. Për shkak të mosnjohjes së procedurave, ai ia ngarkoi këtë detyrë një noteri.

“Në fillim kërkuan një deklaratë nga prindërit e mi që heqin dorë nga prona dhe ma kalojnë mua. I kam bërë këto të gjitha dhe i kam dorëzuar,” tregon Viktori.

Mirëpo, përveç një mesazhi në platformën e-Albania që tregon se aplikimi është bërë, ai nuk ka asnjë të dhënë tjetër mbi procesin.

“Noteri më tha që duhet të njohësh ndonjë ‘mik’, se aty ka për të ngelur kështu dosja jote. Se prek njeri me dorë,” shprehet skeptik Viktori për procesin.

Legalizimi, si trofe në fushatat elektorale

Në vitin 1999, prindërit e Kildës* blenë truall në zonën e vilave gjermane në Tiranë. Ata nisën të jetonin aty në vitin 2007, pasi mbaruan ndërtimin e shtëpisë. Dy vite më pas, aplikuan për legalizim.

“Kur ka nisur për herë të parë procesi, ka qenë ALUIZNI (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale) që do të bënte njohjen e ndërtimeve pa leje. Kanë nisur me fushatat e para që filluan masivisht në Tiranë,” kujton Kilda për Citizens.

Sipas Kildës, pas nisjes së procedurave, përfaqësues të ALUIZNI-t erdhën menjëherë për të kryer matjet.

“Janë dorëzuar foto, janë bërë matjet edhe nga ana jonë, është dorëzuar pjesa e pronësisë, certifikata për tokën që është blerë dhe çdo dokument tjetër,” shpjegon ajo.

Megjithatë, për të marrë legalizimin iu deshën plot 15 vite, dhe kjo falë zgjedhjeve që zhvilloheshin atë kohë.

“Legalizimi është marrë në janar të 2023-it. Në vit zgjedhor doli pronësia dhe u bë,” saktëson Kilda, ndërsa shpjegon se kjo vonesë erdhi si pasojë e humbjes së dosjes nga institucioni dhe udhëzimit për ta rinisur edhe njëherë aplikimin.

“Në momentin që vjen radha te emri i babait tim, arrijnë në konkluzionin që dosja ka humbur, duke iu kërkuar prindërve të mi të bëjnë riaplikim në vitin 2015,” tha ajo.

“Kur është marrë përsëri në trajtim në vitin 2017, iu është thënë që janë gjetur dy dosje; e gjetën edhe dosjen e parë dhe dilte në konflikt interesi, sepse për të njëjtën ndërtesë figuronin dy deklarime,” kujton Kilda.

Ajo nuk ngurron të tregojë se për të përshpejtuar procesin iu kërkua edhe ryshfet.

“Ka pasur shumë që na janë ofruar për ryshfet, që ‘Jua bëjmë ne me kaq para!’ Me sa di unë, janë sekserë, jo se ka dalë dikush nga zyra hapur. Babi im është shumë strikt për këtë pjesë, e ka thënë që kur t’i vijë radha, le t’i vijë, nuk më intereson.”

Familja e Kildës ishte pronare e truallit, çka u përshpejtoi procedurat për të marrë certifikatën e pronësisë pa kufizime.

Në raste të tjera, qytetarët që kanë ndërtuar mbi prona të të tjerëve, apo në prona publike, përfitojnë certifikata të kufizuara pronësie. Pa shlyer truallin, ata nuk mund ta gëzojnë ndërtesën si kapital për ta vënë si garanci bankare apo për ta shitur me çmimin e tregut.

Kjo i detyron ata të presin sërish. Procedurat e radhës janë ato të shpronësimit dhe shlyerjes së detyrimeve për truallin, të cilat, përveç angazhimit të sërishëm të ASHK-së për përllogaritjen e tyre, kanë nevojë edhe për një Vendim të Këshillit të Ministrave.

Për komunitetet vështirësia e dyfishtë

Alfred Avdiu, prej vitit 1992 jeton në një shtëpi me dy dhoma në zonën e Selitës. Ai bashkë me të tjerë banorë deri para pak kohësh tregtonin rroba të përdorura pranë shtëpisë së tyre, por me heqjen e tregut ai ndjen rrezikun e ndërtimeve të pallateve aty pari.

Vetë i gjashti në familje, ai rrëfen se e ka nisur procedurën e legalizimit në vitin 2014. Mirëpo, edhe pse është përpjekur të interesohet për fatin e shtëpisë, Alfredi tregon se është ndjerë i diskriminuar për shkak të përkatësisë së tij etnike.

“Kemi bredhur në çdo vend me letra, por askush nuk është interesuar. Kur shkojmë neve, s’na preferojnë fare. Na shohin dorë të zezë edhe na nxjerrin përjashta,” tregon Alfredi ndërsa mban në dorë dosjen me dokumente të shtëpisë së tij.

Shtëpia e Alfredit në Selitë

Njëjtë si Alfredi, vështirësi në proces kanë hasur edhe 15 qytetarë të tjerë që i përkasin komuniteti rom dhe egjiptian dhe i janë përgjigjur pyetësorit të Citizens.al.

Gentjan Sejrani, përfaqësues i organizatës “Drejtësi Sociale” që advokon për të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet shprehet se është shumë e vështirë legalizimi i objekteve informale të vetë-deklaruara nga anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian.

“Kjo ndodh për shkak të mungesës së infomacionint mbi procedurën, mbi pamundësinë për të takuar fizikisht punonjësit e ASHK-së si dhe diskriminimit,” argumenton Sejrani për Citizens.al

Në 10 vite pritje gjithçka ka marrë Alfredi kanë qenë premtimet e përfaqësuesve politikë.

“Do ju bëjmë letrat, do ju bëjmë këtë e atë. Po-po! Vijnë, mashtrime moj, mashtrime! Asnjë gjë nuk bëjnë,” thekson Alfredi.

Sipas Sejranit raste të tilla diskriminimi janë adresuar te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

“Kemi adresuar raste individuale te Komisioneri për familjet e zonës së Tregut Ushqimor, por ia dolëm që gjatë shqyrtimit ASHK të përfundonte procesin”.

Sipas përgjigjeve të marra nga qytetarët përmes pyetësorit të Citizens.al, për të ndihmuar komunitetet rome dhe egjiptiane në procesin e legalizimeve duhet që të ketë informacion më të qartë dhe të përhapur në gjuhën e tyre, ndihmë dhe mbështetje ligjore falas si dhe procedura më të thjeshtuara dhe më pak burokraci./ Erisa Kryeziu / citizens.al /

Etiketa: banesabanesatcertifikatatgangrenelegalizimipronashtepiTirane

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Probleme me pajisjen e identifikimit biometrik! Qytetarët nuk mund të votojnë në një QV në Tiranë

07:51 : 11/05/2025
Foto ilustruese
AKTUALITET

Një parkim sa një shtëpi, biznesi “i artë” në Tiranë

08:12 : 10/05/2025
AKTUALITET

VIDEO/ PS dhe PD mbyllin fushatën njëkohësisht në Tiranë, nisin mitingjet

19:34 : 09/05/2025
AKTUALITET

Fushëbetejat përcaktuese të 11 majit: Maxhoranca vendoset në Tiranë

17:41 : 09/05/2025
AKTUALITET

Drogë me postë nga SHBA, arrestohen 2 persona

09:52 : 08/05/2025
AKTUALITET

E moshuara me demencë i dhuron 7 prona vetëm njërës prej vajzave, nëprëmjet noteres Anila Haxhiu

22:11 : 07/05/2025
Para

Mesazhet e “fshehura” pas bisedimeve SHBA-Rusi, roli i BE dhe mungesa e Kinës

TË GJITHA

Fotografoi fletën e votimit dhe e publikoi në rrjete sociale, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë

13:59 : 11/05/2025

Vota e diasporës/ Ja sa zarfe kanë mbërritur në çdo qark

13:54 : 11/05/2025

Kandidati socialist godet komisionerin e PS në Maqellarë të Dibrës

13:50 : 11/05/2025

Voton Endri Shabani, mesazhi për qytetarët: Sot është dita që vendos të ardhmen e vendit

13:49 : 11/05/2025

Tjetër rast i fotografimit të votës, ndërpritet procesi zgjedhor në Librazhd

13:46 : 11/05/2025

Veliaj refuzon të votojë! Beqaj, Çyrbja dhe Bllako në të njëjtën “mendje”: Nuk duam para kamerave

13:42 : 11/05/2025

Fier/ Sekretari i QV-së merr me vete vulën, bllokohet procesi i votimit: Ka parregullsi

13:41 : 11/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com