Në fund të vitit 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesit e tenderit “Projektim Rikualifikim i Unazës Lindore, per Lotet 4,5,6.”, që u fitua nga kompanitë “KLODIODA & A.L.T.E.A. – GEOSTUDIO 2000” me vlerë 282 mijë euro.
Por përfituesit e tenderave për ndërtimin e akseve 4,5,6 të Unazës së Jashtme të organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar janë shpallur dhe lidhur kontratat në fund të vitit 2021.
Përkatësisht fituesit janë “EUROTEOREMA PEQIN shpk – “PE-VLA-KU” sh.p.k – “NOVA Construction 2012” shpk”, “ G.P.G. COMPANY” – ”SENKA” shpk, “ALKO-IMPEX General Construcion – 2 T”. Por të tre tenderat janë shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania pasi ka indicie për korrupsion dhe favorizim të fituesit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Pyetja që ngrihet është: Si janë organizuar tenderat parakohe, kur Vendimet e Këshillit të Ministrave të marra pas tenderave kanë ndryshime, të cilat bazohen te devijimet e projektit ?
Në fakt, institucionet që kanë përgjegjësi janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Kamëz dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Por problemet me dokumentacionin e pronësisë në Bashkinë Kamëz nuk janë një risi, pasi më herë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika të shumta nga kryetari i bashkisë Rakip Suli.
Sipas auditit rezulton se nga totali prej rreth 2000 pasuri që i janë transferuar kësaj bashkie, duke përfshirë zonën e Paskuqanit, janë dërguar për regjistrim 93 pasuri, nga të cilat vetëm 47 janë regjistruar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se zona e Paskuqanit ku gjendet edhe prona e Mustafa Kabilit nuk është rakorduar me Agjencinë Shtetërore të Kadastrë Kamëz-Vorë mbi statusin juridik dhe tjetërsimin e mundshëm të pronave nga persona të tretë, përmes procedurave të legalizimit, privatizimit, vendimet e kthimit/kompensimit apo vendimet gjyqësore.
Në raport theksohet se inventari i pasurive të paluajtshme të Bashkisë Kamëz është i papërditësuar dhe në shkelje të nenit 37, të ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Por vet programi i Rindërtimit ka mangësi të theksuara në mënyrën e hartimit dhe zbatimit.
Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka zbuluar probleme të theksuara me programin e Rindërtimit, ku për periudhën nga 10 janari 2020 deri më 30 prill 2021 realizoi auditimin për Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin dhe Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, duke u përqendruar te zbatimi i kompetencave të Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.
Që nga themelimi i kësaj ministrie e deri në gusht 2022, programi i Rindërtimit është drejtuar nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e ish zv.kryeministrit Ahmetaj të Shtetit mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të tjera, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara.
Në raport evidentohen edhe probleme me Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, ku theksohet se nuk rezulton i dokumentuar hartimi dhe miratimi i Programit të përgjithshëm të rindërtimit nga KSHR, dhe më pas përcjellja e tij për miratim në Kryeministri.
Në konkluzionin e përgjithshëm, auditi zbulon se mungon në mënyrë të dokumentuar evidentimi i burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore. Gjithashtu nuk është dokumentuar plotësisht ndjekja e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për Bashkitë, për trajtimin e banorëve që kanë humbur familjarët ose kanë mbetur të pastrehë.
Si ka mundësi pastaj që dy institucione që të gjitha veprimet e tyre dhe procedurat të tëra të administruara në një struktura që e administron AKSHI dhe këta të kenë përplasje. Shteti ka çdo të dhënë për çdo individ jo më për institucionet bashkëpunim me njëri-tjetrin më duhet absurd në kohën e teknologjisë. Unë me profesion jam audituese dhe ne themi që nëse funksionojnë letrat, gjithçka funksionon në rregull”, shprehet ekspertja audituese Meri Lika.
Një situatë e paprecedentë ka ndodhur për shkak të mungesës së koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe duke krijuar një ngërç të rëndë për qytetarët e prekur.
Problemi kryesor është se FSHZH nuk ka pasur një bashkëpunim të mjaftueshëm me Autoritetin Rrugor Shqiptar para hapjes së tenderave dhe ndërtimit të shtëpive, duke bërë që këto investime të kthehen në një humbje totale për shtetin dhe qytetarët.
“Dëmi është i dyfishtë: për qytetarët që kanë humbur shtëpitë e tyre dhe për buxhetin e shtetit, i cili ka shpenzuar fonde të konsiderueshme pa një plan të qartë dhe të koordinuar. Dëmi ekonomik ka individin ka si pikësynim qoftë dëm në buxhet, qoftë në forma të ndryshme dëmton individi sepse edhe buxheti i shtetit është e ardhur nga taksapaguesit shqiptar. Çdo e ardhur që hyn në buxhetin e shtetit janë një e ardhur që u është marr individëve banorëve popullit. Pavarësisht gjithë analizës së kompanisë qytetarët janë ata që e pësojnë”, shprehet Meri Lika.
Një familje shqiptare i duhen të pakten 30 vite për të blerë një banesë, pasi niveli i kursimit është shumë i ulët si shkak i çmimeve të larta që tek produktet e shportës dhe më pas të atyre më pak të domosdoshëm.
Shqipëria renditet e treta më e shtrenjtë në Europë, pas Serbisë dhe Republikës Çeke në Indeksin e Çmimit të Pasurive të Paluajtshme. Të dhënat janë publikuar nga Numbeo, i cili është portali më i madh i të dhënave mbi kostot dhe cilësinë e jetesës.
Treguesi kryesor është raporti i çmimit të shtëpive me të ardhurat e individëve, i cili bën matjen e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti dhe shprehet në vite të ardhurash. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie.
“Çmimi i banesave u bë vite që ka një trend goxha rritës një trend, goxha rritës sidomos këto 2 ose 3 vitet e fundit ka pasur kurbë rritëse shumë të lart kjo vjen si pasojë e kërkesave dhe si rezultate kemi këto çmime që kemi sot shumë të larta”, shprehet Ervin Demerxhiu.
Edhe e drejta kushtetuese mbi pronën nuk është e garantuar edhe në rast se qytetarët sakrifikojnë dhe kursejnë fati i së nesërmes është i pasiguri.
“Historia e Mustafa Kabili është vetëm një nga shumë raste që tregojnë dështimin e institucioneve shtetërore për bashkëpunimin institucional, kosto e cila përkthehet në mungesën e mbështetjes për qytetarët që kanë nevojë për përkrahje.
- Si u dëmtuan familjet nga ‘paaftësia’ e institucioneve! Prona që u rikonstruktua, u shemb për Unazën e re
Zanafilla e problemit te familjes Kabili lidhet me statusin dhe të dhënat e vendit, ku ka bërë shtëpinë Mustafa Kabili dhe institucioni që disponon dokumentet për këtë vend dhe ka përgjegjësi është Bashkia Kamëz.
Konkretisht pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, sipas Aktit Normativ nr. 9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është caktuar si zbatues për “Programin e Rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti” në bashkitë Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë, duke qenë njëkohësisht përgjegjës për zbatimin e rindërtimit të banesave individuale, ndërtimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të këtyre zonave.
Për të siguruar informacionet për banorët dhe infrastrukturën e dëmtuar nga tërmeti, bashkitë në bashkëpunim me ekspertët e përfshirë, kanë identifikuar banorët e dëmtuar nga tërmeti, të cilët kanë përfituar nga Programi i Rindërtimit.
Në këtë rast ka qenë Bashkia Kamëz, e cila ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit rindërtimin e 177 banesave individuale, duke përfshirë edhe banesën e Mustafa Kabilit.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se ka mospërputhje të datës së hapjes së tenderit të Rindërtimit nga Fondi Shqiptar i Rindërtimit me planin e miratuar nga Vendimi i Këshillit të Ministrave, për Bashkinë Kamëz.
Më 28 prill 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të çelte tenderin për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti “Rindërtimi e 162 banesave individuale, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të tyre”. Në këtë projekt kishte një kategorizim të banesave, nga të cilat 46 sipas modelit 1+1, 58 sipas modelit 1+2 dhe 58 sipas modelit 1+3, në Bashkinë Kamëz të shpërndara në Njësitë Administrative Kamëz dhe Paskuqan. Ky tender është fituar nga kompania “Gjikuria” shpk.
Pra, projekti nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit se si do të bëhej dhe se si do të zbatohej është bërë përpara se ta miratohej Vendimi nga Këshilli i Ministrave dhe Bashkia Kamëz.
Konkretisht me anë të vendimit nr. 525, datë 19.10.2020, 6 muaj pasi është hapur tenderi Bashkia Kamëz ka miratuar Planin e Detyruar Vendor për Zonat e Dëmtuara Pikësore, për 177 banesa individuale duke u bazuar paraprakisht te Vendimi i Këshillit të Ministrave.
Në këtë rast, si është hapur gara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kur akoma nuk ishte miratuar se cilat banesa do të rindërtoheshin? Si është bërë përllogaritja e tenderit, kur FSHZH nuk ka qenë në dijeni të shkallës së dëmtimit të banesave të goditura nga tërmeti nëpërmjet vlerësimit nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit?
Kjo është vetëm njëra nga devijimet, e cila ngre dyshime për projektin. Problemi tjetër lidhet me sipërfaqen e gllabëruar nga Bashkia Kamëz. Kryetari i Bashkisë Rakip Suli ka paraqitur një projekt në planin e përgjithshëm, e cila sipas dokumenteve dhe deklaratave të Mustafa Kabilit cenon të drejtën e pronës, pasi nga 130 metra katror që e kishte Kabili, ia kanë zvogëluar në 80 metra katror.
“Vetting” i dërgoi një kërkesë për informacion FSHZH-së nëse para apo gjatë këtij tenderi ka patur informacion që në këtë zonë do të kalonte gjurma e Unazës së Madhe Tiranë – Sheshi Shqiponja – Bulevardi Shkozë.
Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka sqaruar se:
“Konkretisht, Bashkia Kamëz ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit (KSHR) rindërtimin e 177 banesave individuale, përfshirë edhe banesën e qytetarit Mustafa Kabili. Pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 46, datë 27.08.2020, janë hartuar dhe miratuar planet për zhvillimin dhe rindërtimin e zonave të dëmtuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Bashkia Kamëz ku përfshihen njësitë e banesave individuale që do të rindërtoheshin në të njëjtin truall, pa ndryshuar vendndodhjen e banesave të dëmtuara.”
Në fakt, vendimi që i referohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit është i paqartë sepse në fletoren zyrtare nuk gjendet një vendim i Këshillit të Ministrave nr, 46, datë 27.08.2020, por mund të jetë një Vendim i Këshillit Bashkiak Kamëz.
Në lidhje me gjurmën e projektit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, FSHZH deklaroi se nuk ishte në dijeni me këto vendime.
Vetting kontaktoi Bashkinë e Kamzës në lidhje me pronën e Mustafa Kabilit, duke zbuluar një kaos vendimesh nga institucionet në lidhje me procesin e Rindërtimit.
Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Bashkia do të deklaronte se “referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 748, datë 20.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin nr. 662, Datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, prone private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të Unazës së Madhe të Tiranës”, ky subjekt është trajtuar sipas legjislacionit në fuqi për shpronësimet për interes publik nga ARRSH-ja”.
Por kjo është maja e Ajsbergut sepse në përgjigjen e administruar pranë Njësisë Administrative Paskuqan nga Bashkia Kamëz thuhet se në lidhje me zonën e banorit të dëmtuar është vepruar ne në zbatim të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, VKM-së nr. 409, datë 15.6.2022 “Për rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve pa leje që nuk legalizohen”, Marrëveshjes së Bashkëpunimit me ARRSH-në me nr. 7787 prot., datë 21.07.2022.
Sipas këtij Vendimi të Këshillit të Ministrave, në këtë rast Mustafa Kabili hyn te ndërtimet pa leje të palegalizuara dhe si i tillë përfiton banesën. Por ky vendim do t’i hapte rrugën një sërë vendimesh të tjera që zbulojnë se vlerësimi i kësaj banese ka dyshime të forta për korrupsion.
Më anë të VKM-së NR.319, DATE 18.5.2022 “Për Kalimin te Bashkitë Shijak, Kamzë, Kavajë, dhe Krujë të Njësive Individuale të Banimit” do të shpërndaheshin banesat për personat e goditur nga tërmeti, ku përfshihej dhe banesa e Mustafa Kabilit me vlerë të objektit 25 milionë lekë ose 25 mijë euro.
Por VKM-ja e firmosur nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që është në kërkim ndërkombëtar për akuzat për korrupsion është firmosur pasi janë shpërndarë njësitë individuale, duke ngritur pikëpyetje për organizimin e tërë procesit.
Menjëherë pas këtyre vendimeve, në 13 tetor 2022 Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin nr.662 për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i Projektit për Segmentin Rrugor të Vazhdimit të “Unazës së Madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja”-“Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës Lindore” për Lotet 4,5, 6”.
Në fakt, në projektin fillestar nuk gjendet emri i Mustafa Kabilit dhe vlera e kompensimit në këtë rast është 3.1 miliardë lekë ose 31 milionë euro dhe përfshihen 197 subjekte për shpronësim.
Disa muaj më pas, në 17 maj 2023, me anë të vendimit 287 Këshilli i Ministrave do të ndryshonte vendimin e mëparshëm duke shtuar vlerën e shpronësimit të projektit nga 3,1 miliardë lekë në 3.8 miliardë lekë.
Por përsëri qeveria do të ndryshonte vendimin 662, ku në 20 dhjetor 2023, Këshilli i Ministrave do të mblidhej përsëri për të ndryshuar vendimin e mëparshëm me anë të vendimit 748 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin 662 për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i Projektit për Segmentin Rrugor të Vazhdimit të “Unazës së Madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja”-“Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës Lindore” për Lotet 4,5, 6”.
Në këtë vendim do të gjendej edhe emri i Mustafa Kabilit për përfitimin e shpronësimit të banesës së sapondërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Por në këtë rast vlera e banesës do të ishte 41 mijë euro nga 25 mijë euro që u deshën për rindërtimin e saj. Vlera e plotë e shpronësimit për ndërtimin e Unazës së Madhe në këtë segment do të nga 31 milionë euro në 4,1 miliardë lekë ose 41 milionë euro.
Problemi tjetër është se kemi devijim të projektit të unazës, që do të thotë se kemi përplasje edhe me tenderat e organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Historia e ndërtimit të Unazës së Madhe për segmentin 4,5,6 dhe 7 është denoncuar vazhdimisht nga Partia Demokratike për kostot e larta. / EMISIONI VETTING / Balkan Web