Policia e Shkodrës ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me zbardhjen e atentatit mbrëmjen e 4 Janarit në zonën e Dragoçit në Shkodër, ku u ekzekutua me breshëri kallashnikovi 33-vjeçari Ramazan Mataj brenda automjetit të tij, tip “Mercedes Benz”.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i Rremë” është vënë në pranga 29-vjeçari, Arjon Hasaj, i cili dyshohet se ka qenë në rolin e qitësit, si dhe vëllai i tij, Klisman Hasaj, 20 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë në rolin e bashkëpunëtorit. Autorët janë nga fshati Dragoç i Postribës, i njëjti fshat me viktimën.
Sipas autoriteve policore, nga hetimet ka rezultuar se 33-vjeçari Ramazan Mataj dyshohet se kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së dy vëllezërve Hasaj. Autori Arjon Hasaj, sipas Policisë, kishte përdorur një profil të rremë në Facebook për të nxjerrë në pritë viktimë.
“Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit. Autori i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.” – deklaroi drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj.
Policia deklaroi se pas kontrolleve të ushtruara ka gjetur dhe armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se autori Arjon Hasaj ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e kishin fshehur armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.
Mbi Arjon Hasajn rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, ndërsa mbi Klisman Hasajn vepra penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës ka publikuar edhe pamjet nga momentit kur autori i dyshuar i vrasjes është larguar me biçikletë pas krimit, teksa shfaqen edhe momente kur arrestohen, apo kur gjendet arma e krimit.
.
Ramazan Mataj ka qenë duke u kthyer për në banesë në momentin kur iu bë atentati mbrëmjen e 5 Janarit. Autori i dyshuar Arjon Hasaj, i kishte zënë pritë rreth 1.2 km larg banesës në fshatin Dragoç dhe teksa ka qenë në pritje, sapo Ramazan Mataja është afruar me automjet ka qëllluar m,e breshëri kallashnikovi në drejtim të tij.
Ai ka qëlluar nga të dyja anët e makinës, në mënyrë që atentatori të sigurohej për të eliminuar objektivin e tij. Ka qenë një banor i zonës, ai i cili më pas ka konstatuar viktiminën dhe ka lajmëruar Policinë.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj deklaroi se kanë shoqëruan në ambientet e Policisë, shumë shtetas, për t’i pyetur në lidhje me ngjarjen.
Ramazan Mataj ishte baba i tre fëmijëve, teksa kishte jetuar për një periudhe 1-vjecare në Belgjikë. Pas kthimit të tij në Shqipëri sipas familjarëve ai punonte në zonën e Ulqinit në ndërtim. 33-vjeçari nuk rezultonte një person me precedent penal.