Diskutimet në Kuvendin e Shqipërisë shoqërohen nga një frymë jo e qëndrueshme, mes debatesh dhe trysnish të vazhdueshme politike. Në vitin që lamë pas, opozita dhe mazhoranca u përplasën disa herë, ku nuk munguan protestat e dhunshme apo dhe përjashtimet e deputetëve nga seancat plenare.
E gjithë kjo frymë ndikon në debatin konstruktiv në parlament duke lënë pas çështje të rëndësishme që prekin qytetarët.
Por, mes gjithë kësaj dinamike të trazuar, një pjesë e konsiderueshme e deputetëve nuk u angazhuan asnjëherë për të folur, diskutuar apo çuar përpara nisma ligjore, duke thelluar më tej krizën e përfaqësimit.
Një raport i Institutit të Studimeve Politike (ISP), tregon se qeveria vijoi të ishte burimi kryesor i nismave ligjore.
Edhe pse Këshilli i Ministrave ka nisur të përdorë depuetetët për të çuar përpara nismat e saj, pasi ka rritje të vogël të nismave prej deputetëve (mbi 23-25%), një pjesë e tyre janë nisma “de facto” të qeverisë. Pjesa më e madhe e tyre janë nisma për çështje politike ditore, pa ndikim pozitiv në nevojat për reforma apo mirëqeverisje.
“Deputetët e heshtur”
Raporti i ISP-së në bazë të një monitorimi, ka nxjerrë në pah deputetët që janë angazhuar më pak ose aspak në aktivitetin parlamentar si përfaqësues të qytetarëve.
Një listë me 23 deputetë, të cilën e kryesojnë “pothuajse të njëjtët deputetë si edhe në sesionet e kaluara parlamentare, kryesisht deputetë-biznesmenë që sigurojnë mandate personale në zona të ndryshme, deputetët e Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe deputetë të tjerë me të dhëna specifike, përfshirë edhe figura të njohura politike që vijojnë të injorojnë detyrimet dhe përgjegjësitë parlamentare”.
Lista me deputetët me “0” angazhime në Kuvend, komisione dhe/ose seanca.
Nga të dhënat monitoruese për periudhën kohore Janar-Gusht 2024, rezulton se 6 deputetë nuk kanë “lënë gjurmë” në sesionin e fundit parlamentar pasi nuk kanë pasur asnjë angazhim as në komisione dhe as në seancat plenare.
Ata janë socialistët Agron Çela, Niko Kuri, Shkëlqim Bullari dhe Tatiana Piro si dhe socialdemokratët Gertjan Deda dhe Gledis Celiku. Të tjerët (17 deputetë) nuk kanë pasur angazhimë në komisione ose në seanca.
“Nuk është vetëm çështje statistikore (0 fjalime), por është shumë më komplekse, ata nuk kanë iniciuar asgjë, nuk kanë bërë asnjë propozim, nuk kanë folur për asgjë dhe nuk kanë ushtruar kështu pjesën më të madhe të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore parlamentare”, thekson raporti.
Drejtuesi i ISP, Afrim Krasniqi, analizon se ndër faktorët që ndikojnë tek performanaca e ulët e deputetqëve është sistemi zgjedhor.
“Një numër deputetësh nuk janë produkt i meritës dhe i votës direkte qytetare, por janë produkt i emërimit të partive politike apo i zgjedhjes përmes formave klientesliste”, tha për Citizens Krasniqi. “Kështu që ata nuk ndiejnë ndonjë presion nga qytetarët për t’i pëtfaqësuar”.
Krasniqi shton se këta deputetë, sidomos ata që vijnë nga bota e biznesit, nuk e konsiderojnë si deytrim publik angazhimin, por e përdorin për përfitime politike ose ekonomike.
Në faqen e Kuvendit gjendet një listë me emrat e deputetëve dhe emailet e tyre zyrtare. Citizens kontaktoi 23 deputetët me efikasitetin më të ulët dhe “0 angazhim”, për të ditur arsyet.
Por, një pjesë e tyre kanë adresa të pasakta në faqen e Kuvendit. Emaili nuk arriti të dërgohej për këtë arsye tek deputetët: Agron Çela, Mesila Doda, Luljeta Bozo, Anduel Tahiraj dhe Meri Markiçi.
Vetëm një deputet iu përgjigj kërkesës për koment, deputeti Seladin Jakupllari, i cili argumentoi se mungesa e angazhimit të tij vjen pasi është “i zhgënjyer nga politika”.
ISP ka renditur nivelet e pagave të deputetëve nga ku rezulton se ata që përfaqësojnë qarqet e largëta kanë përfitimet më të mëdha financiare, dhe se në listën e deputetëve më të paguar bëjnë pjesë disa prej atyre që nuk kanë pasur thuajse asnjë produkt parlamentar (nismë ligjore, propozim, interpelancë, apo pjesëmarrje aktive në komisione ose në seancat plenare).
Për shembull deputeti Anduel Tahiraj, i cili ka vendosur dhe një email të pasaktë në faqen e Kuvendit, ka një nivel të ardhurash për muajt Janar-Gusht 2024, prej 3,031,497 lekësh (rreth 30 mijë euro).
Meri Merkiçi me “0 angazhim”, e cila po ashtu nuk u arrit të kontaktohej pasi ka një email të pasaktë, rezulton tek deputetët më të paguar, me nivel të ardhurash 3,014,496 lekë (rreth 30 mijë euro).
Qarqet që përfaqësojnë deputetë e heshtur janë: Shkodra, Tirana, Korça, Vlora, Fieri, Durrësi, Lushnja dhe Elbasani. Shtatë deputetë nga lista i përkasin qarkut Shkodër, duke u ndjekur më pas nga Tirana me 5 deputetë.
Ndikimi që ka mungesa e angazhimit të deputetëve, reflektohet si në raportin e ISP, por po ashtu edhe në raporte ndërkombëtare.
Krasniqi shprehet se “ka rënë cilësia e jetës parlamentare dhe legjsilaturat e fundit janë në një krizë të thellë përfaqësimi, dhe krizë të thellë të standardit paralementar”.
“Kjo lidhet me mënyrën se si janë hartuar ligjet, si diskutohen , me propozimet dhe me dobësimin e konceptit të parlamentarizmit në Shqipëri”, thotë më tej ai.
Sipas drejtuesit të ISP, mungesa e angazhimit parlamentar i bën ligjet më të dobëta, debatin parlamentar më të dobët, dhe nuk reflektohet fryma e një parlamenti që do të hyjë në Bashkimin Evropian.
Krasniqi e sheh problemin e mosangazhimit të tyre më të gjerë dhe thotë se ai lind në parti dhe jo në parlament.
“Grupet parlamentare të mëdha kanë rregullore të brendshme se sipas së cilës cdo fund sezoni bëhet vlerësimi i punës së deputetëve, asnjëra palë nuk e ka bërë deri tani”, tha Krasniqi.
Ai sjell në vëmendje një deklaratë të Kryeminsitrit Rama në një takim online me platformën “Deputeti që duam”, ku ka folur për mungesën e angazhimit të këtyre deputetëvë.
Rama tha se ka deputetë që nuk lënë gjurmë parlamentare e nuk janë aktivë, por ata janë shumë aktivë në zonë dhe mbajnë lidhje me telefon dhe kjo është e mjaftueshme.
Për Krasniqin kjo do të thotë të ulësh standardin që kërkohet për një deputet, “ta deformosh konceptin e parlamentarzimit, dhe të shkosh te deputeti klientelist, i cili kontrollon zonën, ruan interesat atje”.
Andaj ka një mungesë kulture parlamentarizmi, që nuk është e lokalizuar tek disa emra, por është një frymë që vjen nga krytari i partisë e përhapet në të gjithë hallkat.
“Fryma e angazhimit vjen nga lart”
Por deputetët nuk janë të vetmit që kanë shmangur detyrën e tyre, me mungesën e angazhimit.
Por një studim tjetër i Institutit të Studimeve Politike (ISP) zuloi se kryeministri mungoi në 37% të mbledhjeve dhe vendimeve të qeverisë për periudhën t 2013-2024.
Neni 102 i Kushtetutës përcakton se “Kryeministri përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij”, por sipas monitorimit të ISP në çdo tre mbledhje, qeveria është mbledhur pa praninë e Kryeministrit Rama.
Monitorimi ka zbuluar se kjo është një prirje jo e izoluar, pasi ka pasur edhe ministra që kanë ndjekur të njëjtin shembull.
“Tendenca për t’i ikur përgjegjësisë dhe për të deleguar kompetencat thelbësore që lidhen me thelbin e funksionit, përbën devijim nga integriteti i funksionit dhe mandati ligjor dhe politik”, thuhet në raport.
Monitorimi i shtrirë në 11 vite, ka marrë në analizë 534 mbledhje të qeverisë, nga të cilat 37% e mbledhjeve janë drejtuar nga zv/kryeministrat në mungesë të Ramës. Gjatë kësaj periudhe ka pasur 5 zëvendëskryeministra: Niko Peleshi (2013-2017); Senida Mesi (2017-2019); Erion Braçe (2019-2021); Arben Ahmetaj (2021-2022); Belinda Balluku (2022-2025).
Një gjetje me interes në raport është se Kryeministria nuk ka publikuar asnjëherë pamje nga mbledhja e qeverisë pa Kryeministrin, “ndaj supozohet se në tërësi kemi të bëjmë më shumë me mbledhje online ose qarkulluese sesa me mbledhje standarde të Këshillit të Ministrave”.
Monitorimi tregon se fillimisht në vitin 2013 kur mori pushtetin, Kryeministri Rama drejtonte vetë mbledhjet në 94% të rasteve. Kjo shifër ndër vite ka ardhur duke u ulur, 84% (2014) 34% (2021), 41% (2022) dhe 47% (2023).
Në periudha kur ka pasur zgjedhje, janë mbajtur më pak mbledhje qeverie dhe ato janë drejtuar më pak nga kryeministri.
Nga të dhënat rezulton se në disa muaj nuk ka pasur asnjë mbledhje të drejtuar nga Kryeministri, (2017, 2020, 2021, 2022).
Raporti i ISP nënvizon se rënia e pjesëmarrjes në mbledhje është shoqëruar edhe me rritjen e vendimmarrjeve të kritikuara për klientelizëm dhe ndikime në favor të palëve informale, apo të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nisma e akte që “jo vetëm nuk kanë qenë pjesë e programit politik të qeverisë, por vijnë ndesh me parimet themelore të tij”.
Nga analiza e ISP rezulton se shumica e akteve të tilla janë marrë nga mbledhjet e drejtuara nga zv/kryeministrat.
Pyetjes nësë është apo jo kjo një formë e largimit nga përgjegjësia, raporti i përgjigjet duke thënë se “në kuptimin ligjor përgjegjësia e Kryeministrit mbetet e njëjtë, si me pjesëmarrje ashtu edhe me delegim”. Por ajo që theksohet më tej është se aktet finale janë produkt i një procesi të gjatë komunikimi dhe vendimmarrje të strukturave më poshtë, përfshirë ministrat e linjës.
Në rastin e inceneratorëve u morën 17 vendime brenda 24 orëve, fuqi urdhëruese dhe zbatuese që mund ta ketë vetëm një person, Kryeministri.
Mungesën e pjesëmarrjes së tij dhe përgjegjësisë, Kryeministri Rama e ka dëshmuar me një deklaratë në rastin e skandalit të inceneratorit, kjo vihet në dukje edhe në raport.
“Të kuptoni si funksionon qeveria dhe çfarë bën Kryeministri. Çfarë firmos kryeministri?! Kryeministri është në tavolinë… firmat e mia, e di si vihen?! Vijnë dosjet të gjitha, njëra pas tjetrës, dhe unë firmos me radhë,” tha Rama.
“Nëse deklarata përputhet me të vërtetën do të ishte shqetësuese”, thuhet në raportin e i ISP-së.
Kjo pasi përtej të dhënave statistikore që dëshmojnë mungesë të Kryeministrit, diskutimi mbi drejtimin e qeverisë dhe vendimmarrjen e saj lidhet edhe me shqetësimin sesi në mungesë Kryeministri arrin të konceptojë dhe paraqesë drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe të përgjigjet për to./
Arbjona Çibuku / Citizens.al /