Nga Andi Bushati
Ndodhi fiks ashtu siç e pati parathënë e përditshmja “Le monde”. Porsa mbaroi ceremonia e nënshkrimit të kontratës 3 miliardëshe për blerjen e 12 avionëve francezë “Rafle standart F4” prej Serbisë, presidenti Makron përgëzoi qasjen e Beogradit në dialogun me Kosovën dhe kritikoi këtë të fundit për shqetësimin që po sillte me vendimet e njëanshme. Pas firmosjes së kontratës, gazeta e referencës në Paris kishte vënë në dukje të njëjtin shqetësim, se pala franceze po tregohej e njëanëshme, së paku që prej prillit të kaluar, kur po diskutonte me Beogradin realizimin e kontratës së majme për gjigandin e industrisë së aviacionit, Dassault. Kur gjithçka përfundoi, në një editorial (këtë të premte) le Monde e konsideroi këtë “deal” si sukses tregtar, por të dyshimtë diplomatikisht, duke përmendur edhe heshtjen e presidentit francez për trazirat që Vuçiç ka shkaktuar në Kosovë.
Për të kuptuar rëndësinë e kësaj kontrate nuk mjafton vetëm shifra. As dhe fakti se ato po i shiten një ushtrie të armatosur deri më tani nga Rusia. Për të duhet ditur se Franca nuk prodhon më shumë se dy avionë Rafle në muaj, se përpos ushtrisë franceze ajo nuk ka kontrata me më shumë se 8 shtete të tjera, vetëm dy prej të cilave janë evropiane. Industria e këtij vendi është në një konkurencë të hapur me F- 18 e prodhuar në SHBA dhe prandaj, shtimi i Serbisë përkrah Greqisë dhe Kroacisë, si blerëse të avionëve luftarakë Rafle, i’a vlente që presidenti Markon të merrte rrugën për në Beograd, ndonëse i ngecur në kurthin e politikës të brendëshme të vendit të tij, që po i’a pamundëson zgjedhjen e një kryeministri.
Me siguri i’a vlente edhe që shefi francez i shtetit të akoomodonte disi edhe qëndrimet. Pikërisht për këtë, nuk është aspak çudi që Makron përshëndeti qasjen e Beogradit karshi dialogut, kur presidenti i këtij vendi ka deklaruar me gojën plot se ai e ka krahun të plagosur për t’a nënshkruar marrëveshjen e Brukselit. Ai bëri sikur e haroi se ish kryeministrja serbe Bernabiç, i ka dërguar një letër aleatëve të tij perendimorë, ku shprehet qartë se Serbia nuk do të paranojë kurrë, aëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Ai nuk donte ta ruante në kujtesë sulmin terrorrist të Banjskës, që i vë minat çdo principi të marëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, por përshëndeti Serbinë për hapat pozitiv të hedhur në realizimin e tyre, dhjetorin e shkuar, fiks dy muaj pas aksionit të armatosur të Radojçiçit.
Në këto kushte të fajësosh Kosovën dhe të përgëzosh Serbinë është më e pakta hipokrizi. E kjo hipokrizi nuk vihet në dukje vetëm nga media të rëndësishme franceze, por edhe nga vetë serbët. Për ta qëllimi i Vuçicit me blerjen e avionëve Rafle është i qartë. Në këmbim ai do mbështetje. “Vuçiç beson se duke blerë këto Rafale, të cilat janë një produkt jashtëzakonisht i shtrenjtë i industrisë franceze të armëve, ai do të fitojë mbrojtje politike dhe favore nga presidenti Macron » i tha medias së Brukselit Euroactiv, Vuk Vuksanoviç, nga qendra for Security Policy.
Kjo lojë e nënshtrimit të parimeve nga interesat ekonomike është e lashtë sa vetë diplomacia. Edhe pak kohë më parë shumë zëra analistësh të njohur në rajon tundën këmbanat e alarmit, kur në më 19 korrik, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe drejtori i përgjithshëm i Mercedes Benz shkuan në Beograd për të marrë pjesë në nënshkrimin e një partneriteti midis Serbisë dhe BE-së, për minierat e shfrytëzimit të Litiumit, që do i mundësojnë Bashkimit Evropian prodhimin e baterive elektrike.
“Sot BE dhe Gjermania kanë shkëmbyer demokracinë, shtetin ligjor dhe perspektivën evropiane të Ballkanit me litiumin”, shkroi pas kësaj ngjarjeje, në x, sepecialisti i Ballkanit Florian Bieber. Me siguri ai dhe të tjerët i referoheshin zgjedhjeve të manipuluara sipas raporteve të OSBE ODHIR, që u zhvilluan në Serbi 8 muaj më parë. Ata kishin pasasysh korrupsionin dhe kriminalitetin si dy këmbë mbi të cilat mbështetet regjimi i Vuçiçit.
Por, me sa duket ato kanë më pak vlerë sesa blerja e avionëve Rafle dhe nxjerrja e litiumit.
Ndaj dhe ne, këtej në anët tona, nuk mund ti kuptojmë dot të plota deklarata si ato të Makronit, që godet Prishtinën për veprimet e njëanëshme dhe përgëzon Beogradin për hapat konstruktivë në zbatimin e marrëveshjes së normalizimit, pa ditur këtë kontekst. Qëndrimet për asociacionin, hapjen apo jo të urës së Ibrit, heqjen e njërës postë apo hapjen e tjetrës në Mitrovicë dhe për shtrirjen reale të sovranitetit në veri, nuk mund të shihen të shkëputura nga këto interesa dhe objektiva momentale, që nuk kanë të bëjnë aspak me shqetësimin për të ardhmen e Kosovës.
Parë nga ky prizëm, thirjet histerike për rakoordim në ç‘do hap me ndërkombëtarët, për dëgjim pa kushte të atyre që na kanë çliruar, tingëllojnë qesharake. Në princip Parisi apo Berlini janë më të shqetësuar për shifrat e grupeve Dasssault dhe Mercedes sesa për debatin se cili ka të drejtë në komunën e Leposavaqit. Ata duan avionët Rafle dhe litiumin më tepër se kalimi lirshëm nga një anë e Mitrovicës në tjetrën. Politikanët e tyre janë votuar për të shpënë përpara interesat e të parëve, prandaj është absurde që ne tu kërkojmë të zgjedhurve tanë, ti shkojnë pas me çdo çmim atyre edhe kur janë të bindur se po bëjnë një gjë të drejtë për vendin e vet.
Kjo është ajo që duhet kuptuar nga qëndrimet e presidentit Makron në Beograd, që një shumice prej nesh, mund t’i tingëllojnë absurde dhe të padrejta. Në fund të fundit në përshkrimin e detyrës së tij ai nuk ka asnjë nen ku ti kërkohet mbrojtja e shqiptarëve.