Nga Lutfi Dervishi
Pyetja mund të merret si akuzë, si reflektim realiteti, mund të jetë lutje, por mund të jetë edhe retorike?
Djegia e karrikeve nga deputetët e opozitës, para godinës së Kuvendit në shenjë proteste ndaj burgosjes së një kolegu, do të pasohet nga protesta e paralajmëruar e 7 tetorit që me shumë gjasë nuk do t’i ngjajë protestave të tjera. Pas zjarrit vijnë gjithnjë pasoja.
Opozita po rrekej me javë dhe muaj për një “protestë të madhe”. Nuk po ndezte.
Pas verës së nxehtë, vendi dukej se po futej në shinat e normalitet.
Kryeministri që kishte injoruar një sërë interpelancash iu përgjigj kërkesës së deputetëve të opozitës dhe ngjarja më e madhe dukej se do të ishte shpallja e datës së zgjedhjeve të ardhshme.
Dhurata opozitës i erdhi nga vetë pozita. Njëherë duke refuzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuse për një deputet të vetin dhe herën e dytë nga gjykata e Apelit që mori një vendim jo vetëm të diskutueshëm, duke dënuar nënkryetarin e grupit parlamentar të PD-së.
Gjykatësit dhe prokurori duke shkruar “kallëzim i rremë publik” bënë vetë një kualifikim vepre penale që nuk e ka as kodi penal, as ai i procedures penale (Parimi themelor që u mesohet studentëve në fakultet juridik dhe në shkollen e magjistratures: sine lege nulla poena (nuk ka denim për diçka që nuk parashikohet ne ligj).
Për me tepër dënimi u dha jo me gjobë, jo me 6 muaj heqie lirie, por 1 vit burg që deputetit jo vetëm t’i hiqej mandati, por të vuajë edhe 5 vjet sipas ligjit të dekriminalizimit.
Qershia mbi tortë në këtë rat është gëzimi i papërmbajtur i Kryeministrit që u shpreh nga Nju Jorku përmes platformës X.
Shprehja “idiote” nuk komentojmë vendimet e gjykatave tani mund të lexohet: nuk komentojmë, por i gëzohemi dhe i përgëzojmë.
Vendimet e gjykatave në një vend normal, zbatohen, por komentohen që ç’ke me të. Debati dhe teprimi në lirinë e shprehjes është çmimi që një shoqëri paguan për të qenë e lirë.
Në një vend normal, ku gjykata nuk është zgjatje e tekave politike, kjo çështje nuk do të ishte çështje. Por ne pëlqejmë tragjikomedinë jo vetëm në politikë, por edhe në Drejtësi.
24 deputetë të opozitës janë dërguar në SPAK për djegien e karrikeve! Në kundërpërgjigje 73 deputetë të shumicës janë paditur nga opozita në SPAK për mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuse.
Në një vend normal, SPAK duhet të ishte lënë i lirë sepse vetëm me përgjimet e bisedave në SKY dhe Encrochat ka shumë punë për të bërë, duke nisur nga vettingu i vetes, për të vijuar me shumëkëndëshin Krim-politikë- biznes- media- drejtësi. Duket se i vetmi vetting që nuk mund të ndikohet nga politika dhe krimi mund të jetë zbardhja dhe hetimi i komunikimeve në këto aplikacione, ku përveç të tjerëve edhe prokurorë e gjykatës marrin e japin me botën e nëndheshme.
Në një vend normal, Parlamenti, teorikisht djepi i debatit demokratik, nuk do të ishte teatër ku gjatë gjithë kohës aktorët janë në podium, duke hedhur kush propagandë e kush akuza.
Në një vend normal deputetët angazhohen në një dialog të vërtetë dhe kuptimplotë.
Në një vend normal, etika parlamentare nuk është thjesht një formalitet, por një udhëzues që respektohet nga të gjithë. Opozita dhe qeveria përballen në sallë, por konflikti mbetet brenda sferës së ideve. Këtu, preferohet një lloj tjetër drame, ku paditë fluturojnë si avionë letre, dhe etika ka aq forcë sa urdhëri i oficerit ndaj ushtarit ditën e fundit të ushtrisë.
Media si marionetë për manipulim
Në një vend normal, media raporton mbi çështjet, heton keqbërjet dhe mban pushtetin përgjegjës. Në një vend anormal media shfaqet si krah i qeverisë, ministrat kthehen në reporterë që raportojnë vetveten duke shpërndarë me gaz e hare propagandën e veshur si lajm.
Në një vend anormal në lajme nuk sheh njerëz, por ministra, nuk sheh halle, por vetëm gaz e hare, nuk sheh njerëz që largohen, por vetëm turistë që vijnë, nuk sheh ngjarje, por protokoll, nuk sheh denoncime, por vetëm lavdërime, nuk sheh vepra, por zotime, nuk sheh mosrealizme, por inspektime.
Iluzioni i Transparencës
Ne flasim për transparencën si instrumet magjik që mjafton ta shqiptojmë dhe do të pastrojë sistemin dhe aktorët nga të gjitha mëkatet. E megjithatë, transparenca është më shumë një iluzion, një mirazh që zhduket sapo mendon se ke kapur një pamje të saj. Vendimet merren në dhoma të mbushura me tymin e puros, dhe ligjet gatuhen për t’i shërbyer interesave të një grushti njerëzish. Kemi mbërritur në pikën ku zyrtarët më parë dorëzojnë duart te Prokurori se të japin informacionin dhe dokumentat që e kanë detyrim ligjor për t’i dhënë.
Një vend normal është ai ku institucionet janë më të forta se liderët që i zënë përkohësisht dhe jo ai ku institucionet përkulen sipas vullnetit të liderit.
Korrupsioni nuk është thjesht një fenomen që e has kudo; është një mekanizëm plotësisht funksional që drejton sistemin, i vajisur me sloganin “kemi SPAK-un për këtë punë!”
A thua se ekzistenca e vetëm një institucioni i shfajëson të gjithë të tjerët nga përgjegjësia! Vullneti politik sa vjen dhe i ngjan legjendës që shumë flasin për të, por askush nuk e ka parë.
Në thelbin e anormalitetit është e vërteta e hidhur që ne nuk po flasim për problemet e vërteta. Në një vend normal, diskursi politik do të përqendrohej te politikat e orientuara drejt së ardhmes, në zgjidhjen e problemeve reale si varfëria, papunësia, shëndetësia, pensionet, largimi i njerëzve dhe jo te trushpëlarja e propaganda.
Zgjedhjet si iluzion demokratik
Në një vend normal, zgjedhjet janë të lira, të ndershme dhe një reflektim i vullnetit të votueve. Në një vend anormal, zgjedhjet kthehen në një treg ku paratë, ndikimi dhe fuqia e krimit të organizuar paracaktojnë rezultatin. Nga një garë me rregulla të qarta dhe kushte të barabarta mes partive garuese, zgjedhjet kthehen në një luftë të pushtetit me opozitën.
A mund të jemi vend normal?
Por para përgjigje se kësaj pyetje duhet adresuar pyetja: çfarë nënkuptojmë me vend “normal.”? Nëse normal do të thotë një demokraci funksionale, e lirë nga ndikimet toksike të korrupsionit, manipulimit mediatik dhe hakmarrjeve personale, atëherë kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë.
Por ndoshta duhet të qartesohemi se çfarë vendi duam që të jemi. Për momentin jemi në rrugën e një cikli dystopik dhe nëse nuk dalim prej tij, normaliteti do të jetë fantazi dhe anormaliteti normalitet.