Personi që shihni në pamje e mëposhtme është Pal Trashaj, ndodhet në dyert e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sytë i kishte të mbushur me lot dhe kërkonte takim me kreun e Prokurorisë Altin Dumanin, moment ky kur sapo kishte konsumuar fostoksinë.
‘Kallëzimet penale bëhen përmes postës, dërgojeni me postë dhe do të shikojmë nëse regjistrojmë procedim penale’.
Këto janë fjalët e Pal Trashajt thënë disa gazetarëve para se të ndërmerrte veprimin ekstrem të vetëflijimit, që sipas 63 vjeçarit, i kishin thënë në organin hetues pasi kishte kërkuar takim me Altin Dumanin, me qëllim që padrejtësitë ndaj tij të hetoheshin nga SPAK.
Disa orë më pas u njoftua se ndërroi jetë në repartin e Sëmundjeve Toksikologjike pranë Spitalit ‘Nënë Tereza’.
I biri rrëfeu në dyert e Spitalit peripecitë që kishte kaluar i ati dhe familja e tij, për shkak të borxheve të fryra përmes skemave të mikrokredive.
Pal Trashaj kishte vetëm një kërkesë, që SPAK të hetonte grupin kriminal që po i zhvasnin gjithçka që ai kishte arritur të ndërtonte në 63 vite jetë nëpërmjet skemës kriminale të mikrokredive.
Teksa SPAK ia kaloi çështjen për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, u desh një treshe prokurorësh e përbërë nga Antoneta Sevdari, Ndini Tavani dhe Arben Agovi ta marrnin në duar hetimin, që të zbulonin se në fakt Pal Trashaj kishte të drejtë. Bëhej fjalë për grup të strukturuar kriminal, e rasti duhej të hetohej nga SPAK, siç kërkonte Pal Trashaj teksa piu fostoksinë nga refuzimi constant.
Por tashmë Pal Trashaj nuk jeton më, edhe pse refuzimi i kërkesës së tij të drejtë e shty drejt aktit fatal. Pal Trashaj, pavarësisht ankesave të tij të shumta vendosi të paguante një detyrim goxha të lartë dhe mendoi se e zgjidhi ‘hallin’ me bllokimin e pronave të tij dhe pagoi 360,500 Lekë duke shlyer në total detyrimin. Por pronat e tij nuk u zhbllokuan sepse për një detyrim tjetër që sipas MCA, i kishte fillesat në vitin 2008, në vlerën 27,935 Lekë, ishin vendosur sekuestro mbi pasuritë e tij nga përmbaruesi Fatos Alimadhi, madje kishte filluar edhe procedura e shitjes në ankand nga përmbaruesi Rigels Bejko’.
“Më morën dy shtëpi dhe një makinë”, historia e qytetarit që u zhvat nga “mafia” e mikrokredive
Pal Trashaj nuk është e vetmja viktimë, e skemës kriminale të mikrokredive, janë me dhjetra e qindra qytetarë e familje që janë shkatërruar prej këtyre skemave, e përballë kanë gjetur dyert e mbyllura të Institucioneve që kanë refuzuar tu vendosen në krah dhe të ndajnë këtë mega-abuzim në kurriz të tyre. Emisioni Plug ka investiguar skemat mashtruese, dhe rezultati ishte tragjik.
Shantazh, kërcënime, presione, mashtrim dhe falsifikim, janë përmbledhja për piramidën që rrënoi ekonomikisht mijëra qytetarë, i vrau moralisht e psikologjikisht ata, kur dyert e drejtësisë prej të paktën 10 vitesh, iu përplaseshin në fytyrë, sapo dëgjonin se çështja e tyre kishte të bënte me mikrokreditë, institucionet financiare jo banka dhe debitë e stërfryra të tyre.
‘Micro Credit Albania’ sha shpk, ‘Shërbimi Përmbarimor ZiG’ sh.p.k ,’Shërbimi Përmbarimor STAR’/ ‘FS’ sh.p.k ,’Shërbimi Përmbarimor Flash’ sh.p.k , Shoqëria ‘Final’ sh.a/sh.p.k, shoqëria ‘ADCA’sh.p.k, noterë e persona fizik, ndonëse kundër ligjit, ishin bërë bashkë për një qëllim, të fitonin para me çdo çmim, pavarësisht ligjit, dëmeve e abuzimit.
Përmes këtij investigimi, Syri Televizion do të hedhë më tepër dritë mbi këtë skemë, kush janë aktorët dhe përgjegjësit, si u neglizhuan qytetarët e mashtruar, kush përfitoi dhe krijoi pasuri në kurrizin e tyre. Gjithashtu do të dëgjoni histori ekskluzive, ku denoncuesit thonë se jeta e tyre ka ndryshuar rrënjësisht për keq, është shkatërruar në përballjet ku dalin gjithnjë humbës me anëtarët e grupit kriminal. Avokati Elis Bilali thotë që, kur tashmë hetimi është në duart e SPAK, kjo e fundit duhet ti përfshijë viktimat në hetim, si dëmtuarit e këtyre grupeve kriminale.
Rezulton e provuar se duke filluar nga viti 2015, shtetasi Olsi Ibro, që i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga lartësia, Elda Ibro (bashkëshortja e Olsi Ibro), Arben Meskuti pronar i shoqërisë Zig dhe Final, Indrit Çuberi (vëllai i bashkëjetueses së Arben Meskuti), Aldo Daka (ish punonjës i shoqërisë përmbarimore Zig në pronësi të Arben Meskutit), Albert Gega (ish punonjës i shoqërisë ZIG), Alban Kote (ish përmarues i shoqërisë Zig dhe Final në pronësi të Arben Meskuti), Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi dhe Roland Deda, të gjithë ortakë apo administratorë të shoqërive tregtare (të cilat de jure kanë qënë të ndara por de facto kanë vepruar si një e vetme), të ndihmuar në veprimtarinë e tyre, nga vitit 2021 e në vijim nga përmbaruesit Fatos Alimadhi, Helidon Xhindi, Lefter Canaj, Rigels Bejko, Endri Myftari, Altin Vako, në bashkëpunim edhe me eksperten vlerësimit të pasurive të paluajtshme Yliana Sejfo, kanë krijuar se bashku një grup të strukturuar kriminal. Veprimtaria e të cilit ka pasur si qëllim zhvatjen e pasurisë së qytetarëve të cilët ishin debitorë në vonesë, detyrimet e të cilëve u blenë nga shoqëritë MCA sh.p.k, Final sh.p.k tek Bankat e nivelit të dytë.
TË AKUZUAR
Olsi Ibro, (i vetëvrarë)
Elda Ibro (bashkëshortja e Olsi Ibro)
Arben Meskuti (Pronar i ‘Zig’ dhe ‘FINAL’)
Indrit Çuberi (vëllai i bashkëjetueses së Arben Meskuti)
Aldo Daka (ish punonjës i shoqërisë përmbarimore Zig në pronësi të Arben Meskutit)
Albert Gega (ish punonjës i shoqërisë ZIG në pronësi të Arben Meskutit)
Alban Kote (ish përmarues i shoqërisë Zig në pronësi të Arben Meskuti)
Andis Gjoka
Vasil Bakallbashi
Roland Deda
ORTAKËT DHE ADMINISTRATORËT
i. Shoqëri të licencuara si institucione financiare jo banka (Micro Credit Albania sh.a/sh.p.k(MCA) dhe Final sh.p.k);
ii. Shoqëri përmbarimore (Zig, FS, Flash, TDR, LDC) apo përmbarues persona fizikë;
iii. Zyra avokatore/ose zyra me veprimtari ‘gjerimi i punëve të tjerëve’ (shoqëria ADCA dhe Personi Fizik Alban Kote).
SYRI TV mori dëshminë ekskluzive të një prej viktimave të skemës mashtruese. Ai rrëfen me kushtet e ruajtjes së të dhënave, se si jeta e tij mori kthesë për keq, vetëm nga një kredi që nuk arriti ti përgjigjej në kohën e duhur detyrimit për shlyerjen e saj. Historia e babait të 3 fëmijëve nis në vitet 2005-2006, kur pas 8 viteve si emigrant në Greqi vendosi të kthehej në Shqipëri e të ndërtonte një banesë.
Veprimtaria është drejtuar nga shtetasit Olsi Ibro, Elda Ibro dhe Arben Meskuti dhe kompanitë e tyre rezultojnë se:
i) kanë pasur/kanë të njëjtin vend të ushtrimit të aktivitetit
ii) përdornin të njëjtin sistem kompjuterik apo softe kompjuterike, të krijuara në funksion të kryerjes së veprës penale
(iii) financonin me burime monetare në mënyrë reciproke njëri-tjetrin,
iv) punonjësit e tyre kalonin sa në një shoqëri në tjetrën dhe kryenin veprimtarinë e tyre, në dukje për mbledhjen e detyrimeve të cilësuara si kredi të këqija, por me qëllimin e qartë kriminal të pasurimit të paligjshëm, në dëm të një numri shumë të lartë qytetarësh, qëllim i kristalizuar që në momentin e krijimit të këtij aktivitetit, i cili ka zgjatur më shumë se 9 vite.
Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se ata realizonin zhvatjen e qytetarëve nëpërmjet:
Shtrëngimit; përdorimit në kundërshtim me ligjin të të dhënave personale të familjarëve të debitorëve dhe grackave kriminale të mirëmenduara.
Denoncuesi tregon se për shkak të problemeve familjare dhe ekonomike, kishte pamundësi për të shlyer kredinë dhe banka veproi me sekuestrimin e dy banesave të Durrës dhe një automjeti, të cilat ishin vendosur si garanci në rast mosshlyerje të kredisë.
Ndërsa llogaria me bankën, u duk e mbyllur me sekuestrimin e kolateralit, në skenë del agjencia e mirkrokredive Micro Credit Albania, e cila që në kontaktin e parë nis me shantazhe e kërcënime se duhet të shlyente edhe një tjetër detyrim. Denoncuesi mëson se veç pronave që iu morën, përmbaruesit i thonë se ka një borxh ndaj bankës në vlerën e 48 milionë lekëve të vjetra, ndaj dhe i bllokojnë edhe pagën e bashkëshortes, të cilën e kishte të vetmen mundësi mbijetese.
Përmbaruesi Baftjar Nela thotë se gjithë kjo skemë e paraqitur nga Prokuroria e Tiranës, si grup i strukturuar kriminal, është luajtur nën hundën e Ministrisë së Drejtësisë dhe Bankës së Shqipërisë të cilat nuk ndërmorën asnjë veprim. Evident sa i takon përgjegjësisë së Bankës së Shqipërisë e bën faktin edhe avokati Elis Bilali. Të dy njohësit e drejtësisë dhe ligjit, thonë se është shkelur një rregull i shenjtë, i mbrojtur edhe me ligj, minimumi jetik.
Denoncuesi thotë se familja e tij u fut në një traumë psikologjike, morale e financiare, ama borxhin prej 48 milion lekësh nuk e njeh as nuk do ta njohë kurrë. Arsyeja sipas tij është e thjeshtë, i ka dorëzuar me vullnet bankës dy banesa të vëna kolateral dhe automjetin e tij, ndonëse është futur në borxh me kunatën, për të cilën thotë se ka gjetur mirëkuptim.
“Na shkatërruan, na mbytën”, drama e familjes invalide e zhvatur nga mafia e mikrokredive
Detaje të rënda, se si një familje shkatërrohet për shkak të skemave mashtruese, të lejuara nga institucionet shtetërore, që në thelb duhet të garantojnë jetesën në një shtet me rregulla e ligje. Por ka më, një tjetër rast edhe më të dhimbshëm do të ndiqni në vijim. Denoncuesi i radhës, është një i moshuar, që të vetmen kërkesë që kishte ndaj shtetit por edhe gazetarit tonë, ishte që ta linin të qetë ndërsa dergjej në shtrat.
‘Na shkatërruan, na mbytën, jam i sëmurë në shtrat për një kredi që mori djali para disa kohësh’.
Rasti i përket një familje në zonën e Kamzës. Prindërve u është ngarkuar një borxh për kredinë që djali i tyre kishte marrë. Edhe pse nuk kanë patur asnjë lloj roli në marrjen e kredisë nga i biri, e madje nuk kanë patur as dijeni e jo më të kenë firmosur, dy prindërve të moshuar i është ngarkuar një pagesë e majme. Në kushtet e vështira ekonomike ku ndodhen, atyre rrezikon tu sekuestrohet edhe banesa.
‘Jam invalid. Ka ardhur ato të bankës, kam qenë në spital. Kanë shkuar me sa di unë këto bankat duke ia dhënë kredinë njëra-tjetrës, nuk e di çfarë kanë bërë. Djali nuk është këtu. Këto kanë shkuar duke rritur shumat. Nuk di nëse kemi aktualisht detyrime apo jo. Unë jam duke vdekur, çfarë të paguaj, kanë ardhur 2-3 herë tek shtëpia me makina. Asnjë marrëveshje s’kemi bërë me ta, se nuk kemi mundësi. Ata na thonë se ka shkuar me interes kredia, duke ia dhënë njëra-tjetrës, këto bankat private, kredia ka ecur asgjë më tepër s’dimë ne. Unë jam invalid, s’kemi pas ça me vendos garanci, s’kemi asnjë familjarë në marrëdhënia pune. Me thënë të drejtën na ka marrë lumi me këto gjëra, nuk po di se çfarë po bëhet, çfarë ta ketë shkruar Zoti, se këto punë kështu po shkojnë duke u rritur dhe duke u zhytur. Di që këto kanë sjellë përmbarues nuk di më gjatë’.
Përmbaruesit që shërbenin për interesat e këtyre institucioneve financiare jo banka, në shumicën e rasteve nuk kishin licenca për ushtrimin e profesionit. Por çfarë passjell sipas ligjit ky veprim? Juristi Elis Bilali, që ka përfaqësuar çështje të qytetarëve të hasur në këto problematika shpjegon për Syri Televizion pasojat juridike dhe penale.
Përmbaruesi Baftjar Nela thotë se përveçse normave ligjore që janë shkelur dhe që kanë të bëjnë me parashikimin e tyre të ndalojnë një veprimtari të tillë, kjo tregon edhe mungesën e vigjilencës, interesit dhe ndërhyrjes së institucioneve, sidomos Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërsa Anxhela Doleqi, përmbaruese dhe që flet për Syri Televizion në pozicionin e përfaqësueses së Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit, dega Tiranë, evidenton se janë në hallkë institucionesh që monitorojnë dhe veprojnë kur ka shkelje nga ana e përmbaruesve, qoftë privat apo shtetërorë.
Njëri prej denoncuesve në SYRI TELEVIZION, tha se është invalid, asnjë familjarë nuk ka të punësuar, dhe se përmbaruesit i kanë shkuar 3 herë në shtëpi. Pyetja që ngrihet është, kur ndërhyn një përmbarues dhe çfarë duhet patur parasysh? Çfarë parashikon ligji mbi minimumin jetik, dhe a veprohet me sekuestrim sendesh apo pasurish, a ndërhyhet në llogaritë bankare të debitorit, nëse ai nuk ka të ardhura nën minimumin jetik?
Menjëherë sapo u ble portofoli i parë i shoqërisë MCA (institucion financiar jo bankë) dhe shoqëritë përmbarimore, shumë shpejt edhe zyrat avokatore u zhvendosën së bashku në një qendër dhe filluan të kryenin veprimtarinë si një shoqëri e vetme (si një grup i vetëm), pavarësisht se shoqëritë përmbarimore nuk duhet sipas ligjit të ishin të lidhura me kreditorin.
DETYRA E PËRMBARUESIT
‘Përmbaruesi kryen funksion publik dhe ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë të pavarur, duke mbrojtur si interesat e kreditorit ashtu edhe të debitorit, duke vepruar me paanësi dhe jo në kushtet e konfliktit të interesit’.
Ministria e Drejtësisë ka theksuar se të dhënat e administruara gjatë procesit të marrjes së materialit përmbarimor dhe arkivave të padorëzuara të ‘Shërbimit Përmbarimor STAR-FS’ dhe ‘Shërbimit Përmbarimor ZiG’ tregojnë qartë që, mes këtyre shoqërive përmbarimore dhe institucionit financiar jo bankë, është ushtruar një aktivitet jo transparent i kredidhënie, duke shfrytëzuar pozitat në nevojë të debitorëve.
Pas heqjes së licencave, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që përmbaruesit e shoqërive të sipërcituara, të punësuar pranë shoqërive ‘SHP ZiG,’ ‘FS’ dhe ‘FLASH,’ të dorëzonin dosjet në Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim që veprimtaria përmbarimore të vijonte nga përmbaruesit zëvendësues.
PROKURORIA E TIRANËS
‘Në vijim të kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë, më datë 14.10.2019, në mëngjes, në ambientet e Ministrisë është paraqitur shtetasi Gentjan Kamberi, i cili ka kërkuar të dorëzojë disa thasë me dosje përmbarimore, pa treguar se në emër të kujt po kryente dorëzimin. Ky veprim i kryer prej tij është në kundërshtim me ligjin nr. 26/2019 ‘Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat,’ si dhe me udhëzimin nr. 4846/33, datë 3.11.2010, të Ministrit të Drejtësisë. Dosjet e dorëzuara fizikisht në hollin e Ministrisë së Drejtësisë (fillimisht rreth 6 thasë të zinj me qese plehrash) nga shtetasi Gentjan Kamberi u shoqëruan me shprehjen e tij: ‘I gjeta këto dosje aty përjashta dhe i solla këtu… Kush do i marrë… nuk e di të kujt janë.’ Në këto kushte është ngritur një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit’.
Mafia e Mikrokredive, si u themelua dhe funksionoi ‘me bekim’ shtetëror zhvatja e qytetarëve
Por si u themelua gjithë kjo piramidë mashtrimi? Këto kompani mikrokredishë nuk kanë vepruar në ilegalitet, siç bandat kriminale, edhe pse gjobat dhe zhvatja ka qenë e të njëjtës natyre. Rezulton se çdo veprim i tyre ishte i raportuar, e për pasojë duhet të kontrollohej nga institucione si Banka e Shqipërisë apo Ministria e Drejtësisë.
Të dhënat e nxjerra nga hetimi thonë se që në gjenezë, kjo skemë u krijua përmes mashtrimit.
Më datë 28.05.2014, është krijuar shoqëria ‘Micro Credit Albania’, me objekt të veprimtarisë: ‘Ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies në të gjitha format e saj dhe veprimtarinë për të ofruar shërbimet këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse për veprimtarinë e kredidhënies si subjekt financiar jobankë etj,’ me ortake shtetasen Elda Ibro, e cila fillimisht ishte edhe administratore e shoqërisë. Administrimi më pas ka kaluar te shtetasi nën hetim Alban Kote dhe më pas tek Andis Gjoka.
Kapitali fillestar, është në vlerën 20 milionë leke. Më datë 05.05.2015 është vendosur zmadhimi i kapitalit të shoqërisë me 48 milionë dhe në vijim, më datë 25.05.2015 me 34 milionë duke arritur vlerën totale në 102 milionë lekë.
Në Bankën e Shqipërisë, për të dokumentuar ligjshmërinë e burimit të kapitalit, Elda Ibro ka paraqitur ndër të tjera, një kontratë për shitjen e pasurisë së paluajtshme në vlerën 35,000,000 lekë te shtetasi Arben Meskuti, shitje e cila dyshohet të jetë fiktive.
Së pari, sepse Arben Meskuti ia ka shitur përsëri çiftit Ibro apartamentin në fjalë, në njëjtën vlerë, edhe së dyti, Arben Meskuti, në vitin 2015, nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për të blerë pasurinë në shumën 35,000,000 lekë. Sipas informacionit të dërguar nga vetë Arben Meskuti në Bankën e Shqipërisë, të ardhurat e tij të ligjshme deri në vitin 2019 (pra, katër vite më pas) janë vetëm në vlerën 28,000,000 lekë.
Me licencën nr. 30, datë 27.02.2015, shoqëria MCA është licencuar si institucion financiar i mikro-kredisë (që mund të jepte kredi deri në shumën 600,000 lekë), ndërsa më datë 09.05.2016, me licencën nr. 38, shoqëria licencohet si institucion financiar jobankë, për të ushtruar veprimtari në të gjitha format e kredidhënies.
Ndërkohë që shoqëria kishte bërë kërkesë dhe vazhdonte procedurat për të marrë licencën, më datë 11.08.2015, kjo shoqëri dhe një bankë e nivelit të dytë nënshkruan marrëveshjen për blerjen e detyrimeve të debitorëve në vonesë (portofolin e cilësuar si borxh i keq). Më pas nisin me radhë edhe bankat e tjera të nivelit të dytë marrëveshje të ngjashme. Kontrata ka një aneks, por në aneksin bashkëlidhur kontratës nuk përcaktohet vlera e detyrimit të debitorëve të përfshirë në portofolin e shitur.
DOSJA HETIMORE:
‘Theksohet ky fakt për shkak se gjatë hetimit ka rezultuar se vlera e detyrimit të borxhit të shitur nuk ka për referencë detyrimin e kredimarrësit në momentin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit. Më pas, shoqëria ka lidhur edhe kontrata me banka të tjera të nivelit të dytë, pikërisht me objekt blerjen e kredive të këqija. Kostoja e blerjes së portofolit të kredive në vonesë varion nga 1%-23% e detyrimit’
Më datë 04.08.2015, themelohet shoqëria ‘Shërbimi Përmbarimor FS’ sh.p.k, ortak dhe administrator i të cilës është Aldo Daka (punonjës i shoqërisë ‘ZIG’, në pronësi të Arben Meskutit). Më datë 23.02.2018 është shtuar edhe administratori Albert Gega i cili largohet pas rreth 14 muajsh. Adresat e të dyja shoqërive ndryshojnë pas veprimeve përkatëse të lartpërmendura.
Shërbimi Përmbarimor ‘ZIG’ sh.p.k, është krijuar më herët, por Arben Meskuti është bërë ortak i saj me 100% të kuotave më 24.06.2013. Pas dy vitesh i zhvendos zyrat, teksa Meskuti e administron derisa aktiviteti i shoqërisë pezullohet, dhe në këtë periudhë administrimin e merr Yllka Meskuti, nëna e tij.
Shoqëria Përmbarimore ‘FLASH’ sh.p.k, themeluar më datë 29.01.2016, kishte ortak dhe administrator të vetëm shtetasin Roland Deda. Ka pezulluar aktivitetin më 27.12.2017 dhe pas pezullimit të aktivitetit, pronësia e kësaj shoqërie ka kaluar te Arben Meskuti (07.06.2018) dhe më pas te Yllka Meskuti (nëna e Arben Meskutit). Pezullimi i aktivitetit të kësaj shoqërie përkon me momentin e heqjes së licencave nga Ministria e Drejtësisë për shumicën e përmbaruesve të punësuar pranë kësaj shoqërie.
Administratorët dhe ortakët e shoqërive përmbarimore FS dhe Flash, madje edhe përmbaruesit apo punonjësit/përmbaruesit e punësuar në këtë shoqëri, janë të gjithë punonjës të shoqërisë përmbarimore Zig, në pronësi të Arben Meskutit.
Shoqëria ‘ADCA’ sh.p.k blihet nga Olsi Ibro më datë 13.09.2016. Në këtë datë kjo shoqëri kishte si objekt të aktivitetit ofrimin e shërbimeve ligjore dhe të avokatisë.
Ndërsa në mars të vitit 2019, pas revokimit të licencës nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, kjo shoqëri ndryshon objektin e aktivitetit të saj në ushtrimi i aktivitetit të agjencisë/agjentit tregtar dhe çdo aktivitet tjetër të lejuar nga ligji.
Më datë 05.01.2018, pronësia e kësaj shoqërie kalon tek Arben Meskuti, i cili emërohet edhe administrator i vetëm i shoqërisë. Ndërsa më datë 27.03.2019, nga kjo shoqëri largohet ortaku Arben Meskuti dhe shtohet ortaku Indrit Çuberi (kunati i Arbenit), i cili emërohet edhe administrator i vetëm.
Rrokadat por gjithnjë brenda llojit vijojnë për muaj e vite me radhë por nuk ndryshon thelbi, të gjithë i bënte bashkë interesi ekonomik mbi vperime të paligjshme.
Në vitin 2019, në skenë shfaqet shoqëria ‘Final’ sh.pk, e cila bëhet pjesë e veprimtarisë kriminale të shoqërive të mësipërme. Në maj të 2019, Arben Meskuti, ble kuotat e shoqërisë ‘Final’ sh.a, në sh.p.k. Koha e blerjes përkon me momentin kur përmbaruesit e shoqërisë ‘Flash’ janë në procedurë disiplinore për shkak të ankesave të shumta të paraqitura ndaj tyre për veprimtarinë përmbarimore me kreditor MCA.
Duket sikur blerja e shoqërisë ‘Final’, nga Arben Meskuti në këtë moment, bëhet për të shmangur çdo rrezik të mundshëm që mund të vijë nga veprimet e organeve ligjzbatuese.
Pavarësisht se duhej të ishte gardiane e monitorimit dhe kontrollit të aktivitetit të institucioneve financiare jo banka apo banka, më datë 03.07.2019, ‘Banka e Shqipërisë’, jep miratimin paraprak për transferimin e pronësisë të 100% të aksioneve të shoqërisë ‘Final’ nga aksioneri ‘Iute Credit Albania’ tek aksioneri Arben Meskuti. Sipas Kontratës, blerja e aksioneve nga Arben Meskuti është në vlerën 250,000 Euro.
Pavarësisht adresës së vendosur në QKB, nga hetimi është provuar se, shoqëria ‘Final’ ka ushtruar aktivitetin në të njëjtën qendër me shoqërinë MCA/ADCA. Të dhënat e portofolit të kredive të debitorëve në vonesë, të ‘Final’ janë hedhur në të njëjtin server ku ndodheshin të dhënat e debitorëve të shoqërisë MCA, fakt i vërtetuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm nga kqyrja e serverit.
Sipas edhe kontrollit të ushtruar nga ‘Banka e Shqipërisë’ në vitin 2020, rezulton se stafi i shoqërisë ‘Final’ përbëhet vetëm nga 3 persona, ku renditen: administrator dhe dy punonjëse të financës.
Banka e Shqipërisë ka konstatuar se në periudhën 2019-2020, nga 10052 klientë të cilët kishin kryer pagesa tek shoqëria ‘Final’, 8074 prej tyre janë kredituar nga MCA ndërsa shuma e kredive të akorduara nga MCA është në vlerën 99.1 milion lek.
DOSJA HETIMORE
‘Të dy këto institucione (MCA dhe Final), në bashkëpunim me shoqëritë përmbarimore ‘FS’ dhe ‘FLASH’, me zyrat avokatore ADCA, dhe veprimtarinë e ‘Alban Kotes’ Person Fizik, dhe në vitet në vijim, nënshkrimin ‘qorrazi’ të përmbaruesve Fatos Alimadhi, Helidon Xhindi, Lefter Canaj, dhe Altin Vako, kanë kryer sekuestrime bankare dhe sekuestrime të pasurive të paluajtëshme të mijëra debitorëve pa i njoftuar ata në asnjë rast, pa u komunikuar atyre asnjë shkresë përmbarimore, me synimin kriminal për t’i detyruar të pranonin ‘ofertën’ mikrofinanciare të MCA dhe/ose ‘Final’: merr kredi të re tek ne, ose paguaj detyrimin që të propozoj, i cili ishte i fryrë’
Menjëherë sapo u ble portofoli i parë i shoqërisë MCA dhe shoqëritë përmbarimore, shumë shpejt edhe zyrat avokatore u zhvendosën së bashku në një qendër dhe filluan të kryenin veprimtarinë si një shoqëri e vetme (si një grup i vetëm), pavarësisht se shoqëritë përmbarimore nuk duhet sipas ligjit të ishin të lidhura me kreditorin.
Të gjitha të dhënat dhe të gjithë dokumentet që prodhoheshin nga punonjësit e të gjitha shoqërive ruheshin në të njëjtat softe kompjuterike, të cilët ishin të aksesueshëm nga punonjës të të gjitha shoqërive.
Pra, e thënë më thjesht, dokumentacioni përmbarimor nuk prodhohej nga përmbaruesit, por nga punonjësit e shoqërive MCA/ADCA/FINAL/Alban Kote Person Fizik, juristë apo asistente ligjore, sipas urdhrave që jepeshin me email nga drejtuesit e kësaj organizate/grupi, kryesisht nga shtetasi Olsi Ibro.
Nga deklarimi i një punonjësi të IT-së, mësohet se në softin FS, MCA kishin akses të plotë të gjithë shefat, që sipas tij kanë qenë Olsi, Elda dhe Arben Meskuti.
PUNONJËSI
‘Nuk e di në letra, por aty të gjithë e dinin se këta tre ishin pronarët e gjithë gjësë. Olsi ishte shefi i madh. Arbeni rrinte në një zyrë me Olsin në kohën kur erdhën në qendrën Usluga. Në qendrën Star, Arbeni ishte në katin e dytë, kurse Olsi në katin e tretë.’
/EMISIONI “PLUG”