Pasditja e të dielës së 1 Dhjetorit, në një restorant të njohur në Ndroq, ishte disi më e zhurmshme se zakonisht. Duke qenë fundjavë, kishte edhe më shumë njerëz që drekonin. Madje kishte edhe një festë familjarë.
Por në një moment, rreth orës 15:30, pesë të shtëna arme zjarri shkaktuan panik tek klientët. Disa u përkulën duke u fshehur pas tavolinave e të tjerë nxituan të dilnin jashtë.
Stafi panë një klient që u rrëzua në tokë dhe një tjetër që nxitoi të dilte jashtë. Kur u kuptua se në fakt dikush ishte vrarë aty, menjëherë u lajmërua Policia.
Alfred Dedja, 50 vjeç, një banor i Ndroqit, mbeti i vrarë pasditen e 1 dhjetorit.
Aty kishte shumë njerëz që e ndjenë veten të rrezikuar. Por duket se autori i vrasjes e kishte të qartë objektivin dhe askush tjetër nuk u dëmtua në atë ngjarje. Policia e identifikoi shumë shpejt të dyshuarin, një 26-vjeçar nga Shijaku. Ishte Julian Gjoshi, i cili sapo realizoi krimin, nxitoi të largohej me automjetin e tij “Mercedez ML”, duke lënë pas një të vrarë, por asnjë gëzhojë.
Grupi i ekspertëve përcaktoi se arma e zjarrit ka qenë një revolver, e cila nuk i nxjerr gëzhojat pas qitjes. Ai nuk e ka nxjerrë nga xhepi armën, duke e qëlluar nga brenda tij. Kjo e provuar jo vetëm nga dëshmitarët, por edhe nga kamerat e sigurisë.
Të dy, viktima dhe autori, që njiheshin me njëri-tjetrin, kishin shkuar për t’u takuar aty. Julian Gjoshi e kishte ftuar Alfred Dedjan për një sqarim dhe po e priste në restorant i armatosur. Sapo 50-vjeçari i është afruar, Gjoshi është ngritur në këmbë dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë e ka qëlluar për vdekje. Por nga çfarë u zbulua në vendngjarje, edhe viktima nuk kishte shkuar i pambrojtur në atë takim, pasi ne brez iu gjet një pistoletë. Megjithatë, duke u gjendur në befasi, nuk pati mundësi që ta përdorte.
Policia e Tiranës
Më datë 1 dhjetor 2024, rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Alfred Dedja, rreth 50 vjeç. Autori është identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Një ditë pas ngjarjes, në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me ato të Durrësit dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, për lokalizimin dhe kapjen e autorit, është gjetur i braktisur në fshatin Shkallnur, automjeti me të cilin dyshohet se ka lëvizur autori i dyshuar i vrasjes.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë nuk kanë konstatuar ndonjë send të kundërligjshëm. Automjeti u transportua në ambientet e Policisë, ku po i nënshtrohet ekspertizës.
Ndërsa disa orë më vonë, i dyshuari, Julian Gjoshi u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës, ku edhe u bë ndalimi i tij, për veprën penale “vrasje me dashje”. Ai pranoi krimin, duke dhënë edhe një lloj shpjegimi për motivet që e shtynë drejt vrasjes, pavarësisht se grupi hetimor vijon t’i shohë me dyshim.
Në deklarimet që kishin dhënë në Polici, para se ai të arrestohej, familjarët e Gjoshin pretenduan se ai ka probleme psikologjike, të cilat i ka shfaqur pas kthimit nga Spanja. Fillimisht u duk se kjo po përdorej si një mundësi për të lehtësuar pozitat e tij penale, por pas arrestimit dhe intervistimit paraprak të tij, problemet psikologjike ishin të dukshme edhe për oficerët e Policisë. Megjithatë, ende nuk është kryer një ekzaminim për të pasur një raport zyrtar në lidhje me këtë.
Jualian Gjoshi
“Ndihesha i ofenduar, pasi sa herë që takoheshim më shante e më ofendonte. Jemi takuar edhe 10 ditë para ngjarjes dhe sërish më ka ofenduar. Ditën e ngjarjes e kam marrë unë në telefon dhe i kam thënë hajde se po të pres për kafe. Sapo u ul e qëllova me armë. Unë atë e kam mbajtur me lekë e bukë kur punonte menaxher në Shijak, në pronën e familjarëve të mi. Pasi kreva vrasjen u largova menjëherë. Pistoletën e hodha jo shumë larg nga lokali, në anë të disa shkurreve.”
Në bazë të deklarimeve të autorit të dyshuar, Policia ka nisur kontrollet për gjetjen e armës së krimit, që dyshohet të jetë një revolver. Kërkimet nisën gjatë paradites së të mërkurës, duke ndjekur të gjithë rrugën që ai ka përshkuar deri në Pjezë të Shijakut ku edhe është fshehur.
E për një hetim të plotë, për të gjetur motivet dhe shkaqet e vërteta të vrasjes, grupi hetimor është përqendruar tek e shkuara dhe aktiviteti aktual i autorit por edhe i viktimës. Pika lidhëse e të dyve rezulton të jetë Altin Hajri. Viktima rezulton të ketë punuar për të për një periudhë kohe, herë si menaxher e herë si kamarier në një karburant që ndodhet pranë kompleksit “Golden”, pronë e Altin Hajrit në Pjezë të Shijakut. Ndërsa autori i dyshuar është kunati i tij, vëllai i bashkëshortes së Hajrit, Valentinës.
POLITIKË ME KRIMIN
Emri i Altin Hajrit, është lakuar për gati një dekadë, si drejtues i një grupi kriminal me qendër në Shijak, por me aktivitet edhe në Itali e më gjerë, kryesisht për çështje të trafikut ndërkombëtar të drogës. Madje edhe në tetor të vitit 2024, ai u rikthye në vëmendjen e medias, pas një operacioni të SPAK, që arrestoi ish-deputetin e Durrësit Jurgis Çyrbja dhe rishpalli në kërkim Altin Hajrin, i cili ndërkohë ishte në kërkim edhe për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në vitin 2020.
Ngjarja e 1 dhjetorit në Tiranë, ku kunati i tij, Julian Gjoshi kreu një vrasje, e ktheu Altin Hajrin sërish në qendër të vëmendjes mediatike, madje edhe politike. Kjo edhe për arsye se në dosjen e fundit të SPAK, Hajri shfaqet në komunikimet në aplikacionin SKY, duke biseduar me Çyrben. Madje në një episod flet konkretisht për kunatin e tij, Julian Gjoshi.
Duke analizuar këtë episod, duhet të kthehemi pas në kohë, ditën kur Policia e Tiranës arrestoi Julian Gjoshin për armëmbajtje pa leje.
Më 19 janar të vitit 2021, Julian Gjoshi, në atë kohë 23 vjeç, u ndalua nga njësia “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit nr.2, në Bulevardin “Gjergj Fishta”. Policia tha në atë kohë se, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ishte arrestuar në flagrancë Julian Gjoshi, banues në Shijak, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Ndalimi i tij u bë gjatë kohës që drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Shërbimet e Policisë kishin marrë informacion në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford” me drejtues Julian Gjoshin dhe pasagjer një person tjetër, mik i tij, poshtë sediljes së shoferit Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Beretta” dhe 10 fishekë.
Pikërisht për këtë episod zhvillohen edhe bisedat në SKY.
Altin Hajri
Kan kap kunotin tim me pistoletë… Mos bëjmë naj gjë. Është kunati me gjith atë “bolin” që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një, dali një, shif naj “arrest shpie”. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën se arma qeka veç për gishtat…se po s’e marove ti s’kam kujt me i thën, veç me prish gjilponën. Kërkoje vëlla, sa lek të dojn veç du t’ja maroj se më mytën kalamajt daja…. Jepi 20 mijë euro sa dojn ai, veç ta mbarojë…. Më 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëj mikut tat Olsit….
Personazhi qe në biseda i referohen me emrin “Olsi”, duket se ka luajtur një rol të veçantë për lehtësimin e pozitës juridike dhe masës së sigurisë për të arrestuarin Julian Gjoshi. Kjo pasi në 21 janar 2021, ashtu siç shkruan Hajri në “Sky”, Julian Gjoshi ka dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë dhe është vendosur “arrest në burg” me afat 3 javë. Por në fakt, në muajin qershor të vitit 2021 çështja ndaj Julian Gjoshit është dërguar në gjykatë për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “Drejtimit të mjetit në gjendje të dehur”. Procesi ka vijuar më gjykim të shkurtuar, ku prokurori ka lexuar pretencën duke kërkuar 4 vite burg për të akuzuarin. Më 23 dhjetor 2021 Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit duke e dënuar me 4 vjet burg, por duke urdhëruar pezullimin e vuajtjes së dënimit me burg. Në këtë formë është vendosur që Julian Gjoshi të lirohej nga qelia me shërbim prove, me kushtin që të mos kryejë asnjë vepër penale për 3 vjet. Kusht që në fakt nuk është respektuar nga i akuzuari, duke qenë se më 25 prill të vitit 2023 është përfshirë në një aksident automobilistik, duke përplasur me makinën e tij “Land Rover”, një vajzë, por kjo çështje u pushua nga Prokuroria e Tiranës.
Por pas vrasjes së ndodhur në Ndroq dhe publikimit në media të disa bisedave në SKY, ku përmendej personazhi me emrin “Olsi”, që shfaqej si njeri nga strukturat e drejtësisë, nisën edhe reagimet politike.
I pari që e përdori këtë rast, për të sulmuar Prokurorinë e Posaçme që në fakt e ka në hetim, ishte ish-kryeministri Sali Berisha. Madje duke e identifikuar këtë personazh me emrin e një prokurori aktual të SPAK, Olsi Dadon. Sipas një denoncimi, të cilën e ka bërë publik Sali Berisha në faqen e tij në Facebook, thuhet se ish-prokurori i akuzës së kryeqytetit, Ols Dado, aktualisht prokuror pranë SPAK, ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit.
Pas publikimit të kësaj deklarate, ka qenë i menjëhershëm reagimi i SPAK, duke i cilësuar informacionet plotësisht të pavërteta.
Prokuroria e Posaçme
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përgënjeshtron deklaratën e sotme përmes të cilës aludohet se prokurori i posaçëm, Ols Dado “ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit”. SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur. SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative. SPAK apelon për një trajtim të përgjegjshëm dhe të balancuar të informacionit nga ana e përfaqësuesve politikë dhe mediave dhe nënvizon se do të vijojë punën pa asnjë kompromis në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së publikut në ushtrimin e funksioneve të tij.
Pas reagimit të Prokurorisë së Posaçme, Berisha bëri një hap pas dhe doli në një deklaratë për shtyp, duke hedhur aludime të tjera, që e lidhnin viktimën me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Në një konferencë me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike komentoi ngjarjen e Ndroqit, ku u vra me armë zjarri Alfred Dedja.
Çështja e dytë për të cilën jam sot para jush, dje mbasdite u ekzekutua publikisht në Ndroq dëshmitari i copëtimit të Jan Prengës, njeriut që dinte të gjitha. Ai, Dedja, kishte qenë menaxher i lokalit të Altin Hajrit. Imagjinoni ju një moment, njeriu që e kishte liruar nga burgu këtë Julian Gjoshin, që kishte ngritur shtetin në këmbë për ta liruar, tani e urdhëron në një akt in-ekstremis, të vrasë në publik dëshmitarin e vetëm të mundshëm të copëtimit makabër të trupit të Jan Prengës. E gjitha kjo një vepër shtetërore mafioze. Mafia me shtetin të bashkuar. E gjitha kjo për të mbyllur aferën, sepse ju e dini se për Jan Prengën u akuzuan kamerierët e Altin Hajrit, kurse Altini është i lirë, Altini tani pastron oborrin dhe u detyrua në fund të nisë kunatin e tij të kryejë vrasjen publike.
Por edhe kjo deklaratë e dytë e Sali Berishës u hodh poshtë nga Prokuroria e Posaçme, që deklaroi se viktima nuk ka qenë i përfshirë në listën e punonjësve të kompleksit “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit dhe nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të ketë lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të Jan Prengës.
Prokuroria e Posaçme
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë deklaratat e pavërteta që e lidhin A.D, viktimën e krimit të kryer mbrëmë në Ndroq me një ngjarje që daton në vitin 2020, e cila hetohet prej saj. Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr.60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qenë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.
Burime të Policisë së Tiranës konfirmuan se viktima, Alfred Dedja, që u vra në Ndroq më 1 dhjetor, ngjarje për të cilën tashmë është arrestuar Julian Gjoshi, rezulton të ketë lidhje me Altin Hajrin, por jo me vrasjen e Jan Prengës. Ai nuk ka qenë i punësuar në kompleksin “Golden”, por në një karburant pranë tij.
Por si qëndron e vërteta e rrëmbimit, ezkekutimit dhe zhdukjes së trupit të Jan Prengës?
RRËMBIMI DHE VRASJA E JAN PRENGËS
E ndonëse ishte një personazh i përfolur dhe mjaft i rëndësishëm i botës së krimit, Altin Hajrit vijoi veprimtarinë e tij derisa emri i tij doli sërish në skenë në janar të vitit 2020, kur Policia njoftoi zyrtarisht se në resortin e tij në Shijak, ishte mbajtur peng Jan Prenga dhe më pas nga aty kishte humbur çdo gjurmë e tij.
Policia shpjegonte se ky rrëmbim kishte ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës kishte pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe. Konflikti në fjalë, kishte të bënte me ngarkesën e madhe të drogës. Konkretisht 260 kg kokainë, që një nga vëllezërit e Jan Prengës në Angli, nuk e ka dorëzuar tek pritësit, por e ka përvetësuar bashkë me 3 persona të tjerë.
Një ditë janari, të vitit 2020, Ndrek Prenga mori një telefonatë të pazakonte. Në fakt edhe vetë kushtet kur u krye telefonata ishin të pazakonta. Ndreka ndodhej në një burg në Mbretërinë e Bashkuar, ku po vuante një dënim prej 8 vitesh heqje lirie. Po ashtu, edhe personi që e telefononte ndodhej në burg. Por, në një burg rreth 6000 kilometra larg, në anën tjetër të globit. Në Ekuador. Personi që i telefononte, ndodhej në një prej burgjeve të Guajakilit dhe quhej Dritan Rexhepi, i dënuar atje me 13 vjet burg, po për drogë. Të dy po komunikonim me celularë të futur fshehurazi në qeli.
Rexhepi, shefi i organizatës kriminale “Kompania Bello”, kishte një kërkesë të prerë dhe drejtpërdrejtë. I kërkonte Ndrekës kthimin e menjëhershëm të kokainës me vlerë disa milionë paund, që një nga vëllezërit e tij e kishte “vjedhur” pasi ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të janarit.
Ai i tha Ndrek Prengës së vëllai i tij sapo ishte rrëmbyer në një prej rrugëve të Shqipërisë dhe do të lirohej vetëm pasi të kthehej kokaina.
Personazhi më i rëndësishëm, por edhe i rrezikshëm në të njëjtën kohë, që Ndrek Prenga njohu në botën e krimit, ishte Dritan Rexhepi, që në fakt ai e njihte me emrin Gramoz. Të dy ata kishin kaluar pak kohë bashkë në një paraburgim në Itali.
Vëllai i Jan Prengës, Ndrek Prenga, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme më 18 tetor 2024, në procesin që po mbahet për rrëmbimin dhe vrasjen e vëllait të tij, në janar të vitit 2020. Ai ka treguar se në vitin 2020 ka qenë në burg në Londër dhe se çdo ditë kishte kontakte me familjarët, gruan dhe fëmijët, me të cilët komunikonte përmes telefonit. Ai ka dëshmuar në gjykatë se me vëllain e tij ka folur rreth një javë përpara se të ndodhte ngjarja. Ka qenë një tjetër i dënuar në burgun ku ai vuante dënimin qe i ka futur në dhomë një telefon, me anë të të cilit e ka telefonuar një person me prefiks të huaj, duke iu prezantuar si Gentian Funiqi, ose Doçi. Sipas Prengës, Funiqi është prezantuar në telefon si një person me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës, duke i thënë që: “Ma jep gjënë”. Prenga thotë që i referohej një sasie prej 260 kilogramë kokainë. Gjatë dëshmisë ai shtoi se Gentiani i kishte thënë se ka te tentuar të komunikojë edhe me vëllain Astritin, por nuk ka arritur. Pas këtij momenti Ndrek Prenga i është përgjigjur se nuk ishte në dijeni se për çfarë bëhet fjalë.
Pas pak ditësh ai është vënë në dijeni se bëhet fjalë për një sasi prej 260 kg kokainë që ishin marrë në port, dhe gjatë komunikimeve që Ndrek Prenga kishte me Gentianin, ky i fundit i thotë që të dorëzojë atë “gjënë” duke iu referuar sasisë së kokainës me qëllim për të liruar pengun. Prenga ka sqaruar në gjykatë se pas ndërprerjes së mesazheve me Gentianin, i ka shkruar një tjetër person duke iu prezantuar si Gramoz ku edhe ai pretendohet se kokainën e marrë nga Astrit Prenga është e tija. Sipas dëshmisë së gjatë të Ndrek Prengës, pasi policia ka ndërhyrë në kompleksin Goldën Resort në Shijak, nga ai moment ai ka ndërprerë komunikimet me të gjithë personat që kishte folur.
Zanafilla e ngjarjeve që çuan në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ndonëse ende nuk është gjetur trupi i tij, filloi në shtator të vitit 2019, në portin ekuadorian të Guajakil, kur një anije mallrash që transportonte banane u nis për në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç frutave, në një prej kontejnerëve ishin futur edhe 260 kg kokainë, me vlerë 15-20 milionë paund. Anija u ankorua në Portsmouth, Hampshire në fund të dhjetorit të po atij viti.
Sipas dosjes së Prokurorisë Astrit Prenga, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian u punësuan nga ndërmjetës me origjinë britanike dhe iraniane për të marrë drogën nga porti, për llogari të dy bandave kriminale me bazë në Shqipëri. Ata e realizuan me sukses tërheqjen e kokainës nga kontejneri në port në fillim të muajit janar të vitit 2020. Por më pas e ndërruan planin, që më vonë rezultoi me pasoja fatale.
Korrierët dhe ndërmjetësit dyshohet se kishin një konflikt për një pagesë të mëparshme. Megjithatë duket se në rastin e fundit thjeshtë u joshën në momentin që hapën kontejnerin. Por pavarësisht motiveve, përfundimi ishte ky: Astrit Prenga, bashkë me Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian, vendosën të mbanin kokainën dhe ta ndanin me njëri-tjetrin. Sipas të dhënave në dosjen e Prokurorisë ka dyshime se në atë moment ata nuk ishin në dijeni të faktit se ngarkesa që kishin vjedhur ishte e lidhur me Dritan Rexhepin.
Një javë pasi kishin marrë kokainën, ata janë telefonuar nga Gentian Doçi, i cili i kërkonte kthimin e kokainës. Pas tri ditësh i telefonoi përsëri duke i paralajmëruar që të mos bënin gabim pasi droga ishte e tij dhe duhej kthyer. E pas Gentian Doçit, ishte radha që Dritan Rexhepi të bënte lëvizjen e tij, duke telefonuar Ndrek Prengën që ndodhej në burg në Mbretërinë e Bashkuar.
E me gjithë premtimin e dhënë nga kontinenti i largët, duket se pengmarrja kishte marrë fund në mënyrë tragjike. Sipas deklaratës që Anton Prenga ka dhënë në Polici, pas mbërritjes në Shqipëri, ka treguar se më 22 janar 2020, i vëllai, Astriti dhe bashkëpunëtori i tij shqiptar u kishin dorëzuan ndërmjetësuesve polakë të dërguar nga karteli i drogës, 106 kg kokainë. Gjithashtu kishin paguar edhe 700 mijë paund, si kompensim për drogën që kishin shitur. Po atë ditë Dritan Rexhepi telefonoi sërish nga Ekuadori për t’u thënë vëllezërve Prenga se Jani do të lirohej brenda dy orësh. Por nuk po ndodhte asnjë lëvizje. Rexhepi i siguronte se Jani ishte shëndosh e mirë dhe do të lirohej. Por përsëri nuk kishte asnjë shenjë.
Kur kishin kaluar 11 ditë nga rrëmbimi i 48-vjeçarin Jan Prenga në Kamzë, shpresat për lirimin dhe kthimin e tij pranë familjes u shuan më 28 janar 2020, me një deklaratë zyrtare të Policisë së Shtetit.
Policia arrestoi atë ditë 4 persona, që veç të tjerave i akuzonte edhe për “Fshehje ose asgjësim të kufomës”. Gjatë operacionit të koduar “Resorti”, nisur nga të dhënat hetimore se pengu ishte dërguar nga Kamza në resortin e familjes Hajri në Shijak, nuk u arrit të gjendej asnjë gjurmë e Jan Prengës. Megjithatë, u tha se përmes hetimeve të thelluara, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.
Policia kishte arritur që nëpërmjet pamjeve të kamerave të sigurisë dhe provave të tjera, të gjurmonte udhëtimin e “Range Rover”-it të bardhë nga rruga “London”, në Kamzë, në parkingun nëntokësor të “Golden Resort”, në Shijak. Pamjet e kamerave të parkingut treguan një çantë të madhe të zezë duke u transferuar nga makina e vjedhur në një furgon. Disa persona shquheshin duke ngarkuar lopata dhe kazma dhe duke fshirë gjurmët e gjakut nga vendi i ngjarjes. Furgoni më pas u nis në një vend të panjohur që nuk u zbulua kurrë. Ndërsa “Range Rover” më vonë u gjet i djegur. Grupi hetimor beson se çanta e zezë përmbante trupin e fatkeqit Jan Prenga dhe se ai ishte plagosur e më pas kishte vdekur. Për ngjarjen u arrestuan disa persona e të tjerë u shpallën në kërkim.
Vetëm dy nga shumë persona të akuzuar për organizimin, rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, me një vendim të datës 29 shtator 2022. Është dënuar me burgim të përjetshëm i vetmin autor i akuzuar për vrasjes dhe zhdukjen e kufomës, kopshtari i resortit, Festim Bexhdili. Togat e zeza kanë arritur në përfundimin se Bexhdili ka dijeni për vendodhjen e kufomën, por nuk tregon. Nga ana tjetër, i akuzuari si bashkëpunëtor, Olsi Turja, u dënua me 3 vjet heqje lirie. Krimi u provua nga kamerat e sigurisë të resortit “Golden”, ku në 6 orë, janë vënë re hyrje-dalje të makinave të dyshimta, nxjerrja e sendeve që akuza pretendon se janë armët e krimit, lopata e kazma si dhe në fund një qese e madhe e zezë, brenda së cilës dyshohet se ishte futur trupi i viktimës.
Një ditë pas krimit, Festim Bexhdili dhe bashkautori Olsi Turja, janë riparë në garazhin e kompleksit duke pastruar gjurmët e gjakut. Mostrat e ADN të marra në vendi e ngjarjes përputhen me nënën e viktimës.
Mes gjithë atyre personave që u akuzuan, pasi u panë në kamerat e resortit, rrethi u ngushtua vetëm në dy emra. Por për persona të tjerë, mes të cilëve edhe porositësit, Dritan Rexhepi dhe Gentian Doçaj, dosja është veçuar, ashtu sikurse edhe për Altin Hajrin.
Pas afro një viti pezullim, vetëm pak kohë më parë, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurve: Dritan Rexhepi, tashmë i arrestuar në Turqi, Gentian Funiqi (Doçaj), i arrestuar në Spanjë, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja e Artan Doçaj, të akuzuar si grup i strukturuar kriminal, për rrëmbimin e Jan Prengës. Më 10 shtator 2024 kaloi për gjykim edhe çështja në ngarkim të Altin Hajrit, për të njëjtat akuza, pasi ishte i pezulluar deri në njoftimin dhe kapjen e tij.
Prokuroria e Posaçme
I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden”. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të policisë, si organi përgjegjës për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri.
Por duket se dhe kjo histori ka pikëpyetjet e veta, sa i përket procedurave të ndjekura kundrejt personave të arrestuar e më konkretisht të dënuarit të vetëm përjetë për këtë ngjarje, kopshtarit Festim Bexhdili, i cili është djali i dajës së Altin Hajrit. Në një vendim të Gjykatës së Lartë, të shpallur më 25 korrik 2024, nga Sokol Binaj kryesues dhe anëtarë Sandër Simoni e Albana Boksi, kërkohet kthimi i çështjes për rigjykim në lidhje me të dënuarin përjetë Festim Bexhdili. Në arsyetimin e këti vendimi thuhet se:
Vendimi i Gjykatës
Kolegji konsideron në kushtet e zbatimit të gabuar të ligjit penal, edhe qëndrimin e gjykatave lidhur me aplikimin e dënimit ekstrem me burgim të përjetshëm ndaj të pandehurit nën justifikimin e “llojit të vetëm unik të dënimit” të parashikuar nga neni 109/3 i Kodit Penal “Rrëmbimi me pasojë vdekjen” – si një qëndrim në ometim të zbatimit të përcaktimit të paragrafit të dytë të nenit 27 të Kodit Penal që parashikon se: Ne caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët, gjykata duhet të mbaje parasysh shkallën e pjesëmarrjes së secilit dhe rolin e luajtur në kryerjen e veprës penale. Përfundimisht, Kolegji konsideron se, vendimi i Gjykatës se Apelit të Posaçëm duhet të prishet duke u vendosur në të njëjtën kohe kthimi i çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykate por me kolegj gjykues të ndryshëm.
Në vendim, theksohet se nga këqyrja në tërësi e këtyre pamjeve filmike, si dhe nga Akti i Ekspertimit Teknik – Video, duke bërë krahasimin e pamjeve me fotot e paraqitura, konstatohet se personat që paraqiten në videon e datës 17 janar 2020 janë shtetasit Geraldo Martini, Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Altin Hajri, Festim Bexhdili, një person tjetër i pa identifikuar gjatë hetimeve paraprake dhe viktima Jan Prenga. Nga këqyrja e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e instaluara në Kompleksin “Golden” rezulton që të jenë të dokumentuara të gjitha veprimet që kanë kryer personat e sipërpërmendur. Akti shoqërohet edhe me sqarimet antropometrike respektive dhe me fotografi për secilin nga personat e identifikuar në video. Akti i ekspertimit nuk ka arritur të identifikojë vetëm një person në video, duke u përdorur programi kompjuterik “Face Identification Software”.
Nga ana tjetër, në vendim shpjegohen edhe rrethanat për kryerjen e vëprimeve të Policisë për gjetjen e trupit të viktimës. Kërkimet janë zhvilluar në rrethinat, lëndinat dhe kodrat rreth shtratit të lumit Erzen, tokat e fshatit Shkallnur, Arapaj, Manskuri, pranë liqeneve në ndryshme të kësaj zone, duke u kontrolluar puset e gjetura në këto zona, zonat pyjore pranë kompleksit Golden, bunkerë të ndryshëm të kësaj zone, në rezervuarë, ish-godina të braktisura, në varreza të kësaj zone. Gjithashtu edhe në parcela bujqësore të zonave përreth, të cilat janë në pronësi apo në posedimin e personave të dyshuar fillimisht si pjesëmarrës, në territorin e fshatit Pjezë, në rezervuarin e Pjezës. Në datat 28 janar dhe 12 shkurt 2020, policia gjyqësore ka realizuar kontrollin me dron të zonës për gjetjen e trupit por kërkimet nuk kanë dhënë rezultat.
Në brendësi te kompleksit “Golden” janë sekuestruar edhe dy armë zjarri. Nga këqyrja e pamjeve filmike, si dhe deklarimet e dhëna nga i pandehuri Festim Bexhdili gjatë hetimeve paraprake, armët kanë qenë të autorëve dhe i pandehuri Bexhdili i ka fshehur ato. Gjatë gjykimit u provua se Festim Bexhdili ka lidhje familjare me shtetasin Altin Hajri, konkretisht e ka djalë halle.
Nga këqyrja në tërësi e pamjeve filmike në kompleksin “Golden” identifikohet automjeti që ka kryer rrëmbimin, si dhe viktima, i cili identifikohet qartësisht si Jan Prenga. Gjatë gjithë kohës që viktima ka qëndruar në garazhin e kompleksit “Golden”, që prej orës 11:32 (ora e mbërritjes) deri në orën 18:12 (ora e largimit të trupit të tij), rezulton se ai nuk jep asnjë shenjë jete megjithëse gjatë gjithë kësaj kohe rezulton që të ketë qenë i filmuar. Gjykata arrin në konkluzionin se shtetasi Jan Prenga ka ndërruar jetë duke mbajtur parasysh edhe faktin që autorët e kësaj ngjarje, sipas pamjeve të dokumentuara dhe të regjistruara nga kamerat e kompleksit “Golden” sigurojnë dhe marrin edhe një kazmë dhe një lopatë. Ky fakt i krijon bindjen gjykatës se Jan Prenga ka ndërruar jetë pasi këto mjete janë siguruar pikërisht për të fshehur trupin e viktimës.
Në deklarimet e dhëna nga vetë i pandehuri Festim Bexhdili gjatë hetimeve paraprake, si dhe gjatë gjykimit kur ai është pyetur me cilësinë e të pandehurit ai ka deklaruar se Jan Prenga nuk kishte asnjë shenjë jete në momentin e mbërritjes në kompleks. Nga pamjet filmike konstatohet se personat që kanë kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga i kanë rrobat me gjak dhe pikërisht për këtë arsye i ndërrojnë ato me rrobat që solli i pandehuri Festim Bexhdili. Gjithashtu rezulton se viktima është kaluar nga mjeti me të cilin është rrëmbyer në fugonin tip “Benz” pa targa dhe më pas është mbuluar me çarçaf dhe është kaluar në fugonin me targa AA 075 DX. Gjykata çmon se ky veprim është kryer nga autorët me qëllimin për të fshehur trupin e tij.
Me gjithë tejzgjatjen e procesit dhe faktin se personazhet kryesor të urdhërimit rrëmbimit e më pas ekzekutimit të Jan Prengës, po gjykohen në mungesë, mbetet fakt që vrasje e ndodhur më 1 dhjetor 2024 në Ndroq të Tiranës, nuk ka lidhje me ngjarjen e vitit 2020. Por çka shihet me dyshim nga grupi hetimor, është dëshmia e autorit të dyshuar të ngjarjes, Julian Gjoshi. Nëse vërtetë e ka vrarë sepse viktima e ofendonte, apo ka një motiv tjetër. Megjithatë ajo çfarë dihet me siguri është se vrasja ishte e paramenduar dhe takimi i Gjoshit me Alfred Dedjan nuk ka qenë për sqarim, por për ta vrarë. Madje, fakti që edhe viktima ishte i armatosur, është një lloj dëshmie se edhe ai vetë e dinte që diçka e tillë mund të ndodhte, pavarësisht se nuk pati asnjë mundësi të mbrohej apo të reagojë. Një krim i tillë, në një ambient plot njerëz që po drekonin e disa të tjerë që po festonin, mund të kishte përmasa edhe më tragjike. Por fatmirësisht askush prej tyre nuk u lëndua fizikisht. Megjithatë dëmi psikologjik që një vrasje shkakton tek dëshmitarët okularë, që s’kanë asnjë lidhje me viktimën e as me vrasësin, është i pashmangshëm.
/Emisioni “Gjërat Tona”