Fundvitin e kaluar, qeveria i hapi rrugën shndërrimit të Sazanit– ishullit më të madh që ka Shqipëria – nga një bazë ish ushtarake në resort elitar për të pasurit. Komiteti i Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama “bekoi” me statusin e investitorit strategjik kompaninë, që ka lidhje me Jared Kushner – dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Më herët, për t’i hapur rrugën investimit, presidenti i Republikës, Bajram Begaj firmosi dekretin për nxjerrjen e një zone të stërvitjes jashtë planit të përhapjes së Forcave të Armatosura.
“Atlantic Incubation Partners LLC” mori statusin për një periudhë 10 vjeçare për të ndërtuar resortin turistik me vlerë 1,4 miliardë euro në Sazan.
Sipas dokumenteve zyrtare investimi në Sazan do të bëhet brenda një sipërfaqeje prej 45 hektarë, ndërkohë që ishulli ka një sipërfaqe prej 562 hektarësh. Projekti përfshin ndërtimin e strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësi rezidenciale, zona gastronomike dhe rekreacionale. Po ashtu, parashikohet edhe integrimi i një marine turistike. Realizimi i projektit do të jetë i ndarë në tre faza dhe parashikohet punësimi i 1,000 (një mijë) personave.
“Rajoni i Ballkanit është ende një treg i virgjër në shumë drejtime dhe apeli për të ‘bërë një ndryshim’ tërheq disa investime të huaja direkte”, thotë Mark Krauford, ish- President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.
Investimi në Sazan, roli i shtetit i paqartë
Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike parashikon edhe qeverinë shqiptare si ortake në investim. Por mënyra se si do të përfshihet shteti do të përcaktohet nga një entitet i përbashkët me kompaninë e Jared Kushner. Kjo pikë lë vend për dyshime- thonë ekspertët.
“Shqipëria është nevojtare e madhe për investitorë. Por kur vjen fjala tek pasojat që ka për financat e vendit duhet që vendimi të jetë më i qartë. Të kemi informacion të plotë se si preken interesat publike. Po ashtu sa do të jetë barra e shtetit dhe si do të amortizohet në vazhdimësi që të mos dalim me humbje.” argumenton Xhepa.
“Sazani do të merrte vlerë nëse investimi rezulton me përfitime për qytetarët jo thjesht për investitorin”– thekson Xhepa.
Ndërsa ekspertët e mjedisit ngrenë të tjera shqetësime. Hapësira ujore rreth ishullit është pjesë e të vetmit Park Kombëtar Detar që ka Shqipëria.
“Është një fatkeqësi e madhe që për shumicën dërrmuese të qytetarëve, Sazani, kjo mrekulli natyrore, do të “elitizohet” dhe mbetet e paarritshme. Kthimi i Sazanit në një ‘kopsht miliarderësh’ është një abuzim i rëndë me trashëgiminë natyrore dhe historike të vendit tonë”, argumenton Aleksandër Trajçe, drejtues ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
Sazani përmban monumente natyrore si “Barriera koralore e grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, të cilat janë të mbrojtura me ligj. Ndaj në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike nënvizohet se ndërtimet për projektin luksoz duhet të shmangin dëmtimin e monumenteve si dhe të përfshijnë masa për mbrojtjen e mjedisit.
“Projekti zhvillimor do të ketë një ndikim të thellë dhe të pakthyeshëm mjedisor, duke dëmtuar biodiversitetin dhe ekosistemin unik të zonës. Kjo ndërhyrje rrezikon të shkatërrojë vlerat natyrore dhe llojet e rralla që ky park strehon.” përfundon ai.
Plani i veprimit për resortin
Për realizimin e “Resorti turistik – ishulli i Sazanit” Komiteti i Investimeve Strategjike ka përcaktuar një plan veprimi, i cili monitorohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
Plani përcakton masat, procedurat dhe afatet, në lidhje me shërbimet dhe lehtësimin e procedurave për projektin. Ndër masat e para përmendet de-militarizimi i zonës, inventarizimi i tuneleve nëntokësore dhe bunkerëve. Kjo pasi ishulli ka shërbyer prej vitesh si rajon stërvitje dhe qitje detare dhe rezulton të ketë risk të lartë piroteknik.
Nga ana tjetër, investitorit i kërkohet plani i plotë i biznesit me kostot përkatëse; studimi i fizibilitetit që provon se projekti është i përshtatshëm dhe i realizueshëm;mënyra e pjesëmarrjes apo mbështetjes direkte të shtetit në investim; apo projekti zhvillimor për infrastrukturën e brendshme dhe mënyrën e lidhjes së saj me infrastrukturën e jashtme.
Mes detyrimeve që ka investitori strategjik radhiten dhe masat mbështetëse në infrastrukturë. Referuar vendimit, kostot për lidhjen me rrjetin ekzistues të energjisë elektrike i lihen investitorit. Po ashtu, ky i fundit duhet të ketë parasysh që në ishull mungon infrastruktura për furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimi i ujrave të zeza.
“Në këto kushte, duhen gjetur zgjidhje alternative të financuara nga vetë investitori”, përcaktohet në vendim.
Kushner, vizitori investitor
Kompania ‘Atlantic Incubation Partners LLC’ u themelua më 5 prill të 2023, në Delaware – një nga parajsat fiskale me të mëdha në botë. Disa muaj më vonë, mes miliona “turistëve” në Shqipëri, mediat i bënë jehonë ardhjes së Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner.
Korrikun e vitit 2023, vajza e ish- presidentit amerikan dhe bashkëshorti i saj u fotografuan në jug të vendit. Gjatë qendrimit në Shqipëri, Faktoje fiksoi disa momente nga vizita e tyre në Tiranë në godinën e Kryeministrisë.
Tetë muaj pas vizitës, përkatësisht pranverën e 2024 shqiptarët mësuan nga media ndërkombëtare se vizita e tyre nuk kishte pasur si qëllim vetëm turizmin. Agjencia e lajmeve Bloomberg njoftoi se, Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, kishte në plan të investonte 1 miliardë dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri, përkatësisht në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.
Po atë ditë, Kushner ndau në rrjete sociale imazhet e dy projekteve që synon të zbatojë në Sazan dhe Zvërnec, bashkë me një tjetër në Beograd.
“Të emocionuar që të ndajmë disa imazhe paraprake të dizajnit për projektet e zhvillimit që kemi krijuar për bregdetin shqiptar dhe qendrën e Beogradit” – shkruante dhëndri i Trump në X.
Publikimi i projekteve nga Kushner ishte një muaj pasi socialistët miratuan ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, që i hapin rrugën ndërtimit në këto territore.
Turizëm elitar në Sazan
Ekspertë të turizmit e shohin me interes projektin e Jared Kushner. Zak Topuzi që drejton “Shoqatën Shqiptare të Turizmit” thotë se investimi e fut Shqipërinë në hartën e turizmit elitar.
“Mesdheu është pjesa më e rëndësishme e turizmit elitar. Ky lloj turizmi siguron 8 herë më shumë të ardhura sot në botë ndaj është e rëndësishme t’i lehtësosh punën një investitori të tillë. Turizmi elitar siguroi 170 miliardë euro të ardhura në botë”, pohon kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit.
Një kërkim i fundit nga Google e Deloitte për turizmin, e cilëson Mesdheun si një nga katër destinacionet kyçe në të ardhmen. Ndaj, për të qënë konkurrues, vendi ka nevojë edhe për resorte që i përgjigjen shtresës së mesme, thekson Topuzi.
“Na mungojnë resortet për familjet me të ardhura të mesme. Me këto lloj resortesh jo vetëm tërheq më shumë turistë të huaj, por edhe familjet shqiptare. Ndaj ikin shqiptarët në Turqi apo Greqi”, përfundon ai./ Esmeralda Topi- Faktoje.al