Politika shpesh e errëson të vërtetën, duke manipuluar narrativat mediatike për të shërbyer interesave partiake. Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi vendimet kushtetuese nxjerr në pah se si ndikimi politik deformon faktet, cenon lirinë e medias dhe minon demokracinë.
Raporti midis politikës dhe të vërtetës ka qenë gjithmonë kompleks dhe shpesh konfliktual. Kjo për shkak se politika jo gjithmonë i shërben të vërtetës, por pushtetit dhe interesave personale, ndërsa e vërteta kërkon të jetë e pandikuar dhe universale. Në Shqipëri, ky tension është i dukshëm në mënyrën se si politika ka ndikuar median për të deformuar të vërtetat dhe për t’i ofruar publikut versionet e tyre të ngjarjeve dhe zhvillimeve, që në të gjitha rastet klasifikohet si deformim i opinionit publik.
Rasti i fundit, ai i raportimeve të opinionit të Komisionit të Venecias mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë, tregon qartë orientimin e politikës në redaksitë mediatike.
Mënyra se si opinioni i Komisionit të Venecias u ngjyros me nuanca partiake nxjerr në pah një problem themelor: tendencën për të përdorur median si një instrument për propagandë, duke cenuar informimin e drejtë të qytetarëve. Këto ndikime, që në një shoqëri normale janë të pamoralshme, në Shqipëri kalojnë me frazën që qëllimi justifikon mjetin dhe, në këtë rast, qëllimi për të treguar versionin e tyre të ngjarjeve justifikon cenimin e lirisë së medias për të thënë të vërtetën.
Opinioni i Komisionit të Venecias, i miratuar më 6-7 dhjetor 2024, thekson disa parime thelbësore:
Detyrimi për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha autoritetet shtetërore, përfshirë Kuvendin. Komisioni e quan këtë një kërkesë bazike të shtetit të së drejtës dhe besnikërisë kushtetuese.
Roli i kufizuar i Kuvendit: Kuvendi nuk ka diskrecion politik për të mos zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Çështjet e papajtueshmërisë së mandateve të deputetëve duhet të referohen në Gjykatën Kushtetuese kur përmbushen kriteret e përcaktuara nga Kushtetuta .
Tensionet mes politikës dhe kushtetutshmërisë: Në rastin konkret të deputetes Olta Xhaçka, Gjykata Kushtetuese vendosi se Kuvendi ishte i detyruar të referonte çështjen e papajtueshmërisë së mandatit, por Kuvendi refuzoi të vepronte sipas vendimit, duke krijuar një precedent shqetësues për shtetin e së drejtës.
Disa nga referencat kryesore në opinionin e Komisionit të Venecias mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese janë të përfshira në paragrafët e mëposhtëm:
Paragrafi 20 vendos se Kuvendi nuk mund të vendosë nëse do të respektojë ose jo një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Respektimi i këtyre vendimeve nuk është çështje e diskrecionit politik, por një kërkesë e detyrueshme kushtetuese; Paragrafi 21 thekson se një nga parimet themelore të shtetit të së drejtës është supremacia e Kushtetutës dhe respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga të gjitha autoritetet shtetërore; Paragrafi 22 përcakton se pajtueshmëria me vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një kërkesë e besnikërisë kushtetuese dhe nuk duhet të kushtëzohet nga vota e shumicës parlamentare. Kuvendi duhet të respektojë këto vendime pa kaluar në një proces të mëtejshëm vendimmarrjeje mbi përmbajtjen e tyre; ndwrsa Paragrafi 57 argumenton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kufizojnë kompetencat e vendimmarrjes së Kuvendit dhe Kuvendi mund të veprojë vetëm brenda kufijve të përcaktuar nga gjykata. Kjo është një kërkesë e domosdoshme për ruajtjen e shtetit të së drejtës.
Këta paragrafë përmbajnë argumentet kryesore mbi detyrimin kushtetues për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe kufizimin e hapësirës së Kuvendit për të mos i konsideruar këto vendime.
Politika dhe media – simbioza që dobëson të vërtetën
61 paragrafët e këtij opinioni u lexuan në mënyra krejt të ndryshme nga secila palë politike duke shpallur fitoren publike në media. Përtej pretendimit të palëve politike, shqetësim mbetet se me çfarë të vërtete u informua publiku shqiptar: atë reale apo atë të manipuluar politikisht? Sigurisht që një pyetje e tillë në vendet pak kilometra më në perëndim të Adriatikut as nuk do të konceptohej pasi në media duhet të thuhet vetëm e vërteta, por në Shqipëri jo. Në publik u tha e vërteta sipas interesit të partive dhe opinionin e dominoi ndikimi i partisë në pushtet.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Klotilda Bushka, në deklaratën e saj zyrtare pas publikimit të opinionit, tha: “Venecia na dha të drejtë”, – duke i thënë publikut se një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i imponojë deputetit mënyrën se si voton ose, thënë më thjesht, liria e bindjes politike të deputetit prevalon edhe mbi autoritetin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Sigurisht që diçka të tillë Komisioni i Venecias nuk e kishte thënë në opinionin këshillimor drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, duke e nënvizuar edhe në njoftimin për shtyp që mbërriti në redaksitë e mediave të 46 shteteve anëtare të Këshillit të Europës.
Në këtë pikë nis cenimi i lirisë së medias në Shqipëri. Qëndrimi i shumicës parlamentare mbizotëroi titujt e edicioneve informative, titujt e portaleve dhe kronikave televizive dhe e vërteta sërish nuk u tha siç ishte.
Vlen të theksohet se këta artikuj nuk u shkruan pa pasur diktimin e punonjësve të PR të partisë në pushtet. Menjëherë pas publikimit të lajmit, në telefonat e gazetarëve u shpërnda nominalisht një dokument i cili kishte të përkthyera gjysmë fjali nga anglishtja në shqip, për të orientuar qasjen se si duhet të trajtonin lajmin.
Shumica e redaksive në fillim kishin një qëndrim më realist ndaj dokumentit, duke theksuar se zbatimi i vendimeve të Gjykatës është detyrues. Por nga lajmi i parë u bënë disa ndryshime dhe titulli që pushtoi portalet mediatike, qofshin periferike apo të mediave kombëtare ishte: “Deputetët nuk janë të detyruar se si të votojnë”, një gjysmë frazë e shkëputur nga konteksti i paragrafit të opinionit të Venecias.
Krahas mediave kombëtare, edhe televizionet informative u përballën me një presion të tillë dhe brenda një harku kohor 20 minutësh ndryshuan titullin e lajmit.
Mënyra se si u raportua opinioni i Komisionit të Venecias tregon se influenca politike ndikoi në atë pikë, që në mediat shqiptare mos të jepej informacion i vërtetë, por i modifikuar në bazë të interesave politike.
Pasojat e një medie të manipuluar
Kjo qasje ka pasoja të rënda për demokracinë dhe për besimin publik. Kur një qytetar bombardohet me interpretime kontradiktore dhe manipuluese, ai e humbet aftësinë për të gjykuar në mënyrë të pavarur. Në një klimë ku “liria e medias” bëhet një term i përdorur për fasadë, shoqëria rrezikon të bjerë në apati, duke e parë të vërtetën si një koncept relativ dhe të parëndësishëm dhe duke normalizuar gënjeshtrën.
Për të rikthyer integritetin e medias duhet një angazhim serioz për të zbatuar standardet e pavarësisë editoriale dhe për të garantuar që të vërtetat themelore nuk deformohen nga presionet politike, aq më shumë kur influencat mediatike shkojnë deri në dokumente ndërkombëtare duke i interpretuar në bazë të interesit të tyre. Një demokraci e shëndetshme nuk mund të ekzistojë pa media të lira dhe të ndershme. Përndryshe, si në rastin e Pinokut, “hunda” e manipulimit politik do të rritet aq shumë, sa askush nuk do ta marrë më seriozisht.
Si konkluzion, analiza mbi këtë çështje nuk mund të neglizhojë pasojat afatgjata të mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Siç theksohet në opinion, shteti i së drejtës kërkon jo vetëm respektimin formal të ligjit, por edhe angazhimin e sinqertë të të gjitha institucioneve për të mbrojtur parimet demokratike. Për këtë, media ka një rol kritik për të luajtur: të jetë arbitër i së vërtetës, jo një zgjatim i politikës.
Vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në një qëndrim për këtë artikull, shprehet se asnjë institucion nuk duhet të vërë në dyshim autoritetin e institucionit sa i përket zbatimit të vendimeve. “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare. Asnjë nga institucionet nuk ka nevojë t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të vënë në zbatim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”,- ka nënvizuar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, për “INA Media”.
Kësaj qasjeje i bashkohet edhe konstitucionalisti Sokol Hazizaj, i cili ngre shqetësimin se zbatimi i të drejtës së 1/10 së deputetëve për të kërkuar mocionin e një anëtari të parlamentit vihet në pikëpyetje për shkak të parashikimit ligjor se në 6 muajt e fundit të mandatit, Gjykata nuk mund të verifikojë pajtueshmërinë e mandatit.
“Kemi kokëfortësinë e një shumice që mund ta kishte zgjidhur shumë thjesht, duke i dhënë hapësira çdo pakice të Kuvendit për t’iu drejtuar Kushtetueses. Nuk mendoj se Venecia ka derivuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pra, Kuvendi sot nuk ka se çfarë të bëjë tjetër përveçse të përcjellë çështjen në Kushtetuese. Nuk kemi të bëjmë me sovranitetin e Kuvendit, por me të drejtën e 1/10 të anëtarëve të Parlamentit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi e ka detyrim Kushtetues”, – shprehet z. Hazizaj.
/ Ervin Koçi / INA Media