“Rruga ishte shtëpia ime” shprehet e menduar Rina*, vajza 10-vjeçare që jeta e ka bërë të përballet me sfida që në moshë të vogël. Dita e vogëlushes fillonte e mbaronte rrugëve të Tiranës, me dorën që i drejtohej kalimtarëve të ndryshëm, me shpresën se dikush prej tyre do t’i falte asaj ndonjë monedhë. Fati i Rinës nuk ndryshonte shumë nga vëllai i saj, ndonëse është disa vite më e vogël.
Të dy të shfrytëzuar nga prindërit, për të mbledhur para. Shkak kushtet e vështira ekonomike.
Ishte viti 2023 kur një qytetare e pa Rinën* në një nga rrugicat e kryeqytetit dhe e raportoi rastin e saj pranë qendrës ARSIS, Nisma për Ndryshim Shoqëror. Menjëherë në mbrojtje të 10-vjeçares u vendos kjo qendër në koordinim me Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve në Tiranë dhe Qendrën Komunitare të Terrenit.
“Me zërin e mekur dhe të lodhur, Rina na tha se përdorte një pjesë të parave që fitonte nga lypja për të blerë ushqim, ndërsa ia jepte pjesën tjetër nënës së saj,” tregoi në kushtet e anonimatit psikologia që trajtoi rastin e Rinës.
Ajo shpjegoi se, për shkak të historisë së familjes, ndaj nënës së fëmijës u depozitua një kallëzim për neglizhencë dhe shfrytëzim ekonomik. Më parë, edhe vëllai i Rinës ishte në të njëjtën situatë rruge.
Ana Majko, drejtore e qendrës ARSIS që trajton rastet e fëmijëve të trafikuar dhe në situatë rruge tha se vështirësitë ekonomike janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rasteve.
“Shpesh familjet e këtyre fëmijëve ndodhen në vështirësi për të siguruar të ardhurat edhe për nivelin bazë të jetesës, pasi mund të jenë familje migratore, fëmijë të paregjistruar dhe problematika të tjera që shoqërojnë rast pas rasti,” tha Majko.
Gentian Sejrani nga qendra Drejtësi Sociale, që trajton çështje sociale kryesisht të komunitetit rom dhe egjiptian, pohon po ashtu se faktori ekonomik është kryesori.
“Për shkak se prindërit e tyre shpesh janë te papunë, të pastrehë, pa profesion, të braktisur nga shteti, kanë gjetur lypjen në rrugë si zgjidhje për të siguruar nevojat bazike,” tha Sejrani për Citizens.
“Por ka dhe raste,” thotë Sejrani, “ku prindërit e kthejnë lypjen në profesion duke shfrytëzuar fëmijët ku më së shumti janë fëmijë të minoriteteve rom dhe egjiptian.”
“Identifikimi i fëmijës në situatë rruge dhe problemet afatgjatë”
Gentian Sejrani ndau një rast të fëmijëve në gjendje rruge me Citizens. Dy vajza të vogla, ngjashëm me Rinën, ishin për një kohë të gjatë në situatë rruge. Ato lypnin pasi familja e tyre në vështirësi ekonomike nuk përballonte dot jetesën.
Pasi u raportuan si rast ishin dërguar në shtëpinë e fëmijës në Sarandë. “Por kjo nuk e zgjidhte problemin,” thotë Sejrani.
“Ne si organizatë Drejtësi Sociale mbështetëm fuqizimin e familjes me qëllim rikthimin e vajzave në familje. Duke nxitur Bashkinë e Tiranës, arritëm që t’i siguronim dy vende pune prindërve të vajzave,” tregon Sejrani.
Sejrani thotë se rasti i vajzave ishte sukses pasi pas punësimit të prindërve, ato nuk janë më në situatë rruge. Por çdo vit me qindra fëmijë në të gjithë Shqipërinë janë në situatë të tillë. Një pjesë e madhe e tyre bien pre edhe e trafikimit.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (ASHDMF) raporton për 141 fëmijë në situatë rruge për vitin 2024, nga të cilët 37 të trafikuar. Në vitin 2019 ishin 349 fëmijë në situatë rruge, dhe 45 prej tyre të trafikuar.
Ka disa mënyra se si bëhet identifikimi i një fëmijë në situatë rruge. Ana Majko tregon se Nisma ARSIS ka një marrëdhënie të ngushtë me komunitetin dhe strukturat e mbrojtjes së fëmijëve, çka do të thotë se identifikimi ndodh në disa mënyra:
- Nga vetë ekipi i terrenit të Nisma ARSIS.
- Gjatë asistencës psikosociale të ofruar në ambientet e komisariateve të policisë.
- Nga raportimet e qytetarëve.
- Nga referimet e Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Nisma ARSIS ofron disa shërbime për kategorinë e fëmijëve në situatë rruge, por jo vetëm. Kjo organizatë ka nën menaxhim 2 qendra multifunksionale: Qendra “Shtëpia e Ngjyrave”, e cila ndodhet në Njësinë Administrative Nr.7 dhe Qendra “Për Fëmijërinë e Hershme”, në Njësinë Administrative Nr.5 në Tiranë.
Të dyja qendrat ofrojnë mbështetje për të gjithë fëmijët e identifikuar në risk të ulët, të mesëm ose të lartë.
Por përtej organizatave dhe shërbimeve që ofrojnë ato, ekspertët shhoin se mungon një zgjidhje strukturore. Gentian Sejrani shprehet se trajtimi më i mirë i fëmijëve në situatë rruge pasi janë identifikuar është te mënyra se si rehabilitohen ata dhe familja.
“Shpesh bashkitë marrin fushata kundër shfrytëzimit të fëmijëve për lypje, por problemi qëndron se bashkia në shumicën e rasteve nuk ka çfarë t’i ofrojë familjes apo fëmijës.”
Sejrani sqaron se ligji përcakton procedurën se si identifikohet dhe mbështetët një fëmijë, por “problemi qëndron tek mosrespektimi i një zëri buxhetor specifik në buxhetin e bashkive për ta zbatuar”.
Veprimet qe kryhen nga bashkitë janë ose marrja e fëmijës dhe dërgimi në shtëpitë e fëmijëve ose mbështetja e familjes me paketa ushqimore.
“Por nuk ka nisma për zgjidhje të situatës socio ekonomike të familjes, e cila është faktori kryesor,” vijon Sejrani.
Ana Majko thotë se ka nevojë për ndërhyrje afatgjatë e të koordinuar, një vlerësim më të thelluar të nevojave dhe situatës së familjeve që kanë histori të shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve, dhe ndërhyrje parandaluese në komunitet.
*Emri i Rinës është ndryshuar për të ruajtur privatësinë
/Citizens