Emisioni “Stop” ka trajtuar mbrëmjen e sotme historinë e qytetarit Ermal Kuburi nga Durrësi, i cili përballet me një sërë probleme institucionale për kujdestarinë e djalit pas divorcit nga bashkëshortja.
Ai tregon se bashkëshortja e braktisi për shkak të lidhjes me një burrë tjetër. Sipas tij, pasi u largua nga banesa, për 3 muaj me radhë nuk u interesua për djalin e tyre të mitur.
Tre muaj pasi u largua nga shtëpia, ish-bashkëshortja shfaqet dhe kërkon të takojë fëmijën, por djali i vogël kërkoi të mos shkonte te nëna, pasi thotë se ishte dhunuar nga partneri i saj i ri.
Ermal Koburi: Jam martuar në vitin 2014 dhe në vitin 2015 ka ardhur në jetë djali jonë. Në fund të vitit 2020, duke parë shenjat e ish-bashkëshortes që s’më pëlqenin në shtëpi, doli që ajo fliste me dikë tjetër. Në momentin e ballafaqimit, ajo vendosi që të largohet nga shtëpia dhe të jetojë me atë. Për rreth 3 muaj nuk pata asnjë lloj shqetësimi, asnjë lloj komunikimi. Djali ishte në shtëpi, këtu ku jemi sot. Për 3 muaj nuk erdhi, nuk kontaktoi dhe pse kishte numrin e telefonit. Familja ime mori fund, i jam drejtuar direkt gjykatës për pak ditë për zgjidhjen e martesës, deri sa Gjykata e Shkallës së Parë u shpreh dhe më la djalin në kujdestari, për rritje dhe edukim. Asnjëherë nuk e kam penguar për të parë fëmijën, madje isha unë i shqetësuar sepse nuk doja që të largohej nga nëna. Me SMS komunikonim që më sill djalin në këtë vend dhe unë e çoja në orën që ajo më thoshte. Nga takimet që bëheshin nënë-fëmijë për rreth 1 orë, 2 orë në një lokal ose kënd lojrash, ajo një moment më tha që më sill djalin dhe futi një palë rroba gjumi me vete sepse do ta marr këtu të flejë. Kjo histori vazhdoi për 4-5 netë duke e çuar djalin për të fjetur. Deri në një moment që djali më tha që babi nuk shkoj më atje sepse ai plaku më ka rrahur. Personazhi ishte bashkëjetuesi i nënës.
Vetë djali i vogël, duke respektuar etikën për të miturit, thotë për “Stop” se nuk dëshiron të takojë nënën e tij për shkak se partneri i saj e dhunon dhe kërkon që të qëndrojë me të atin.
Gazetarja: Mamin nuk e konsideron pjesë të familjes tënde?
Djali i mitur: Jo.
Gazetarja: Pse? Çfarë ka ndodhur? Të ka mërzitur mami me diçka ty?
Djali i mitur: Po.
Gazetarja: Do ma thuash dhe mua? Çfarë ndodhi që të mërziti?
Djali i mitur: Iku nga familja, më ka rrahur kur kam qenë i vogël. Edhe kur shkoja atje ta takoja, më rrihte ai plaku.
Gazetarja: Cila është dëshira jote?
Djali i mitur: Që të rri me babin.
Gazetarja: Nuk do fare që të shkosh te mami?
Djali i mitur: Jo.
Pas këtij episodi, fëmija pajiset me urdhër mbrojtjeje nga nëna dhe bashkëjetuesi i saj, por ky dokument nuk përbën problem për zyrën përmbarimore. Përmbaruesja Erida Ibrahimi kërkon ekzekutimin e takimeve me nënën, edhe pse fëmija refuzon me ulërima.
Ermal Koburi: Ka lëshuar gjykata një urdhër-mbrojtje 6-mujor për djalin nga nëna dhe një urdhër-mbrojtje 3-mujor nga bashkëjetuesi i nënës që mos i afrohen në distancë 100 metra. Gjatë kohës që fëmija kishte urdhër-mbrojtje nga nëna dhe bashkëjetuesi, u shpreh Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan në themel dhe çështja u vu në ekzekutim si palë kreditore nga nëna e djalit në zyrat e përmbarimit shtetëror të Durrësit. Në momentin që jam lajmëruar nga zyrat e Përmbarimit Shtetëror të Durrësit që unë duhet të çoja djalin atje, kam tentuar në disa forma duke shkuar personalisht atje duke çuar shkresa që duhet të vini te shtëpia sepse vendimi i gjykatës shprehet qartë që vendi i ekzekutimit do bëhet në banesën e paditësit. Unë jam paditësi, që nëna ta merrte djalin te shtëpia ime dhe ta sillte në momentin që do mbaronte afatin e takimit po prapë te shtëpia. Përmbaruesja është Enida Ibrahimi. Më detyronin mua që të shkoj bashkë me djalin në zyrat e përmbarimit çdo të premte ose të dielë të muajit, siç e parashikonte vendimi i gjykatës, edhe pse djali kishte urdhër-mbrojtje.
Kur Ermali kërkon që fëmija të merret nga banesa e tij, siç është shprehur gjykata, as ky moment nuk vlen për përmbaruesen, pasi ajo vepron me proces verbale dhe gjoba ndaj këtij të fundit.
Përmbaruesja: E kam mbajt në proces-verbal dhe kam vazhdu.
Denoncuesi: Nuk ke mbajt proces verbal! Ku e ke proces verbalin?
Përmbaruesja: Të them ty, ku e kam proces verbalin?! Ç’a thu mo Ermali?! E kupton, ça muhabetesh je duke bë, ore?
Denoncuesi: Ju atë ditë keni bë takimin e radhës. Dëshmitari, një nga personat, që ka qenë këtu, më ka thënë, që pala kreditore, nuk ka qenë prezente. Ti si mund ta shkruash në proces-verbal, që pala kreditore ka qenë prezente?
Përmbaruesja: Po ça halli ke ti?! Kundërshtoje! Ke hall, ça shkruj unë? Kundërshtoje ti, e bjer rehat!
Përmbaruesja Erida Ibrahimi ka shënuan në proces-verbal që njëra nga palët ka qenë prezent gjatë takimit me fëmijën e vogël, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke konsumuar shkelje tjetër në këtë rast krahas atij të urdhrit-mbrojtës të gjykatës që ndalon takimet e djalit me nënën.