Prokurori i Korçës, Dashnor Nure u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 4 shtator, pasi u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Nure ka deklaruar si pasuri të vetme në zotërim të tij një automjet të blerë në vitin 2004, si dhe gjendje cash në shumën 650 mijë lekë.
Për automjetin e blerë në 2004-ën, subjekti ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga paga. Në kontratën e shitjes, është përcktuar se mjeti është blerë për shumën 180 mijë lekë. Ndërkohë, pala shitëse ka shpenzuar për blerjen e këtij automjeti 5300 euro dhe zhdoganimi është bërë për shumën 224 mijë lekë.
Për arsye se subjekti e ka blerë makinën menjëherë pas zhdoganimit për shumën 180 mijë lekë dhe në kontratë nuk është evidentuar asnjë pretendim për gjendjen teknike, Komisioni ka vlerësuar që të pasqyrojë në analizën financiare vlerën 5300 euro, si shpenzim të kryer nga ana e prokurorit Nure për përfitimin e kësaj pasurie të luajtshme.
Subjekti në prapësime ka shpjeguar se ka pasur të ardhura të mjaftueshme deri ditën e blerjes së automjetit për të përballuar çmimin e prezumuar prej 5300 euro, si edhe vlerën e zhdoganimit dhe shpenzimet e tjera të jetesës. Ai ka nënvizuar se ka pasur mundësi kursimi në vlerën 147 mijë lekë dhe nuk ka pasur arsye për të fshehur apo të bëjë përpjekje për të fshehur çmimin e automjetit.
Por, shpjegimet e Nures nuk janë gjetur bindëse nga Komisioni. “Nga analiza e fakteve duket se palët kanë pasur si qëllim shmangien e deklarimit të vlerës reale të përfitimit të kësaj pasurie të luajtshme, e cila referuar gjithë dokumentacionit të administruar, rezultoi të ishte e ndryshme nga ajo e deklaruar nga palët”, citohet në vendim.
Çmimi i deklaruar në hartimin e kontratës së shitblerjes së automjetit, është konsideruar nga trupa e KPK si përpjekje e subjektit për të deformuar apo manipuluar të vërtetën në funksion të paraqitjes së rreme të të dhënave, me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme.
Pretendimi i Nures se, edhe po të merret vlera 5300 euro si çmim blerjeje për automjetin, rezulton me mundësi financiare, është gjetur i pambështetur nga faktet e hetimit administrativ. Sipas KPK, Nure ka deklaruar në 2004-ën kur ka blerë makinën, edhe gjendje cash në vlerën 900 mijë lekë, me përshkrimin se kjo shumë është akumuluar po në atë vit, nga pagat dhe kredia e marrë.
Nure ka shpjeguar se deklarimin e pasurisë së vitit 2004 e ka kryer në muajin mars të vitit pasardhës. Sipas tij, kredia është marrë në janar të 2005-ës dhe se në momentin e plotësimit të deklaratës në fjalë, është shënuar gjendja cash në kohën e deklarimit. Sipas tij, shuma 500 mijë lekë e tërhequr nga banka në janar të vitit 2005 duhet të konsiderohet si burim i ligjshëm i krijimit të shumës cash për vitin 2004.
Duke ju referuar dhe jurispudencës së Kolegjt të Posaçëm të Apelimit, Komisioni argumenton se gjendja e likuiditeteve cash apo kursimet e shtuara për vitin 2004 nuk mund të provohen ndryshe, përveçse me deklaratën periodike – si i vetmi dokument i krijuar në kohën që pretendohet krijimi i kësaj pasurie, që mund ta provojë atë.
Nga analiza financiare për kryerjen e shpenzimeve dhe krijimin e kursimeve në vitin 2004, është konstatuar pamundësi financiare në shumën 656 mijë lekë.
Në përfundim të hetimit të kyer për blerjen e automjetit në 2004-ën, Komisioni vlerëson se veprimet e subjektit për të deformuar të vërtetën lidhur me këtë pasuri përfaqësojnë përpjekjet e tij për të justifikuar mungesën e burimeve të ligjshme. Nisur nga fakti se është konstatuar edhe pamundësi financiare, KPK çmon se Nure gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.
Dhe për gjendjen cash në shumën 650 mijë lekë të pasqyruar në deklaratën veting, Nure ka deklaruar si burim të ardhurat e tij personale nga pagat.
Duke ju referuar deklarimeve të gjendjeve cash në vite, Komisioni konstaton se subjekti ka deklaruar kursime cash vetëm në 2004-ën, ndërsa për të gjithë periudhën e mëonshme nuk janë deklaruar kursime, shtesa apo pakësime.
Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar pamundësi në shumën 545 mijë lekë për krijimin e cash-it 650 mijë lekë. Pretendimi i Nures se ka mbajtur në banesë kursimet cash për vitet 2003-2016, është vlerësuar deklarativ dhe i paprovuar, si dhe i pabesueshëm e jo bindës. Po ashtu, KPK sjell në vëmendje se ky pretendim nuk përkon as me sjelljen e tij në vijimësi, kur nga viti 2006 ka marrë kredi, për të cilat është gjendur në pamundësi për t’i shlyer.
Për rrjedhojë, Komisioni vlerëson se prokurori Nure nuk ka arritur të provojë burimin e ligjshëm të të ardhurave që ka shërbyer për krijimin e gjendjes cash të deklaruar në deklaratën veting.
Prokurori Dashnor Nure ka deklaruar se për periudhën 2000-2010 ka banuar tek familja e motrës, e cila kishte marrë dy banesa qira në atë kohë. Ndërsa në periudhën 2010-2012 ka jetuar po me familjen e motrës, por në një apartament të blerë prej saj në qytetin e Korçës. Për vitet 2007-2012, ka deklaruar se ka qëndruar në periudha të ndryshme edhe në banesën e vëllezërve të tij. Për vitet në vijim, ka deklaruar se ka jetuar me qira, por se nuk ka nënshkruar kontratë qiraje.
Komisioni konstaton mospërputhje të deklarimit të Nures të dhënë prej tij në ILDKPKI në shkurt të vitit 2016, kur është shprehur se për periudhën 2000 – 2007 ka jetuar në shtëpi të marrë me qira, për të cilën deklaron se nuk e njihte qiradhënësin, ndërsa gjatë procesit administrativ në pyetësorin shtesë, ka pretenduar se ka jetuar në shtëpinë e motrës. Po ashtu, konstatohet mosdeklarim i adresave të banimit për periudhën 2008 – 2010.
Sipas KPK, subjekti i pyetur për këto gjetje, ka dhënë deklarime e shpjegime të pasakta dhe kontradiktore, prej nga duket se bëhet e pamundur të dallohet se cili deklarim është i vërtetë dhe cili ka qenë shkaku i vërtetë që e ka detyruar subjektin për të mos respektuar kërkesat urdhëruese të ligjit për të pasqyruar saktësisht dhe plotësisht adresat e banimit ndër vite.
“Përveç mungesës së koherencës në deklarime, duket se konstatohen përpjekje të subjektit të rivlerësimit për të deformuar të vërtetën në funksion të paraqitjes së të dhënave lidhur me vendbanimet e tij, të cilat nuk provohen nga hetimi administrativ”, citohet në vendim dhe nënvizohet se shpjegimet e Nures, e bëjnë deklarimin e tij të pamjaftueshëm.
Trupa e KPK vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarime të pasakta dhe kontradiktore, duke e vendosur organin e rivlerësimit në kushtet e pamundësisë objektive për të kontrolluar pasuritë në përdorim të tij dhe burimet e ligjshme të krijimit të tyre.
Lidhur me pasurinë, Komisioni arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimet e ligjshme financiare dhe se është përpjekur të fshehë apo të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë e tij, duke mos arritur nivel të besueshëm në këtë kriter.
Figura dhe profesionalizmi
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka konstatuar në raportin e rishikuar se bazuar në informacione të ardhur nga institucionet verifikuese, rezulton se disponohen të dhëna mbi përfshirjen e subjektit në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e ndërveprimit korruptiv.
Komisioni ka analizuar dosjet penale për të cilat janë ngritur dyshime. Nga verifikimi akteve të një procedimi penal të regjistruar për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, ka rezultuar fillimisht se subjekti ka vendosur mosfillimin e hetimeve, duke argumentuar se shklejet ishin kundravajtje administrative.
KPK vlerëson se arsyetimi i dhënë në procedimin penal nga subjekti i rivlerësimit është në kushtet e mungesës së një argumentimi ligjor.
Në vijim, Komisioni ka verifikuar dhe një dosje penale me të pandehur një person të dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata për Krime të Rënda në Milano – vendimarrje e formës së prerë, për veprat penale të vrasjes me paramendim, në dy raste, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Dënimet janë bashkuar në një dënim të vetëm nga Prokuroria e Milanos dhe vendimi është njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e më pas lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit. Nga aktet e administruara në dosje ka rezultuar se subjekti, me autorizimin e drejtuesit të prokurorisë të datës 14 shtator 2018, ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes penale me kërkues personin e dënuar në Itali me burgim të përjetshëm, me objekt gjykimi lirimin e tij me kusht.
Komisioni konstaton se dosja është marrë nga subjekti pa iu nënshtruar shortit elektronik, në kundërshtim me parashikimet ligjore. Po ashtu, ka rezultuar se, në të njëjtën ditë me marrjen e autorizimit, Nure ka marrë pjesë në seancën gjyqësore pranë Gjykatës së Korçës.
Nure ka shpjeguar se shpërndarja e çështjeve me short bëhet nga drejtuesi i prokurorisë, i cili zgjedh formën e shortimit, manual ose elektronik. Sipas tij, udhëzimi parashikon si rregull shortin elektronik, por nuk përjashton forma të tjera të shortimit, sidomos kur shorti elektronik nuk është i mundur. Ai ka theksuar se përgjegjësia për formën e zgjedhur për caktimin e shortit, manual apo elektronik, është e drejtuesit të prokurorisë dhe jo e prokurorit.
Nure ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së të dënuarit, pasi nuk plotësoheshin kushtet për pranimin e saj. Po ashtu, ai ka shpjeguar se e ka apeluar vendimin e gjykatës duke parashtruar në mënyrë të detajuar arsyet pse kërkuesi nuk duhej të lirohej me kusht. Më tej, subjekti ka nënvizuar se Gjykata e Apelit Korçë ka vendosur rrëzimin e kërkesës së të dënuarit G. Gj., për lirim me kusht.
Komisioni vlerëson se nuk qëndrojnë shpjegimet e subjektit, se pëgjegjësia për ndarjen e çështjeve i takon vetëm drejtuesit të prokurorisë. “Zbatimi i parashikimeve ligjore […] është detyrë jo vetëm e drejtuesit, por edhe e prokurorit të çështjes, për të siguruar pavarësinë e tij referuar parashikimeve të bëra në nenin 6 të ligjit nr. 97/2016, ‘Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’”, argumenton trupa e KPK dhe shprehet se bazuar në rezultatet e hetimit për këto çështje, ka krijuar boindjen se informacionet që disponoheshin në ngarkim të Nures ishin të bazuara në fakte dhe rrethana konkrete.
Megjithëse Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti ka arritur nivel kualifikues në vlerësimin e aftësisë profesionale, ka gjetur probleme në një denoncim.
Një denoncuese ka pretenduar se subjekti nuk ka hetuar sic duhet çështjen për vdekjen e një personi, duke paraqitur të dhëna kontradiktore.
Lidhur me hetimin e kësaj ngjarjeje nga subjekti, KPK konstaton se ai nuk ka vepruar bazuar në Kodin e Porcedurës Penale, pasi nuk ka kryer veprime hetimore për tre muaj. Ekspertimin mjekoligjor e ka kërkuar vetëm pas një shkrese të drejtuesit të prokurorisë afro tre muaj më vonë, si dhe nuk ka administruar deklaratat e ekspertëve, pasi nuk gjenden në dosje.
Subjekti ka pretenduar se nuk ka kryer veprime hetimore pasi i ka konsideruar të plota, me përjashtim të administrimit të aktit të ekspertimit mjekoligjor. Ai ka shpjeguar se aktet e ekspertimit nuk shoqëroheshin me deklaratën e ekspertit, pasi në vendimin e ekspertimit nuk mund të caktohej emri, pasi nuk njihej dhe ai caktohej nga institucioni.
Por, KPK vlerëson se subjekti nuk ka kundërshtuar dot barrën e provës dhe se ka treguar mangësi në përmbushjen e rregullt të detyrës.
Gjetjet e konstatuara në të tre kriteret e rivlerësimit, janë konsideruar në vlerësimin tërësor duke u konkluduar se veç mos arritjes së nivelit të besueshëm për pasurinë, prokurori Dashnor Nure ka cënuar besimin e publikut te drejtësia./Reporter.al