Në Shënjestër
Por kush janë disa nga biznesmenët të cilët sipas SPAK i kishin lidhur ngushtësisht interesat me kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe fondet publike që ky i fundit dyshohet se ua shpërndante si një formë dorovitje?
Fonde publike të cilat pasi dilnin nga arka e Bashkisë Tiranë kalonin nëpër disa duar subjektesh tregtare apo OJF-sh të lidhura me bashkëshorten e Veliaj, Ajola Xoxa dhe përfundonin në formën e përfitimeve të parregullta te vetë çifti i bashkëshortëve, si qytetarët nr 1 të kryeqytetit.
Një nga këta biznesmenë i cili është edhe Gentjan Sula.
I njohur si pronar i kompanisë së ndërtimit ‘Agi Kons’.
Lidhja e të cilit me Veliaj sipas SPAK, fillon që në momentin kur kryebashkiaku i sotëm mbulonte detyrën e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale.
Koha kur Veliaj blen një banesë në bllokun rezidencial Kodra e Diellit në Tiranë. Bllok banimi që është në pronësi të Gentian Sulës.
Ku fill pas këtij momenti, z. Veliaj, siç thamë në detyrën e Ministrit të Punës, emëron si zv/ministre bashkëshorten e biznesmenit Gentjan Sula.
Marrëdhënie sipas SPAK e cila është e pandarë edhe në vazhdim.
Edhe gjatë kohës kur Veliaj zgjidhet si kryetar i Bashkisë Tiranë.
Koha kur shoqëria ‘Agi Kons’ me pronar Gentian Sulën fillon dhe fiton leje të pafundme ndërtimi.
Leje të cilat sipas SPAK, i kthehen në shpërblim Z. Veliaj në formën e vilave në bregdet.
Aktualisht shtetasi Erion Veliaj posedon 3 vila në fshatin rezidencial Qerret në Kavajë të ndërtuara nga shoqëria ‘Agi Kons’ në pronësi të biznesmenit Gentian Sula.
Një nga vilat posedohet nga vëllai i tij, një vilë e ka vetë z. Veliaj dhe një të tretë e ka shembur për të krijuar hapësira shtesë.
Sipas SPAK shkuarja te këto vila dhe lidhjet e çiftit Veliaj-Xoxa, me biznesmenin Gentian Sula kanë ardhur pas denonncimit të bërë nga shtetasi me emrin Nesti Angoni.
Emri i të cilit duket një krijim fiction i vetë SPAK, për të ruajtur të paprekur identitetin e tij.
Ai i cili ka treguar edhe fakte të tjera rreth Erion Veliaj dhe lëvizjeve që kanë kryer familjarë të tij të ngushtë.
Fakte të cilat janë çmuar si kompromentuese për një zyrtar publik. Por këto mesa duket nuk kanë qenë të vetmet gjurmë të bashkëpunimit midis Veliaj dhe pronarit të kompanisë së ndërtimit ‘Agi Kons’, Gentian Sula.
Pasi përgjatë gjithë komunikimit të tyre klientelist, Erion Veliaj shikohet të lëvizë shpesh jashtë Shqipërisë me biznesmenin.
Gjë që është verifikuar edhe nga gjurmimi në sistemin TIMS.
Miqësi e cila duket se daton që nga koha kur Veliaj ishte drejtues i organizatës ‘Mjaft’ dhe deri në ditët e sotme.
Nga sistemi TIMS ka rezultuar se më datë 13 gusht 2004 në orën 16:46 Erion Veliaj ka udhëtuar me linjë charter.
Të njëjtën ditë ka udhëtuar me charter dhe Gentian Sula.
Më datë 4 gusht 2006 Erion Veliaj ka udhëtuar me Gentjan Sulën në të njëjtën linjë udhëtimi me charter. Matë 15 gusht 2017, Erion Veliaj ka udhëtuar me Gentian Sulën me linjën ‘Turkish Airlines’ nga Rinasi në Stamboll.
Kjo lidhje klienteliste midis Gentian Sulës dhe Erion Veliaj si zyrtar publik sipas SPAK është shoqëruar edhe me tenderë të shumtë të cilët kanë shkuar në favor të kompanisë së ndërtimit në pronësi të biznesmenit. I cili gjatë kohe ka fituar tenderë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit.
Si në infrastrukturën arsimore deri te punët publike, që përkthehen në miliona euro fonde të tenderuara nga Bashkia Tiranë.
Dosja e SPAK: Ja si “Fusha Shpk” me aksioner Shkëlqim Fushën përfitoi leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë në kohë të ndryshme
Një tjetër biznesmen për të cilin SPAK ka vendosur masën detyrim paraqitje është edhe Shkëlqim Fusha. Pronar i kompanisë së ndërtimit ‘Fusha Shpk’. Edhe kjo një kompani e lidhur ngushtësisht me punët publike gjatë periudhës së drejtimit të bashkisë përgjatë tri mandateve nga Erion Veliaj.
Madje për biznesmenin Fusha u tentua të bëhej dhe një ligj klienelist për të për t’i falur tokë tek Teatri Kombëtar, ndërtesë u rrafshua pavarësisht kundërshtimit të aktorëve. Veliaj sipas SPAK ka firmosur një leje ndërtimi në fshatin Yrshek të Tiranës, që do të ndërtohej nga kompania ‘Fusha Shpk’ e biznesmenit SHkëlqim Fusha. Por ku edhe këtu del në skenë një nga OJF-të e ngritura nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e z. Veliaj.
E cila nëpërmjet kësaj OJF-je, kryen transaksione të çuditshme bankare, të cilat SPAK thotë se janë përfitime të ardhura nga klientelizmi i bashkëshortit të saj me administratorin e kompanisë ‘Fusha’ SHPK.
Nga aktet e administruara pranë Bashkisë Tiranë, rezulton e provuar se ‘Fusha’ Shpk, me aksioner biznesmenin Shkëlqim Fusha ka përfituar leje ndërtimi nga kjo bashki në kohë të ndryshme. Në një nga këto raste Erion Veliaj ka firmosur leje për një shtëpi në Yrshek që do ta ndërtonte kompania ‘Fusha’ shpk.
Pas marrjes se lejes, kompania ‘Fusha’ shpk, kalon një shumë të konsiderueshme parash në llogarinë e dy avokateve, lidhje të afërta të Ajola Xoxës dhe ata e kalojnë gjysmën e parave në llogarinë e ‘Harabel’.
Po sipas SPAK një pjesë e konsiderueshme e financimeve të kryera për qendrën ‘Harabel’ që siç thamë zotërohet nga Ajola Xoxa, kryesisht sponsorizime nga subjekte të cilët lidhen në një formë apo me një tjetër me bashkinë e Tiranës, përdoren për pagesat e qirave të Ajola Xoxes.
Po kështu edhe si likujdime të faturave për shërbime të kryera nga shoqëritë e familjarëve të saj.
Por këto mesa duket nuk janë të vetmit biznesmenë me të cilët çifti Veliaj-Xoxa, ka bashkëpunuar në këto afera korruptive.
Gjë të cilën e kanë bërë po nëpërmjet OJF-ve të ngritura nga zonja Xoxa.
Siç janë edhe rastet e disa kompanive të tjera ndërtimit.
Shoqëria ‘NAN Gallery’ ka rezultuar se financohet nga kompani dhe individë të cilët kanë marrë fonde të drejtpërdrejta ose në mënyrë të tërthortë nga Bashkia e Tiranës.
Dy OJF të tjera të ngritura dhe të kontrolluara po nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, janë edhe ‘Nan Gallery’ dhe ‘Muza’.
Ku edhe këtu sipas SPAK, paratë e disa aktiviteteve kulturore thuhet se janë siguruar nga fondet publike të Bashkisë Tiranë.
Që kanë shkuar nëpërmjet firmës së titullarit të saj zotit Veliaj, në xhepat e bashkëshortes së këtij të fundit, Ajola Xoxa.
‘Nan Gallery’ e kontrolluar nga Ajola Xoxa financohet nga një OJF e quajtur ‘Frobolous’ e cila ka organizuar nje event me fondet publike të financuara prej Bashkisë Tiranë, konkretisht nga Ergys Krisiko, person i afërt i Ajola Xoxës dhe Qendrës ‘Harabel’.
Qendra ‘Muza’ e themeluar nga Erald Simixhiu familjar i Ajola Xoxës, por që kontrollohet nga kjo e fundit, ka organizuar një event, fondet për të cilin janë siguruar nga Bashkia Tiranë.
Më pas këto fonde janë shpërndarë te Linda Kazani, familjare e Ajola Xoxës dhe te shoqëria tregtare ‘Arts LAB’ në pronësi të Erald Simixhiut, por që është në pronësi faktike të Ajola Xoxës.
Kjo lidhje zinxhir mesa duket vazhdon edhe me shoqëritë e tjera në pronësi të Ajola Xoxës.
Siç është ajo ligjore ‘Partner Laë’, po në pronësi të bashkëshortes së kryebashkiakut.
Shoqëri e cila del se ka kryer pagesa për shtetasen Adela Kondakçiu për shërbime si ekonomiste, për shoqëri që në fakt janë të lidhura me vetë Ajola Xoxan.
OJF FROBOLOUS ka kryer një aktivitet dhe fondet për eventin janë siguruar nga Bashkia e Tiranës.
Më pas këto fonde janë shpërndarë te kompanitë në pronësi të familjarëve dhe të afërmve të Ajola Xoxës.
Biznesmeni Sokol Kryeziu, nga fshesar te Drejtoria e gjelbërimit, në milioner
Por interesante në të gjithë këtë histori është kompania e ndërtimit Gerard-A, në pronësi të shtetasit Sokol Kryeziu.
I cili më herët del se ka punuar si faturino në këtë kompani, më pas si kontrollor deri në momentin që e bleu këtë shoqëri për 33.4 mln lekë.
Kryeziu që nga viti 2017-2018 del se ka punuar si fshesar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim-Gjelbërimit dhe në vijim si punëtor ngarkim-shkarkimi në shoqërinë ‘Alb TECH PLAST.
Dhe më vonë si drejtor në shoqërinë ‘Green Line’.
Dosja Hetimore
Shoqëria ‘Gerard-A’ në vitet 2018-2023 ka fituar 20 procedura tenderimi nga Autoriteti Kontraktor i UKT; Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit apo drejtoria Nr.2 e punëtorëve të qytetit.
Sokol Kryeziu gjatë periudhës Dhjetor 2023- Janar 2024, ku rezulton të jetë pronar i GERARD-A ka blerë disa piktura në Galerinë ‘NAN’ e kontrolluar nga Ajola Xoxa. Blerje të cilat shkojnë në vlerën e 5 milionë lekëve.
Por gjatë kësaj kohe SPAK ka analizuar dhe financimet e Bashkisë së Tiranës, lidhur mbi evente të ndryshme.
Para të cilat thuhet se janë përfituar nga shoqëri apo OJF në pronësi të Ajola Xoxës.
Nga një përllogaritje e afërt bazuar në fondet publike, faturat fiktive dhe shoqëritë e lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me bashkinë Tiranë, përfitimet përmes shoqërisë ‘Partners Laë’, ‘Arts Lab’, ‘Ava Studio’, ‘Byl-A’, ‘Harabel’, ‘Nan Gallery’, ‘Eventus’ dhe ‘Muza’ kapin shifrën e rreth 110 milionë lekë.
Ku nga hetimet rezulton se ka lëvizje parash brenda rrethit të ngushtë familjar të Erion Veliaj.
Si dhe janë disa faturime që Ajola Xoxa i bën kompanisë së kunatit të saj, Arbër Veliaj.
Ku në një rast mes shumë të tjerash, për kryerjen e konsulencës ligjore, Ajola Xoxa i faturon kompanisë ‘Gogël’ në pronësi të kunatit të saj, shumën prej 8 mijë eurosh.
Një bisedë me po kaq interes për grupin hetues është edhe ajo midis Adela Kondakçiut që ka shërbyer si financiere e Ajola Xoxës.
E cila në një moment i kujton kësaj të fundit që ‘Harabel’ nuk duhet të dalë me fitim, për shkak se ligji nuk e lejon.
Ndaj paratë duhet të shpërndahen tek persona të tjerë, përfshirë familjarë, shoqëri të ndryshme, apo edhe persona të lidhur ngushtë me të.
Si kompanitë e biznesmenit Elman Abule dhe bashkëshortes së tij Marisa Nito firmosën fatura fiktive
Këtu ku del në pah edhe shoqëria e Veliajt dhe bashkëshortes së tij me biznesmenit Elman Abule.
Kompanitë e të cilit kanë qarkulluar para në llogari të shoqërive të Ajola Xoxës.
Hetimi ka zbuluar se edhe kompanitë e biznesmenit Elman Abule dhe bashkëshortes së tij, Marisa Nito, kanë firmosur fatura fiktive dhe qarkulluar para në llogaritë e kompanive të Ajola Xoxës apo atyre që kontrollohen de fakto prej saj.
Abule i cili ishte edhe një nga të pyeturit nga SPAK, banesa e të cilit ishte subjekt i kontrollit ashtu si edhe kompania e tij ‘RAMETAL’.
Biznesmeni që prej kohësh po hetohet nga prokuroria e Tiranës për pastrim parash.
Dhe që siç thamë rezulton njohje e ngushtë e Veliaj.
Ashtu si edhe bashkëshortja e z. Veliaj, Ajola Xoxa e cila ruan po kështu një miqësi të ngushtë me bashkëshorten e bizsnesmenit Abule, Marisa Nito.
Ku në total shoqëritë e kontrolluara nga Ajola Xoxa kanë përfituar në tri vite nga shoqëritë e kontrolluara nga Elman Abule shumën prej 281 mijë euro.
Shërbime të ofruara këto si pagesë për konsulencë ligjore.
Biznesmeni Meriman Palushi përfitoi leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë, financoi dy OJF
Kompania e të cilit ka sponsprizar edhe OJF-në ‘Byl-A’ në pronësi të Ajola Xoxës, për organizimin e dy festivaleve të ICDF (Internacional Contemporaneo Dance Festival).
Meriman Palushi i kompanisë ‘Palushi’ që ka përfituar leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, rezukton se
ka financuar dy OJF e kontrolluara nga Alola Xoxa, konkretisht ‘Qendra Eventus’ dhe ‘BYL-A’ në shumën e 50 mijë eurove.
Financime ku bëhet fjalë për festivale artistike.
Por ndërkohë që SPAK ka sekuestruar disa nga pasuritë që dyshohet se janë në pronësi të Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, po ky organ thotë se ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e një llogarie bankare me vlerë 869 mijë euro.
Llogari e cila del të jetë në emër të Ajola Xoxës.
Dosja Hetimore
Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare në emër të shtetasës Ajola Xoxa dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869 mijë eurosh.
Gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të studios ligjore ‘Partnes Laë’ shpk, administruar nga Ajola Xoxa, që është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe një sasi të hollash, prej 95 350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14 900 USD dhe 665 000 lekë.
Por krahas biznesmenëve të dyshuar si të lidhur me Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, SPAK ka marrë në hetim edhe deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, Klotilda Bushka.
Për veprime që thotë se kanë penguar hetimin për kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj.
Sipas SPAK, Bushka ka intimiduar dëshmitarët që ishin thirrur nga SPAK.
Klotilda Bushka ka marrë kontakte me Ina Goxhaj ish-drejtoreshë ekzekutive e Qendrës ‘Byl-A’, pasi kjo e fundit është thirrur në SPAK.
Ajo e ka thirrur zonjën Goxhaj në shtëpinë e prindërve të saj dhe e ka urdhëruar të mohonte gjithçka gjatë marrjes në pyetje nga SPAK.
Herën e dytë zonja Bushka e ka takuar Ina Goxhajn në një studio avokatie dhe i ka thënë që gjërat duhet të mohoheshin në mënyrë kategorike.
Shqetësimi tjetër i Klotilda Bushkës ishte të mos mësohej se adresa e BYL-A ishte shtëpia e saj.
Skandali është thelluar edhe më tek kur Ajola Xoxa ka i ka marrë Goxhajt telefonin e saj dhe pasi i ka kontrolluar bisedat i ka dhënë një telefon të ri.
Siç del në dosje Ajola Xoxa avokatët e saj dhe Klotilda Bushka morën vendimin që Ina Goxhaj të mos paraqitej në SPAK. Ndërsa vetë Goxhaj theksoi se avokatët ishin të shqetësuar pasi në prokurori ishte paraqitur Adela Kondakçiu.
Klotilda Bushka sipas saj i ka thënë se nuk duhet të përmendej emri i Ajolës dhe as të tregonte se si kishin funksionuar.
Ina Goxhaj thotë se i kanë bërë presion gjatë takimit duke i thënë që në momentin që Ajola do të shkonte në deklarim ajo do ta merrte vesh se çfarë kishte thënë Ina.
Sepse informacioni do të rridhte, pasi ata kishin njerëz brenda prokurorisë dhe se do të njiheshin me deklarimin e saj.
Por po kështu del që Ajola Xoxa ka orientuar punonjësit sesi te deklaronin në SPAK.
Duke iu thënë të jenë konçiz dhe ndërkohë të hiqen sikur nuk mbajnë mend asgjë.
Këtë fakt e dëshmon edhe truri financiar i kompanive të saj, Adela Kondakçiu.
Por pikërisht njerëzit që bashkëshortja e kryebashkiakut i konsideronte të besuarit e saj, duket se janë edhe dëshmia më e fortë kundër saj dhe Erjon Veliajt, politikanit të rëndësishëm që hyri në klasën politike duke denoncuar korrupsionin ndërsa po e mbyll karrierën si i dyshuar po për korrupsion.
Veliaj që ka zgjedhur para hetuesve të ngrejë duart lart dhe të thotë se nuk ka dijeni për aktivitetet e gruas, por faktet flasin që kryebashkiaku ka patur dijeni pasi prokurorët thonë se ai vetë reklamonte punët e Ajolës, që financoheshin hera-herës nga Bashkia, por edhe institucionet e tjera.
Por kërcënime ndaj prokurorëve të SPAK dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duket se ka lëshuar edhe vetë Kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ndërkohë që Gjykata e konsideron Erjon Veliajn si një personazh me njohje të shumta, për shkak të lidhjeve të shtuara dhe me ndikim mjaft të fortë, që burojnë nga detyra që ai ka ushtruar si kryebashkiak i Tiranës.
Shtetasi nën hetim Erjon Veliaj dërgon mesazhe me natyrë të fortë intimiduese në drejtim të hetuesve të BKH-së, të cilëve u kërkon hapur të ndalojnë thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime. Si dhe pranisë se një vartësve të kryetarit të Bashkisë gjatë takimeve të zhvilluara nga bashkëshortja e këtij të fundit me personat e thirrur nga SPAK.
Po kështu provohet që Erjon Veliaj të ketë dërguar mesazhe të shkruara në adresë të hetuesve të Byrosë Kombetare të Hetimit.
Mesazhe këto që duket se kanë synim të intimidojnë këta zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Çka mund të imagjinohet lehtë më pas sesi ky shtetas mund të sillet me dëshmitarët potencialë në këtë proces.
Por a është ky fundi i yllit të Erion Veliaj?
Një yll që u ngjit shpejt lart si drejtues i ‘Mjaft’, si një i ri premttues në një politikë ndryshe, por që tani po njeh fundin e tij, me akuza të cilat nëse do provohen mund të jenë finishi edhe i vetë karrierës së tij si politikan.
Kompania ‘Kontakt Shpk’ e Fatmir Bektashit pagoi bileta udhëtimi për në Holandë për çiftin Veliaj, porositi një suitë për ta
Por po kështu del se përfitime të ndërsjellta janë shkëmbyer edhe midis kompanisë së ndërtimit ‘Kontakt’ shpk e biznesmenit Fatmir Bektashi, dhe çiftit Veliaj-Xoxa,
Nga ku del se biznesmeni Bektashi që del edhe në aferën e dosjes Partizani, ku është I pandehur dhe ish-kryeministri Sali Berisha, jo vetëm ka paguar bileta udhëtimi për bashkëshortët, por edhe u ka paguar atyre suitë me çmime të kushtueshme në hotelet më prestigjozë në Hollandë.
Dosja Hetimore
Kompania ‘Kontakt’ shpk e Fatmir Bektashit ka porositur prerjen e biletave për çiftin Veliaj- Xoxa për në Roterdam Holandë dhe ka porositur një dhomë, double suite, ekskluzive në hotel ‘Marriot’ ku kanë qëndruar bashkëshortët.
Ku çmimi i biletave është 2688 euro, ndërsa suita me vlerë 677 euro.
Po kështu Veliaj del se më 3 dhjetor 2016 ka udhëtuar në të njëjtën linjë me Fatmir Bektashin.