A po shkon bota symbyllur drejt një krize tjetër gazi? Çmimet mund të rriten sërish këtë dimër
Gastech, një kompani gazi në Huston, ishte shumë optimiste. Pas një sërë marrëveshjesh nga ministrat e energjisë dhe gjigantët e karburanteve fosile, delegatët brohoritën: u vendos se produkti i tyre do të luajë rol kryesor në tranzicionin e gjelbër.
Megjithatë, kishte edhe pasiguri. Presidenti Joe Biden ka ndërprerë lejet për terminalet amerikane të eksportit të gazit natyror të lëngshëm.
Ka shqetësime gjithashtu se tregu global i gazit natyror të lëngshëm, i cili u bë jetik për Europën dhe Azinë pas fillimit të luftës në Ukrainë, së shpejti mund të përballet me provën e parë të vërtetë. Me rritjen e kërkesës dhe dështimin e ofertës për të hyrë në qarkullim, mund të nisë një përleshje e re për gazin.
Gjatë krizës më të rëndë të energjisë, dukej sikur viti 2025 do të ishte viti i shpëtimit. Rusia kishte mbyllur tubacionet që furnizonin më shumë se 40% të gazit europian.
Teksa kontinenti europian nisi përpjekjet për t’u mbijetuar dy dimrave të ardhshëm dhe për të dalë nga telashet që shkaktoi varësia nga Rusia, projektet e mëdha në Amerikë dhe në Katar për gazin natyror të lëngshëm përmbytën tregun europian.
Në fakt, Europa jo vetëm që i mbijetoi krizës së energjisë, por kaloi edhe pritshmëritë e veta.
Po afron dimri i tretë që nga lufta në Ukrainë dhe kapacitetet e depozitimit të gazit janë mbushur në plot 94%, duke kaluar synimin për t’i mbushur ato në 90% deri në nëntor. Këtu kanë ndihmuar blerjet në sasi të mëdha të gazit natyror të lëngshëm, i cili vitin e kaluar përbënte 60% të importeve të gazit.
Megjithatë, tregu është i shqetësuar. Çmimet e gazit natyror të lëngshëm në Azi, një pikë referimi globale, janë mbi 13 dollarë për milion njësi termike britanike (mBtu), më të larta se pothuajse në çdo kohë, përveç periudhës së panikut të vitit 2022.
Një shqetësim është rënia e shpejtë e temperaturave. Dy dimrat e fundit të Hemisferës Veriore kanë qenë të butë, por dimri i ardhshëm nuk ka gjasa të jetë aq i butë.
“Edhe një dimër normal do të ndihej shumë i ftohtë sipas standardeve që kanë krijuar dy sezonet e fundit dimërore”, vëren një tregtar gazi. Një sezon i ftohtë do të ishte dyfish i keq për Europën. Do të kërkonte më shumë gaz, jo vetëm për ngrohje, por edhe për energji elektrike: moti i ftohtë priret të vijë me një erë të dobët, duke ulur prodhimin e fermave të erës.
Azia Verilindore gjithashtu do të përjetojë një dimër më të ftohtë se vitet e fundit. Është i mundur edhe një sezon i skajshëm dimëror si ai i vitit 2021, kur Pekini duroi temperatura deri në -20°C në janar, që ishte dimri më i ftohtë në 50 vjet.
Sindre Knutsson, nga firma këshillimore Rystad Energy, llogarit se një ftohje e madhe në Europë dhe Azi, do të krijonte kërkesë shtesë për gaz prej përkatësisht 21 miliardë metrash kub (bcm) dhe 15 bcm.
Duke qenë se Europa po maksimizon importet nga tubacionet dhe Azia me përjashtim të Kinës, ka tregti të papërfillshme me tubacione, sasia e mbetur do të duhej të vinte nga dërgesat në det. Kjo mund të krijojë një kërkesë shtesë për gaz natyror të lëngshëm prej 26 milionë tonësh, e barasvlefshme me 7% të vëllimeve të tregtuara globalisht vitin e kaluar.
Shqetësimi i dytë është se importet e Europës me tubacione mund të bien. Sipas një marrëveshjeje pesëvjeçare që do të skadojë në dhjetor, Rusia ende dërgon gaz nëpërmjet Ukrainës në Europën Qendrore. Këto flukse janë përgjysmuar që nga viti 2021, por gjithsesi arrinin në 15 bcm vitin e kaluar. Ukraina ka thënë tashmë se nuk do të bisedojë për një marrëveshje të re.
Europa dhe Ukraina po bisedojnë për të gjetur një zgjidhje. Më realist do të ishte një “këmbim” me Azerbajxhanin, ku gazi rus që vjen përmes Ukrainës, do të rietiketohej si gaz azerbajxhanas, ndërsa një pjesë e gazit të Azerbajxhanit, do të bëhej rus.
Azerbajxhani atëherë do të ishte i lirë ta blinte atë gaz për vete, ose ta dërgonte në Turqi. Megjithatë, edhe sipas këtij skenari, Europa do të kishte sërish mungesë gazi.
Do të merrte po aq shumë sa më parë nëpërmjet Ukrainës, por më pak nga Azerbajxhani. Për më tepër, për shkak se energjia është e lirë në Azerbajxhan, Rusia do duhet të pranonte t’ia shiste gazin Azerbajxhanit me çmim të ulët, ose Azerbajxhani duhej të paguante mbi mundësitë e veta.
Dhe në çdo kohë, Rusia mund të vendosë të ndalojë dërgesat e gazit “azerbajxhanas” në Europë. Bisedimet deri tani nuk kanë përparuar.
Prandaj, moti dhe gjeopolitika mund të krijojnë kërkesë për shumë më tepër gaz natyror të lëngshëm, dhe kjo mund të ndodhë në një kohë kur tregu është mjaft i trazuar. Terminali kryesor i Rusisë me gaz natyror të lëngshëm, i quajtur Arctic LNG 2, ka hasur vonesa dhe ka humbur klientët pasi Amerika vendosi sanksione mbi projektin dhe gjobiti anijet që ankorohen atje.
Është shkatërruar edhe një plan që Egjipti të bëhej furnizues i besueshëm i gazit natyror të lëngshëm në Europë. Prodhimi i gazit në vend po pakësohet shumë më shpejt se sa pritej.
Zhgënjimi më i madh në fakt ka qenë Amerika. Moratoriumi i zotit Biden do të godasë furnizimin, por vetëm pas disa vitesh, pasi ai zbatohet vetëm për projektet e reja.
Problemi më urgjent i Amerikës është falimentimi i kontraktorit kryesor në projektin Golden Pass të Teksasit, një nga dy terminalet e mëdhenj që synojnë të kalojnë online vitin e ardhshëm, gjë që mund të shkaktojë vonesa prej gjashtë muajsh ose më shumë.
Krahas pengesave në projekte më të vogla, kjo do të thotë se nga një kapacitet i ri prej 25-30 mtpa që pritet deri në vitin 2025, mund të materializohet një sasi prej vetëm 15 mtpa.
Si do të dukej një stuhi e përsosur? Skenari më i keq do të përfshinte temperatura nën zero në Europë në fillim të dhjetorit dhe zhdukjen e gazit rus deri më 1 janar.
Sidoqoftë, kontinenti nuk do të mbeste pa karburant në një periudhë afatshkurtër, sepse përveç rezervave rekord, ai ka energji bërthamore me shumicë (shumë centrale bërthamore franceze që u mbyllën në vitin 2022, tani janë rihapur) dhe hidrocentrale (pas shirave të mëdha).
Ama, rezervat e gazit të Europës do të shteronin shumë më shpejt, duke çuar në provën e parë të madhe të rimbushjes që nga viti 2022. Këtë herë “oreksi” i Europës për gaz do të ishte edhe më i madh: pasi ka zgjeruar kapacitetin e rigazifikimit me një të pestën, ajo është më pak e kufizuar në ambiciet e blerjes.
Europës do t’i duhet të garojë me Azinë për ngarkesat e gazit natyror të lëngshëm, gjë që do të çonte në rritjen e çmimeve të menjëhershme, ose çmimeve “spot”. Anne-Sophie Corbeau në Universitetin Columbia, mendon se këto çmime mund të arrijnë lehtësisht në 16 dollarë për njësi termale britanike, në fillim të vitit.
Vendet më të pasura aziatike dhe Kina do të ishin kryesisht të mbrojtura, sepse ato e blejnë pjesën më të madhe të gazit natyror të lëngshëm me kontrata afatgjata që janë të indeksuara me çmimin e naftës.
Në të kundërt, pothuajse të gjitha blerjet e Europës bëhen ose në tregun “spot” ose indeksohen sipas çmimeve “spot”, dhe kontinenti nuk mund të jetojë pa gaz, pasi ka mbyllur shumicën e termocentraleve të qymyrit. Qeveritë, shërbimet komunale dhe konsumatorët nuk do të kishin zgjidhje tjetër veçse të përballonin koston më të lartë.
Ekonomitë e varfra dhe në zhvillim do të vuanin shumë më rëndë. Të joshura nga çmimet më të ulëta nga viti i kaluar, disa prej tyre janë rikthyer së fundmi në treg, apo edhe kanë importuar gaz natyror të lëngshëm për herë të parë.
Rritja e çmimeve me siguri do t’i jepte një fund të papritur këtij zhvillimi. Shumë do të detyroheshin të kalonin përsëri në qymyr; disa mund të detyrohen të ndërpresin vazhdimisht energjinë elektrike. Pritja për furnizime të reja mund të jetë e gjatë.